DOSSIER

“Poshtërimi dhe tortura ishin kënaqësitë më të mëdha që ndjenin toger Hakiu, aspirant Syrjai, kapterët Selfo, Tomi, Ismaili, etj…”! / Dëshmitë dhimbshme të Eugjen Merlikës!

07:40 - 14.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Më  duket një detyrë morale ndaj vetvetes dhe nevojë e domosdoshme informimi ndaj atyre që patën fatin e mirë të mos i jetonin dhjetëvjeçarët e gjatë të sistemit monist shqiptar, të shkruaj disa faqe nga historia e jetës sime, thjesht për të bërë të njohura disa pamje nga një realitet, që kushtëzoi shumë jetë njerëzish. Është një realitet, që sot është vënë në tehun e kritikës nga shumë njerëz të sferave të ndryshme të jetës kulturore të Kombit. Pa pretenduar të bëj pjesë në ato sfera, mendoj se jap një ndihmesë sado të thjeshtë në shpalosjen e disa të vërtetave të pakundërshtueshme, të pësuara drejtpërsëdrejti.




Vetë fakti që po shkruaj këto radhë, më detyron t’i filloj ato me një nderim të sinqertë ndaj gjithë atyre faktorëve e forcave që bënë të mundur ardhjen e këtyre ditëve të reja në të cilat e vërteta, e masakruar deri tani, shpaloset në të gjithë gjerësinë dhe thellësinë e saj. Nderimi im i veçantë shkon te populli i Shkodrës, i Kavajës, i Tiranës e qyteteve të tjera e, mbi të gjitha, tek studentët e Universitetit të Tiranës që, me guxim deri në vetëmohim, luftuan për demokracinë e ditëve të sotme, duke i bërë një shërbim të madh kombit tonë. Mendoj, se për këtë shërbim, ky komb duhet t’ju jetë mirënjohës në jetë të jetëve.

Gjatë jetës sime nuk kam mbajtur një ditar të rregullt, siç ndodh shpesh tek njerëzit. Kjo ndodhi jo për përtaci apo lënie mbas dore, por thjesht prej një ndjenje vetë-ruajtjeje, që dhjetëvjeçarë me radhë m’u imponua nga kushtet e një jete të pasigurt, me shpatën e Damokleut mbi kokë (rreziku i arrestimit në çdo çast). Ky ditar do të kish paraqitur si një dokumentar shumë çaste të një jete të gjymtuar nga diktatura. Ndërsa sot, në moshën 47 vjeç, ( jam binjak me diktaturën që, për ironi të fatit, quhet “çlirim”) më duhet t’i drejtohem vetëm kujtesës së fashitur nga një mori faktorësh…

Kam lindur në Tiranë në prill 1944, bir i një çifti intelektualësh me shkolla të larta. Babai ka qenë inxhinier elektrik, i diplomuar në Grenoblë të Francës, ndërsa nëna mësuese letërsie, e diplomuar me 30 me lavdërim në një nga universitetet më të vjetra të  Evropës, në Napoli të Italisë. Ky ishte një fat disi i pazakontë për stadin e zhvillimit të shoqërisë shqiptare t’asaj kohe. Jetën e kam nga Zoti dhe nga Dr. Hamdi Sulçebeu, i cili në asnjë mënyrë nuk pranoi të kryente dështimin e propozuar nga mjeku gjinekolog, kur nëna ishte shtatzënë, duke u përgjigjur: “Mua më kanë mësuar në shkollë t’i shpëtoj, jo t’i vras fëmijët.”. Por shumë herë gjatë jetës sime më ka munduar mëdyshja nëse duhet t’i isha mirënjohës dhuratës së tij…

