DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Vajza e zhdukur. Studentja: Kthehem po tërhoqët denoncimin. Telefonon Jorida: Baba, unë jam mirë

07:00 - 11.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Get it on Google Play

11 Qershor 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare”




Vajza e zhdukur

Studentja: Kthehem po tërhoqët denoncimin

Telefonon Jorida: Baba, unë jam mirë

Mbrëmjen e së shtunës vajza 22-vjeçare ka premtuar rikthimin në shtëpi: Unë ika me dëshirën time

Jorida në telefon: Baba jam mirë

Studentja e zhdukur: Tërhiqni denoncimin

Tiranë

Rishfaqet Jorida. Studentja nga Skrapari, e konsideruar jo vetëm nga policia si e rrëmbyer dymbëdhjetë ditë më parë, ka telefonuar mesnatën e së shtunës babain e saj në celular. “Babi jam unë Jorida. Jam mirë dhe ju mos u shqetësoni”. Sami Jaupllari i ngazëllyer, pasi e ka përshëndetur vajzën e vetme, ia ka kaluar telefonin bashkëshortes Mimozës. Prindërit e studentes 22-vjeçare janë qetësuar kur kanë dëgjuar zërin e vajzës së zhdukur, por…

Po atë natë është shoqëruar nga policia e Tiranës edhe një person tjetër, i cili ka pranuar fillimisht se e ka parë vajzën vetëm 24 orë më parë me personat e akuzuar për rrëmbim të saj. Ndërkohë në dhomat e paraburgimit vazhdojnë të qëndrojnë të prangosur 4 persona pavarësisht nga telefonata “qetësuese” e vajzës së rrëmbyer.

 

Telefonata

Ka qenë ora 23.30 minuta e së shtunës kur në celularin e Sami Jaupllarit, ka rënë zilja. Babai i Joridës është hedhur përpjetë nga gëzimi. Jorida është rishfaqur dhe ai ia ka njohur zërin karakteristik dhe fëminor. Biseda ka qenë sa e qetë po aq edhe emocionuese. Jorida i ka thënë babait se “është mirë dhe është në Tiranë”. Kaq për fatin e saj. Pastaj ajo i ka kërkuar atij që të tërheq denoncimin dhe të mos shkruhet më nëpër gazeta. Jorida gjithmonë sipas babait të saj, ka qenë e qetë dhe i ka premtuar të atit se brenda dy ditësh do ta takonte. Ndërkohë ajo nuk ka harruar t’i shpjegojë prindërve edhe shkakun e kësaj zhdukjeje të bujshme. “Nuk jam e rrëmbyer, por kam ikur me atë që dua”,- kështu iu ka deklaruar Jorida prindërve të saj, ndërkohë që nuk ka treguar as vendndodhjen dhe as “princin e kaltër” me të cilin është “arratisur” 12 ditë më parë. Jorida Jaupllari natën e së shtunës ka bërë dy telefonata. Pas bisedës së parë prindërit kanë komunikuar me policinë. Vetëm gjysmë ore më vonë Jori ka telefonuar prapë (gjithmonë me një numër AMC 038 24…) për të ngulur këmbë që ata duhet të tërhiqnin denoncimin, të mos komunikonin më me shtypin dhe se do të kthehej brenda dy ditëve…

Prindërit

Kaluan dy ditë që nga telefonata qetësuese e Joridës me prindërit. Ajo vazhdon të “mos duket”, ashtu si kishte premtuar. Babai i Jorida Jaupllarit, Samiu pranon më i qetë se ditët e tjera (vajza është e gjallë dhe shpresojnë që të jetë vërtetë në Tiranë), se ka folur me atë. Por ka pritur më kot që ajo të rikthehej ashtu si kishte premtuar ditën e dielë ose dje. I pyetur nga Gazeta Shqiptare nëse do ta tërheq denoncimin ai thotë: “Po do ta tërheq denoncimin, por vetëm kur të takoj vajzën time. Edhe në telefon i kam thënë se ia kam falur të gjitha. Edhe atij me të cilin ka ikur. Nëse do dikë tjetër, të trashëgohen dhe të vijnë të më takojnë. Sepse në këto kushte unë ende nuk besoj se ajo nuk është nën presion. Unë dhe familja ime duam të besojmë që gjërat të jenë ashtu si thotë ajo. Por përse nuk shfaqet ashtu si na premtoi? Përse vazhdon ta mbajë të mbyllur telefonin? Përse është i mbyllur celulari nga telefonoi? Nëse është thjeshtë një histori dashurie (unë shpresoj dhe lutem të jetë kësthu), përse nuk shfaqet dhe më pas të shikojë jetën e saj sepse edhe policia këtë do: të mos jetë rrëmbim. Jorida hajde na tako se gjithçka do të shkojë mirë për të gjithë…”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.