DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Natë negociatash. Nano e Berisha sërish bashkë: Shumë shpejt gjejmë tjetrin

07:00 - 23.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

23 Qershor 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare”




Natë negociatash

Nano e Berisha sërish bashkë: Shumë shpejt gjejmë tjetrin

Bie Kuko, në fushë gjeneral Alfred Moisiu

Kuko belbëzon: Më falni, nuk pranoj

 

Do gjejmë një tjetër, kështu tha dje Nano dhe Berisha, pas refuzimit që u bëri Artur Kuko për zgjedhjen si President. Kjo u tha dje në selinë e kryesisë së Kuvendit, ku Nano dhe Berisha qëndruan kokë më kokë.

 

 

Deklaratat u bënë në orën 21.30, ndërsa Artur Kuko kishte mbi 2 orë që qëndronte në korridoret e kryesisë së Kuvendit. Në 19.30 Nano dhe Berisha pasi morën përgjigjen e Kukos se nuk pranon, e nxorën atë jashtë. Kuko nuk është larguar duke kërkuar që të tre të deklaronin para shtypit se pse ai nuk pranoi, por Nano dhe Berisha nuk pranuan. Pasi ka dalë Kuko, në takim është futur edhe Ilir Meta,i cili dukej shumë i shqetësuar dhe që deklaroi se” marrëveshja nuk prishet” dhe ‘asnjë votim nuk do bëhet si i tipit SECURITATE”. Takimi dukej që ishte i tensionuar dhe njoftimet jashtë vinin se Kuko refuzoi. I shoqëruar nga shefi i kabinetit të kryetarit të PS-së dhe badigardët e tij, Artur Kuko është ndalur në shkallët e një prej hyrjeve të Kuvendit. Në pamje të parë tregonte një trembje përballë mikrofonëve dhe, i verdhë dyllë dhe duke belbëzuar, lexoi një deklaratë të shkurtër, me anë të së cilës refuzonte kandidimin. “E vlerësoj marrëveshjen, por zgjidhni një tjetër”, tha Kuko, i cili nuk iu përgjigj asnjë pyetjeje, duke u larguar me shpejtësi. Truprojet e Nanos e futën në një makinë për ta nxjerrë më pas jashtë selisë së kryesisë së Kuvendit. Nano dhe Berisha ndërkohë ishin duke përgatitur deklaratat e tyre. Më shumë se takimi brenda, situata më interesante ishte jashtë ndërtesës ku shumëkush priste rezultatet. Emra të njohur të institucioneve shtetërore u shfaqën, mbase rastësisht, pranë vendit ku po bëheshin përpjekje për të bindur Kukon të bëhej President. Shefi i Shërbimit Sekret, Klosi, ka kaluar disa herë pranë selisë së kryesisë së Kuvendit, deri sa në një nga xhirot e tij edhe në këmbë, makina u bllokua dhe Klosi u gjend përballë kamerave dhe fotografëve nën shkëlqimin e blicave nga të cilat s’e shpëtoi dot as xhirimi i gomave. Presidenti Meidani, dje rreth orës 19 e 30 e ndërroi rrugën e tij të zakonshme, duke e detyruar eskortën e gjatë të tij që të kalonte në rrugica të ngushta, ndryshe nga itinerari i tij i zakonshëm. Eskorta çdo ditë kalon përgjatë bulevardit kryesor dhe më pas në krah të Presidencës, por dje Meidani preferoi të kalonte në rrugën e ngushtë përkrah selisë së Kuvendit. Makina ku ishte Meidani, e uli shpejtësinë dhe pas saj disa furgonë të mbushur me ushtarë të Gardës. Eskorta më pas u largua. Pas Meidanit u shfaq Klosi dhe i fundit në selinë e kryesisë së Kuvendit erdhi ish-kryeministri Meta. Ai u ndal para se të hynte në seli dhe u ndal për të deklaruar se s’do ketë votim të tipit SECURITATE. I shqetësuar dhe me shpejtësi Meta u fut në selinë e kryesisë së Kuvendit. Më pas, kur takimi mbaroi, Meta nuk ishte më aty, dhe deklaratat e rastit u dhanë nga Artur Kuko dhe Nano e Berisha më pas.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.