Në klinikën e Dr. Sadedinit, ku ka qenë shtruar nëna ime, gjenin strehë edhe partizanët apo guerilasit e Tiranës. Kontrolleve të gjermanëve iu dilte para shprehja “un kam të shtruar të renë e Mustafa Krujës” dhe qetësia në klinikë sigurohej. Ndofta ky ishte një sinjal i largët, pararendës i pluralizmit që do të vinte pas pothuaj gjysëm shekulli, apo ndofta ishte një llogaritje e hollë e mundësive të mbijetesës në një kohë, që do të vinte me emrin e revolucionit socialist. Këto hollësi i mësova më vonë nga nëna, jeta e së cilës është një roman më vete, me përmasa tragjike, e denjë për një penë dostojevskiane, për përshkrimin e së cilës nuk e ndjej veten të aftë. Do të mjaftonin, për t’a mbushur atë roman, dëshmitë e shokëve e shoqeve të atij kalvari të gjatë gjysëm shekullor që sot janë shpërndarë gjithkund, në Shqipëri e në botë.

Ndodhia e  parë, e ngulitur çuditërisht në kujtesën time (kam qenë tre vjeç e nuk di a pranohet shkencërisht një fakt i tillë), ka qenë kacavjerrja në hekurat e portës së burgut të Tiranës me fjalët: “babi, hajde me ne” që shqiptoja i përlotur dhe me ngulmimin për të mos u shkëputur nga babai brenda saj. Aty ishte njohja ime e parë me absurditetin, që nuk më lejonte të përqafoja babain, si dhe takimi i parë me policin, shkaktar të kësaj ndalese, një figurë që ndryshoi vetëm fytyrat e që më shoqëroi gjatë gjithë rrjedhës së lumit të jetës sime. “Kjo është jeta jote Faust! Dhe këtë m’a quan jetë…” Gëte

Ballafaqimi i parë i ndërgjegjshëm me jetën u bë nëpërmjet arrestimeve të babait e të xhaxhait. Mbeta vetëm me gjyshen dhe nënën time të re, asokohe 26 vjeçe. Banonim në Tiranën e re, në një shtëpi me qera, sepse shtëpia jonë ishte zënë nga Spiro Moisiu, shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë “nacional-çlirimtare”; ende sot nuk më jepet e drejta të banoj në të… Një ditë të bukur të vitit 1947, vjen urdhri i shpërnguljes nga Tirana për në Shijak. Në të njëjtën ndërtesë ku banonim ne ishte dhe një vajzë jugosllave me emrin Nada. Ishte me gradë kolonele, por nuk di se ç’funksion kishte. Fliste frëngjisht me nënën dhe ishin miqësuar edhe prej muzikës. Nëna i binte pianos, këndonte shumë këngë italiane dhe arie nga operat që asaj i pëlqenin shumë. Urdhri i shpërnguljes sonë e dëshpëroi Nadën. U mundua t’a anullonte me të gjitha mundësitë, ndërhyri vetë tek ministri i brendshëm, por përgjigja ishte negative: “ Vetëm për atë familje nuk mund të bëj gjë.”

Kështu po atë ditë u gjendëm në kasollen e një evgjiti, në katër rrugët e Shijakut, un gjyshja dhe nëna. Babai kish filluar odisenë e tij të gjatë, në kampet e punës. Ai ishte dënuar me pesëmbëdhjetë vjet burgim, sepse kishte marrë pjesë në një mbledhje me pak shokë, për të krijuar ligjërisht një parti opozitare, në kohën që ato “lejoheshin” zyrtarisht nga “ demokracia popullore”.

Nuk ruaj kujtime të veçanta nga kasollja e Shijakut, por mbas pothuajse një viti xhaxhallarët e babait na morën në Krujë, qyteti ynë i origjinës. Aty mbusha pesë vjeç. Nga që kisha zell e dëshirë të madhe për të mësuar, një mësuese shpirtmirë më regjistroi në klasën e parë. Por vendimi i marrë nga Ministria e brendshme, së bashku me degën e Krujës (ndofta disi i vonuar, sepse familjet e tjera kishin vite që qëndronin në kampe internimi ) u vu në zbatim dhe ne u detyruam të banojmë për disa muaj, në qelitë e degës së Krujës.

