KULTURË

Kush është Zorba yt? Dil e kërkoje…

14:40 - 18.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Get it on Google Play

Tek i hyn atij udhëtimi magjepsës shpirtëror dhe kaq të pasur nga gjuha, me kryeveprën e Kazantzakis, vetiu të vjen në mend pyetja, ose më saktë mundimi; Cili është Zorba yt?




Ai që i bën ballë me kollajllëk, me fuqinë e dijes që ka nga përvoja dhe të jetuarit rrafsh e çdo minutë, atyre dilemave fluturake e metafizike, ideve të forta marrë librash, apo edhe ndonjë teze më të konsoliduar katedre.

Zorba që hedh në tokë shkrimtarin gjithnjë majave të mendimeve e sinopseve, e që ja vë në vijë lëmshet e mëdha filozofike për jetën, për lirinë, për femrat.

Nxjerr krye, qysh se i thotë herën e parë; po më shtrëngove, më humbe. Kjo pra ishte kontrata që nomadi i përjetshëm, punëtori i zdërhallur, qejfliu pa ndalesë, ja kërkon të zotit të tij që e merr në ishull.

Zorba ka një arsye pse ka një përgjigje, të thjeshtë, të saktë dhe të shpejtë. Se nuk e ka lënë ekzistencën t’i kalojë para syve, e ka kapur fort, me thonj, e ka shijuar dhe e ka vënë nën frerë.

A është valle Zorba yt, Ladi, që çjerr e çvoshk ajrin e trandur ndërkohë nga qepenat, me të bërtiturat e gëzueshme, pa pas asnjë gajle se gjindja në atë moment që sapo ka zbardhur mund të jenë ende në gjumë.

Apo mos është Çeço, më ngalakeq, e përtac, po që të studion nga sytë këmbët dhe e ka gjithhere një këshillë praktike për atë hop, me gotën e rakisë në dorë, ndoshta vetëm për paraditen, e jo më shumë. Nuk i mbërrin urtia deri në darkë.

A thua të jetë Zorba yt, Lymi, që ka zgjedhur të mbushë ditët me një punë krahu duke tërhequr karrocën me mbetje, e thasë nëpër çdo njësi. Ai e di mirë se si po shkojnë punët asaj ane, ka jo pak informacion, mund edhe të parashikojë, e nuk i hyn fare në punë prognoza e Bankës Qendrore.

S’po ja përngjan tamam, dhe më tej duke kaluar kapitujt, nuk se Kazantzakis të ndih shumë, kur të sjell debatin e fortë me atë duarashprin e flokërrëmujin e disa zanateve, që kridhet në ajër nga muzika, e i ka pushtuar shtratin zonjës franceze. E veç kur thotë; çështja është çfarë e bën bukën që ha?

E bën dhjamë e pleh, e bën punë e qejf, apo e ke për zotin. Pra nga kotësia tronditëse, tek diçka më shumë, aty si e midistë, e deri tek transhendentalja. Zorba e di mirë, se ç’e bën bukën e tij. Zgjedhja është aty, në mes. Punë e qejf.

Kush është ky në lagjen tënde, thua vetëmevete. Vjen si në bojën e atij burrit që mban pak erë kolonjë, dhe e shijon daljen në mëngjes herët e i vjen rrugëve, sikur u thotë; Jam i vetmjaftueshëm, kjo mëhallë nuk pretendon, dhe nuk dëshiron të jetë tjetër.

Janë shumë që duhen bërë bashkë për të lindur një Zorbë. Ka zanatçinj pafund, nopranë e të paqeshur të gjithë, sekush me një cilësi. Të marrë së toku, e ndërtojnë atë që ti po kërkon. E prej andej mbase vijnë përgjigjet e vramendjeve e zallaves së kresë.

Don Kishoti e kishte Zorbën e tij, Sanço Pançon. Po dhe tek Mali Magjik, përtej stërhollimeve filozofike, Hansi e gjen Zorbën, tek një i moshuar që nuk e njeh rilindjen europiane e idetë e mëdha të letrave. Puthja që Ringjall, e Samuel Bellow, ka një Zorbë interesant. Një shkencëtar nobelist, e ka njohur tek polici që ka fqinj.

Zorba yt, kush është vallë? Ku do i përplasësh ato shkëndija që të vijnë shpesh në vallen autonome të neuroneve. E sigurtë që aty ndodhet, poshtë pallatit. Vetëm se nuk je aq i zoti për ta dalluar e njohur.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.