DOSSIER

“Përse SHBA dështoi në rrëzimin e Enver Hoxhës”- Zbulohen dokumentet e deklasifikuara: Incidenti që vuri Titon kundër planeve amerikane

21:08 - 21.06.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Përse dështuan amerikanët dhe britanikët të rrëzonin regjimin e Enver Hoxhës me anë të futjes apo desantimit të grupeve diversioniste në vitet 1949-1954?




Ky është një nga qëllimet e punimit “Operacionet e fshehta dhe strategjia e Luftës së Ftohtë e SHBA” i autores Sarah – Jane Corke, ndihmëse profesoreshë në Dalhousie University, Kanada, dhe mbase për këtë temë edhe analiza më e mirë e bërë ndonjëherë nga një autor i huaj, e gjitha e mbështetur në dokumente autentike të studiuara dhe të lidhura me mënyra analitike për të nxjerrë përfundime.

Mbase për herë të parë të gjitha ngjarjet në këtë libër janë parë në këndvështrimin e lëvizjeve apo tendencave politike të kohës, sidomos të strategjisë amerikane për të dobësuar sistemin komunist, e në këtë fokus, duke projektuar edhe goditjen e regjimit të Enver Hoxhës.

“Mbështetur mbi dokumente të hapura kohët e fundit, ky libër sjell hetimin e parë të vendimit të marrë nga Administrata e Presidentit amerikan, Truman, për të përdorur operacione të fshehta në Luftën e Ftohtë.

Megjithëse operacionet e fshehta ishin pjesë përbërëse e mjeteve të përdorura gjatë fundit të viteve 1940 dhe në fillim të viteve 1950, shumica e atyre operacioneve ishin planifikuar keq, nuk i përgjigjeshin të vërtetës dhe përfundimisht qenë paracaktuar për dështim.

Në këtë libër autorja përqendrohet në tri pyetje kryesore: Përse u pranuan këto lloj operacionesh? Përse ato operacione u drejtuan në një mënyrë kaq të dëmshme? Dhe përse Qeveria nuk i braktisi kur ishte e qartë që këto operacione nuk do të funksiononin?

Në përgjigje të këtyre pyetjeve autorja mendon se tragjedia e operacioneve ishte e lidhur drejtpërdrejt me paaftësinë e Administratës së Trumanit që të bashkërendonte politikën, strategjinë dhe operacionet me sukses si dhe të mbante një linjë veprimi të qëndrueshme për zhvillimin e Luftës së Ftohtë.

Kjo bëri të mundur që administrata të humbte kohë, përpjekje, para, fuqi njerëzore në operacionet e fshehta, të ndërtuara për të sfiduar fuqinë sovjetike, gjë që kishte pak, ose aspak mundësi të vërteta suksesi”, shkruhet në hyrje të këtij libri.

SARAH-JANE CORKE

NJË EKSPERIMENT KLINIK (OPERACIONET NË SHQIPËRI)

“…Megjithëse dokumenti “NSC 20/4: Synimet e Amerikës drejt Bashkimit Sovjetik” ishte pranuar nga Presidenti një vit më parë (1948 red.), politika amerikane për Luftën e Ftohtë mbetej e papërcaktuar dhe e mjegullt. Situata u përkeqësua në verë të vitit 1949, kur u hartua dokumenti “NSC 58/2: Synimet e Amerikës në lidhje me Evropën Lindore”. Më pastaj, të tria fushëpamjet strategjike të “kufizimit”, “çlirimit” dhe “Titizmit” u zhvilluan pak a shumë të pavarura nga njëratjetra. Në këtë ambient u zhvilluan pak a shumë operacionet e fshehta amerikane. Operacioni më i turpshëm që u krye nga SHBA ishte “Operation Valuable” (Operacioni i Vlefshëm), një operacion paraushtarak “i pronësuar” nga Britania e Madhe, i krijuar për të tronditur Qeverinë komuniste të Enver Hoxhës.

Akoma sot qëllimet e vërteta të këtij operacioni mbeten deri diku një enigmë. Ndërsa pjesa më e madhe e studiuesve pranojnë se operacioni u krijua për të hequr nga pushteti Enver Hoxhën, profesionisti James Mçargar këmbëngul se ky nuk ishte aspak qëllimi i operacionit. Ai thotë se operacioni ishte thjesht një “hetim” për të parë “nëse ekzistonte kundërshtim i mjaftueshëm ndaj Hoxhës brenda në Shqipëri, që të bënte të mundur një shfuqizim të suksesshëm të tij”.

