OPINION

Në kërkim të kohës së (pa)humbur të integrimit në BE

09:00 - 22.06.22 GERON KAMBERI
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sipas një aforizmi cinik dallimi mes optimistëve dhe pesimistëve lidhet me faktin se nëse optimist karakterizohet një person që është i informuar, pesimist është një person që është më shumë se i informuar. Në fakt deklarata e Samitit të Selanikut të BE më 21 Qershor 2003 gjatë presidencës greke përmbante një frazë që i ngazëlleu të gjithë optimistët per informacionin që morën prej saj: ”BE shpreh në mënyrë të qartë se perspektiva e Ballkanit Perëndimor  është anëtarësimi i plotë  në Bashkimin Europian” .Ndonëse pesimistët nuk u shfaqën ato ditë, gati 20 vjet pas kësaj deklarate  ata kanë të drejtë  të pohojnë se përtej asaj deklarate  kishte dicka më shumë se informacioni  që ata e dinin .




Në këta 20 vjet nga të shtatë vendet e Ballkanit Perëndimor (Kroacia, Serbia, Mali i Zi , Bosnje-Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova) , që u bënë   pjesë e së ashtuquajturës  formulë matematike -gjeopolitike  “: ish Jugosllavia  – 1 + 1” ( për shkak të vecimit te Sllovenisë duke e bashkuar me vendet e Europës Qëndrore e Lindore dhe përfshirjes në këtë grup të  Shqipërisë) , vetëm Kroacia ka arritur anëtarësimin në BE.  Megjithëse konceptet e metodologjite e anëtarësimit në BE që prej viteve 70 kanë njohur emërtime të ndryshme si “Europa e shumë shpejtësive; Europa e dy shpejtësive; Europa e gjeometrisë së ndryshueshme ; Europa e rrathëve koncentrikë ; Europa bërthamë”, që prej vitit 2003 për vendet  e Ballkanit Perëndimor është përshtatur  nga ana  Komisionit  Europian qasja e “”rrobaqepësit” apo “parimi i regatës- garës me vela”.  Kjo nënkuptonte se rajoni i Ballkanit Perëndimor  në procesin e anëtarësimit   nuk do të trajtohej si “ rajon gjeopolitik”  por si  rajon gjeografik që pret t’i bashkohet BE. Në këtë kuadër qasja ishte individuale, pra cdo vend i Ballkanit Perëndimor do të vlerësohej në mënyrë individuale sesa shpejt do të “arrinte me varkën me vela- regatën” në destinacionin BE.  Ashtu sikurse secilit do t’i pritej një “kostum kushtesh politike e teknike” në vartësi të trashëgimisë politike e social ekonomike që ata mbartnin nga para viteve ‘90.

Në këtë kuadër “qasja rajonale” (regional approach) – që Bashkimi Europian ndoqi me rajonin e Ballkanit me Procesin e Stabilizim- Asocimit (PSA), cka u pasua me Marrëveshjet e Stabilizim-Asocimit (MSA) pas mesit të viteve 90-, nuk vazhdoi si një qasje e tillë pas vitit 2003 me   procesin e zgjerimit. Kjo lloj qasje tingëlloi paksa e cuditshme kur mendon se vetë termi “Ballkanizim” që përdoret nga analistët, historianët e gazetarët europianë e me gjerë për të karakterizuar situatat e trazuara lindi pikërisht në rajonin e Ballkanit gjatë Luftës së Parë Ballkanike (08.10.1912-30.05.1913) dhe Luftën e Parë Botërore (27.07.1914-11.11.1918) që shoqëroi largimin e ushtrive të Perandorisë Osmane nga ky rajon pas një sundimi 500 vjecar . Në të vërtetë   procesi i zgjerimit në BE në këtë “cep juglindor të Europës“nuk u shndërrua në një garë për  të rritur shpejtësinë e zgjerimit, por ka qenë një”garë “ për t’u rivendosur emra të ndryshëm procesve politike të marrëdhënieve të BE me Ballkanin të tilla si Procesi i Zagrebit (2000) ; Procesi i Selanikut (2003); Procesi i Berlinit 2014).

Megjithëse vende si Mali i Zi dhe Serbia kanë 10 vjet që kanë hapur negociatat me BE ata ende nuk i kanë përmbyllur, ndërkohë që ata dhe pjesa tjetër e këtyre vendeve po përballen me metodologjinë e re të zgjerimit të BE (grupimi i 35 kapitujve /anglisht: cluster approach). Kjo metodologji që u propozua nga Komisioni Europian më 5 shkurt 2020 dhe u miratua nga Samiti i BE më 19 Tetor 2021, falë këmbënguljes e kërkesës së presidentit francez Emanuel Macron, megjithëse është e ndërtuar mbi qasjen “secili sipas meritës –anglisht: merit based approach) ka nxitur një shqetësim se mund të zgjasë më tej procesin.

