Kryesore

Plani pas 24 korrikut/ Çështja e detit, flet Ilir Meta: Rama nuk kërkoi autorizim. Larg lojërave të dyfishta!

08:42 - 23.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Presidenti në detyrë, Ilir Meta, deklaroi dje se Kryeministri Edi Rama nuk ka kërkuar për asnjë moment autorizim që çështja e detit me Greqinë të zgjidhet në Gjykatën Ndërkombëtare.




Gjatë një interviste për “Fax News”, Meta tha se çështja me Greqinë kërkon transparencë. Ndërkohë, ai foli edhe për Reformën në Drejtësi, ku sipas të cilit në vitin 2016, kur u miratua, u tentua që të ndahej PD në dy pjesë.

Një Presidencë, e cila ka qenë e ngjeshur, ka qenë me gjëra interesante, me përpjekje, me luftë. Por, fundi i Ilir Metës nga ky institucion si të duket?

Jemi në përmbyllje të një Presidence 5-vjeçare apo më saktë mandatit të parë të Ilir Metës si President i Republikës. Gjithçka mund të thuhet se ka shkuar sipas parashikimeve të mia dhe betimit tim mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë 5 vite më parë, në raport me përmbushjen e këtij detyrimi shumë të lartë kushtetues. Kam thënë kur jam betuar se do të mbroj interesin kombëtar dhe këtë e kam bërë në të gjitha rastet, edhe në kushtet e një presioni të jashtëzakonshëm për të cenuar interesin kombëtar, ose për të mbyllur sytë përpara cenimeve të tilla, duke u bërë bashkëfajtor në heshtje. Kam mbrojtur vetëm interesin publik dhe kombëtar. Kjo është shumë evidente dhe ajo që është me e rëndësishme, në të gjitha debatet që janë hapur midis Institucionit të Presidentit dhe Parlamentit, apo qeverisë, si në Komisionin e Venecias dhe në Gjykatën Kushtetuese, që nuk është ndonjë sekret për asnjë, që është nën ndikimin e maxhorancës aktuale, të gjitha këto beteja janë fituar nga Presidenca, që ka shkëlqyer në drejtim të kushtetutshmërisë dhe të respektimit të saj me përkushtim maksimal. Nuk ka qenë e thjeshtë, përkundrazi.

Nga ju buronte ai besim, ose ajo vetësiguri absolute, si Komisioni i Venecias, Gjykata Kushtetuese dhe sulmet të jashtëzakonshme edhe nga ish-miq tuaj të ngushtë, si Spartak Braho apo Klodiana Bushka, apo dhe miku Nasip Naço, i cili dilte dhe fliste nëpër media?

Unë në çdo rast kam qenë shumë i bindur se vendimet e mia kanë qenë shumë të drejta dhe transparente dhe se kanë qenë vetëm në interes të popullit shqiptar. Unë kam qenë absolutisht i sigurt, se çfarëdo që do të ndodhte, për shembull në rastin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk duhet ta kishte marrë fare çështjen në shqyrtim, ose duhet të kishte dhënë një përgjigje që në korrik me legjislaturën e vjetër, ajo është një çështje që do të fitohej në Gjykatën Europiane për 1 sekondë. Por, kjo pa dyshim që do të sillte largimin automatik të të gjithë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që do të votonin në mënyrë të verbër për një urdhër politik të maxhorancës.

Na thoni dy fjalë për Reformën në Drejtësi, se ju e keni firmosur pa hezituar.

Të gjithë tashmë e dinë që Reforma u kthye në Ramaformë dhe këtë gjë unë e kam thënë prej kohësh. Drejtësia mori formën e zotit Rama, siç edhe ka marrë formën e tij çdo institucion tjetër në këtë vend. Nuk është ajo drejtësia e pavarur që pritej, se po të ishte Shqipëria nuk do të shkonte pikiatë në renditjen e “Transparency International”, Reporterëve pa Kufij dhe Listës së Investimeve. Sepse në të kundërtën, 1 kilometër rrugë nuk do shkonte 6 herë më shtrenjtë sesa në Serbi dhe për këtë nuk ka asnjë arsye. Kjo do të thotë 6 herë më shumë korrupsion dhe fiktivitet në projektet që bëhen dhe normalisht i bie 6 herë më pak rrugë që mund të ishin bërë gjatë kësaj periudhe. Një pyetje për të gjithë, si u realizuan ato 140 vota? Meqenëse dhe po afrohet data 22 korrik, 6 vjet më parë? Ato u realizuan falë insistimit, vendosmërisë së Kryetarit të Kuvendit në atë kohë, Ilir Meta, dhe ky është fakt. Atë kohë pati përpjekje për të bërë një lojë, për të bërë një kauzë, për ta ndarë që atëherë Partinë Demokratike në dy pjesë. Por, ishte Ilir Meta që vendosi digën dhe tha që kjo gjë do bëhet me konsensus, siç edhe kemi rënë dakord! Kush po i bënte këto lojëra? Dihet edhe kush nuk erdhi dhe Reforma u realizua dhe u bë shumë mirë në atë mënyrë sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias, për të cilat kishim rënë dakord. Zbatimi i saj më pas dihet, që u bë tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën, siç edhe u zgjodh Prokurori i Përgjithshëm me 69 vota. Historitë që pasuan më pas dihen tashmë nga të gjithë. Siç është janë vonesat për Gjykatën Kushtetuese, betimet te noteri, te Lana. Por Ilir Meta gjithmonë u përpoq t’i parandalonte që Shqipëria asnjë ditë të mos ngelte pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë. Dhe të mos arrinim në këtë situatë, ku shpikim gjoja zgjidhje shkurtimin e gjykatave në të gjithë vendin. Kjo do të thotë që u bë gati i pamundur aksesi për qytetarët shqiptarë edhe për çështjet më të thjeshta, që ata do të duhen t’i drejtohen Gjykatës për të kërkuar drejtësi, sepse kishte një interes për ta kapur drejtësinë.