Siç do shihet, synimet operative të dykuptimta ishin një nga shumë faktorët që penguan zhvillimin dhe zbatimin e kësaj fushate. Midis viteve 1949-1954 një numër ndërhyrjesh paraushtarake ndodhen në Shqipëri dhe të gjitha përfunduan në dështim.

Shqipëria nuk ishte një vend i lehtë për të vepruar nga brenda ose kundër; shqiptarët ishin “vetanakë të regjur”, të cilët e çmonin lirinë e tyre; nuk ishte e lehtë t’i kontrolloje dhe ishin dyshues ndaj të huajve. Pjesa më e madhe e popullatës besohej të ishte myslimane, të cilët jetonin në klane të vogla dhe ishin bujq të terrenit malor, ku ata jetonin…

MITHAT FRASHËRI DHE HASAN DOSTI

MITHAT FRASHËRI

…Gjatë presidencës së Trumanit u krijuan afërsisht dymbëdhjetë këshilla kombëtarë. Një nga të parët ishte Komiteti Kombëtar Shqiptar, i paramenduar të ishte bërthama e Qeverisë shqiptare në mërgim. Mithat Frashëri u bë presidenti i parë i organizatës. Ai hyri në lidhje me Qeverinë amerikane fillimisht më 1947 dhe u ofroi shërbimet e tij SHBA-ve. Këto përfshinin një plan për “të futur pesëdhjetë udhëheqës shqiptarë refugjatë në Shtetet e Bashkuara”, me qëllim që të “kundërveprohet” ndaj kurtheve komuniste.

Në atë kohë kërkesa e tij për vizë nuk u pranua nga Departamenti i Shtetit, i cili arsyetoi se grupi i tij përbëhej nga bashkëpunëtorë të njohur (me nazi-fashistët) dhe zbulimi i kësaj do të ishte “një ngjarje e turpshme” për administratën. Ata kishin të drejtë. Megjithatë, dy vjet më vonë, më 12 maj 1949 zyrtari Robert Joyce ndërhyri në anë të Frashërit dhe ai me bashkatdhetarët e tij morën vizën.

Frashëri nuk jetoi gjatë të shikonte shtjellimin e Operacionit të Vlefshëm, pasi vdiq gati pesë muaj më vonë, më 3 tetor 1949, tek qëndronte në Hotel “Lexington në Manhatan”. Në një përdridhje të hidhur fati, vdekja e tij ndodhi brenda pak orësh, pasi u krye zbarkimi i parë në bregun e Divjakës. Hasan Dosti, ministri i mëparshëm i Drejtësisë gjatë sundimit italian, e zëvendësoi Frashërin si kryetari i ri i Komitetit Shqipëria e Lirë. Ashtu si Frashëri, edhe Dosti ishte anëtar i Ballit Kombëtar, i cili dallohej si një lëvizje “e së djathtës, tepër kombëtare dhe kundër Mbretit”.

Synimi i parë i grupit, përveç çlirimit të Shqipërisë nga komunistët, ishte marrja e Kosovës, e cila në atë kohë ishte provincë e Jugosllavisë. Fillimisht administrata e Trumanit e mbështeti Ballin Kombëtar, sepse ai u përpoq të riorganizohej “gjoja nën flamurin e ideve demokratike”. Kjo ka bërë që edhe sot kjo organizatë të thuhet se ishte një “Parti Republikane”.

Megjithatë shumë anëtarë të Ballit Kombëtar ishin anti-britanikë dhe kundër Titos. Për disa ishte raportuar se patën bashkëpunuar me nazistët. Kjo organizatë ishte një përzierje e rrezikshme dhe hapi dyert për një mori problemesh; jo për çudi, disa njerëz të përfshirë në operacion nuk pranuan të punonin me ta. Veterani i spiunazhit, Mçargar, për shembull, nuk ishte dakord për përfshirjen e tyre, pasi sipas tij, ata do të ishin “një njollë në faqen e gjithkujt”.

Ai pati të drejtë, por shqetësimet e tij u flakën tej. Britanikët gjithashtu ishin dyshues ndaj Ballit Kombëtar dhe nuk u ujdisën lehtë. Megjithëse ata fillimisht iu afruan Frashërit me Operacionin e Vlefshëm, ata shpejt u zhgënjyen me qëndrimin kundër-mbretëror të grupit të tij.