Para syve më del si nëpër mjegull figura sa e bukur aq dhe njerëzore e mësueses sime të parë, që më merrte përdore e më sillte nga shkolla në burg, ndërsa çdo mëngjes polici hapte portën në të njëjtën orë, për të më lejuar të shkoja në shkollë. Më vjen shumë keq që nuk i mbaj mënd emrin e asaj vajze dhe nuk di  a rron… Por i jam shumë mirënjohës, jo vetëm se më mësoi shkronjat e para, por se me kujdesin e dhembshurinë e saj prej nëne m’u bë shumë e afërt. Nuk di a pagoi çmimin për njerëzinë e saj, sepse tallazet e ashpra të luftës së klasave nuk lejonin një qëndrim të tillë dashamirës, kundrejt një fëmije “armiqsh”. Për mua ajo qe si një rreze drite në tunelin e gjatë, nëpër të cilin do të kalonte jeta ime, një shembull që më tregoi se në jetë ka dhe njerëz të mirë, gjë të cilën do t’a vërtetoja herë pas here në vitet që pasuan.

Aty, në qelitë e seksionit të Krujës, së bashku me dy familje të tjera ishte dhe një grek, monarkist, i ardhur këtej si pasojë e luftës. Ai shikonte filxhanët e kafesë. Një ditë i pa gjyshes filxhanin dhe i tha këto fjalë:” Që këtej do të ikni së shpejti. Do të shkoni larg, do të kapërceni male, fusha e lumenj e do të qëndroni në një vend mes malesh.. Aty do të vuani shumë, shumë dhe mbas disa vjetësh do të ktheheni përsëri nga ajo rrugë, por jo më këtu. Do të qëndroni në mes të rrugës në një fushë. Aty jeta juaj do të përmirësohet, por mirë siç keni qenë ju, nuk do të bëheni kurrë më, kurrë…” Ato gra e vajza, që e dëgjuan, qeshën e thanë se fall është e nuk i dihet, por greku kishte qenë si Kalkanti. Falli i tij u vërtetua me një saktësi të habitshme…

Një ditë nëntori të vitit 1949, na vunë në një kamion e na nisën për një rrugë të gjatë, të gjatë, që kalonte fusha, lumenj e male dhe përfundonte në Tepelenë. Tepelena… e famshme në historinë shqiptare si vendi nga nisi veprimtaria e njërit nga personalitetet më komplekse e më të diskutueshme të Kombit shqiptar, Ali Pashës, Vezirit të Janinës, do të bëhej, në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë, simboli më i gjallë e më rrëqethës i tmerrit, që vetëm stalinizmi shqiptar mund të shpikte. Tepelena, zyrtarisht Kampi i dëbimit, në fakt ai i shfarosjes së njerëzve, pa dyshim barabitej me Mathauzenin, Aushvicin, Bukhenvaldin. Është e vërtetë se nuk pati krematoriumet e tyre por, puna e detyruar, mungesa e ushqimit, mizoria e aparatit policor e bënin vdekjen çdo ditë më të dëshiruar se jetën. Vdekja qëndronte pezull mbi kampin tonë, e kishte pothuajse çdo ditë prenë e vet, mes një turme të larmishme shqiptarësh, nga të gjitha moshat e nga të gjitha krahinat, të futura në pesë kazerma të mëdha ushtarake me qindra vetë secila.

