OPINION

Prirje e Amerikës për marrëdhënie speciale me një vend të vogël si Shqipëria

10:00 - 10.06.22 NDRIÇIM KULLA
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në vigilie të  festimit  të 100 vjetorit të mardhënieve Shqiptaro- amerikane




Nuk është e vështirë të provosh me shumë fakte se marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë të vecanta, janë siç thuhet për marrëdhëniet amerikano-britanike, special relationship.   Nëqoftëse vërtetohet lehtë që marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë të një karakteri të vecantë, nuk është aspak e lehtë të tregosh në të gjithë përmasat e tyre themelet e këtyre marrëdhënieve, ato themele të cilat kanë bërë që marrëdhëniet shqiptaro-amerikane t’ iu rezistojnë sfidave të kohës, madje edhe tërmeteve, sic mund të quhet qëndrimi armiqësor i regjimit komunist shqiptar ndaj SHBA.

Themelet e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane kanë nisur të ndërtohen që para krijimit të shtetit shqiptar, si dhe që para se SHBA të niste të merrej aktivisht me cështjet europiane. Kombet e mëdhenj dhe të vegjël, shtetet e mëdhenj dhe të vegjël, ashtu si njerëzit, i ofrojnë miqësi njëri-tjetrit me anë të gjesteve miqësore. Zakonisht janë vendet dhe kombet e vegjël ata që, për arsye që merren lehtë me mend, duan që të kenë marrëdhënie speciale miqësore dhe aleancë me një vend të madh, aq më tepër me vendin më të fuqishëm të kohës dhe bëjnë gjestet përkatëse për të arritur këtë. Dhe kur iu realizohet një dëshirë e tillë këta vende dhe kombe të vegjël e quajnë një fatbardhësi të madhe për ta.

Shumë rrallë ndodh që të jetë vendi dhe kombi më i fuqishëm dhe i prosperuar i kohës, ai i cili t’ i ofrojë miqësinë, aleancën dhe të gjithë potencialin e tij një vendi dhe një kombi të vogël, siç është rasti i SHBA me Shqipërinë dhe kombin shqiptar në përgjithësi, që para se ky shtet të krijohej dhe që në çastet e para të jetës së tij. Në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, ka shumë e shumë ngjarje, nga ana amerikane, që nuk shpjegohen dot nga këndvështrimi i marrëdhënieve mes vendeve të mëdha e të vogla, madje edhe në rastet më bujare të tyre.

Ka me dhjetra ngjarje,   të cilat të krijojnë bindjen se SHBA kishte ndërmend ta përdorte Shqipërinë dhe shqiptarët si një shembull të asaj që mund të gjuhet gjeopolitika etike, kur një fuqi e madhe ve etikën mbi interesat në marrëdhëniet me një vend dhe komb të vogël. Sigurisht pa përjashtuar dhe interesat e fuqisë së madhe, por që në rastin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane rezultuan të jenë të ndërsjellta.

Edhe shumë vite para se Amerika të niste të ndërhynte në Europë, gjë që ndodhi me hyrjen e Amerikës në Luftën e Parë Botërore, në 1917, dhe kur dukej se kancelaria e politikës së jashtme në Uashington dhe publiku amerikan, nuk kishin shumë interes për zhvillimet politike në Europë, gazetat më të mëdha amerikane i kushtonin një vëmendje të madhe ngjarjeve në Shqipëri, e cila në atë kohë ishte akoma pjesë e Perandorisë Osmane. Nga cuditërisht shumë artikuj që gazeta “New York Times” ka botuar për Shqipërinë në vitet 1850-1912, duke menduar se Shqipëria ishte një vend i vogël, i panjohur, po citoj vetëm disa. Në 22 nëntor 1885, Neë York Times shkruante:

Shqiptarët mund të shihen duke luftuar për dhe kundër otomanëve.