Ju keni një mendim për hartën e re gjyqësore, sepse ka shumë diskutime, madje avokatët janë bërë barrikadë dhe po kërkojnë edhe ndihmën e popullit…

I kemi paralajmëruar të gjitha pasojat e mosveprimit në kohë për zbatimin e Reformës në Drejtësi. Kemi bërë të gjitha përpjekjet që Shqipëria të mos mbetet pa Gjykatë Kushtetuese, kemi bërë të gjitha përpjekjet që Shqipëria të mos mbetet pa Gjykatë të Lartë dhe e kemi paralajmëruar këtë kolaps në gjithë sistemin e drejtësisë. Nuk ka pasur vullnet që këto çështje të rishikohen, të bëhet një reflektim gjithëpërfshirës, për të parë se çfarë ka shkuar keq dhe se si do t’i parandalojmë problemet në rritje, që ndeshin qytetarët lidhur me sistemin e drejtësisë. Sepse ka pasur vetëm interes të kapen politikisht sa më shumë institucione të drejtësisë dhe për sa i takon aksesit të qytetarëve dhe drejtësisë që ata marrin, pra, ky ka qenë interesi më i fundit.

Fati i Marrëveshjes së Detit, edhe pse u detyrua nga ju, jashtë çdo logjike, që Edi Ramën të ishte ministër i Jashtëm, ai përsëri nuk e zgjidhi vetë, se në atë kohë mbante dy poste. Sot jemi në këtë fazë pa zgjidhje. Çfarë do ndodhë më pas?

Është një çështje e ezauruar shumë qartë nga Institucioni i Presidencës. Presidenti ka qenë shumë i hapur dhe bashkëpunues për një zgjidhje në respekt të Kushtetutës sonë dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për këtë qëllim kemi dhënë edhe autorizimin për negociatat. Më pas janë zhvilluar disa raunde negociatash dhe është kërkuar nga pala greke që të ketë një qasje politike, e cila nuk mund të bëhej nga negociatorët, sepse ata janë të mandatuar pikërisht për të zbatuar ligjin vendas dhe atë ndërkombëtar, si dhe për të negociuar në raport me ligjin. Në këtë situatë unë i kam thënë zotit Rama, i cili ka qenë dhe ministër i Jashtëm, që nëse dëshiron ta zgjidhësh në këtë mënyrë, hajde kërko autorizimin dhe ta marrësh përsipër, sepse negociatorët nuk mund të bëjnë veprime të paligjshme. Së dyti, ata nuk kanë ndonjë vullnet politik, përveç detyrës për të zbatuar ligjin dhe për t’iu referuar së Drejtës Ndërkombëtare dhe të drejtës sonë. Sepse në fund, ti je udhëheqësi i maxhorancës, ajo që do të negociohet, do të shkojë në Parlament që të votohet. Por nesër mund të shkojë përsëri edhe në Gjykatë Kushtetuese nëse dikush ankohet. Dhe pa dyshim duhet ta marrë përsipër qeveria që ta mbrojë këtë gjë. Ai asnjëherë nuk kërkoi një autorizim, kur është e qartë që ka bërë veprime, ato që marrim vesh më shumë nga pala greke, nga intervistat që jepen, të paautorizuara, të cilat ngrenë dyshime serioze mbi integritetin dhe qëllimet e kësaj sjelljeje në raport me interesat e Shqipërisë. Unë kam qenë dhe jam për një zgjidhje të ndershme, për një zgjidhje të drejtë, larg lojërave të dyfishta. Por kjo nuk mund të ndodhë kurrë jashtë transparencës dhe duke shkelur Kushtetutën e Shqipërisë.

Mua më kujtohet ai Ilir Meta që e përqafonin të gjithë në Berat, Skrapar, Përmet apo në Sarandë dhe i mbushnin xhepat me letra me hallet e tyre. Do ta shikojmë këtë Ilir Meta përsëri?

Unë do të jem në një udhëtim. Unë do të jem në një udhëtim të ri nga data 25 korrik. Do të jetë një udhëtim i gjatë dhe do të kemi kohë t’i takojmë të gjithë, të bashkëpunojmë me të gjithë ata të cilët duan një Shqipëri më të mirë, jo vetëm për veten e tyre, por në veçanti për fëmijët e tyre dhe kjo është një përgjegjësi e të gjithë ne. Pasi vendi ka bërë hapa seriozë pas në të gjitha aspektet. Tani po vjen një moment i ri, një ngritje e fuqishme dhe e pandalshme.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.