Kryesore

Rriten kërkesat për azil/ Rreth 1 mijë shqiptarë aplikuan vetëm në muajin Mars

10:37 - 21.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në mars të këtij viti rreth 970 shtetas shqiptarë aplikuan për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat.




Në raport me muajin e mëparshëm, kërkesat për aplikim u rritën me 5%, por sërish ato mbeten shumë më të ulëta se në shtator të vitit të kaluar, kur arritën deri në afër 1800, në nivelet e para pandemisë. Për tre muajt e parë të vitit janë regjistruar gjithsej 2900 aplikimeve, pothuajse trefishim në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur lëvizjet ishin ende të kufizuara për shkak të pandemisë.

Franca mbetet shteti kryesor që pret kërkesat më të larta për azil nga shtetasit shqiptarë, për shkak të lehtësive më të mëdha sociale që ofron për ta. Rreth 50% e aplikimeve në total shkojnë në Francë (për janar-mars 2022), e ndjekur nga Gjermania, me 23%.

Të dhënat e pjesshme edhe për prillin e majin e këtij viti tregojnë se ka vijuar tendenca rritëse e aplikimeve në Francë, duke arritur në 480 të tilla në maj 2022, niveli më i lartë nga shtatori 2021.

Eurostat nuk raporton më statistikat nga Mbretëria e Bashkuar, që prej vitit 2020, por përpara kësaj periudhe të dhënat tregonin se dhe ky shtet ishte i preferuar nga azilantët, me rreth 200-300 aplikime në muaj.

Aplikimet në Europë

Sipas Eurostat, në mars 2022, 73 850 aplikantë për azil për herë të parë (qytetarë jo të BE-së) aplikuan për mbrojtje ndërkombëtare në Shtetet Anëtare të BE-së, 115% më shumë krahasuar me marsin 2021 (34 310) dhe 35% më shumë krahasuar me shkurt 2022 (54 565) .

Rritja nga shkurti në mars 2022 mund t’i atribuohet kryesisht aplikantëve ukrainas për herë të parë (nga 2 370 në shkurt në 12 875 në mars; +443%) për shkak të agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës.

Bazuar në të dhënat e disponueshme, numri më i madh i ukrainasve që përfitonin mbrojtje të përkohshme në BE u regjistrua në Poloni (1 142 375 ukrainas me mbrojtje të përkohshme në fund të majit 2022).

Në mars 2022, ukrainasit ishin grupi më i madh i personave që kërkonin azil (12 875 aplikantë për herë të parë). Ata u pasuan nga afganët (7 770), sirianët (7 320), venezuelasit (4 705) dhe kolumbianët (3 565).

Me 14 135 aplikantë për herë të parë të regjistruar në mars 2022, Gjermania përbënte 19% të të gjithë aplikantëve për herë të parë në BE. Gjermania u pasua nga Spanja (11 130, 15%), Franca (10 240, 14%), Italia (6 035, 8%), Austria (4 295, 6%) dhe Rumania (4 270, 6%). . Këto gjashtë shtete anëtare së bashku përbënin mbi dy të tretat (68%) të të gjithë aplikantëve për herë të parë në BE./Monitor

aa- apl-
<
>


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.