Në 1 qershor 1880, “Neë York Times” shkruante:

     Evropa ka krijuar një principatë për bullgarët; Serbia e Mali i Zi janë bërë të pavarura dhe e kanë shtuar territorin e tyre; për këtë shqiptarët të cilët kanë qenë të lirë dhe të pavarur para shumë shekujsh, kanë të drejtën të krijojnë shtetin e tyre.

Operacioni i parë i madh humanitar i SHBA përtej oqeanit, që para se ky vend të hynte në politikën botërore si një aktor i madh, në 1917, me hyrjen në luftën botërore ndodhi pikërisht në Shqipëri, në vitet 1913-1915.

Që para se SHBA të fillonte të merrej me problemet e botës mbarë, dhe që para se të krijohej shteti shqiptar, personalitete të rëndësishme të saj janë marrë me Shqipërinë. Kështu, Charles Richard Crane (1858-1939), biznesmen dhe këshilltar i Presidentit Wilson, anëtar i Delegacionit shtetëror amerikan në Konferencën e Paqes në Paris pas Luftës së Parë Botërore, vizitoi Shqipërinë në 1911 dhe në një intervistë që dha për gazetën “Neë York Times”, një vit më pas, tha:

Shqiptarët kanë fuqi, dëshirë për pavarësi, dhe janë rreth katër milionë. Shqiptarët kanë homogjenitet si komb, megjithëse janë të ndarë në ortodoksë, katolikë, muslimanë. Ata jetojnë në një territori të pasur, në Adriatikun lindor, dhe kanë disa porte të vlefshme.

Me këto nuk dua të them se Shqipëria ishte e njohur në Amerikë, sepse pjesa më e madhe e lexuesve iu bënin vetëm një lexim diagonal këtyre shkrimeve në shtypin amerikan për vende të vogla dhe të panjohura si Shqipëria. Por ky pasqyrim i ngjarjeve në Shqipëri nga shtypi i madh amerikan, tregon se kishte një tendencë nga elitat amerikane që formësonin opinionin public për ta bërë të njohur Shqipërinë dhe shqiptarët për publikun amerikan. Jo vetëm Shqipërinë, por edhe vende të tjera të vogla dhe të panjohura si ajo, që kishin probleme të mëdha, ende vuanin në robëri dhe kërkonin të ecnin në rrugën e zhvillimit. Atëherë, SHBA që ishte duke u bërë fuqia më e madhe ekonomike në botë, po bëhej gati të hynte në arenën politike botërore, duke sjellë një përmbysje në rregullat e gjeopolitikës, atë që më poshtë e kam quajtur “gjeopolitikë etike” dhe që kur të zbatohej do të bënte përshtypje spektakolare vecanërisht në vende si Shqipëria.

 

Edhe politika shtetërore amerikane ka bërë lëvizje të tilla për Shqipërinë që nuk janë të zakonshme për politikën e këtij vendi para vitit 1917. Në vitin 1914, kur Shqipëria ishte bërë shtet nën kujdestarinë e gjashtë fuqive të mëdha europiane, dhe midis vendeve kujdestare nuk ishte SHBA, ministri fuqiplotë amerikan në Greqi, George Fred Williams, i cili mbulonte përkohësisht edhe shtetin e ri shqiptar, u urdhërua nga Washingtoni që të bënte një udhëtim në Shqipëri, të cilin ai e bëri madje duke shkruar edhe një libër shumë dashamirës për Shqipërinë.

Me fillimin e Luftës së Parë Botërore, kur SHBA ishte akoma neutrale, i bënte presion të madh Italisë, e cila për nevojat e saj ushtarake ishte e detyruar të bllokonte bregdetin shqiptar, që të hynin anijet kundërshtare austro-hungareze, sepse italianët kështu bllokonin edhe anijet amerikane me ndihma humanitare që vinin në Shqipëri?

Ajo që ka bërë SHBA për Kosovën në 1999 është e njohur botërisht. Por ç’ mund të thuhet për faktin që 80 vjet më parë se SHBA të çlironte Kosovën, në vitet pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, SHBA kishte si partner Komitetin Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, që vepronte në Shqipëri, për të shpërndarë ndihmat humanitare amerikane te refugjatët shqiptarë të Kosovës të ardhur në Shqipëri?