Tepelena dhe kampet e tjera të punës, ishin varrezat e hapura mbi trupin e Shqipërisë, dëshmitë më të fuqishme, më tronditëse e më të pakrahasueshme të diktaturës së komunizmit shqiptar të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut etj. Tepelena është një njollë turpi e pashlyeshme në ndërgjegjen e Kombit. Është detyrë e veçantë e  demokracisë shqiptare, t’i kujtojë me një përmendore madhështore viktimat e pafajshme të asaj tragjedie të madhe. Është edhe një detyrë e letërsisë së lirë shqiptare t’i japë botës një Arqipelag Gulag, të markës shqiptare. Tepelena ka aq shumë lëndë nga kujtimet e njerëzve, sa një pendë e fuqishme (besoj se demokracia do t’i nxjerrë ato) do të krijonte një vepër madhore me përmasa botërore. Tragjeditë shpirtërore e jetësore që janë zhvilluar në atë kamp nuk kanë të numëruar.

Dita në kamp fillonte me natë, në orën tre të mëngjesit. Policët analfabetë e nisnin në atë orë leximin e apelit një për një të të internuarve dhe e mbaronin në ora pesë. Pastaj fillonte marrja e mëngjesit, një ujë i zierë, që kishte emrin çaj. Më pas vargu i gjatë i grave, burrave, të rinjve nisej për në mal, për të plotësuar normën e druve- prerje e ngarkim në kurriz, nën vrojtimin e policëve me pushkë në krah. Do të furnizonin me dru ushtrinë, kampin për gatim, komandën për ngrohje, degën e punëve të brendshme, familjet  e oficerëve e të policëve, të nëpunësve të komitetit të partisë dhe atij ekzekutiv… Njerëzit ishin kthyer në rolin e mushkës, episodet e dhimbjeve të kësaj pune arrijnë maja të tilla therëse, që do të fyenin ndërgjegjen e çdo qenieje që quhet njeri.

Mbaj mënd sesi natën e Vitit të Ri 1951, së bashku me gjyshen, prisnim të kthehej nëna nga mali. Gjyshja kishte gatuar diçka, një si qull me pak miell, që do t’a hanim për të “festuar” Vitin e ri. Nëna ime u kthye së bashku me tri shoqe të saj, vajza të eksponentëve politikë të njohur antikomunistë, të ashtuquajtur “tradhtarë”. Pasi u kthyen të gjithë në kamp, ato polici i ngarkoi përsëri me dru dhe i nisi për në qytet, për të çuar dru në shtëpinë e një oficeri të policisë. Afër mesnatës ato u kthyen në kazermë. Ç’vit i ri i bukur, ndërsa të tjerë, të “përkëdhelur të fatit”festonin me gjithë të mirat në Hotel “Dajti” apo në Pallatin e Brigadave…

Ajo punë shtazore përballohej me një ushqim, që përbëhej nga gjashtëqind gram bukë, nga bollguri me krimba që notonin në lëngun e tij, e plotësohej nga lakrat e egra, kungulli, lendet e lisit, gorricat, këto kur kishim mundësi t’i gjenim jashtë kampit. Po t’i shtoje kësaj tabloje kushtet higjenike të tmerrshme, mungesën e banjove të mjaftueshme, të ndërtesave, të vendit për të fjetur (gjithsej tridhjetë cm. gjerësi për person e njëzet për fëmijët), të krijohet pamja e vërtetë e torturës së përditshme në atë vend të mallkuar, që quhej Kampi i Dëbimit.

Atje, që në moshën gjashtëvjeçare, u njoha me qelinë apo “birucën”, siç përdoret rëndom. Një ditë, duke luajtur si fëmijë, bëra një “gjynah” të madh. Kisha gjuajtur me gurë derrat e komandës që kullosnin të qetë në liri, jashtë telave me gjemba të kampit. Polici më kishte parë. M’u afrua, më kapi për leckash e më futi në birucë. Ende sot më rrëqeth  kujtimi i atyre orëve të kaluara në errësirën e birucës, i vetëm, duke qarë prej frikës së gogolit. Jashtë më fliste gjyshja ime e mirë: “ Mos ki frikë, e mbyt nona gogolin!”. Edhe ajo i rezistonte policit që i kanosej për t’a larguar. Në orën dy të natës një tjetër polic m’a hapi derën e birucës dhe un rifitova “lirinë”.

