KULTURË

Cikli “Piktorët e Provincës”, Sotiraq Xega, piktori i peizazhit realist shqiptar

12:00 - 23.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Nga Ylli Drishti  – Sotiraq Xega apo “XEGA” siç njihej nga miqtë e tij në Korçë, është padyshim një nga artistët realistë shqiptarë të shek.XX-XXI. Artisti kryesisht ishte I  përkushtuar ndaj peizazhit të zonës së Korçës: qytetit dhe periferisë së saj. Talentin e tij në moshë të re, e zbuloi gjatë praktikës mësimore në minierën e Drenovës piktori Kujtim Buza, i cili edhe pse konkursi pranues kishte përfunduar; i dërgoi letër Prof.Abdurrahim Buzës që ishte dhe Nën/Drejtor i Liceut Artistik”Jordan Misja” në Tiranë, i cili e pranoi atë, si një talent i veçantë, jashtë konkursit.




XEGA gjatë viteve si Liceist, studio pikturë si nxënës, në klasën e piktorit të njohur Naxhi Bakalli sëbashku më bashkënxënësit e tjerë si: Sofika Ziri, Bashkim Dervishi, Tamara Zegali, Agron Dine, Petrit Gurabardhi, Fotinka Konomi, Marjana Findiku, Bashkim Kapllani, Mitat Çuadari, Asllan Zeneli e Zamir Mati.

Pas diplomimit XEGA për 22 vite me radhë ishte  mësues vizatimi në qytetin e Librazhdit (1968-1972), piktor në ndërmarrjen Artistike, Korçë (1972-1980) dhe përsëri mësues vizatimi në shkollën e fshatit Podgorie, Korçë (1980-1988). Me pjesmarrjet e tij në ekspozitat e ndryshme lokale dhe ato personale, XEGA krijoi imazhin e një piktori peizazhist të natyrës, ku pasioni i tij ishte veçanërisht realizimi i peizazheve nga natyra në të gjitha stinët  e vitit. Ky pasion dhe krijimtaria e tij realiste krijuan besimin dhe respektin si artist i formuar tek autoritetet shtetërore të kohës, duke e caktuar pedagog i vizatimit në shkollën e mesme artistike “Tefta Tashko Koço’. Njëhkohësisht ai ishte dhe përgjegjësi i Galerisë së Arteve (sot “GURI MADHI”) në qytetin e Korçës.

Artisti Sotiraq XEGA jetoi dhe krijoi gjithë jetën e tij në fshatin e tij të lindjes Drenovë. Atë e karakterizonte thjeshtësia dhe pasioni si artist dhe nuk këmbënguli edhe kur ishte pedagog dhe drejtues i GA, Korçë të transferohej në qytet.

I pëlqente jeta e fshatit, peizazhi, njerëzit e thjeshtë që ai i donte dhe i përshëndeste çdo ditë ku nisej në mëngjes dhe kthehej nga Korça, në mbrëmje vonë.

Ai ishte djali i madh i 8 fëmijve të familjes së bujkut Thanas Xega. Vëllezërit e tij punonin në minierën e Drenovës. Miniera e Drenovës, pranë fshatit, e tërhoqi artistin dhe ai u kushtoi minatorëve mjaft punime, kryesisht etyde dhe portrete, të cilat artisti me shumë realizëm i “gdhëndëte” me laps dhe ngjyra. Ndër kompozimeve të tij të viteve të 1970 – 1990, mund të kujtojmë atë kushtuar shkrimtarit Aleksandër Stavre Drenova – Asdreni (GA, Korçë) dhe “Leximi i shtypit në Kooperativë” (1981, Kol. Familjes së artistit).

Tabloja “Leximi i shtypit në Kooperativë” e realizuar në teknikën e vajit (150 x 120 cm), e merr motivin nga jeta e fshatit të tij në vitet e komunizmit; kur çdo mëngjes në grup lexohej  gazeta kryesore (“Zëri I Popullit”, organ i PPSH), nga brigadieri apo brigadierja e skuadrës së fshatarëve para fillimit të punës. Në tablo ndjehet dashuria e piktorit Xega për njerëzit e thjeshtë të cilët i pikturon me një penelatë të pasur, me dritë diellore në atmosferën e një vjeshte të artë të fshatit të tij Drenovë, që dallohet larg në sfond, poshtë malit të Moravës mes pemëve të arta.

Në të dy akuarelet e tij të realizuara në natyrë si:”Manat – dimër” (2017, 2021), ndjehet freskia, drita e fuqishme që arrin të krijojë një kontrast grafik të fuqishëm me grupet e pemëve të errëta (trungjet dhe degët e tyre) me dëborën e bardhë, të cilën e trajton me shumë delikatesë.