Në Konferencën e Paqes në Versajë, Presidenti amerikan Wdrow Wilson, megjithëse Senati ia kishte bërë të qartë se e refuzonte projektin e tij të Lidhjes së Kombeve, që do të thoshte se Amerika po hynte një një periudhë izolacionizmi, megjithatë këmbënguli që të mos prekeshin kufijtë e shtetit shqiptar, duke fituar kështu mirënjohjen e përjetshme të Shqipërisë dhe shqiptarëve për të dhe për vendin e tij të madh .

Kur politikanë nga e gjithë bota, madje edhe nga vende ku e ku më të mëdhenj e më të fuqishëm se Shqipëria, kishin dëshirë që të bisedonin kokë më kokë me Presidentin Wilson në vigjilje të nisjes së tij në Europë, kur si njeriu më i fuqishëm i botës po shkonte të merrte pjesë në Konferencën e Paqes në Paris, Wilsoni gjente kohë jo vetëm për të pritur, Fan Nolin, përfaqësuesin e shqiptarëve të Amerikës, por edhe për të biseduar kokë më kokë me të, me sa duket i befasuar edhe nga fakti se përfaqësuesi i shqiptarëve, këtij kombi të vogël dhe të pazhvilluar, i cili i kërkoi atij që ta ndihmonte Shqipërinë e vogël, që të shpëtonte dhe të hynte në rrugën e qytetërimit, i doli të jetë jo vetëm një diplomant i Harvardit, por edhe një orator që rrezeatonte një kulturë të madhe, që tërhoqi madje edhe vëmendjen e zonjës Wilson.

Shqipëria i ka dhënë botës Nënë Terezën, misionaren bamirëse dhe humanisten e madhe, por Amerika i ka dhënë Shqipërisë misionarin bamirës më të madh që ka shkelur në Shqipëri, Harry T. Fultz për të cilin nuk ke nevojë të flasësh shumë se është i mirënjohur për çdo shqiptar.

Dy ambasadorë amerikanë të cilët kanë qenë me detyrë në Shqipëri në vitet tridhjetë, do të shkruanin libra për Shqipërinë, duke u bërë SHBA, më pak se tre dekada pas krijimit të shtetit shqiptar, i vetmi vend tre ambasadorë të të cilit kishin shkruar libra për një vend të vogël si Shqipëria. Një tjetër ambasador amerikan që ka qenë në Shqipëri para Luftës së Dytë Botërore, Post Wheeler, u apasionua aq shumë me Shqipërinë sa mblodhi dhe përktheu në anglisht përralla shqiptare me të cilat botoi në Amerikë edhe një libër.

Këto dhe shumë fakte të tjerë tregojnë se ka pasur një prirje në Amerikë për të pasur një marrëdhënie speciale me Shqipërinë dhe shqiptarët në përgjithësi.

 

Mendje të mëdha të kombit tonë, që patën rastin ta njohin mirë Amerikën, si Noli dhe Konica, krijuan një besim të pakufishëm te ky vend i madh se do të ishte miku i përjetshëm i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Faik Konica, në një fjalim të mbajtur në Jamestown, në 1923, dhe të botuar në gazetën “Shqipëtari i Amerikës”, në kohën kur SHBA ishte tërhequr nga problemet e Europës, bëri një parashikim që u vërtetua shtatë dekada më vonë:

Dhe sikur të vijë prapë një kohë që Amerika të ketë të thotë fjalën e saj për regullimin e punëve evropjane, dhe munt po të dojë dhe nonjë dit’ mbase do të dojë, besonj që për të siguruar një paqë të qëndruarshme në Evropë të Lindjes dhe në tërë botën, nuk munt të gjendet gjë më e mirë, se duke bindur kombet e Ballkanit të bëhen të moderuar të heqin dorë nga gjithë zënkat pa rëndësi, dhe të heqin dorë nga gjithë zënkat pa rëndësi, dhe të bashkojnë forcat e tyre që të cvillohen me paqë dhe me rregull

