Intervista

“Taksat janë shkaku kryesor pse kemi naftën më të shtrenjtë”- Ish-drejtori i ARMO: Qeveria fitoi 300 mln euro më shumë në 4 muajt e këtij viti

14:19 - 09.06.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Prej kohësh, Shqipëria nuk krahasohet më me vendet e rajonit për çmimin e lartë të naftës. Pasi la pas Kosovën, Maqedoninë e Veriut e Malin e Zi, tashmë Shqipëria rezulton edhe me çmimin më të lartë të naftës sesa Italia apo Franca, që janë vendet me çmimin më të lartë të karburantit në Europë.




Ish-drejtori i ARMO-s, aktualisht deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Vlorës, Fatjon Veizaj, e drejton gishtin e akuzës ndaj qeverisë për këto rekorde negative. Sipas tij, Shqipëria ka barrën më të lartë fiskale për hidrokarburet. Por duke mos mjaftuar taksat e shumta, Veizaj thekson edhe rimbursimin e inflacionit te TVSH e produkteve. Kjo sipas Veizajt është një faktor më shumë që rrit çmimet në Shqipëri, jo vetëm atë të naftës, por të të gjitha produkteve të tjera. Sipas deputetit të PD-së, shumë shoqëri transporti apo kompani të huaja kanë interes të blejnë naftën jashtë Shqipërisë, por që shteti i ka vendosur në kurth, sepse nuk ua njeh si shpenzim. Ish-drejtori i ARMO-s kërkon nga qeveria që të ulë taksat në mënyrë që të mund të menaxhohet çmimi i naftës.

Z. Veizaj, çmimi i naftës në Shqipëri shkoi në 260 lekë për litër. A ka të njëjtën rritje edhe në vendet e rajonit apo Bashkimit Europian?

Jemi bërë bajat duke u krahasuar me vazhdimisht me rajonin ndërkohë që kemi pasur në mënyrë të vazhdueshme çmim më të lartë se ata. Kjo tani nuk përbën më lajm. Tragjik është fakti që Shqipëria më në fund dhe për herë të parë, çmimi i karburantit në vendin tonë e kaloi çmimin në Itali. Italia dhe Franca kanë qenë shtetet që kanë pasur çmimin më të lartë në Europë. Ne ua kaluam edhe këtyre. Imagjinoni. Një litër nafte në Itali është 1.8 euro, ose 216 lekë; në Shqipëri është 2.15 euro, ose 258 lekë. Dhe të mendosh diferencën në të ardhura në pagën minimale e mesatare midis qytetarëve tanë dhe atyre italianë. Në situatën e krijuar, shoqëri të ndryshme transporti apo biznese kanë interes ta blejnë naftën kur shkojnë jashtë Shqipërisë. Por e vetmja gjë që i pengon është fakti se nuk u njihen shpenzimet. Po ju sjell në vëmendje shakatë e hidhura të Kryeministrit mbi krahasimet me çmimet e larta të 2013-ës dhe propagandën me aftësinë për të mbajtur çmimet nën kontroll, qe fsheh një mungesë të madhe përgjegjësie përballë qytetarëve.

Përse Shqipëria ka çmimin më të lartë të hidrokarbureve?

Është totalisht nga barra fiskale që kemi ngarkuar në nënproduktet e naftës. Sot paguhet 110 lekë/litër taksa (akcize + taksë karboni + taksë qarkullimi + markim + TVSH). Për shkak të rritjes së çmimit në tregjet ndërkombëtare, veç taksave fikse është rritur dhe baza e taksueshme për TVSH-në, duke bërë që të rëndohet kostoja për konsumatorin, por duke sjellë të ardhura më shumë në buxhetin e shtetit. Në vend që shteti shqiptar të mendonte për pezullimin e përkohshëm të ndonjë takse për shkak të situatës së krizës, këtë vit u sanksionohet që të rimbursohet TVSH në varësi të inflacionit. Me pak fjalë, tani që inflacioni ka shkuar 6%, TVSH e naftës do të rritet me 6%. Këto janë politikat sociale të kësaj qeverie që ngarkon me kosto më të mëdha qytetarët.

