DOSSIER

“Dom Shtjefni tha se: pa vdek Enver Hoxha, ky sistem nuk ndërron dhe duke lexuar gazetën për luftën në Vietnam, ai me Prengë Lulashin qeshnin dhe…”/ Raporti sekret i “Lulja”, në ’70-ën!

07:34 - 15.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Biografia e Shtjefën Jak Kurti




Shqefën Kurti është i biri Jakut dhe i Katrinës, i datëlindjes 1898, lindur në Prizren dhe banues në Gurëz, me arsim të lartë, i pa martuar, i pa organizuar, i dënuar një herë në vitin 1947 me 20 vjet burg për veprimtari armiqësore, shtres e pasur dhe ish famullitar, me shtetësi e kombësi shqiptar. I lartpërmenduri mbasi ka kryer shkollën e lartë në Itali, fakultetin teologjik, është emëruar famullitar dhe këtë profesion e ka ushtruar në Gurëz, Tiranë e gjetkë. Në kohën e regjimit antipopullor të Zogut, ka mbajtur lidhje me krerët e katolicizmit në Shqipëri dhe direkt me Vatikanin si dhe autoritetet e larta të ish regjimit në fuqi.

Gjatë okupacionit italo-gjerman në Shqipëri si dhe gjatë Luftës N.Çl e në vitet e para të çlirimit, qëndrimi i Shqefnit ka qenë thellësisht armiqësor. Ai, duke ushtruar veprimtarinë e tija kundër lëvizjes N.Çl, ka mbajtur lidhje të ngushta me misionet e zbulimeve të huaja në Shqipëri, si me Gjeneralin anglez Hudson, kolonelin Palmer dhe Majorin Smith. Me kuadrot e zbulimit amerikan si me z. Jakobs, Andon Stivens, Ndrek Gjevelekun, Fulcin e tij dhe me misionarë francez mbas çlirimit.

Mbas çlirimit së bashku me Anton Dukagjinin, kanë përpiluar një raport në tre kopje dhe ja u ka dërguar misioneve amerikane dhe angleze që ishin në Shqipëri. Në këtë raport u tregonte mbi gjendjen e të arratisurve të anës së veriut brenda vendit. Ka mbajtur korrespondencë direkt me Vatikanin dhe prej andej ka marrë dhe të holla për të shpërblyer priftërinjtë katolikë në Shqipëri. Ka ndërlidhur me zbulimet e huaja dhe ka bërë pjesë në Partinë e krijuar nga Sami Qeribashi.

Në vitin 1946 për aktivitet armiqësor është arrestuar dhe dënuar me 20 vjet burg. Në vitin 1963 është liruar nga burgu dhe ka ardhur me banim në Gurëz, por dhe mas lirimit nga burgu, ai duke qenë armik i betuar, nuk ka heq dorë nga veprimtaria e tij prej armiku, por fill në vitin 1964, ka filluar përsëri veprimtarinë armiqësore në formën e agjitacionit e të propagandës dhe këtë veprimtari vazhdon ta zhvillojë dhe sot. Ai, mbasi u lirua ka bërë përpjekje dhe është lidhur me korrespondencë me njerëzit e tij që ka në Jugosllavi e SHBA, prej të cilëve ka kërkuar dhe ndihma ekonomike, se gjoja është në gjendje të keqe jetese, por që për ne dhe kjo është propagandë dhe kjo korrespodencë është e dyshimtë dhe për t’u ndërlidhur me zbulimet e huaja.

Sot Shqefni banon në shtëpinë e Shkurt Markut në Gurëz, i cili bashkë e vëllanë e tij është në burg, Shkurti për marrje dy gra dhe Pjetri për vjedhje e veprimtari armiqësore në kooperativën bujqësore. Nga deponimet e Pjetrit dhe të Bardhok Markut që kemi sot në burg, del se Shqefni me veprimtarin e tija ka helmuar mjaft anëtarë të kooperativës. Ai në Gurëz ka dhe vëllanë e tij Kel Kurtin, por tek ai nuk ka banuar dhe me sa duket e ruan për të mos e kompromentuar para masës, me që është dhe pa kartë fronti.