Nga vinte ky besim i madh te Amerika i Nolit dhe Konicës, në një kohë që në botë për Amerikën kishte nisur të krijohej një imazh si të thuash anti Wilsonian, si mbretëria e dollarit, ku mbi të gjitha sundonte parimi i fitimit dhe këtë frymë Amerika do ta përhapte dhe në botë? Sikur etja për fitime materiale nuk kishte ekzistuar në botë para se Amerika të niste të merrej me punët e botës që nga Lufta e Parë Botërore! Konica, kur i njohu amerikanët nga afër, pasi jetoi për një kohë të gjatë atje, arriti të kuptonte vecanësinë e shpirtit amerikan dhe të bënte këtë profeci të pagabueshme. Konica kishte kuptuar për natyrën e amerikanëve të njëjtën gjë që kishte kuptuar Fan Noli

Shqipëria dhe shqiptarët kanë marrë mirënjohje të thellë nga SHBA edhe për shërbimet më të vogla që iu kemi bërë, sipas mundësive tona, si pjesëmarrja në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare, dhe amerikanët na kanë marrë në krahë për të shprehur mirënjohjen, si të thuash. Dhe dihet se politikanët tanë nuk janë aspak aq modestë  kur është fjala për të pranuar mirënjohjen amerikane, të cilën ata janë munduar ta përdorin si mbështetje personale për ta.

Kjo prirje e Amerikës për marrëdhënie speciale me një vend të vogël si Shqipëria dhe një komb të vogël si shqiptarët, ka bërë që te shqiptarët të lindë një ndjenjë proamerikanizmi shumë e thellë. Këtë ndjenjë e luftoi regjimi komunist i Enver Hoxhës por nuk e zhduku dot, madje në mënyrë paradoksale mund të thuhet se e forcoi kundër dëshirës së tij. Enver Hoxha e nxiti për një gjysmë shekulli antiamerikanizmin në Shqipëri dhe kur erdhi dita të verifikohet se sa vend kishte zënë te shqiptarët, dhe kjo u verifikua në ditën e vizitës së Sekretarit Baker në Shqipëri, në qershor 1991, që u shndërrua në një referendum mbarëpopullor për qëndrimin e shqiptarëve ndaj Amerikës. Dhe gjithë bota e pa se shqiptarët, të cilët dolën në mënyrë masive në rrugë dhe në sheshe për të përshëndetur Sekretarin Baker, duke tundur mijëra flamuj amerikanë, “votuan” në këtë “referendum” duke shprehur proamerikanizmin e tyre të rrënjosur tanimë në breza.

Shqiptarët e sfiduan antiamerikanizmin e Enver Hoxhës duke dëgjuar çdo ditë “Zërin e Amerikës”. Fakti që “Zëri i Amerikës” vazhdoi të transmetonte gjatë gjithë kohës së Luftës së Ftohtë në gjuhën e një vendi të vogël si Shqipëria, është tregues i bindjes së thellë që Amerika kishte se shqiptarët e izoluar do të mbeteshin proamerikanë, gjë që u vërtetua plotësisht kur Sekretari i Shtetit James Baker vizitoi Tiranën në qershor 1991.

Antiamerikanizmi në Shqipëri ka qenë vetëm ideologjik komunist, ose fetar ekstremist islamik, dhe në të dy rastet i ka përkitur një pakice e cila ka kërkuar ta imponojë me dhunë atë.

Faktet e përmendura më lart dhe shumë të tjera si ato nga historiku i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane nuk mund të anashkalohen duke u quajtur si retorikë servile ndaj Amerikës. As duke u thënë se marrëdhëniet shqiptaro-amerikane nuk mund të bëjnë përjashtim nga rregulli se një vend i madh dhe i fuqishëm e bën gjithçka për interesat e tij. Po, patjetër që shtetet kanë interesa. Por në rastin e SHBA ka një traditë që interesat shtetërorë të kombinohen me qëndrimin etik të shtetit, duke u parë etika si një interes shtetëror në llojin e vet, gjë që do ta shpjegoj më poshtë.