ABAZ KUPI1

ABAZ KUPI

Me kalimin e kohës ata iu kthyen një organizate tjetër të rezistencës shqiptare. Legalitetit, që u krijua më 1943 nën udhëheqjen e Abaz Kupit. Qëllimi i parë i Legalitetit ishte të kthente Mbretin Zog në fron, por ashtu si Balli Kombëtar disa nga anëtarët e organizatës dyshohej se patën bashkëpunuar me nazistët. Megjithatë, duke pasur parasysh qëndrimin kundër Mbretit të Ballit Kombëtar, Qeveria britanike vendosi të mbështeste Kupin dhe ndjekësit e tij.

Fatkeqësisht ky vendim shkaktoi shumë probleme, pasi ZBrP (Zyra e bashkërendimit të Politikës) duhej gjithashtu të krijonte lidhje me partinë mbretërore. Por, kur u arrit ky vendim, amerikanët e kishin armiqësuar aq shumë Zogun, saqë kur u dërgua një përfaqësues amerikan në Egjipt, ku Zogu jetonte në mërgim, atij iu refuzua takimi me Zogun.

Pas një loje të hirshme nga ana e një zyrtari të shkathët, Zogu më në fund vendosi ta priste dërgatën amerikane dhe më pas Legalistët u bashkuan me organizatën KKEL (Komiteti Kombëtar për një Evropë të Lirë).

Megjithatë, kjo përfshirje ishte thjesht një mënyrë për të arritur qëllimin nga ana e amerikanëve. Amerikanët në asnjë kohë nuk e menduan rivendosjen e mbretërisë në Shqipëri. Pa u çuditur, kjo gjë solli grindje të madhe kur u diskutua struktura e Qeverisë pas çlirimit të Shqipërisë.

Problemi kryesor ishte se as ballistët dhe as Legaliteti nuk shkonin mirë me njëritjetrin, madje shpërthyen një numër zënkash, që sollën disa vdekje. Legjenda thotë që në një festë të organizuar në një lëndinë nga BBC, kryetari i Legalistëve Abaz Kupi, kapi një gjarpër dhe u turr me të pas të moshuarit të Ballit Kombëtar, Mithat Frashërit.

Fërkimi midis dy grupeve ishte i vërtetë dhe pasqyronte përçarje serioze politike, të cilat ekzistonin brenda tërë shoqërisë shqiptare. Vendi i vogël përbëhej nga një numër i madh nëngrupesh të ndryshme fetare, politike dhe ekonomike. Grindjet e ndryshme midis klaneve ishin histori e hershme dhe fërkimi midis grupimeve të ndryshme kishte arritur kulmin gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku çdo grupim politik garonte për anëtarë dhe nderim.

Gara u bë aq e fortë, sa që edhe familjet u përçanë e u shkatërruan për interesa politike. Kjo natyrisht ndihmon të shpjegohet përse ishte aq e lehtë për të zënë rob aq shumë komando. Sot dihet se disa nga burrat u tradhtuan nga anëtarë të vetë familjeve të tyre. Për të maskuar luftën mes Ballit Kombëtar dhe Legalistëve u vendos që Komiteti Kombëtar për një Evropë të Lirë të zgjerohej dhe të përqendrohej në kuota të rrepta rekrutimi kur kërkohej anëtarësim. Kur arriti koha e nisjes së Operacionit të Vlefshëm, 40 për qind e anëtarësisë së organizatës KKEL përbëhej nga Balli Kombëtar, 40 për qind nga Legalistët dhe 20 për qind u mor nga një numër grupimesh të vogla.

ITALIANËT, GREKËT DHE TITOJA

Megjithatë përfshirja e grupimeve të vogla krijoi një mori problemesh, sepse disa prej tyre mbështeteshin nga fqinjët e Shqipërisë, të cilët kishin interesat e tyre mbi këtë vend. Italia, për shembull, mbështeti Bllokun e Pavarur nëpërmjet të cilit zhvillonte operacionet e fshehta në Shqipëri.