Në të gjithë këtë përshkrim një nga elementët që e karakaterizon apo e ka frustuar procesin e zgjerimit në Ballkanin Perendimor është termi kohë. Nga vende apo studiues të ndryshëm kjo është parë herë si “kohë e stërzgjatur” apo edhe si “kohë e pafund”, por në vartësi të këndvështrimit asnjë vend nuk do të ndjehej mirë nëse do të gjendej përballë frazës “në kërkim të kohës së humbur”, sic përmendte Marsel Prusti në vitin 1913 në romanin e tij shumëvëllimësh me të njëjtin titull. Në fakt “koha biologjike” e individit ballkanas dhe “koha politike” apo në këtë rast “koha teknike e anëtarësimit” shpesh nuk përputhen dhe kjo mund të sjellë mes këtyre vendeve atë që mund ta emërtojmë “lodhja nga moszgjerimi” përkundrejt shprehjes që zuri vend në mes viteve 2000 në zyrat e Brukselit “lodhja nga zgjerimi” (anglisht: enlargement fatigue).

Nëse do të merrnim si pikë referimi Deklaratën e Samitit të Selanikut të 21 Qershorit 2003 që i dha jetë procesit që do të njihej si Procesi i Selanikut, në këto 20 vite BE e kanë ndjekur një sërë krizash si për të përmbushur profecinë e Zhak Delorit, ish Kryekomisionerit Europian në mes të viteve ‘80, se “BE është zhvilluar përmes krizave”. Në to përfshihen   kriza financiare e 2008, kriza e borxhit grek në Eurozonë në 2010, kriza e valës së emigrantëve sirianë në 2015, vala e akteve terroriste në Francë, Belgjikë, Gjermani e Austri e Suedi në 2016- 2017 që po përmbyllen me dy krizat e fundit me ndikim global sic ishte pandemia Covid 19 dhe vecanërisht agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës më 24 Shkurt 2022, që e solli konfliktin e armatosur në kufijtë lindorë të BE.

Vecanërisht situata në  Ukrainë e ka vendosur BE në një dilemë gjeostrategjike  pasi  duhet të bëjë zgjedhje jo të lehta  ku përfshihet miratimimi unanim i 27 vendeve anëtare. Aktualisht BE i ngjan një trupi njerëzor që njërën “ këmbë “ ku mbështetet për  burimet natyrore ( naftë, gaz, grurë, plehra kimike, minerale) e ka të vendosur në Rusi me një vartësi afro 40 % prej këtyre burimeve vecanërisht gaz e naftë , ndërsa”  këmba tjetër “ ku mbështetet për sigurinë ushtarake e mbrojtjen e ka të vendosur në NATO ku SHBA kanë rolin parësor. Ky lloj pozicioni “me këmbë të hapura” në dy pika ekstreme nuk është i lehtë për të ruajtur ekuilibrat gjeostrategjikë teksa disa vende të BE kanë treguar luhatje e mungesë uniteti. Përkundrejt këtij pozicioni disi të parehatshëm, sulmi rus në Ukrainë ishte një këmbanë gjeopolitike që e zgjoi BE duke e parë procesin e zgjerimit si një nga instrumentat e politikës së jashtme të BE që duhet të zinte vendin e duhur. Përvec politikës së sanksioneve ndaj Rusisë dhe ndërtimit të një strategjie të “tranzicionit per t’u shkëputur nga burimet natyrore ruse”, BE përdori në mënyrë atipike instrumentin e politikës së zgjerimit për Ukrainën e Moldavinë. Aplikimi në kohë rekord i Ukrainës e Moldavisë për në BE dhe propozimi i Komisionit Europian për t’u dhënë statusin e vendit kandidat këtyre vendeve, pasi kanë plotësuar një pyetësor me 2,500 faqe të acqui communitaire, ishte një reagim surprizë. Në njëfarë kuptimi “shërbimi i urgjencës gjeopolitike” në zyrat e Komisionit Europian funksionoi mire dhe tashmë pritet vendimi që do të marrë Samiti i BE më 23-24 Qershor përballë kësaj kërkese.

Në vijim të kësaj logjike mund të shtrohet me të drejtë pyetja nëse Ballkani Perëndimor përbën për BE një “urgjencë gjeopolitike” nga pikëpamja e politikës së zgjerimit. Në të vërtetë situata e agresionit rus në Ukrainë ka bërë të mundur që në terminologjinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të vendoset një kufi kohor me karakter termonologjik: “situata ndërkombëtare para dhe pas sulmit rus në Ukrainë” si për analogji me shprehjen e dikurshme “bota para dhe pas 11 Shtatorit 2001”. Në këtë kuadër ngjarjet që shkaktojnë një tronditje tektonike në arkitekturën e politikës e sigurisë ndërkombëtare e prishin raportine parimeve të gjithepranuar zakonisht janë bërë shkas për të rimenduar e rishikuar shumë procese. Si rrjedhojë edhe procesi i zgjerimit dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE duhet të rimendohet drejt një qasje më proaktive e afate konkrete në tërma kohorë. Ndonëse Procesi i Berlinit që nisi në 2014 po i afrohet një periudhe 10 vjecare ka ardhur momenti që samiti i radhës i BE me vendet e Ballkanit në këtë process të përcaktojë 2034 si afatin maksimal kur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen vende anëtarë me të drejta të plota në BE , duke qenë një vendim unanim  .