Ndofta fakte të tilla duken pak të pabesueshëm, por e vërteta është se pati dhe të tjera raste të tilla, krahas qindrave që përbënin ligjin mizor aty brenda. Njëri ndër to, që më vjen ndërmend tani, është ai i një gruaje të sëmurë që rënkonte nga dhimbjet në veshka e i “prishte qetësinë” policit i cili, për pasojë, e lidhi në një shtyllë për njëzetekatër orë. Mbas kësaj ajo mezi erdhi në vete për dhjetë ditë. Cinizmi dhe sadizmi i personelit të komandës besoj se ja kalonte shumë herë figurave të esesëve, që vite më parë shihnim në filmat tanë apo të vendeve të tjera të Lindjes.

Poshtërimi dhe tortura ishin kënaqësitë më të mëdha që ndjenin këta ish partizanë në marrëdhëniet me të internuarit e çfarëdo moshe, njerëz të pafajshëm, krimi i vetëm i të cilëve ishte se u përkisnin familjeve të të arratisurve ose të kundërshtarëve të diktaturës së kuqe. Emrat e toger Hakiut, aspirant Syrjait, kapterëve Selfo e Tomi, policit Ismail e sa e sa të tjerëve janë shëmbëlltyra të së keqes njerëzore në mendjet e ish banorëve të kampit dhe kujtohen ende mbas dyzet viteve, kur jeta ka fshirë nga kujtesa emra kryetarësh shtetesh e qeverish.

Gratë dhe vajzat e reja që vinin nga mali nëpër shi me rroba të lagura deri në mish, duke mos patur ndërresa ( në çastin e internimit nuk u ish lejuar të merrnin asgjë veç rrobave të trupit), detyroheshin të mbuloheshin lakuriq nën batanije, mbasi rrobat e shtrydhura i ndenin për t’u tharë. Ruajtësi “ vigjilent” i “rendit më të përparuar të njerëzimit”, kur e pikaste një gjë të tillë, shkonte dhe ia tërhiqte batanijen duke e lënë të zbuluar shqiptaren “ armike” në sytë e dhimbshëm të të pranishmëve. Prej cilit armik ndër shekuj shqiptari do t’a priste një kob të tillë?  Ku t’i kërkojmë krahasimet? Ndoshta në rrëfimet e kuvajtianeve të përdhunuara nga ithtarët e Sadam Hysejnit.

Puna e detyruar, uria e vuajtjet i kishin kthyer në skelete të gjalla mijëra njerëz. Mbi pleqtë, fëmijët e sëmurë, vallëzonte  përditë kosorja e vdekjes, që rrinte e gatshme të merrte pjesën e saj. Në një kamp pune, një të burgosuri, kur i thanë se të vdiq vëllai, pyeti a e kish marrë racionin e bukës për atë ditë…. Të tilla episode ndodhnin edhe në kampin e Tepelenës.

Një tjetër kapitull më vete, i llahtarshëm ishte ai i fëmijëve. Fëmijët e vegjël, që nënat e reja detyroheshin t’i linin lidhur në djep gjithë ditën, rriteshin në mëshirën e ndonjë plake të huaj. Qëllonte që mbasi kishte shkarkuar barrën e druve, natën, gruaja e re e gjente krijesën e saj duke u prehur në paqen e pasosur, me një pamje engjëllore… Lotët dhe mallkimet ishin shumë pak për të shprehur dhimbjen; të nesërmen, që në mëngjes, e priste rreshti me shoqet për në mal…

