DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Ekskluzive, intervistë/ Flet kandidati jopolitikan. Aleks Luarasi: Pres të më bëjnë President

07:00 - 20.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

20 Qershor 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare”




Ekskluzive,  intervistë/ Flet kandidati jopolitikan. Aleks Luarasi: Pres të më bëjnë President

Luarasi: Jam gati për President

“Ka ardhur koha për kandidat konsensual”

Koha, me sa duket kërkon një president konsensual. Duke qenë se i përkas botës akademike, emri im është përfshirë në listën e kandidatëve”, thotë me një zë të shtruar Skënder Luarasi, 61-vjeçari që Nano duket se ka vendosur ta propozojë për në Pallatin e Brigadave. Në fakt, profesori i Historisë së Shtetit dhe së Drejtës sapo ka hyrë në banesën e tij të re, në katin e nëntë të një pallati diku në Tiranën e re.

Kush ju propozoi kandidat për president?

Pata disa sugjerime të ndryshme, por kandidatura ime është ende në fazën fillestare, sepse bisedimet mes parfaqësuesve të partive politike vazhdojnë. Ata kanë përvaktuar vtëm kriteret dhe nuk kanë filluar shqyrtimin e emrave. Sipas mendimit tim, kjo pritet të jetë dhe faza më e vështirë. Midis disa emrash përmendet dhe emri im, por kjo nuk duhet marrë si diçka e mbaruar. Pritet të vendosë vullneti i forcave politike. Unë, sidoqoftë, dua të shpreh mirënjohjen. E quaj veten të nderuar, sepse emri im u radhit krahas emrave të tjerë, mes të cilëve ka emra të spikatur. Veçoria ime është se jam jashtë partive politike. Në këto vitet e pluralizmit nuk kam aderuar në asnjë forcë politike. Natyrisht, politikën e kam ndjekur me cilësinë e një studiuesi, të një qytetari që interesohet për zhvillimet në vend, por nuk kam qenë dhe nuk jam aktor i saj. Vij nga bota akademike, juridike, që është një nga ato kriteret e mundshme të përzgjedhjes, por nuk mund të them asgjë më tepër, se procesi është ende në fazën fillestare.

 

Si ju është bërë kërkesa që të pranoni të jeni kandidat për president?

Sigurisht, është bërë një bisedë paraprake, por askush nuk mund të thotë se, po pranove ti, kjo punë mori fund. Në procesin e përzgjedhjes veprojnë shumë faktorë. Mund të jetë dhe dikush tjetër që mund t’i plotësojë ndoshta më mirë se unë këto kritere që kërkohen për këtë post të nderuar.

Në vitin 1991, në qeverinë e parë “Nano” ju keni qenë sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Në njëpost të tillë keni pasur marrëdhënie, si me Nanon, ashtu dhe me Berishën. Më pas çfarë kontaktesh keni pasur me dy protagonistët e politikës?

Kontaktet më të shpeshta i kam pasur në atë fazë fillestare të proceseve demokratike. Unë kam ruajtur marrëdhënie korrekte, madje dhe miqësore, me dy drejtuesit e forcave politike. Duke mos qenë anëtar i ndonjë partie, unë kam qëndruar i mënjanuar nga debatet që janë të natyrshme mes forcave politike, megjithëse në Shqipëri lufta politike ka qenë e ashpër. Unë kam qëndruar në pozicionin tim të një studiuesi.

Ju keni qenë përfaqësuesi i Shqipërisë në Komisionin e Venecias. Çfarë kontributi keni pasur ju në hartimin e dy projektkushtetutave: ajo që u rrëzua në ’94-n dhe ajo që u aprovua katër vjet më vonë?

Nuk kam qenë në asnjë prej komisioneve që i hartuan këto dy projektkushtetuta, sepse komisionet kanë qenë partiake, parlamentare. Unë kam qenë në shqyrtimin e disa projekteve të Kushtetutës së Shqipërisë deri në vitin 1996, në periudhën kur mori fund dhe anëtarësia ime në Komisionin e Venecias.

Si u arrit te emri juaj?

Eshtë pikërisht mosangazhimi im në jetën politike që bëri të mundur që emri imë të hyjë në listën e kandidaturave të mundshme. Tani koha, me sa duket, kërkon një president konsensual, domethënë që të jetë jashtë partive, që të jetë jashtë këtyre ekstremizmave nga të cilat është karakterizuar politika jonë.

Gjatë ditëve të fundit a keni pasur bisedime me përfaqësuesit e partive?

Jo. Unë e lë ujin të rrjedhë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.