Kryesore

Nga ‘kërpërata’ te ish-rivali i Bashës, ku janë sot ish-deputetët e opozitës! Një pjesë e tyre rreshtohen me PS

23:46 - 22.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Get it on Google Play

Në 19 shkurt të 2019, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi vendosën që të djegin mandatet e deputetëve të dy forcave më të mëdha opozitare, por pasuesit në lista pranuan që të futen në Kuvend duke krijuar një “opozitë të re” përballë qeverisë në dy vitet e mbetura të legjislativit deri në 25 prill 2021.




Një pjesë e deputetëve që u futën në Kuvend kanë mbetur në memorien e shqiptarëve për gafat, heshtjen ose bashkimin e votave me Partinë Socialiste duke u natyralizuar.

Disa prej tyre nga PD dhe LSI, gjetën vend në listat e PS-së, por edhe të Lulzim Bashës që më parë i kishte shpallur armiq pasi thyen vendimin e partisë për djegin e mandateve. Aurora Mara, e cila mori mandatin e Përparim Spahiut në 2019, në 2021 kaloi me PS-në duke fituar, po ashtu edhe Elda Hoti që tashmë është në Kuvend në vendin e Mark Markut nga lista e PD-së.

Por Halit Valteri që kaloi me PS-në, po ashtu edhe Ylli Shehu, Nimet Musai, etj që iu bashkuan Edi Ramës nuk arritën që të siguronin mandatin në Kuvend.

Po ku janë deputetët e opozitës së re sot? Disa prej tyre janë rekrutuar nga pushteti në administratë, disa janë rikthyer aty ku ishin dhe të tjerët po shijojnë trajtimin financiar që akoma vijojnë të marrin.

Ish-deputeti Halil Jakimi, që u fut në Kuvend nga lista e PD-së tha se tashmë ka kaluar me PS-në dhe aktualisht “jam administrator i ujësjellësit të Bulqizë”. Ralf Gjoni ka zgjedhur që të rikthehet aty ku ishte përpara se të merrte privilegjet. “Me aktivitet privat, konsulent sikur ku kam qenë më përpara”. Andi Përmeti pas mbarimit të mandatit është pjesë e administratës, por që nuk pranoi të jepte më shumë detaje.

Një tjetër zë i opozitës së re, Korab Lita tha se “jeta vazhdon. Nuk kam preferuar administratën. Kam vazhduar me aktivitetet e mia private”. Ish-zv/ drejtori i Burgjeve, Lefter Maliqi me kapërcimet sa majtas dhe djathtas, tashmë ndodhet në opozitë. “Jam me frontin opozitar. Vazhdoj me LSI dhe grupin e Rithemelimit” tha ai.

Nimet Musai nuk arriti që të fitonte me listat e PS-së dhe tani “angazhimi im tani është normal, pjesë e fushatës për zgjedhjet e ardhshme me PS-në. Me biznesin merret familja”. Halit Valteri është një tjetër emër që kaloi nga lista e Lulzim Bashës te Edi Rama, por nuk arriti që të fitonte.

“Po vazhdoj angazhimin politik. Po të jem në detyrë tjetër i bie që të më ketë marrë Rama në punë”. Po, a nuk është ai pjesë e PS-së? “Po, u bëra. Po merrem me qytetarët me zonën në Kamëz, po bëhemi gati për zgjedhjet lokale”.

Ish-rivali i Lulzim Bashës për kryetar të PD-së, Erjon Piciri tha se pas mbarimit të mandatit “jam zv/ rektor dhe pedagog. Kam një angazhim të lehtë politik me zotin Berisha”. Kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat Artur Roshi u shpreh se “nuk kam qenë ndonjëherë bosh. Jam pedagog. Vazhdoj me fushën e projektimeve.

Kam qenë i gjetur, nuk është se shyqyr që u bëra deputet. Deputet u bëra për hobin, jo thjesht për hobi, por vazhdimësinë për atë ngarkesë në emër të Mit’hat Frashërit dhe për të anoncuar sadopak filozofinë konservatore. Ky ka qenë qëllimi i futjes në parlament” tha ai.

Po tani me Berishën apo grupin e Alibeajt? “Me zotin Berisha kam pasur bashkëpunim. I respektonte bashkëpunëtorët. Por pyetja është qëndrimi ndaj Amerikës, që me kalimin e kohës mund të zgjidhet, po themi, zoti Berisha është udhëheqës honorifik dhe kryeministër mund të jetë një tjetër, pro amerikan, kjo mund të jetë zgjidhja”.

Majlinda Halilaj, e ulur në karrigen e Lulzim Bashës ishte një tjetër emër që bëri xhiron e rrjeteve sociale, pasi në fjalimin e parë në Kuvend e kishte të pamundur të lexonte si duhej fjalën “korporatë” duke e lexuar “kërpëratë”. “Kam plot angazhime politike dhe familjare.

Por nuk jam floktore, se më doli nami, por nuk jam, do të ishte kënaqësi, por nuk jam. Lapsusi me “kërpëratën”? Të gjithë bëjnë lapsuse. Unë të paktën nuk vodha, nuk jam kriminele. Tani jam asistente e avokatit Krenar Rryci, që është kryetari i partisë sime” tha ajo.

Kryetari i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi pasi mbaroi mandatin dhe kaloi me vështirësi koronavirusin u shpreh se “Trajtohem nga ligji për trajtimin e deputetëve dhe jam administrator i një zyre noterie, që e kam prej 17 vitesh” deklaroi ai./5pyetjet.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.