DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Tërheqja. Si nisi kreu i PS të heqë dorë nga Presidenca. Nano: Unë Kryeministri i ri

07:00 - 15.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

15 Qershor 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare”




 Tërheqja

Si nisi kreu i PS të heqë dorë nga Presidenca

Nano: Unë Kryeministri i ri

Flet lideri socialist vetëm pak orë pas vendimit të Kryesisë

Reagon lideri i Opozitës

Berisha: Në fakt unë s’e kisha me Fatos Nanon

Çfarë u vendos në mbledhjen e kryesisë. Pse pranon kryetari socialist të marrë drejtimin e Qeverisë

Nano: Mund të bëhem kryeministër

“Unë nuk i jam shmangur asnjëherë përgjegjësive”

 

 

 

Kryetari i PS-së s’e ka mohuar aspak mundësinë e marrjes së detyrës së kryeministrit. Për më tepër, megjithëse pak më i zbutur, ai nuk përjashtoi as kandidimin e tij për president.

Zbatimi i skemës që e sjell Nanon kryeministër, do bëjë që emra të shumtë nga PS-ja të aktivizohen në qeverisje. Kryetari i PS-së e pohoi dje këtë, duke thënë se emra profesionistësh do të afrohen në dikastere të ndryshme, por pa thënë se cilat do jenë këto. Në lidhje me kandidimin e tij për president, Nano tregoi një ndryshim shumë të madh. Ai përmendi se janë tri mundësi: e para, është kandidimi i tij; e dyta, rizgjedhja e Meidanit; e treta, zgjedhja e një emri të tretë që do të dalë nga konsultimet. Pas mbledhjes së kryesisë, por edhe gjatë një interviste në VOA, Nano s’e përjashtoi aspak mundësinë e marrjes së detyrës së kryeministrit. Në funksion të kësaj duket se është edhe pika tre e vendimit të mbledhjes së kryesisë së PS-së. Në të thuhet se kryesia dhe kryetari do të paraqesë për vendimmarrje në KPD, brenda një muaji, propozimet për ndryshimet e nevojshme që garantojnë realizimin e objektivave të mësipërm në funksionimin e institucioneve politike dhe qeverisëse të PS-së e maxhorancës. Me pak fjalë i është lënë në dorë Nanos që t’i bëjë vetë ndryshimet në statutin e PS-së, por edhe më gjerë se kaq. Një nga pikat që pritet të ndryshohet, është edhe ndryshimi i pikës së statutit që ndalon mbajtjen e dy mandateve ose, me pak fjalë, që e pengon kryetarin e PS-së të bëhet kryeministër. Afati që i është dhënë Nanos, është një muaj, deri në 24 korrik, kur mbaron mandati presidentit Meidani. Kryetari i PS-së s’është tërhequr ende nga dëshira e tij për t’u zgjedhur, por, nëse nuk arrin brenda këtij afati, atëherë atij i jepet e drejta që të ndryshojë statutin e PS-së dhe të zgjidhet kryeministër. Kjo është skema rezervë që i ka propozuar atij ish-kryeministri Ilir Meta, i cili e shikon veten e tij si numri Dy i qeverisë së Nanos dhe me postin e ministrit të Rendit. Ky variant është diskutuar dje në mbledhjen e kryesisë së PS-së, e cila pritej të vendoste për emrat e kandidatëve për president. Asnjë emër nuk doli nga kjo mbledhje dhe u vendos që të bëhen konsultime edhe me opozitën. Nano, i cili e deklaroi dëshirën e tij për të kandiduar, nuk u tërhoq, por u tregua më tolerant dhe e pranoi propozimin që i kishte bërë një ditë më parë Meta, në një takim kokë më kokë me të. Ndryshimi i qeverisë, pas zgjedhjes së presidentit, futja e emrave të njohur në kabinet dhe vendosja e sanksioneve ndaj atyre që do të dalin kundër këtij kabineti, u konfirmuan edhe dje në mbledhjen e kryesisë së PS-së. Në pikën e dytë të vendimit të kryesisë thuhet se zgjedhja e presidentit të realizohet si komponent i një zgjidhjeje të plotë e të qëndrueshme që përfshin rritjen e efektivitetit të qeverisjes “dhe formimin e kohezionit e disiplinës politike të partisë dhe grupit të saj parlamentar në funksion të hapjes së negociatave dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Asocimit”, thuhet në vendim. Pak ditë më parë Meta i kishte dhënë si garanci Nanos, se do të përjashtohej nga partia dhe grupi parlamentar, gjithkush që do të dilte kundër qeverisë së drejtuar nga Nano, gjithmonë nëse ai pranon të bëhet kryeministër.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.