Fëmijët që mbetën të vetëm u rritën për mëshirë nga të afërm e madje herë herë dhe të panjohur, sepse nënat u çuan në kampet e punës, për të ndërtuar falas “veprat e socializmit”. Më kujtohet ajo ditë e hidhur, kur u ndava nga nëna. Mundohesha t’i kacavirresha kamionit ndërsa polici më godiste duart. Lotë rridhnin nga sytë e atyre grave bujare malësore që ishin ofruar vullnetarisht për të zëvendësuar nënën time në këtë transferim,  por urdhri ishte i prerë: ajo duhej të ndahej nga un. Polici duhej të zbatonte këtë urdhër të eprorëve, duke goditur duart e fëmijës që nuk donte të shkëputej nga nëna… Ç’skenë e bukur për një pikturë të denjë për Gojën, subjekt i bukur për të ilustruar “humanizmin socialist”, të trumbetuar me zell në këtë gjysmëshekulli.

“Lufta e klasave” ishte sistematike dhe me të vdekurit. Tri herë u ndërrua vendi i varreve, deri sa e çuan buzë Vjosës, që eshtrat t’i gëlltiste lumi, mbasi jetën ua shkurtoi ajo, e famshmja “vija e demarkacionit”, “guri i provës për marksistë-leninistët shqiptarë”. Dikush edhe sot i quan të drejta e, madje të dobishme, këto përbindshmërira, i përligj me “luftën e ftohtë”, me diversantët. Më vjen ndërmend personazhi i Hamletit, në bisedë me t’ëmën, kur shprehet:” Do të ve një pasqyrë ku të shohç të zit e zemrës tënde…”. Këtë pasqyrë e ka për detyrë çdo njeri i lirë t’ua verë para strategëve “të lavdishëm”  t’asaj lufte, që mishëronte në vetvete gjithçka mefistofelike kishte në natyrën njerëzore, skutat e errëta të së cilës i kish njohur aq mirë kolosi Dostojevski, duke parashikuar edhe rrezikun, njëqind vite më parë.

Dy vite shkollë në qytetin e Tepelenës. Vetëm nxënësit lejoheshin të dilnin jashtë rrethimit të telave me gjemba, për të vazhduar shkollën shtatëvjeçare. Vetëm në arsimin e detyrueshëm nuk u bë dallim, atë mund t’a merrnin të gjithë. Më dalin parasysh skenat e vajtjes dhe kthimit nga shkolla. Më merrte për dore një vajzë mirditore, Bardha. Ishte më e madhe se un, më e rritur, megjithëse ishim në të njëjtën klasë. Ajo ishte kushërira e Pal Mëlyshit, familjen e të cilit e kishim karshi për karshi në kazermën e parë. Mësonim të gjithë ne, fëmijët e kampit; megjithëse t’uritur e të zhveshur, ishim më të mirët në mësime. Ç’ishte ajo fuqi që na jepte krahë të përballonim çdo ditë atë skëterrë? Ç’forca madhore viheshin përkrah nesh, për të na siguruar mbijetesën? “Zot i madh na ndihmo!”, kjo ishte ofshama nga thellësia e shpirtit, vetvetiu në çdo çast dhimbjeje e ligështimi…

Mbas dy vitesh qëndrimi në kampin e Tepelenës erdhi urdhri që fëmijët të liroheshin nga internimi. Kush pati familjarë të lirë vajti tek ata. Un mbeta i vetëm me gjyshen, deri sa xhaxhai i babait, mjek i dëgjuar i fëmijëve në Korçë, më mori në shtëpinë e tij. Ai me të shoqen u bënë për mua prindër të dytë, më trajtuan me dashuri e dhembshuri të madhe, u kujdesën për fatin tim gjithë kohën, u përpoqën me të gjitha mënyrat të ndreqnin sadopak jetën time të nisur keq. Por plaga në shpirtin tim ishte shumë e thellë. Kushtet materiale të jetës sime ishin si dita me natën me të shkuarën, por mungesa e prindërve nuk mbushet me asgjë, sado që un gjeta prindër të dytë që i desha me gjithë shpirt. Mëndja ime shkonte përtej telave me gjemba, ku veç e veç qëndronin gjyshja, nëna dhe babai. Pasiguria, ankthi për jetën e tyre, malli, dhimbja më bënin që fshehtas të derdhja lot të hidhur. Ata lot fëmije tetë vjeçe, ashtu si të mijëra fëmijëve anekënd Shqipërisë ishin perla që “stolisnin” kurorat e të fuqishmëve të botës. Por në atë moshë të njomë ne fëmijët nuk i kuptonim gjërat, kurse sot ata nuk e kanë naivitetin tonë të atëhershëm.

