OPINION

Në Ohër pamë një Ballkan më të hapur

09:45 - 10.06.22 FATOS ÇOÇOLI
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në datat 7-8 qershor 2022, në Ohër të Maqedonisë së Veriut u organizua mbledhja e rradhës e nivelit të lartë për Ballkanin e Hapur. Për herë të parë pas gjashtë takimeve të zhvilluara që nga tetori 2019, kur startoi nisma, në pozicionin e vëzhguesit për Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën kishin ardhur vete kryeministri i Malit te Zi, shqiptari Dritan Abrazoviç dhe Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, Zoran Tageltija. Të dy kryeministrat u shprehën pozitivë se parlamentet e vendeve të tyre do të merrnin së shpejti vendimin politik për hyrjen në nismën rajonale ku deri sot janë vetëm Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Kryeministri boshnjak u shpreh se beson që shumica e popullsisë së Bosnjës e mbështet nismën “Ballkani i Hapur”. “Në rradhë të parë, komuniteti i biznesit”, theksoi ai, duke përfunduar se “Bosnja, formalisht nuk është anëtare e nismës, por shpresoj të jem i fundit këtu në cilësinë e vëzhguesit, dhe çdokush tjetër që do të vijë këtu të flasë në cilësinë e anëtarit të nismës së Ballkanit të Hapur”. Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç cilësoi se shtetet e rajonit duhet t’i lënë pas politikat e konfrontimeve dhe të shohin drejt së ardhmes. “Të kaluarën nuk mund ta ndryshojmë, vetëm të ardhmen mund ta ndryshojmë. Çdo gjë që ka për qëllim pajtimin do ta ketë mbështetjen tonë. …Shpresoj se radhën tjetër do të jemi bashkë të gjitha gjashtë shtete, pavarësisht skepticizmin që mund të kemi”, deklaroi ai. Ballkani i Hapur mori pagëzimin e plotë nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të SHBA-ve. Gabriel Escobar, i dërguari i Posaçëm i Shteteve te Bashkuara te Amerikes per Ballkanin Perëndimor, përmes një videolidhjeje u deklaroi pjesëmarrësve në takimin e Ohrit se “SHBA-të e përkrahin nismën Ballkani i Hapur, sikurse edhe të gjitha nismat tjera që promovojnë paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor”. Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, u shpreh se Brukseli e mbështet nismën, si mundësi që do t’i ndryshojë sfidat me të cilat është përballur rajoni, por edhe si mundësi për përshpejtimin e integrimit evropian të rajonit. “Pjesëmarrjen time e shoh si ftesë që BE-ja të jetë pjesë e procesit. Nisma ‘Ballkani i Hapur’ nuk është vetëm e mirë, të gjithë e mbështesin, por është edhe si mundësi që rajoni ta ndryshojë realitetin dhe t’i ndryshojë sfidat, me të cilat po përballet qe shumë vjet, për të mos thënë dekada“. Dhe me të vërtetë, marrëveshja po funksionon. Në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, në këto dy vjet e dhjetë muaj, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur një sërë marrëveshjesh. Këto tri shtete kanë vendosur që lëvizja e qytetarëve të tyre të bëhet me pashaporta dhe pa viza. Pas pesë marrëveshjeve në takimin e Tiranës të dhjetorit 2021, gjendja ka ndryshuar. Marrëveshja që ngjalli më shumë oreksin e përfitimeve nga komuniteti i biznesit të Malit të Zi dhe të Bosnje-Hercegovinës ishte ajo e tre shteteve për njohjen reciproke të autorizimeve të operatorit ekonomik të autorizuar. Pra lehtësi konkrete të biznesit per kalimin në dogana. Janë hapur korsitë për këta operatorë ekonomikë të autorizuar në Tabanoc, mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë dhe Qafë Thanë, mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Biznesi i këtyre tre vendeve, që aplikon dhe e merr këtë status, nuk vonohet tashmë më në traun e doganës. Prandaj ishin në Ohër kryeministrat e dy vendeve që ende nuk janë brenda nismës, të Malit të Zi dhe të Bosnje-Hercegovinës. Ballkani i Hapur po jep rezultate në lëvizjen e lirë të mallrave, deri në heqjen përfundimtare të pengesave doganore. Edhe Kosova, pavarësisht refuzimit zyrtar për të ardhur në Ohër, shpejt a vonë do t’i bashkohet nismës. Biznesi kosovar është i qartë për këtë. Duhet pak kohë që edhe politikanët e Kosovës ta kuptojnë dhe të mos marrin frymë vetëm me dasitë e së shkuarës. Të gjithë do të bashkohen, sepse do të shikojnë përfitimet reale. Të gjithë ne në Ballkanin Perëndimor nuk kemi kohë të jetojmë në të shkuarën. Kemi të gjithë të njëjtat probleme në rajon dhe duhet të punojmë së bashku për t’i zgjidhur. Pandemia e tregoi fare qartë këtë. Kur vuan një nga ekonomitë tona, të gjithë vuajmë.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.