Kjo biografi është përpiluar si mas të dhënave të dosjes gjyqësore.

Puntori Operativ

Krujë 16/4/1970

Aprovohet

“Sekret”

Kryetari Degës P. Mbrendshme

Dhosi Pecani

Krujë me 16/4/1970

Vendim

“Mbi hapjen e dosjes “2/A” për Shtjefën Kurtin”

Unë Punëtori Operativë i Degës P. Brendshmesh “Anës Sigurimit” Krujë, mbasi studiova materialet kompromentuese në ngarkim të Shtjefën Kurtit banues në Gurëz.

Gjeta:

Së Shtjefën Kurti i biri i Jakut dhe i Katrinës, i datëlindjes 1898, lindur në Prizren dhe banues në Gurëz, me arsim të lartë, i pa martuar, i pa organizuar, i dënuar një herë në vitin 1947 me 20 vjet burg për veprimtari armiqësore, shtres e pasur dhe ish famullitar, ka zhvilluar dhe këtë profesion e ka ushtruar në Gurëz, Tiranë e gjetkë.

Në kohën e regjimit antipopullor të Zogut Shtjefni ka mbajtur lidhje të ngushta me krerët e katolicizmit në Shqipëri dhe nëpërmjet tyre akoma edhe direkt me Vatikanin. Gjithashtu ai ka mbajtur lidhje të ngushta me autoritetet e larta të ish regjimit në fuqi.

Gjatë okupacionit italo-gjerman në Shqipëri si dhe gjatë luftës nacional çlirimtare qëndrimi i Shtjefnit karakterizohet thellësisht armiqësor. Ai, duke ushtruar veprimtarinë e tij kundër Lëvizjes N. Çlirimtare, ka mbajtur lidhje të ngushta me misionarët e zbulimeve të huaja në Shqipëri, siç janë Gjeneralin anglez Hudsoni, Koloneli Palmer, Andon Stivens, Ndok Gjevleku, Fulzin e tjerë. Me misionarët e zbulimit francez mbas çlirimit siç janë: Majori Vizdrav, z. Brioti etj.

Mbas çlirimit, ai përsëri ka vazhduar të mbaj qëndrim thellësisht armiqësor dhe lidhje me misionet e huaja, siç përmendet edhe më sipër. Shtejfni, së bashku me Anton Dukagjinin ka përpiluar një raport me tre kopje të cilën mbasi e ka shtypur me makinën e tij, jua ka dërguar misioneve amerikane e angleze në atë kohë në Shqipëri. Në këtë raport ai bënte fjalë për gjendjen e të arratisurve të anës së veriut brenda vendit. Ka bërë mbledhje me krerët kryesor katolik, ka mbajtur korrespondencë direket me Vatikanin nga ku ka marrë edhe të holla me një shumë prej 7000 dollarësh për të shpërblyer priftërinjtë katolik në Shqipëri. Mbas çlirimit ka ndërlidhur kriminelët me misionet e huaja, ka bërë pjesë në Partinë e krijuar nga Sami Qeribashi dhe ka bërë kontrabandën e monedhave të huaja. Për këtë aktivitet armiqësor me 17/IV/1947 është arrestuar e dënuar me 20 vjet privim lirie dhe humbjen e të drejtave civile për 5 vjet kohë.

Në vitin 1963, është liruar nga burgu dhe ka ardhur me banim në katundin Gurëz. Gjatë kësaj periudhe që ndodhet në rrethin tonë, ai sipas të dhënave që ne disponojmë, nuk ka pushuar së zhvilluari përsëri aktivitet dhe veprimtari armiqësore.