Një nga mënyrat me të cilën në këtë libër shpjegohen marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, është që përdoret si celës ajo formulë e dyfishtë të Amerikës, sa i përket politikës së jashtme që është e njohur për studiuesit e politikës së jashtme të këtij vendi dhe atyre botërore. Studiuesit e politikës së jashtme amerikane tani bien dakord se ajo në origjinën e saj ka lindur nga bashkëveprimi i dy linjave, që janë të identifikuara me dy presidentë të njohur amerikanë, të fillimit të shekullit XX, Wdroë Wilson dhe Teodor Roosevelt, por që sigurisht kishin rrënjë më të hershme në natyrën e shoqërisë amerikane. Analizën e këtyre linjave që kanë prodhuar politikën e jashtme amerikane që nga ajo kohë dhe deri në ditët tona, e ka bërë veçanërisht Henry Kissinger në disa libra të njohur të tij. Për linjën ëilsoniane, Kissinger shkruan, duke analizuar futjen e SHBA në Luftën e Parë Botërore:

Në doktrinën e Ëilsonit ishte e nënkuptueshme që refuzohej të mendohej që SHBA kishin ekuivalencë morale me shtetet e tjerë. Sipas Ëilsonit, vokacioni amerikan, duke qenë në një plan të lartë etik, bënte që i vetmi qëllim i vlefshëm për hyrjen e Amerikës në luftë të ishte ribërja e botës sipas imazhit të saj.

Linja wilsoniane është ajo idealiste, e parimeve, ndonëse jo deri në naivitet. Nuk mund të kuptohet politika e jashtme amerikane nëse mendohet gabimisht se këtë linjë e krijoi Ëilsoni. Ai u bë vetëm zëdhënësi i saj më i shquar. Ajo që quhet doktrina e tij shprehte atë që mendonin amerikanët për rolin që duhet të kishte vendi i tyre në politikën botërore, në kohën kur SHBA akoma nuk kishte hyrë në politikën botërore si një fuqi e madhe. Ëilsoni i mori vizionet e disa brezave të amerikanëve dhe i bëri strategji të politikës së jashtme amerikane, kur Amerika vendosi të hyjë në politikën botërore. Wilsoni shkonte me shpresën se Amerika kishte aftësi që me fuqinë dhe shembullin e saj të ndryshonte rregullat e lojës në politikën botërore, duke e bërë atë sa më etike që të ishte e mundur. Por Wilsoni nuk ishte aspak naiv siç mund të duket në pamje të parë dhe siç e vinin në lojë kundërshtarët e tij që e quanin veten realist. Ëilsoni mendonte me sinqeritet se ky mision etik në marrëdhëniet ndërkombëtare, do ta rriste fuqinë e Amerikës, sepse do të rritej shumë besimi i popujve të botës te roli i saj.

Për linjën tjetër, atë rooseveltiane (nuk duhet ngatërruar me qëndrimet e një presidenti tjetër të mëvonshëm me këtë emër, Franklin Delano Roosevelt), Kissinger shkruan po në këtë libër:

Roosevelt nuk e shkonte SHBA si një kauzë mesianike, por si një fuqi e madhe- potencialisht më e madhja. Duke e parë misionin e SHBA si gardiane e ekuilibrit global, në të njëjtën mënyrë si Britania e Madhe ishte mbrojtëse e balancës së forcës në Europë, ai nuk i duronte dot shumë nga butësitë tradicionale të mendimit amerikan për politikën e jashtme.