Tabloja tjetër “Dimër në Drenovë”, 2017 (akuarel) e evidenton piktorin Xega si një vrojtues të kujdesshëm në evidentimin e magjisë së dritës mbi dëborë në një nga rrugët e Drenovës. Bien në sy  shtëpitë errëta të fshatit, të pikturuara me tonalitete të kafenjta e me shumë detaje që krijojnë befasi të bukur me kontastet që krijojnë.

Piktori Xega përveç veprave më vaj që ai preferonte të realizonte, punonte dhe në teknikën e akuarelit, por njihet edhe si piktor I teknikës së pastelit, ku mund të kujtojmë atë me titull:”Boboshticë”(2003) ku vëmëndja e tij fokusohet tek shtëpitë e ndërtuara me gurë, që ai I pikturon me detaje dhe me kalime hije drite të një tonaliteti të ngrohtë, por pa krijuar kontraste grafike. Mjaft të bukur janë dhe peizazhet e tij të realizuara në teknikën e vajit si: “ Vithkuq” (1987); “Sinicë” (1999); “Rrugë në Berat” (2004); “Pranverë në Voskop” (2006); “Dimër në Dardhë” (2017) etj.

Aktiv, punëtor i madh, energjik pasi nuk rrinte asnjë ditë pa pikturuar, vizatuar apo dhe gdhendur në dru apo realizuar mozaikë, XEGA ishte pjesëmarrës në çdo ekspozitë të çelur në qytetin e Korçës për më shumë se 50 vite.

Duke preferuar peizazhin Xega ka realizuar 35 ekspozita personale me imazhe nga natyra e zonës së Korçës si: nga fshati i tij Drenova, Boboshtica, Polena, Vithkuqi dhe mali i Moravës.

Më 1996 ishte pjesmarrës në ekspozitën kolektive të piktorëve korçarë si: Sotiraq Kuqali, Ruzhdi Goskova, Genti Proko të ftuar në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Më 2001 çeli ekspozitën kolektive me piktorin Sotiraq Kuqali dhe skulptorin Vladimir Kaçaku.

Po më 2001 ishte pjesmarrës në ekspozitën e çelur në Selanik (Greqi) me vepra të Galerisë Arteve, Korçë. Në vitin 2009, artisti çeli ekspozitën e tij personale në Sarandë me peizazhe nga fshati Senicë, vendlindja e nënës së tij. Më 2011, artisti Xega  ishte pjesë me punimet e tij në qytetin Bitola (Maqedonia e Veriut) – ekspozitë e çelur me vepra të Galerisë Arteve, Korçë.

Xega gjatë gjithë jetës së tij ju kushtua peizazhit nga natyra; shpesh dilte peizazh me mikun e tij piktorin  Sotiraq Kuqali apo dhe me piktorin Genti Proko.

I shqetësuar nga ngjarjet e pas viteve 1990 në lidhje me shkatërrimin e natyrës si: dëmtimi i pyllit me bredha në Drenovë, apo dhe dëmtimi i manave, ai ishte vetmimtar në përpjekjet për të ruajtur natyrën duke protestuar vazhdimisht në mbrojtje të tyre. Ekspozita e fundit e Xeges ka qenë ajo kushtuar manave të Drenovës, të cilat artisti i konsideronte “monumente kulture” të fshatit të tij; ekspozitë të cilën e paraqiti për miqtë kryesisht, në një prej rrugicave të fshatit të njohur turistik. Vitet e fundit të jetës ai çelte ekspozitat personale në muajin maj në ditën e lindjes, duke e kthyer si një ritual të përvitshëm.

U nda nga jeta më 30 nëntor 2021, në moshën 76 vjecare.

Drenova vendlindja e piktorit Sotiraq Xegës (1945-2021) por dhe e Aleksandër Stavre Drenovës  i njohur më së shumti si Asdreni (Drenovë1872 – Bukuresht1947) poeti, publicisti dhe veprimtar i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, që është edhe autori i “Himnit të Flamurit”, që është himni kombëtar i Shqipërisë, mund tu kushtohet në një nga ambjentet e shkollës 9 vjeçare (ku tashmë ka fare pak nxënës) një Muze  të përbashkët për këto dy figura të rëndësishme të letërsisë dhe artit shqiptar. Në koleksionin e familjes XEGA mund të përzgjidhen vepra që e përfaqsojnë me dinjitet artistin e fshatit të tyre. Drenova bën pjesë në projektin e 100 fshatrave  të qeverisë shqiptare dhe krahas AGRO – TURIZMIT mendoj se dhe ART-TURIZMI janë pjesë e rëndësishme e të ardhmes së turizmit në vendit tonë.

*Studjues & Kurator Arti

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.