DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Rikthimi 23-vjeçarja “e zhdukur” rrëfen për Gazetën Jorida: 15 ditët e mia me Maksin në arrati, ai më shpëtoi, donin të më çonin prostitutë

07:00 - 16.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Get it on Google Play

16 Qershor 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare”




Rikthimi

23-vjeçarja “e zhdukur” rrëfen për Gazetën

Jorida: 15 ditët e mia me Maksin në arrati

“Maksi më shpëtoi, donin të më çonin prostitutë”

Tiranë

Jorida Jaupllari, prej 16 ditësh është shndërruar në njeriun më të kërkuar nga gazetat, prindërit dhe policia. Ajo më në fund u rikthye. Ka qenë ora 24.30 minuta, natën e së premtes kur në Prokurorinë e Tiranës, është shfaqur pas negociatash të shumta studentja bukuroshe nga Çorovoda. Pasi ka takuar prindërit, prokurorët dhe kryepolicët e kryeqytetit, ka rrëfyer ekskluzivisht për Gazetën Shqiptare aventurën e saj “drejt lirisë” dhe si u arratis me njeriun që në ditët më të vështira të jetës iu ndodh pranë më shumë se i fejuari, familja dhe shoqëria. Ku qëndroi gjatë këtyre 15 ditëve.

Përse nuk guxonte të dilte? Kërcënimet dhe falja që i bën të fejuarit për kohët e vështira që ka kaluar me atë gjatë muajve të fundit. Gjithashtu Jorida iu kërkon falje prindërve për stresin që ju ka krijuar gjatë këtyre 2 javëve të ‘arratisjes” dhe deklaron pa frikë të ballafaqohet me këdo që ka hedhur baltë mbi moralin e saj, apo që ka tentuar t’i bëjë keq…

Jorida, policia ka deklaruar zyrtarisht se ju jeni rrëmbyer nga një grup trafikantësh për qëllime prostituimi? Është e vërtetë kjo gjë?

Jo unë nuk jam rrëmbyer. Kam ikur vetë. Di se vërtetë ishte bërë një plan që mua të më dërgonin prostitutë. Por unë arrita ta shmang falë njeriut të cilin kam zgjedhur për të bashkëjetuar.

Po përse u zhdukët në atë mënyrë. Pa lajmëruar prindërit, të fejuarin apo ndonjë shoqe…?

Ish të fejuarin tim Altin Qato nuk kisha pse ta lajmëroja. Kohët e fundit problemet mes nesh ishin më shumë se serioze. Por edhe kisha frikë. Kurse prindërit (ju kërkoj falje, pak më parë e bëra pasi i takova), ashtu si janë të gjithë prindërit tanë nuk më kanë kuptuar. Me nënën kam folur diçka më shumë, por ajo gjithmonë edhe ditën që ika ka ngulur këmbë, që pavarësisht nga problemet që kisha me të fejuarin “të ulë kokën dhe të durojë sepse kështu janë të gjitha çiftet”.

Jenio zhdukur më datë 31 maj. Njëzetekatër orë më pas prindërit tuaj denoncuan në polici. U arrestua Eduard Stafhasani dhe u shpall në kërkim Idrit Kamberi. U pyetën për ty të paktën 70 persona. Gazetat shkruanin çdo ditë për fatin tuaj. Përse nuk u rikthyer nëse vërtet keni qenë me “princin tuaj të kaltër”?

Kisha frikë. E përsëris kisha frikë për veten dhe për Maksin. Gjatë ditëve që ikëm, kemi pasur kërcënime sistematike. Në celular më kanë  kërcënuar edhe  përpara se të vendosja të “arratisesha”. Nuk dua të them emra personash konkretë… dy personat që policia është duke u marrë, unë i njoh. Më kishin premtuar nxjerrjen e një vize për në Itali. Pasi u binda se me Altinin çdo gjë kishte mbaruar dhe prindërit nuk më kuptonin, vendosa të iki përkohësisht nga Tirana. Të them të drejtën nuk e kisha menduar se gjërat do të rridhnin kështu. Me Maks Martirin kam vite që njihem. Kemi qenë gjithmonë miq të mirë. Ishte pikërisht ai që ditët e fundit, kur isha shumë e stresuar më ka qëndruar pranë. Pikërisht ai më “kthjelloi” për planin që po përgatitej për të më çuar si prostitutë në Itali apo Belgjikë…

 

Ku qëndruat këto pesëmbëdhjetë ditë?

Mesditën e 31 majit unë jam takuar me nënën time. Gjithçka ka ndodhur ashtu si ka thënë ajo në intervistën që ju ka dhwnw. Njeriu që më shoqëronte me makinë atë ditë në fakt nuk ishte “xhaxhai i një shoqeje që i kisha bërë disa ndere” (si ia prezantova nënës të cilës i kisha kërkuar të vinte sa më shpejt në Tiranë për të folur), por një nga të afërmit e Maksit. Pasi jam ndarë me mamin, kemi marrë me makinë, edhe Maksin dhe kemi shkuar te shtëpia e tij në Tiranë tek “Ali Demi”. Aty kemi qëndruar dy netë derisa mësuam se prindërit kishin bërë denoncim në polici. Pastaj kemi ikur në Peqin te njerëzit e njeriut që kam zgjedhur për të jetuar. Ditën e martë në mëngjes, datë 4 qershor kam telefonuar në shtëpi. I kam thënë gjyshit se jam mirë. Pastaj gjithçka rrodhi shpejt. Gazetat nisën të shkruajnë përditë gjithfarë lloj gjërash, duke hedhur shpesh edhe baltë mbi mua. Policia më kërkonte. Njerëz të ish të fejuarit më kërkonin gjithashtu. Ndoshta për të “ruajtur karrierën e tij”. Prandaj u detyrova të rrëfehem në televizion. Pas qëndrimit në Peqin, dy ditë më parë, u ktheva në Tiranë. Kishim vendosur të shfaqeshim edhe pse vazhdonim të kishim frikë. Po nëpërmjet të afërmve të Makdit, pasi morëm garanci shkuam në Prokurorinë e Tiranës.

Çfarë do bëni tani?

Do vazhdoj shkollën. I falënderoj të gjithë ata që më kuptuan në këto ditë. I fal të gjithë ata që nisën të më bëjnë gjyq moral pa të drejtë dhe pa ditur asgjë… Ju them të gjitha vajzave që kanë probleme si të miat: Ne jemi të afta të zgjedhim vetë në jetë dhe ta ndërtojmë atë sa më mirë… Jam e gatshme të ballafaqohem me këdo.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.