Tre muaj para nisjes së Operacionit të Vlefshëm, Qeveria italiane kreu operacionet e fshehta të sajat me qëllim që të trondiste regjimin e Hoxhës. Në korrik 1949, një grup shqiptarësh emigrantë u larguan nga Italia me avion dhe u hodhën me parashuta në zonën e Kurveleshit, në Shqipëri. Për fat të keq grupi u zu rob katër ditë pas hyrjes dhe njëri prej tyre, Ethem Çako, u detyrua të joshte komando të tjerë të hynin në vend, nëpërmjet një operacioni të quajtur “Buza e Bredhit”. Në kohën e duhur katërmbëdhjetë burra të tjerë u përpoqën të kalonin kufirin për të takuar Çakon.

Porse gjysma e tyre “u shpartalluan para se të zbrisnin në vend”, kurse paraushtarakët e mbetur qenë në gjendje të ktheheshin të parrezikuar. E megjithatë italianët vazhduan t’i dërgonin Çakos municione, ushqime, veshje dhe furnizime mjekësore (i cili sipas tyre fshihej në male) për një vit të tërë.

Kuptohet, të gjitha ato furnizime shkuan në duart e forcës mbrojtëse shqiptare. Operacioni më në fund u zbulua më 30 qershor 1950, kur Çako u dërgua në gjyq. Qeveria greke gjithashtu, mbështeti partinë e saj shqiptare në mërgim dhe bashkërisht dërguan paraushtarakë në këtë vend të vogël. Me kalimin e kohës operacionet e tyre u bashkërenduan me operacionet britanike dhe amerikane. Sidoqoftë, kur ato operacione arritën të bashkërendoheshin, dëmi ishte shkaktuar.

Shumica e popullatës shqiptare, dyshuese ndaj qëllimeve italiane dhe greke, e kishte të pamundur të bënte dallim midis operacioneve greke e italiane dhe atyre të mbështetura nga britanikët e amerikanët. Prandaj të gjithë “diversantët” u panë me dyshim dhe pa besim. Tito gjithashtu pati duart e tij në politikën shqiptare dhe mbështeti grupin e rezistencës shqiptare të përqendruar në Jugosllavi. Pozita e Titos ndaj Shqipërisë ishte e ndërlikuar, ashtu siç ishte politika amerikane ndaj Jugosllavisë.

Fillimisht Departamenti i Shtetit u përpoq të mos e përfillte udhëheqësin komunist kryeneç, porse në vitin 1948 u bënë disa afrime, përfshirë edhe kalimin e armëve. Ndonëse Shtabi i Planifikimit Politik ndërmori hapa për të përmirësuar marrëdhëniet me Titon, një skuadër operative amerikane “mashtruese” hyri në Jugosllavi dhe u përpoq të hidhte poshtë Qeverinë komuniste të Titos.

Megjithëse misioni përfundimisht u ndërpre (ngaqë iu hoq fshehtësia prej Qeverisë britanike, e cila u ndie e fyer thellë) dëmi ishte shkaktuar… …Çështja mbeti e pazgjidhur dhe Tito nuk pranoi të mbështeste Operacionin e Vlefshëm, duke arsyetuar se ai do të shkaktonte hakmarrje sovjetike në rajon…

…Me kalimin e kohës një numër zyrtarësh brenda administratës filluan të pyesnin nëse ishte urtësi vazhdimi i operacioneve në Shqipëri, ndërkohë që Tito kundërshtonte. Departamenti i Shtetit, për shembull, arriti në përfundimin se operacionet shqiptare nuk ishin aq të vlefshme, pasi mund të keqësonin marrëdhëniet SHBAJugosllavi. Megjithatë, ZBrP e vazhdoi projektin edhe katër vite të tjerë…

PËRGATITJET PËR “OPERACIONIN E VLEFSHËM”

…Në shtator 1949, për shembull, zyrtarët e ZOP (Zyra e Operacioneve të Posaçme) vunë në dukje se as Shtetet e Bashkuara dhe as Britania e Madhe nuk kishin ndonjë mjet për të vlerësuar mbështetjen e popullit në vend (Shqipëri), prandaj ata arrinin në përfundim se, mundësitë e nxitjes së kryengritjes popullore ishin të panjohura.

Muajin që vijoi ata dorëzuan vlerësimin e situatës, ku arsyetonin se ishte e pamundur që Komiteti Shqiptar për Çlirimin Kombëtar “të përbënte një kërcënim serioz” ndaj Qeverisë komuniste. Më tej ata shtonin se rënia në ujdi e grupimeve të ndryshme shqiptare ishte një kusht i domosdoshëm për të bërë të mundur rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës.