Nga të dhënat e B.p. me pseudonim: “Partizani”, “Adresa”, “Dita e Pushimit”, “Shigjeta”, “Lulja” dhe “Drita” si dhe nga deponimet e të dënuarit D…, të arrestuarve kohët e fundit, Mark Nikolli dhe Pjetër Biba, rezulton se i nalt përmenduri ka zhvilluar veprimtari armiqësore të theksuar në formën e agjitacionit dhe propagandës. Agjitacioni dhe propaganda e zhvilluar prej tij, ka konsistuar ne: kundër udhëheqjes së Partisë dhe të shtetit, kundër sistemit tonë socialist, ka bërë komente për gjoja jetën e mirë në vendet perëndimore dhe anasjelltas jetën e keqe në vendin tonë, si dhe për ndryshimin e situatës e tjera.

Duke marrë parasysh sa më sipër, si dhe me qëllim për të zbuluar dokumenta e ndërprerë veprimtarinë e tij prej armiku dhe për të parë se deri ku shtrihet ajo, me gjithë se është në moshën 72 vjeç, është fizikisht i shëndoshë dhe në gjendje të tërheq, influencojë e të infektojë akoma edhe njerëz të tjerë të thjeshtë.

Vendosa:

Që: Shtejfën Kurtin ta marrë në përpunim aktiv 2/A me tendencë për agjitacion e propagandë, në mënyrë që në përpunimin e tij të përdorë kompleksin e llojeve të punës agjenturiale-operative.

Puntori Operativ

(Q.K.)

Marrë P.Op. Q. K.

Dhënë B.p. «Adresa»

Raport i datës 28/4/1970

Burimi njofton se para dy ditësh në një takim në rrugë që pat me Shtejfën Kurtin, gjatë bisedimit të shkurtër me të, Shtjefni kishte fol në lidhje me vjedhjet e kryera në Gurëz nga fshatarët dhe se kjo veprimtari u bë si punë e zakonshme po thuej se nga të gjithë. Dikur kanë pas vjedh në këtë fushë mirditasit, ndërsa sot hajnia është shtrirë në të gjithë njerëzit e çdo krahine. Feja në predikimet tona si priftë ose hoxhallarë, i ka pasë frenue shumë që të mos kryenin vjedhje të çdo natyre dhe kundër kujtdo. Tash me mbylljen e faltoreve dhe me ndalimin e ushtrimit të predikimit nga ne, njerëzve u hoq frika e dhënies llogari për veprime të këqija ndaj Zotit dhe Krishtit ose Muhametit për muhamedanë.

Kështu njerëzit me zemër jo të pastër kanë vetëm frikën e Qeverisë, ndërsa përpara kishin frikën e Zotit dhe të Qeverisë dhe sidomos atë të Zotit për veprime të këqija.

Prandaj lum shoqi më thotë mëndja se, kjo është arsyeja kryesore që janë shtue vjedhjet. Nuk më duket që këto vjedhje të kryhen dhe për të ardhura jetese ose për qëllime armiqësore, mbasi ata që janë kapur, s’janë marrë ndonjëherë me politik dhe pastaj po të kenë pas këtë qëllim, do të bënin veprime të tjera të një natyre më të gjanë. Dua të them veprime shkatërrimi të pasurisë e jo privatime me sasi të vogla. Pastaj dhe për faktin se të gjithë ata që vjedhin në këtë zonë, janë nevojtarë për jetesë të tyre e të familjes.

“Adresa”

Sqarim:

B.p. në pamundësi për t’u takuar se nuk kishte kohë, kish përgatitur raportin dhe na e dha doras, prandaj nuk ju dhanë detyra.

Masat operative:

Të organizohet takimi me B.p. dhe bashkë me të diskutojmë variante takimi me Shtjefën Kurtin dhe çështjet që mund të sqarohen në bisedë me të.

Të studiohet mundësia e dëgjimit me teknikë të bisedave të B.p. me Shtejfën Kurtin dhe po ekzistuan, atëherë të dërgohet B.p. në kombinacion e të dëgjohen bisedat e tyre.

