Kryesore

Nis samiti në Bruksel/ Vuçiç, Rama dhe Kovaçevski të tre me gjuhë të ashpër kundër Bashkimit Europian

11:39 - 23.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në selinë e Bashkimit Evropian (BE), ka nisur Samiti BE-Ballkani Perëndimor ku 27 krerë shtetesh dhe qeverish evropiane po diskutojnë me kolegët e tyre nga rajoni mbi sfidat, me të cilat përballen së bashku, veçanërisht në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës.




Kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, theksoi se në BE ka një atmosferë gatishmërie për të ripërtërirë procesin me Ballkanin Perëndimor.

Michel konfirmoi se prioriteti kryesor i BE-së tani për tani është hapja e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe vazhdimi i kontakteve intensive me Bullgarinë, për të dhënë dritën jeshile për fillimin e procesit.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha se samiti BE-Ballkani Perëndimor është një mundësi për të konfirmuar perspektivën e anëtarësimit të rajonit në familjen evropiane.

“Këto vende kanë punuar shumë në këtë drejtim dhe ne do të mundësojmë që kjo (anëtarësimi në BE) të ndodhë”, theksoi kancelari gjerman.

Nga Kosova në këtë takim po merr pjesë presidentja Vjosa Osmani.

Para samitit, Osmani u tha gazetarëve se Kosova synon që në samit të theksojë që e ka vendin në Bashkimin Evropian.

“Ne e kemi vendin këtu, në mes të familjeve të kombeve evropiane, ku kemi kontribuar me shekuj. Ne kemi nevojë një mesazh të unifikuar të BE-së për Ballkanin Perëndimor, sepse sa më shumë hapësirë të lihet për keqdashësit, natyrisht që do ta përdorin”, tha Osmani.

Pritjet e opinionit kosovar nga samiti kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave, pasi Kosova është i vetmi vend në rajon, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë lirinë e lëvizjes.

Vërehet se ka rritje të mbështetjes që liberalizimi të bëhet sa më shpejt, por nuk ka pasur indikacione konkrete se kjo do të mund të përfshihej edhe në dokumentet e samitit.

E pyetur nëse ka shpresa se në këtë samit do të ketë përparime në procesin e liberalizimit të vizave, Osmani tha se shpreson, por nuk dëshiron të nxisë pritje nga njerëzit.

Ndërkaq, presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ka paralajmëruar se do të ngritë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit, si dhe në takimin tradicional që ajo ka me Këshillin Evropian.

“U takova me presidenten e Kosovës. Ishte qëndrim i qartë për pozicionin që fuqishëm kemi miratuar nga ky Parlament për liberalizim e vizave që duhet t’i jepet Kosovës. Kemi qenë dhe do të mbetemi të zëshëm në këtë drejtim”, ka thënë ajo.

Edhe pse ka pasur paralajmërime se ky samit do të bojkotohet nga liderët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, edhe këto vende kanë konfirmuar se do të marrin pjesë.

Para samitit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, foli lidhur me veton bullgare që ende po e pengon avancimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së.

“Është turp që një vend i NATO-s, Bullgaria, kidnapon dy vende tjera të NATO-s, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në mes të një lufte të nxehtë në Evropë me 26 vende të tjera që rrinë pa lëvizur duke treguar një pafuqi të frikshme”, tha ai.

Rama foli edhe për iniciativën e Ballkanit të Hapur të inicuar nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, duke e quajtur shumë të nevojshme.

“Ballkani i Hapur është përgjigja e vërtetë në këtë situatë derisa rruga e integrimit (për në BE) do të vazhdojë sepse nuk ka alternativë tjetër, por shpirti evropian duhet të ndërtohet në rajonin tonë, sepse nuk duhet ta lëmë rajonin të mbetet prapa. Ballkani i Hapur është i hapur për të gjithë”, tha Rama.

Para gazetarëve, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se pret që t’i nënshtrohet sërish presionit për çështjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe deklaroi se ata që e ngrenë këtë çështje do të “marrin përgjigjen e tij”.

“Ne tashmë kemi votuar kundër agresionit në Ukrainë në OKB dhe mbështesim Ukrainën territoriale, ashtu siç mbështesim integritetin territorial të Serbisë, gjë që nuk është rasti me shumë anëtarë të BE-së”, tha Vuçiq në fillim të samitit. I pyetur se çfarë pret nga samiti i sotëm, Vuçiq është përgjigjur shkurt: “Asgjë”.

Përpara takimit të liderëve të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviw tha se ai pret që BE-ja të përsërisë angazhimin e saj për të vazhduar procesin e Bashkimit Evropian dhe të krijojë parakushte për integrimin e parashikueshëm të Ballkanit Perëndimor në BE.

Është mirë që dialogu në nivelin më të lartë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor të vazhdojë. Unë, veçanërisht, mendoj se agresioni kundër Ukrainës theksoi gjithashtu rëndësinë e integrimit të mëtejshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Gjukanoviq.

Ai vlerësoi se është me rëndësi që Ballkani Perëndimor t’i kthehet dinamikës së mëparshme të mirë të zbatimit të reformave, para së gjithash në fushën e sundimit të ligjit dhe në këtë mënyrë të krijohen kushte që BE-ja të ketë argumente për vazhdimin e politikës së zgjerimit.

Gjithashtu, është paralajmëruar se kryeministri i Shqipërisë, Rama, ai maqedonas, Dimitar Kovaçevski, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të zhvillojnë konferencë të përbashkët për shtyp.

Pas samitit BE-Ballkani Perëndimor, krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të takohen sërish pasditen e 23 qershorit për të diskutuar për zgjerimin. Krahas vendimit tashmë të sigurt për dhënien e statusit kandidat dy vendeve, Ukrainës dhe Moldavisë, liderët do të merren edhe me situatën në Ballkanin Perëndimor.

Në fokus të garës do të jetë mundësia e dhënies së dritës jeshile për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shkupin dhe Tiranën.

Në fund të samitit, sonte vonë, liderët do të miratojnë konkluzionet në të cilat, për herë të parë pas një kohe të gjatë, do të konfirmojnë “angazhimin e qartë për perspektivat e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE” dhe do të bëjnë thirrje për përshpejtimin e procesit i anëtarësimit.

“Bashkimi Evropian shpreh mbështetjen e plotë dhe të padyshimtë për perspektivën e anëtarësimit në BE për Ballkanin Perëndimor dhe bën ftesë për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit”, thuhet në draftin e përgatitur për miratim në këtë samit.

Në këtë dokument, një paragraf i veçantë i është kushtuar edhe dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe zgjidhjes së mospajtimeve bilaterale mes vendeve të rajonit.

“Këshilli Evropian rikonfirmon urgjencën për arritjen e progresit të dukshëm në zgjidhjen e çështjeve të hapura bilaterale dhe rajonale, në veçanti në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës”, thuhet në këtë draft./ REL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.