Më me seriozitet ata shkruanin se, edhe sikur të shuheshin kundërshtitë midis grupeve shqiptare dhe shqiptarët të mund të merrnin ndihmë nga jashtë, ishte e pamundur që regjimi i Hoxhës të rrëzohej.

Me gjithë këto dyshime, operacioni vazhdoi punën e tij… …Në vjeshtë të vitit 1949 britanikët dhe amerikanët ranë në ujdi të një plani për të rrëzuar Hoxhën. Plani përmbante futjen e komandove paraushtarake (diversantëve) në grupe të vogla me shpresën që pasi të ishin brenda në Shqipëri, ata burra të mund të ndërtonin forcën e rezistencës për të përmbysur regjimin komunist.

Veterani i spiunazhit, James Mçargar, u vu në krye të operacionit. I njohur me nofkën “Mbiheroi i një shërbimi tradhtar të spiunazhit” veterani Mçargar u bashkua me ZBrP pas mbylljes së organizatës së fshehtë të spiunazhit ushtarak amerikan “The Pond (Pellgu)”.

Ai shërbeu nën drejtimin e ish-agjentit të ZShS (Zyra e Shërbimeve Strategjike) Robert Low, i cili më vonë u bë gazetar i revistave “Time” dhe “Life” për Evropën Lindore. Sipas ish-agjentit Mçargar, kolegu i tij, Robert Low u dërgua në Romë “në qendrën e emigrimit shqiptar”, për të rekrutuar burra që të formonin Komitetin Kombëtar Shqiptar”. Një zyrtar tjetër i ZBrP, që kishte të njohur në Departamentin e Shtetit, Carmel Offie, u vu në zotërim të rekrutimit të shqiptarëve nga kampet e njerëzve të shpërngulur në Evropë… …Fillimisht u zgjodhën 30 burra për të marrë pjesë në Operacionin e Vlefshëm.

Ata u strehuan në fortesën Bin Mema, që ishte një kështjellë e vjetër në Greqi, porse me kalimin e kohës ata u shpërndanë një njërën prej tri bazave në Evropë. Në këto kampe ata iu nënshtruan një seri veprimtarish të projektuara për t’i përgatitur për misionet që do të ndërmerrnin.

Në një ditë, shpenzohej në klasat e ushtrimeve fizike, një orë për luftimin trup me trup, ku thikat ishin arma e zgjedhur dhe dy orë të tjera në stërvitje me parashutë. Dy orët e fundit kalonin me udhëzime se si do të përdornin radio marrëse-dhënëset dhe telefonat, pavarësisht nga fakti se në Shqipëri gjendeshin shumë pak radio dhe shumica e shqiptarëve nuk kishin telefona deri në 1960.

Gjatë kohës së lirë ata mësonin të lexonin, të shkruanin, aritmetikë dhe gjeografi. Mësimet e gjeografisë ishin të vlefshme, pasi një numër trupash paraushtarake dhe furnizimet e tyre u zbritën jashtë vendndodhjes së caktuar. Nganjëherë ata shikonin filma dhe merrnin pjesë në seminare ku theksoheshin dobitë e demokracisë mbi komunizmin.

Herë pas here udhëheqësit e Komitetit Shqipëria e Lirë, Abaz Ermenji (bashkëthemelues i Ballit Kombëtar) ose Gaqo Gogo, erdhën në kampe për t’iu kujtuar atyre burrave arsyen përse ishin aty. Atyre iu tha se Amerika dhe Britania kishin premtuar të ndihmonin në çlirimin e Shqipërisë gjatë po atij viti.

Megjithatë, ata u paralajmëruan që nëse rrethanat e kërkonin, ata mund të thërriteshin që të flijoheshin. Ky nuk ishte një fjalim i ngeshëm; tek largoheshin, nga sigurimi i kampit çdo operativ u pajis me një kapsulë helmi cianur, e njohur si “kapsula L”, të cilën ata duhej ta përtypnin po të kapeshin. U paralajmëruan se në çdo rrethanë nuk duhet të kapeshin në asnjë mënyrë të gjallë. Megjithëse mbetet akoma e paqartë se sa burra zgjodhën vetëvrasjen para se të kapeshin robër…

(Panorama.al Përgatiti: FERDINAND DERVISHI)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.