OPINION

Sherri Rama-Kurti me Dua Lipën në mes

13:12 - 18.06.22 SKËNDER MINXHOZI
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në zgjedhjet e fundit të zhvilluara në Shqipëri ishin kundërshtarë politikë. Madje njëri prej tyre votoi për rrëzimin e tjetrit, duke kaluar një kufi shtetëror e duke habitur jo pak njerëz me veprimin e tij krejt jodiplomatik dhe të pamatur për një politikan të një shteti tjetër.




Megjithatë mosbesimi dhe skepticizmi mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit daton shumë kohë para se zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri të nxirrnin fitues për të tretën herë kryeministrin aktual shqiptar.

Mes Ramës dhe Kurtit nuk ka pasur kurrë kimi, mes tyre nuk ka miqësi, ata nuk ndajnë as bindje, shije apo vizione të përbashkëta. Janë dy shtetarë që e tregojnë për së largu se nuk duhen, se shohin me dyshim çdo gjë që bën tjetri, se paragjykojnë më shumë sesa gjykojnë ato që thonë e shkruajnë mes tyre. Janë dy politikanë që i bashkon thuajse vetëm mopëlqimi reciprok, i mbështetur mbi dy modele politike, kulturore e personale krejt të ndryshme mes tyre.

Rama dhe Kurti po luajnë luftash prej disa muajsh mes tyre në një fushëbetejë imagjinare që ka nisur tek pandemia, e më vonë është shtrirë thuajse në çdo pikëtakimi që egziston sot mes dy shteteve. Mbledhjet e përbashkëta dhe takimet reciproke janë vetëm momentet kur ftohja mes të dyve shfaqet së afërmi. Pjesa tjetër, që nis me politikën rajonale, raportet me Serbinë, Ballkanin e Hapur dhe thuajse gjithçka tjetër që ka të bëjë me profesionin dhe postet që mbajnë, është një arenë e madhe e një rivaliteti e mërie të padukshme së jashtmi, por tejet të dukshme në humnerën që ka krijuar mes dy liderëve politikë me kalimin e kohës.

Albin Kurti ka ecur deri tani në disa linja të qarta politikë konservatore, pritëse dhe statike në drejtim të Serbisë, ashtu sikurse një linjë ekonomike që paragjykon biznesin po aq me pasion sa sivllai i tij i Tiranës ecën në linjën e kundërt, duke e vënë biznesin në krye të sofrës me ose pa të drejtë. Janë dy drejtëza të kithta që nuk takohen askund, dy breza moshorë që paragjykojnë njëri-tjetrin në gjithçka dhe që me karakteret e tyre të fortë ushqejnë ndasi dhe urrejtje të heshtur mes vetes. Aq e fortë është kjo mëri në distancë, saqë Albin Kurti, një majtist që disa e quajnë edhe enverist, ka gjetur strehë dhe afërsi tek Sali Berisha e Ilir Meta, për të cilët dihet si ka menduar në të shkuarën.

Ballkani i hapur ka qenë kapaku prej plumbi mbi këtë raport të vështirë dypalësh. Kurti ka luajtur me ndjenjën antiserbe në Kosovë, e ta bësh këtë në një terren si ai i Kosovës së sotme është diçka e lehtë dhe pa kosto në pamje të parë. Duke yshtur frikën patologjike ndaj çdo gjëje serbe, Albin Kurti e ka pasur të lehtë ta mbajë në mënyrë të sforcuar dhe pa logjikë vendin e tij jashtë formatit në fjalë. I ndihmuar në këtë mision të mbarsur me patriotizëm fals dhe paragjykime të pajustifikuara, edhe nga deklarata e qëndrime absurde e pa bosht të Edi Ramës, si në rastin e intervistës së fundit në portalin politico.eu, ku hidhte ide të tipit “Serbia është në rrugën e duhur….presioni i shtuar perëndimor mbi Beogradin mund të dëmtojë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”!

Në këtë marrëdhënie të komplikuar mungonte edhe një…koncert, për të prishur edhe më tej klimën zyrtare mes Shqipërisë e Kosovës. Një sipërmarrje e familjes Lipa për të organizuar një event muzikor veror në Prishtinë, pati vështirësi për edicionin e radhës për shkak të qëndrimit refraktar të qeverisë kosovare dhe kjo bëri që shou i njohur të spostohet në Tiranë.

Mjafton të lexosh çfarë është shkruar e thënë këto orë për këtë incident, për të kuptuar se ithtarët e sherrit mes dy anëve të kufirit të Morinës, nxituan ta rreshtojnë me zor edhe Dua Lipën në kampet politike. Dukagjin Lipa, i jati i Duas, mund të mos dijë asgjë nga politika shqiptare, por ai tashmë është regjistruar dhe futur me dhunë në llogoren e Ballkanit të Hapur, Sorosit a dreqi e di çfarë tjetër.

Politizimi i një eventi muzikor ku mosha mesatare e pjesëmarrësve është sa ajo e një shkolle të mesme, dëshmon temperaturën e lartë që egziston sot mes dy qeverive të cilat takohen mes tyre plot dashuri false e flamuj gjigandë në sfond, dhe pastaj kthehen për t’i ngulur thikën pas shpine njëra-tjetrës. Për arsyen e thjeshtë se dy shefat e tyre nuk duhen. Madje urrehen!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.