OPINION

Busulla e Presidentit të Ri

09:28 - 05.06.22 FATOS ÇOÇOLI
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në pyetësorë dhe sondazhe të mediave kryesore të vendit, përpara zgjedhjes nga Kuvendi të Presidentit të Shqipërisë më 4 qershor, shumica e qytetarëve të intervistuar shprehnin dëshirën që kreu i Shtetit të mos i përkiste politikës. Një dëshirë që dëshmonte qartë zhgënjimin e pjesës më të madhe të qytetarëve tanë nga politika e sotme dhe njerëzit e saj. Zgjedhja e partisë së sotme në pushtet për të votuar një intelektual jashtë rradhëve të politikës i bën mirë vendit. Madje përbënte domosdoshmëri, ngaqë institucioni i kryetarit të shtetit ka marrë goditje të shumta nock-down-i(rënie përdhe) në përgjegjshmërinë e lartë përpara interesave kombëtare dhe paanësinë e plotë nga politika që ky institucion duhet të rrezatojë. Kohët e fundit, ai u përdorur dhe madje u keqpërdorur dëndur. Qeramarrësit(nëse mund të quhen kështu ata që e kanë mbajtur këtë pozicion në dekadën e fundit) e fundit të tij panë më shumë nga interesat e ngushta politike e partiake, sesa nga detyra madhore e përfaqësuesit dhe forcuesit të unitetit të shqiptarëve. Prandaj, dhe qytetarët në përgjigjet e tyre ndaj mediave dhe sondazheve të tyre, e kërkonin kandidatin fitues për president tek një person të larguar nga politika. Kjo më në fund u arrit. Megjithatë, fakti që kryetari i shtetit që do të betohet President më 24 korrik, për fat të mirë dhe me vullnet të shumicës së sotme, vjen nga një fushë larg politikës, si karriera e mjekut në ushtri, nuk do të thotë domosdoshmërisht se presidenti i pas gjashtë javëve nuk do të ketë sjellje prej politikani apo partiaku. Shumë do të varet nga raporti i pavarësisë që ai vetë do të ketë kurajon dhe integritetin  të vendosë me partinë që e propozoi dhe e zgjodhi. Nga ana tjetër, do të varet shumë edhe se sa do të arrijë të frenohet partia e sotme në pushtet që i ka fituar të gjitha, që të mos kushtëzojë politikisht kryetarin e ri të shtetit në ushtrimin e detyrave dhe misionit të tij. Do të jetë një lojë e brishtë pushtetesh dhe influencash, që si qytetarë shpresojmë të përfundojë me ushtrimin normal dhe të qetë të detyrës së përfaqësuesit të unitetit të shqiptarëve nga z. Begaj. Urojmë po ashtu që ai të dijë të rrethojë veten me këshillues të pastër dhe profesionistë në fushat kryesore ku qytetarët duan të dëgjojnë nga Presidenti i tyre një fjalë të mençur dhe ndihmuese. Për këtë ai do të ketë shumë nevojë dhe duhet të mendojë fort që tani për ta rrethuar veten me njerëz të pastër e të zotë. Po nisi të mendojë për të emëruar këshilltarë për të bërë qoka, ka humbur ende pa filluar. Për shembull, në fushën e ekonomisë, ku roli i kryetarit të shtetit mund të jetë shumë aktiv dhe dobiprurës, duke i sugjeruar shumicës në qeverisje ndërhyrje kurajoze për të mbrojtur qytetarët në nevojë nga rrëmeti i çmimeve të larta, të cilat, sipas parashikimeve të Bankës Botërore, do të qëndrojnë të tilla deri ne fund te vitit 2024! Në luftën pa kompromis ndaj korrupsionit, për të kthyer realisht dhe jo me fjalë, shpresën se ky vendi ynë mund të bëhet. Presidenti i ri i Republikës mund ta identifikojë veten