Prindërit tanë asokohe nuk bisedonin në sytë tanë për gjendjen e tyre e të vendit, apo problemet politike. Terrori kishte depërtuar  deri në qeliza dhe askush nuk guxonte të thoshte të vërtetën. Kështu që ne brumoseshim me dashurinë e “pafund” për Partinë, xhaxhi Enverin, mbi të gjitha për xhaxhi Stalinin. Këta iluzione, që na fuste shkolla, binin ndesh me trajtimin tonë në jetë, por ne nuk ishim në gjendje të mendonim me kokën tonë. Më kujtohet një episod sa qesharak aq dhe i dhimbshëm. Kisha vajtur për takim tek nëna që ishte në kampin Nr. 3 tek Fabrika e tullave në Tiranë. Ishte vera e vitit 1953. Nëna dhe shoqet e saj punonin në kaminat e tullave brenda telave të kampit. Mua më lejoi oficeri të qëndroja dy ditë brenda në kamp. Në bisedë me gratë dhe vajzat që banonin në një dhomë me nënën (mund të ishin rreth njëzet veta) un i pyeta ato pa të keq nëse kishin qarë kur vdiq Stalini. Ato filluan të qeshin dhe thanë se e vetmja gjë e mirë që përfituan ishte se patën dy ditë pushim. Un, i indoktrinuar nga shkolla dhe jeta jashtë, ju përgjigja me inat: “Mirë ja u bëjnë juve që ju mbajnë këtu brenda”. Ato shpërthyen përsëri në gaz. Kishin të drejtë të qeshnin me mua, që kisha harruar Tepelenën dhe s’kuptoja autorët e vërtetë të tragjedisë. Në krahasim me fëmijët e sotëm, që ngrenë dy gishtat lart, ne duhet të pranojmë se kemi qenë shumë naivë, për të mos thënë të marrë e ndoshta kjo shpjegon dhe jetëgjatësinë e dogmave staliniste për dhjetëvjeçarë të tërë.

Por dua të kthehem përsëri te Tepelena, një gozhdë e ngulur thellë në ndërgjegjen, zemrën dhe trurin e shumë bashkatdhetarëve të mi të mesit të shekullit njëzetë. Strategjia e shfarosjes fizike shoqërohej me një tjetër, ende më djallëzore, atë të prishjes së njeriut, për të cilën nuk kurseheshin mjetet e mënyrat më të ndryshme. Në kushte jashtëzakonisht të vështira fizike, morale e psikologjike, shumica dërmuese e asaj bashkësie e mbajti ballin lart, nuk e nxiu faqen, ruajti dinjitetin, karakterin, respektin e dashurinë për njëri tjetrin. Në kazerma të mëdha, me dy radhë shtretërish flinin mbi pesëqind vetë e për çudi të “arkitektëve të ndritur” të asaj poshtërsie njerëzore asnjë skandal moral nuk ndodhi. Të gjithë u quajtën motra e vëllezër e të tillë mbetën në kujtimet e njëri tjetrit, duke sfiduar diktaturën dhe ligjet e saj mizore. Pa asnjë ndihmë, ata njerëz mes të cilëve jetova dy vjet, përballuan ata vite të gjata derisa më 1953, si pasojë e “qiejve të hapur” dhe trysnisë së opinionit të jashtëm, Qeveria vendosi mbylljen e kampit famëkeq të Tepelenës ./Memorie.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.