Qeveria ka ngritur një bord me përfaqësues nga biznesi dhe qeveria, si ka qenë sjellja e tyre? A u ka shërbyer qytetarëve?

Bordi i Transparencës po tenton të kontrollojë çmimet e shumicës dhe pakicës duke ndërhyrë totalisht në parimet e lirisë së tregut dhe struktura e vendosjes së çmimit nëpërmjet bashkëpunimit të nëpunësve të administratës dhe tregtarëve, shpeshherë nuk pasqyron realitetin e tregut. Bordi i Transparencës nuk është krijuar për të bërë transparencë mbi vendosjen e çmimit të naftës, por për të legjitimuar dhe rritur më shumë çmimin.

Çfarë masash duhet të merren që të ketë një çmim më të përballueshëm për Shqiptarët?

Efekti i rritjes së çmimeve, sipas të dhënave zyrtare, është rreth 300 milionë euro më shumë të arkëtuara në buxhet në 4 muajt e këtij viti në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Niveli i suficitit për periudhën 4-mujore të vitit 2022, rezultoi në rreth 19.2 miliardë lekë, e krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit rezultonte në masën prej rreth 14.8 miliardë. Arsyeja dihet. Qeveria nuk ndërhyri në masën e barrës fiskale dhe përfundimi është ky që po jetojnë të gjithë shqiptarët. Ku kanë shkuar ato 300 milionë euro që ka marrë më shumë shteti shqiptar nga rritja e çmimeve? Përse nuk ua kthen ato para qytetarëve? Rrogat në administratë nuk janë rritur. Në kushtet kur çmimi i naftës ka një rritje globale, qeveria së paku duhet të pezullojë taksën mbi qarkullimin që vilet në çdo litër naftë. Kjo do t’i lehtësonte sadopak shqiptarët dhe do të stimulonte punën.

Ju jeni njohës i mirë i fushës së hidrokarbureve. Në dijeninë tuaj, a ka naftë kontrabandë në tregun vendas?

Pasojë e kësaj situate janë të gjitha pikat e karburanteve kufitare në qytete si Shkodra, Kukësi, Dibra e Pogradeci. Ka rënie të volumit të shitjes, pasi kushton më lirë të marrësh me sasi të vogla nga vende si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, sesa të blesh brenda vendit. Nuk përjashtohet mundësia për të bërë evazion, përkundrazi, barra e lartë fiskale është shtytëse për ta bërë atë.

Vendi ynë është një shtet që nxjerr naftë të papërpunuar. Çfarë ndodh me të dhe si mund të përdoret ajo për përdorim vendas, në mënyrë që të mos shkojmë në këto çmime?

Tashmë ne nuk e kemi më mundësinë të rafinojmë naftën tonë bruto, pasi nuk kemi më një rafineri ku mund ta procesojmë, sepse e vetmja rafineri që mund të prodhonte produkte të gatshme, ne e kemi çuar për skrap. Marrëdhënia këtu është pak më komplekse, pasi nafta bruto po vazhdon të eksportohet dhe duke pasur edhe specifikën që nafta jonë bruto është e një cilësie jo të mirë, me përqindje të lartë squfuri dhe me më pak produkte të bardha të vlefshme, si benzina dhe gazoili, kuotohet në nivele më të ulëta se ajo e vendeve të tjera. Do të kishte qenë mirë që shteti të kishte ndërhyrë për të vazhduar mundësinë e rafinimit në vend, gjë e cila do të sillte vlerë të shtuar në ekonomi, si dhe të pavarësisë.

A e justifikon çmimin cilësia e naftës?

Cilësia e naftës në Shqipëri mendoj që është e kontrolluar dhe nuk ka shumë diferencë nga një operator te tjetri. Nuk përjashtohet mundësia për abuzime, siç thashë edhe më sipër, nisur nga çmimi i lartë dhe barra fiskale.

platforma

(Nga MARIGLEN KUME/ Panorama.al)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.