Linja roosveltiane është ajo realiste, e cila nuk është e zhveshur nga iluzionet por mendon se është e pamundur të zbatohen ato nga një fuqi e vetme e madhe si SHBA, nëqoftëse këtë nuk e bëjnë edhe të tjerët. Amerika duhet të ndjekë së pari interesat e saj, dhe pastaj të punojë për realizimin e parimeve në nivel të politikës botërore, thotë në thelbin e vet kjo doktrinë. Sipas doktrinës rooseveltiane Amerika nëse vendoste të hynte në lojë duhet të luante sipas rregullave të lojës, së paku sa kohë nuk i ndryshonte dot ato. Doktrina Roosveltiane nuk ishte cinike si mund të duket në pamje të parë. Të mos harrojmë se Presidenti Theodore Roosevelt që i dha emrin kësaj linje është fituesi i Çmimit Nobel për Paqe në kohën e tij.

Politika e jashtme amerikane  qartësisht është produkt i përplasjes dhe kombinimit të dy linjave ,  wilsoniane dhe rooseveltiane . Që nga ajo kohë që u kristalizuan  ato  nuk ka qenë të ndarë si me thikë se me ardhjen në pushtet të një presidenti vinte në pushtet njëra linjë apo e kundërta. Burrat e shtetit amerikan e kuptuan se në politikën amerikane duhet të alternoheshin të dy linjat. SHBA do të humbte vetveten nëse nuk e shprehte anën wilsoniane të saj në politikën e jashtme sa më tepër që të ishte e mundur, në sa më tepër raste. Ndryshe do të bëhej një tjetër fuqi e madhe e modelit të vjetër, cinike, që ndjek vetëm interesat e saj të ngushta.

Pikërisht në këtë nevojë të SHBA për të shprehur veçanësinë e saj si një superfuqi etike, veçanërisht me vendet dhe kombet e vegjël e të pambrojtur, duhet kërkuar çelësi për të kuptuar politikën amerikane ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Me këto nuk dua të them se SHBA ia rezervoi vetëm Shqipërisë dhe shqiptarëve këtë trajtim ekskluziv të asaj që mund të quhet si gjeopolitika etike, por Shqipëria, Kosova për bëjnë raste kur kjo gjë ilustrohet më së miri. Prandaj, nëqoftëse ky libër diku mund të duket se është duke marrë nota himnizuese ndaj SHBA, kjo vjen sepse bëmat e SHBA ndaj Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi, në çaste të caktuara kanë qenë epike. Por ky libër nuk synon të përqëndrohet në këto periudha të njohura, si viti 1920, viti 1999, por synon të japë një tablo shumë më të gjerë dhe të thellë në kohë dhe në ngjarje, të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.

Nëqoftëse do të merrej me to, një studim i tillë do të përfshinte debatin për politikën e ditës, pasi e gjithë problematika që kanë pasur partitë politike shqiptare me ambasadën amerikane që nga viti 1991, mbetet edhe sot temë e politikës së ditës në Shqipëri. Studime të tilla nuk përfshinë temat e politikës ditore.

Aq më tepër që këto probleme, që në fakt kanë qenë kryesisht probleme të liderëve politikë shqiptarë, të të dy palëve, me ambasadorët amerikanë në Tiranë, nuk kanë rrezikuar në asnjë rast që të prekin marrëdhëniet shqiptaro-amerikane si aleancë strategjike. Për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane këto ngjarje kanë qenë stuhi në një gotë ujë. Madje, në një këndvështrim mund të thuhet se këto incidente në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, më tepër se të krijojnë të çara në to, kanë treguar se sa solide janë këto marrëdhënie, për shkak të themeleve të fortë të ndërtuar me kohë. Asnjë nga këta liderë politikë shqiptarë që kanë pasur probleme me Uashingtonin për shkak të politikës së tij të brendshme në Shqipëri, më tepër për shkak të sjelljes ndaj kundërshtarëve politikë, nuk ka guxuar edhe në çastet e ftohtësisë më të madhe të tij me Amerikën që të verë në dyshim vlerën e aleancës strategjike me SHBA, por ka akuzuar lobe të caktuar në këtë vend, se punojnë kundër tij dhe Shqipërisë.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.