me misionarin dhe njeriun që bashkon shqiptarët në kthimin e shpresës se vendi ynë bëhet. Ai e ka këtë mundësi, pse Kushtetuta i ka dhënë përgjegjësinë e garantit të unitetit të shqiptarëve. Dhe ai, shumë më tepër nga sa edhe vetë kryeministri, i cili në periudha zgjedhjesh i ngjan më shumë një kundërsulmuesi të interesuar vetëm për të bërë gola në portën e kundërshtarit politik, se sa për të parë golat që futen në portën e zgaflluar të të varfërve të vendit të vet, mund t’i bashkojë shqiptarët. Mund të ulë në një tryezë të përbashkët pozitën, opozitën dhe shoqërinë civile, për të bërë një plan të përbashkët rezistence sociale ndaj katastrofës së çmimeve të larta, por edhe braktisjes masive të vendit, që nuk është aspak një emigrim normal ekonomik. Çmimet e larta deri në vitin 2024 përbëjnë një ortek që, për fat të keq, pak kush po e sheh sot t’i afrohet kërcënueshëm jo vetëm portofolit, por edhe gjithë nivelit të jetesës së shqiptarëve me të ardhura të pakta ose në kufirin e varfërisë. Dhe të tillë kemi afro gjysmën e popullsisë. Ulja e pritshme e konsumit pas muajve të nxehtë dhe konsumatorë të verës, do ta godasë shumë fort ekonominë tonë, duke provuar rëndë edhe komardaret tona të zakonshme të shpëtimit, si të ardhurat nga emigrantët dhe bujqësia. Bujqësia po provon këto muaj vështirësitë e para serioze në prodhimin në serra, në eksporte dhe në prodhimin blegtoral në ditë të hallit. Ajo do ta ketë shumë të vështirë, në mos të pamundur ta marrë veten, nëse qeveria nuk do të dijë dhe të dojë t’i kushtojë vëmendjen e duhur. Për këtë, një rol dobiprurës mund të luajë kryetari i ri i shtetit. Ai duhet të mendojë çdo ditë si qytetar dhe për qytetarin. Dhe mendimi i parë i ditës për një nga çdo dy qytetarë të Republikës së Shqipërisë sot, është se si do të arrij me të ardhurat që kam të përballoj muajin dhe se si do të arrij të qëndroj në punë, apo të punësoj fëmijët. Në këto interesa madhore do të ishte mirë të identifikohej presidenti i ri, nëse do të donte me gjithë zemër ta shihte veten President të të gjithë shqiptarëve. Nëse ai flet me kurajo, durim, urtësi, qetësi dhe me paraqitje zgjidhjesh të arësyeshme për çdo problem të mprehtë ekonomik dhe shoqëror të shqiptarëve, duke ofruar tryeza dialogu dhe mirëkuptimi mes të gjitha palëve të interesuara, gradualisht ai jo vetëm që do të pozicionohet si duhet me shumicën qeverisëse që e zgjodhi, por edhe do të fitojë zemrën e çdo shqiptari tjetër që nuk sheh vetëm ngjyrën mavi, ose dhe që nuk sheh fare ngjyra partiake. Madje kjo kategoria e fundit përbën edhe shumicën e popullsisë. Po të dijë ta orientojë si duhet busullën e tij njerëzore dhe intelektuale drejt misionit të vërtetë të kryetarit të shtetit, atëhere do të kalojë në histori si presidenti që i ndihmoi dhe i bashkoi shqiptarët edhe më shumë se sa Presidenti Moisiu. Z. Begaj i ka të gjitha atributet të arrijë dhe kalojë Presidentin Moisiu në kontributet për qetësimin, normalizimin dhe ankorimin e vendit drejt misionit madhor ekonomik dhe shoqëror të daljes pa shumë vuajtje dhe dëme nga kjo krizë madhore çmimesh. I urojmë me shumë shpresë sukses!





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.