AKTUALITET

Komisioni Europian apel Shqipërisë: Kujdes me politikat fiskale, PPP-të dhe stabilizimin e çmimeve

21:48 - 23.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Get it on Google Play

Komisioni Europian në raportin e sapopublikuar për vendet kandidate për në BE, thekson se një ndër sfidat kryesore të Shqipërisë është konsolidimi i politikave fiskale si faktorë të rimëkëmbjes ekonomike, për t’u rezistuar goditjeve të mëdha.




Rekomandimi i dytë i referohet një strategjie për të ulur nivelin e borxhit publik dhe menaxhimin e investimeve publike dhe skemave të partneritetit publik privat, si dhe rritjes së shpenzimeve për edukimin, shëndetësinë, mbrojtjen sociale dhe Kërkimin & Zhvillimin ndaj totalit të shpenzimeve publike.

Rekomandimi i tretë fokusohet në analizimin me kujdes të çmimeve dhe gatishmërisë për shtrëngimin e politikave monetare, në mënyrë që të ruhet stabiliteti i tyre. Ky rekomandim përfshin edhe disa direktiva për deeuroizimin e ekonomisë shqiptare, dhe për favorizimin e përdorimit të monedhës vendase.

Pika numër 4 i referohet përmirësimit të klimës së biznesit dhe forcimit të mbështetjes ndaj biznesit, për të përmirësuar aksesin në financim dhe njohuritë sipërmarrëse.

KE kërkon që të ketë një bashkëpunim me të gjitha ministritë dhe agjencitë e linjës, një plan implementimi të garancisë për të rinjtë, duke adresuar mungesat në tregun e punës, vlerësojë hendekun e aftësive në nivel kombëtar.

Rekomandimi tjetër i BE-së është vëmendja ndaj shtresave në nevojë, ku cilësohet mjaft e ulët mbrojtja sociale si dhe shërbimi shëndetësor.

“Mangësia e shërbimit të kujdesit social është një pengesë për përfshirjen aktive të individëve vulnerabël. Ndër 430 mijë përfitues të mbrojtjes sociale në vitin 2021, 56% morën pagesën e asistencës, 34% të paaftësisë dhe vetëm 10%, ose 1.5% e popullsisë përfitoi nga shërbimet sociale. Kjo tregon se, shërbimet sociale në Shqipëri janë të mangëta edhe për njerëzit me paaftësi apo vulnerabël, jo më popullatën e përgjithshme”-, shkruhet në raport.

Sipas raportit, janë rreth 600 mijë individë të pasiguruar, ose 21% e popullsisë, kryesisht punonjës informalë, grupet me të ardhura të ulëta, minoritetet, dhe njerëzit që jetojnë në zonat rurale dhe periferike. Pagesat nga xhepi në shëndetësi kufizojnë aksesin në këtë shërbim, dhe shpenzimet e ulëta publike kanë bërë që familjet shqiptare të mbështeten ndaj pagesave nga xhepi për të marrë shërbimin shëndetësor, dhe pjesa më e madhe e tyre është tërësisht informale.

“Mungesa e konsiderueshme e mjekëve mund të minojë aksesin në shërbimin shëndetësor në vitet në vijim. Shqipëria ka raportin më të ulët, mes vendeve kandidate, të mjekëve në popullsi. Emigrimi i mjekëve po rritet si pasojë e pagave të ulëta, kushteve jo të favorshme të punës dhe pasiguritë sociale dhe të punës, përfshirë këtu një numër të lartë padish gjyqësore”.

Gazeta Shqiptare 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.