Tab 1. Të dhëna të përgjithshme për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor

Nr Emri i Vendit Popullsia Sipërfaqja GDP GDP/per kapita
  Vendet e  BP=6        
1 Bosnie&Hercegovina 3,475,000 51,129 km2 23 miliardë $   7,078 $
2 Kosova 1,935,259 19,887 km2  8.5 miliard $   4,649 $
3 Mali i  Zi    620,739 13,812 km2  5 miliardë   $   7,688 $
4 Maqedonia e Veriut 1,836,713 25,713 km2 12 miliardë  $   6,143 $
5 Serbia 7,186,762 88.361km2 65 miliardë $   9,560$
6 Shqipëria 2,845,955 28,748 km2 16 miliardë $   5,847 $
Vendet e BP=6 17,900,418 227,750km2 139.5miliardë $ 6,712 $
  Vendet e BE=27 447,007,596 4,233,462 km2   17 trilion$ 40,995$

 

Tab 2. Marrëdhëniet e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE

Sikur të gjykonim me logjikën e një matematikani, nëse të gjashte vendet e Ballkanit Perëndimor do të anëtarësoheshin sot në BE, me popullsinë e tyre totale prej 18 milion banorësh do të ishin një shtesë vetëm prej 5 % në totalin e popullsisë prej 445 milion banorësh të vendeve anëtare të BE. Nga ana tjetër me një sipëfaqe totale të territorit prej 227, 750 km2, Ballkani perëndimor përbën sërish më pak se 5 % e territorit të BE. Por diferencat ekonomike janë të dukshme e të thella teksa sipas statistikave të ardhurat mesatare vjetore për  frymë të vendeve të Ballkanit Perëndimor janë  6,712 USD ,  duke qenë shtate herë më të ulëta se mesatarja e vendeve të BE  prej 40,9995 $ . Megjithatë në politikë nuk gjykohet me logjikën e një matematikani,  pasi sic thoshte jo pa ironi  Ajnshtajni, kur shprehu refuzimin e tij kur e propozuan për president të shtetit të porsakrijuar të Izraelit: “  politika është me e vështirë se fizika” .Ndërkohë në raport me Ballkanin Perëndimor përballë situatës në Ukrainë, liderët kryesorë të BE e të vendeve anëtare nisën një “ garë formulash gjeopolitike” , të cilat në fakt e mjegulluan disi perspektivën e zgjerimit të këtyre vendeve në këtë moment.

Në këtë rast propozimi i presidentit france Macron më në Ditën e Europës më 09 Maj 2022 në Parlamentin Europin për krijimin e një “komuuniteti politik europian” krijoi një frymëmarrje pezull për të kuptuar domethënien e tij të vërtetë. Ashtu sikurse gjatë vizitës së tij në Tiranë më 21 Maj 2022 Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel përmendi mundësinë që vendet e Ballkanit të ishin shtete të asociuara me BE përkundrejt frazës vende kandidate. Nga ana tjetër përpjekja e Britanisë për t’u pozicionuar sërish si aktor ndërkombëtar pas daljes nga BE në 2016, ka nxitur idenë e kryeministrit britanik Boris Johnson për krijimin e “Comonuwelthi politik” mes Ukrainës, Polonisë e vende Balltike si një lloj kordoni sanitar kundër Rusisë, duke shpresuar që në të ardhmen aty të bashkohet edhe Turqia.

Nëse i rikthehemi aforizimit të mësipërm mes pesimistëve e optimistëve, ndoshta Samiti i BE i 23-24 Qershorit ku   Shqipëria e Maqedonia mund të marrin një datë për hapjen e negociatave dhe Ukraina e Moldavia të pranohen si vende kandidate, ndoshta kësaj radhe kanë të drejtë optimistët. Gjithesesi Ballkani Perëndimor gjatë këtyre viteve ka koleksionuar në arkivin terminologjik të marrëdhënieve me BE një sërë emrash procesesh si Procesi i Zagrebit, Procesi i Selanikut, Procesi i Berlinit dhe një sërë iniciativash me karakter rajonal si Procesi i Bashkëpunimit të Europës Juglindore, Iniciativa e Bashkëpunimit të Europës Juglindore, Pakti i Stabilitetit (Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal), Procesi i Brionit dhe së fundi Ballkani i Hapur. Në fakt një pjesë e tyre kanë shërbyer për të “blerë kohën” e nevojshme që Ballkani të qetësohet e stabilizohet, por tashmë nuk duhet  humbur apo blerë kohë tjetër përkundrejt një destinacioni që duhet të i qartë se kur do të mbërrihet nga pikëpamja kohore. Në këtë moment ka shumë faktorë gjeopolitikë, ekonomikë, socialë, të fushës së sigurisë e energjisë që e përforcojnë idenë se cdo kohë e humbur në këtë process e shndërron atë  më shumë në një subjekt për një roman të ngjashëm si ai i Marsel Prustit.

Ky shkrim eshte pjese e Projektit “Media dhe Integrimi Europian”, te Institutit Shqiptar te Medias, ne kuadrin e Programit te Promovimit te Tranzicionit te Republikes Ceke.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.