OPINION

Alarmi i krimit gjatë sezonit veror

09:05 - 06.06.22 ERVIN KARAMUÇO
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shqipëria ka hyrë në ciklin e dytë kriminologjik të vitit. Cikli veror në dallim nga ai dimëror ka një larmi më të madhe të shkaqeve të kriminalitetit. Ky cikël shoqërohet nga shumë fenomene të lidhura me aktivitetet njerëzore. Këta të fundit tashmë janë zgjuar nga letargjia dimërore, kanë shtuar kontaktet dhe udhëtimet, si dhe kanë rritur dendësinë në vendqëndrime publike. Këto janë disa nga arsyet pse Policia e Shtetit, në dallim nga sezoni dimëror, në vigjilje të pushimeve verore ndërmerr një plan të posaçëm masash për sigurinë publike. Ky plan, në kontrast me shumë vende evropiane, nuk bëhet asnjëherë publik dhe ka rëndësinë e tij vetëm për përdorim të brendshëm të efektivëve dhe strukturave të posaçme të policisë.




Për shkak të nevojave të edukimit publik dhe rritjes së vigjilencës qytetare, një nga format e policimit në Evropë janë edhe këshillat dhe paralajmërimet në interes të qytetarëve. Kjo praktikë ka munguar shpesh në aktualitetin tonë të forcimit të elementëve komunitar të sigurisë, ndaj nevoja për tu përqasur me standarde perëndimore duket të fokusohet edhe në këtë fushë. Disa nga çështjet dhe fenomenet që duhet të na shqetësojnë dhe orientojnë të jemi më të kujdesshëm këtë sezon veror, krahas rolit të institucioneve, kanë lidhje kryesisht me aktet kriminale si vijon:

Vjedhjet e banesave në qytete, nga ku pushuesit janë larguar për pushime

Vjedhjet e dhomave të hoteleve, vilave dhe në çadrat e pushuesve në bregdet

Vjedhjet e makinave apo aksesorëve të tyre

Vjedhjet në subjektet tregtare

Përplasjet e grupeve të të rinjve, veçanërisht nën efekte gjatë orëve të vona të natës në ambiente publike dhe lokale

Shtimi i shitjes publike të lëndëve narkotike

Shtimi i aksidenteve rrugore, atyre në terrene të thepisura bregdetare dhe me mjete lundruese

Zjarrëvëniet e qëllimshme në natyrë

Vrasje të lidhura nga konkurrenca në bizneset bregdetare apo nga rivalitetet e lindura në emigracion

Të gjitha krimet e mësipërme, krahas strategjisë parandaluese që harton periodikisht policia, duhet të jenë një detyrë për më shumë vigjilencë qytetare dhe kujdes të shtuar individual. Në këtë kontekst nuk duhet harruar edhe kujdesi për të shmangur rritjen e rasteve të mbytjeve në det dhe arresteve kardiake, helmimin nga ushqimet dhe humbjet e fëmijëve në ambiente të mbipopulluara.

Nëse duam dhe presim ndihmën e shtetit dhe organeve të specializuara, të cilat nganjëherë në ngjarje të caktuara mungojnë ose vonojnë, pikë së pari le të fillojmë nga detyrat tona vetjake. Siguria fillon nga ne….

*Prof. Ass. Doktor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.