KULTURË

“Shkova të dilja partizane…”- Ben Blushi ndan rrëfimin e gjyshes së tij Mynever Shuteriqi në 98-vjetorin e lindjes

19:18 - 21.06.22 Ben Blushi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ish-deputeti socialist Ben Blushi ka rrëfyer një takim me gjyshen e tij Mynever Shuteriqi, në 98-vjetorin e saj të lindjes.




Në rrjetet sociale, Blushi ka ndarë me ndjekësit bisedën që ka zhvilluar me të, ku ajo i tregon si u larguan nga Gjirokastra bashkë me familjen kur ishte vetëm dy vjeç, vitet e saj të shkollës dhe njohjen me të shoqin, shkrimtarin e njohur Dhimitër Shuteriqi.

Në bisedë e sipër ajo tregon se ky i fundit kishte jetuar në Francë dhe mes kujtimeve që kishte marrë me vete nga atje ishte edhe një fotografi e ish të dashurës së tij, Blanshës.

Statusi i plotë i Ben Blushi

Shkova të takoj gjyshen. Mynever Shuteriqin

Nuk dole sot, e pyeta

Jo,tha po të prisja

Del çdo ditë?

Pothuajse çdo ditë,

Ku shkon?

Këtu afër te Toptani, pi kafe

Me kë pi kafe ?

Herë vetëm, herë me njërëz

Po shoqet nuk vijnë për kafe?

Nuk kam më shoqe,tha Myneveri, ose janë sëmurë ose kanë vdekur

Të ka marrë malli për Gjirokastrën?

Jo nuk më merr malli për Gjrokastren. Ika dy vjec që aty nuk kam kujtime

Pse ikët nga Gjirokastra?

Babai ishte nënpunës i pyjeve dhe e qarkullonin në qytete të ndryshme

Ku keni jetuar tjetër ?

Kudo.Lushnje,Elbasan,Delvinë. Aty mësova pak greqisht

Nuk e dija që di greqisht,i thashë

Gjithë Delvina fliste greqisht dhe unë e mësova nga shoqet e fillores

Po tjetër çfarë gjuhe flet?

Italisht,tha Myneveri

Ku e mësove italishten?

Në shkollën Nëna Mbretëreshë në Tiranë

Ishte shkollë e mirë?

Shkolla më e mirë për vajza,babai paguante 12 napolona në vit

Cfarë mësuesish kishit në shkollë?

Kryesisht Italianë

Dinin shqip?

Shumë pak. Mësuesja ime e italishtes quhej sinjora Dotmasse. Ajo thoshte që italishtja është gjuha e Zotit, frengjishtja është gjuha e dashurisë ndërsa shqipja është gjuha e zogjve. Po ti di italisht?

Kuptoj,thashë unë

Do të të recitoj Dante Aligerin, më pyeti Myneveri

Dua,i thashë

Tanto gentile e tanto honesta pare

La donna mia

quando ella altrui salute

che va dicendo al anima

Sospira

Ma përkthe, i thashë

Shumë e ëmbël dhe shumë e bukur duket

e dashura ime

çdo njeri që e sheh

i thotë vetes

psherëti

Shumë e bukur, thashë unë

Është Soneti i Beatrices, tha Myneveri, Dante ia kushtoi se e kishte të dashur

Vërtet stë merr malli të shkosh në Itali, e pyeta

Kam qenë në Itali, vetëm në Francë skam qenë. Dhimitri,gjyshi yt më thoshte gjithmonë, si stë cova një herë në Francë

Ai e donte shumë Francën,thashë unë

Aty studjoi 6 vjet, tha Myneveri kishte dhe një të dashur

Ti tregonte ty të dashurat, e pyeta

Këtë historinë e Blanshes po

Ca thoshte Dhimitri për Blanshën ?

I mbante fotografitë e saj në shtëpi. Një herë kur fëmijët luanin dhe nxorrën fotografitë më pyetën kush është kjo vajza që ka dalë me babin. Dhimitri u bë keq sepse mendoi se unë do bëhesha xheloze

Po ti ishe xheloze?

Jo,tha Myneveri. Kur ndodhi kjo puna e fotografive me fëmijët, Dhimitrit i thashë që unë nuk kam punë me jetën tënde të mëparshme dhe ai u lehtësua

Ku u njohe me Dhimitrin?

Në Elbasan gjatë luftës. Unë shkova të dilja partizane. Por komandanti i brigadës 17, më tha ti nuk do vish në mal. Gjithë shoqet dhe shokët e mi ikën në luftë

Po ty pse nuk të morën, e pyeta

Mua më thanë që të merresha me shtypin e luftës dmth të shkruaja komunikata dhe ti shpërndaja. Unë nuk di ta bëj këtë punë, i thashë.

Do të ndihmojë Dhimitri, më thanë, ai është shkrimtar do punoni bashkë

Sa vjec ishe?

18 në atë kohë. Më futën dhe dy herë në burg

Po në burg psë?

Për këto komunikatat që shkruanim. Më mbanin një javë pastaj më lironin për mungesë provash

Edhe kështu u njohe me Dhimitrin?

Na çuan në një bazë ilegale të shtypit që duhet të ishte sa më thellë që gjermanët mos e gjenin dot.

Ku ishte ky vend?

Në Shpat të Elbasanit, në fshatin Stërstan

Kam qenë në Shpat,thashë unë

E di ç’dmth Stërstan,më pyeti Myneveri

Jo,i thashë

Stërstan do të thotë përtej staneve, kaq larg ishte

Mendon se ke jetuar mirë,e pyeta

Mendoj se i kam marrë jetës më shumë nga cmundet,tha Myneveri

Kur te pyesin sa vjec je si i përgjigjesh?

Që jam aq vjec sa dukem

Kur e ke ditlindjen?

Sot në 21 qershor,me solsticin e verës

Po sa vjec je?

Jam 100 pa 2, tha Myneveri

Duhet të bëhesh patjetër 100, i thashë

Do përpiqem,tha Myneveri

Tani do të bëj një fotografi, i thashë

Shpejt,tha, duhet të dal

Ku do shkosh?

Do shkoj për darkë,tha,më ka ftuar vëllai yt


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.