Raporti të shtypet dhe të merret menjëherë Shtjefën Kurti në përpunim 2 ”A”.

Puntori Operativ

(Q.K)

Marrë P.Op. Th.L.

Dhënë B.p.“Lulja”

Raport i datës 30/V/1970

Burimi njofton se ai gjatë bisedimeve që ka bërë me Bardhok (Mark) Markun, prej datës 22/V/1970 deri me 30/V/1970, Bardhoku midis të tjerash i tregon se:

Kam biseduar me Ded Pashkun disa herë, por të gjithë ç’ka kamë bisedu me të unë i mbaj mend: vetëm më kujtohet se i kam thënë se populli po vuan për bukë, ka familje që kanë vetëm dy hajë e punojnë pa bukë, po punojnë zbath e zhveshur, kurrkush nuk po interesohet për ne. Po kështu më këtë kam bisedue se po nuk ndërroi sistemi shpejtë, jena fik.

Ded Pashku, të shumtën e herëve ka biseduar me Shtjefën Kurtin. Një herë duke shkuar në depo, dëgjova që po qeshte më të madhe Deda me Shtjefën Kurtin; kur u afrova pash se Shtjefni po lexonte gazetën “Zëri i Popullit”, mbi luftën në Vitenam, se janë rrëzua kaq aeroplanë amerikan e janë vrarë kaq ushtarë amerikan në Vietnam. Si nuk u mbaruan ushtarët amerikan që po vriten në Vietnam, si nuk u mbaruan aeroplanët që po rrezohen, këto janë rrena se nuk i them. Dhe po talleshin e po qeshnin, duke thënë se: u rrezua aeroplani 201 në Vietnam e tjera.

Shtjefën Kurti tregon Bardhoku, ka biseduar shumë herë me Prengë Gjelosh Lulashin, unë kam ndodhur prezent vetëm disa herë mbasi Shtjefni më tepër ka biseduar vetëm me Preng Lulashin. Një herë Shtjefni po lexonte gazetën, ku ishim unë e Prengë Lulashi. Bota tha Shtjefni, po lufton ndërsa neve po rrimë. Pa vdek Enver Hoxha, ky sistem nuk ndryshon vet. Një herë tjetër tha Bardhoku, se si a puna e bukës dhe Shtjefën Kurti tha se bukën që ne po hamë këtu, në Gjermani as derrat nuk e hanë, sado që këta përpiqen, Gjermaninë dhe Italinë nuk e arrijnë, si për jetesë e për ndërtime as për 1000 vjet.

Italia vetëm 2 vjet ndërtoi këtu e bani gjithë ato ndërtime që me gjithë se kanë kalue 30 vjet, janë më të mira e më të forta se këto që bajnë tash këta. Kur filloi me u ndërtue Pallati i Kulturës në Tiranë, deshën me e prish Komitetin Ekzekutiv, por kur bënë llogarinë, duheshin ma shumë pare me e prish, se me e ndreq një të tillë, kësi ndërtime ban Italia edhe të mira edhe të forta. Bardhoku tha se Prengë Lulashi është njeri i mirë por, këtë nuk e duen.

“Lulja”

Detyrë:

Vazhdoni të bisedoni me Bardhokun (Markun), ashtu sikurse deri tani, duke synuar që të thelloheni për të zbuluar aktivitetin e me tejshëm të tij dhe në mënyrë të veçantë të Shtjefën Kurtit dhe lidhjeve të tija të tjera. – si dhe të Ded Pashkut.

Masat operative:

Të thellohemi për të parë nëpërmjet hetuesisë dhe përpunimit në birucë të Bardhokut se, deri ku shtrihet si me Pjetër Mirin (i pushkatuar) dhe në se lidhje me Ded Pashkun apo, me pjesëtarët e tjerë të këtij grupi, përveç Shtjefnit. Për t’ja mbërritur kësaj, të organizojmë kombinacion me hetuesin, që të thyemë Bardhokun dhe të ecim më tej. Memorie.al  


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.