EKONOMI

Pagesa e papunësisë/ Raporti: Të rishikohet formula, do nxisë formalizimin!

07:51 - 23.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kriza që shkaktoi pandemia e COVID-19 në vitin 2020 dhe 2021 shihet si një mundësi për qeveritë që të reflektojnë në politikat e tyre për goditjet e ardhshme. Një raport i Bankës Botërore (BB) dhe Sekretariatit të Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO) bën një analizë të përfitimit të pagesës së papunësisë dhe ndikimit që mund të ketë përmirësimi i këtij sistemi në mbrojtjen sociale në kohë krize.




Kështu, sipas raportit teksa Shqipëria ka një sistem sigurimi social, përfitimet e papunësisë nuk përkojnë me synimin për të mbështetur punonjësit në tranzicion ndërmjet ndryshimit të vendeve të punës, pasi përfitimi me normë fikse nuk është i mjaftueshëm për të garantuar një nivel të përshtatshëm të ardhurash gjatë periudhave të papunësisë; dhe aftësia për përfitim është e kufizuar, siç ilustrohet nga mbulimi i ulët i të papunëve

Dokumenti vlerëson se ka disa çështje që qeveria duhet t’i marrë parasysh për të përmirësuar mbulimin e përfitimit të papunësisë, të cilat variojnë nga reformimi i parametrave të sistemit tek modernizimi i procesit të aplikimit.

“Në të njëjtën kohë, përvoja globale sugjeron që sistemi i përfitimit të papunësisë mund të luajë një rol në përgjigjen ndaj krizave të ardhshme, duke përdorur sistemin e tij të shpërndarjes për të arritur njerëz të tjerë që kanë humbur punët e tyre për shkak të një goditjeje ose duke modifikuar përshtatshmërinë ose kohëzgjatjen e përfitimeve të papunësisë kur shoqërohet me financim të dedikuar” thuhet në raport.

Për këtë, dokumenti vlerëson se Shqipëria mund të marrë në konsideratë:

  • Reformimin e përfitimeve të papunësisë, duke paguar përfitime më të larta bazuar në një normë zëvendësimi me një lloj shkallëzimi rishpërndarjeje. Si i pari hap, një analizë e detajuar duhet të informojë rishikimin e mundshëm të formës që kanë parametrat e sigurimit të papunësisë, të tilla si: (i) shuma e përfitimit, (ii) kohëzgjatja e përfitimeve, (iii) periudha minimale e kontributeve, dhe (iv) norma e kontributit, me synimin që ta bëjnë përfitimin më kuptimplotë për të papunët dhe në këtë mënyrë nxit disa punonjës të zyrtarizohen, ndërkohë që siguron që pagesa e papunësisë mbetet plotësisht e financuar nëpërmjet kontributeve gjatë periudhave pa kriza.
  • Modernizimi i procesit të aplikimit për përftimin e pagesës së papunësisë. Kjo mund të bëhet duke përdorur aplikimet online, me verifikim të kryer nëpërmjet ndërveprimit me baza të tjera të dhënash ndërinstitucionale siç është administrata tatimore.
  • Të marrë parasysh vendosjen e rregullave që do të udhëheqin reagimin ndaj goditjeve përmes sistemit të përfitimit të papunësisë duke marrë në konsideratë në mënyrë të të kujdesshme mundësi të tilla si lehtësimi i disa kritereve më strikte si dhe kohëzgjatja e përfitimit në kohë krize e lidhur me një burim të organizuar financimi i cili do të përcaktohej në një Strategji të Financimit të Risqeve nga Fatkeqësitë.
  • Të konsiderojë elemente novatore që vende të tjera kanë prezantuar për të zgjeruar mbrojtjen sociale. /monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.