DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: I harruari. Dëshmia tronditëse e 57-vjeçarit nga Devolli. “Jam në burg që nga koha e Enverit

07:00 - 14.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

14 Qershor 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare”




 I harruari

Dëshmia tronditëse e 57-vjeçarit nga Devolli

“Jam në burg që nga koha e Enverit”

Intervistë/Beniamin Zyflli rrëfen historinë e dhimbshme: Jam dënuar për vrasje që në vitin 1989

“Në burg që nga koha e Enverit”

“Duhet të më lironin, por është djegur dosja”

Zylyftar Bregu

Në burgun e Vaqarit habiten kur kërkon takim me të dënuarin Beniamin Zyflli. Atë të dënuar nuk e kërkon njeri. Të gjithë e kanë dëgjuar pretendimin e tij se mbahet në burg kot.

 

 

 

Por askush nuk i jep përgjigje. Edhe pse sipas statistikave, administrata e burgjeve në numër është e barabartë me numrin e të burgosurve. Pra, çdo i burgosur, duhet të kishte një kujdestar”.

Drejtori i Burgut të Vaqari, Fran Ruçi, urdhëron që i dënuari të dalë në dhomën e takimit, dhe policët hapin drynët e rëndë të qelive. Pas pak minutash para të del një plak i rrënuar që përpiqet të të buzëqeshë pa e ditur se cili je. Pasi mëson shkakun e bisedës bëhet më miqësor. Madje, përdor shpesh fjalët “si djalin tim”, “si babai Yt”, “të lutem më ndihmo”.

Beniamin Zyflli i ka kaluar të 57-at. Është dënuar që në vitin 1989, me 20 vjet burg. Vazhdon të qëndrojë në Burgun e Vaqarit. Madje, paradoksalisht, por artimetikisht, i mbetet për të kryer edhe më shumë se 8 vjet nga dënimi. Kështu që mund të dalë nga burgu vetëm në vitin 2010.

Është shembulli i gjallë i përjetimit të dy sistemeve sidomos në trajtimin e të burgosurve. Mund të quhet si i harruar në qeli. Ndërsa në përpjekje për të përzier me humor helmin e izolimit, Beniamini, ka gjetur edhe ngushëllimin: “Po bëj burg për kinezët”.

Përse je dënuar?

Jam dënuar për vrasje dhe për armëmbajtje pa leje që në vitin 1989. Në fakt unë kam vrarë për vetëmbrojtje, me një biçak nga ata 30 lekëshit që prodhoheshin në Gjirokastër. Kështu thuhet edhe në dosje, por ja që drejtësia të dënon. Ore po atë ia kam bërë hallall, po unë tani po bëj burg kot.

Po pse kot?

Po ja, unë kam dalë në vitin 1997 nga burgu dhe atëherë më është djegur dosja. Unë kam përfituar dy amnisti dhe dy dekrete dhe ato nuk figurojnë në dosje. Përfitoj ulje nga amnistia e ’97-ës. Kjo amnistia e ’97-ës më ul dy vjet burgun e armëmbajtjes pa leje, mirëpo kjo duhet bërë më gjyq. Gjyqi ka nisur dy-tre herë dhe është mbyllur se nuk e ndjek njeri. Unë s’kam njerëz, s’kam lekë. U them këtyre, po ja do ta shohim më thonë dhe nuk bëjnë asgjë. Në fakt, kjo juristja, se ka qenë një tjetër

ka bërë diçka, por nuk e di, nuk e di. Kanë ardhur dhe ata të Drejtorisë së Burgjeve, po… I kam dërguar letër presidentit, kryeministrit. Kryeministri (nuk dihet se cili kryeministër) më dërgoi një përgjigje dhe më thoshte se ia kam kaluar për kompetencë ministrit të Drejtësisë. I kam dërguar letër edhe ministrit të Drejtësisë, po deri tani asgjë.

Ku e ke familjen?

Gruaja është divorcuar që në vitin 1990. Kam pasur dhe tre fëmijë, të cilët i dija të vdekur. Po kur dola nga burgu dhe shkova në fshat më thanë se fëmijët ishin me gjithë gruan në Greqi. Tre ditë qëndrova dhe ika në Greqi. Brodha, nuk lashë vend pa shkuar për tri vjet, por nuk i gjeta pastaj u ktheva se më thanë se isha në kërkim. Dhe u dorëzova në burg.

U dorëzove vetë në polici apo të kapën se në dosje është shkruar që të kapën?

Unë u dorëzova vetë. Po të ishte për të më kapur pse nuk më kapën për tri vjet rresht. Pastaj po të ishte se doja të fshihesha unë qëndroja në Greqi më mirë. Po unë mendoja se e kisha kryer burgun. Ose e shumta më kishin mbetur edhe nja dy muaj. Kur erdha më thanë që të është djegur dosja.

Po mirë ku do të vesh, kur të dalësh nga burgu, nuk ke as familje, as shtëpi. Të paktën këtu të mbajnë me buke?

Me pikëpyetje e kam, megjithatë po humbe shpresën i ke humbur të gjitha. Të dal një herë e pastaj të bëhet ç‘të bëhet. Them se do ta nxjerr bukën e gojës. Në mos do të marr një mangall me prush dhe një shishe me raki dhe do t’i jap fund jetës (lutet shumë që të mos e shkruaj në gazetë). Nuk është se shpresoj ndonjë ndihmë nga shteti. Shteti nuk më ndihmon këtu, jo më jashtë. Po të dal njëherë, të lirohem një herë… Do shkoj në fshat atje. Do kërkoj prapë fëmijët. Them se do t’i gjej.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.