OPINION

Trau ekonomik Shqipëri-Kosovë

08:44 - 23.06.22 FATOS ÇOÇOLI
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në vizitën e fundit në Kosovë tre ditë më parë, kryeministri deklaroi se do të heqë tarifat doganore me Kosovën. Kjo i kapi të papërgatitur si qeverinë dhe bizneset në Kosovë. Edhe pse gjithë ditën dhe në këto 22 vite liri të Kosovës, gjithshkush këndej dhe andej kufirit flet për tregti të lirë, deri tani asnjë palë nuk ka ndërmarrë një hap konkret të fortë për të lehtësuar prej vërteti tregtinë dhe të gjitha shkëmbimet ekonomike. Për të hequr nga historia e të dyja vendeve tona atë tra të rëndë ekonomik që qëndron në mes dhe shkurajon çdo nismë eksporti nga Shqipëria dhe Kosova. Po përse? Kemi më shumë se dy dekada që si Shqipëria dhe Kosova i kanë vendosur njëra tjetrës tarifa doganore për ushqimet, perimet, frutat, etj., si dhe tarifa administrative si plumbosje, peshim, parkim në dogana, etj. Ne fakt, me nivelet e larta te tyre, ia kane veshtiresuar jeten biznesit kosovar dhe atij te Shqiperise. Edhe për një kamionçinë të ngarkuar me fruta e perime në vlerën 1 mijë euro, tregtari apo sipërmarrësi i Shqipërisë apo Kosovës duhet të paguajë 250 euro taksa e pagesa të tjera të detyrueshme. Vetë praktika e derisotme e regjimeve doganore të të dyja vendeve tona, i detyron pronarët e kamionçinave të bëhen kontrabandistë me zor, nëse duan të bëjnë tregti! Lëvizja e qeverisë së Shqipërisë me heqjen e tarifave doganore është një veprim për të mos dëmtuar Kosovën në liberalizimin e tregtisë që po ndodh në kuadër të marrëveshjeve të Ballkanit të Hapur. Kosova mund të zgjedhë të mos veprojë në të njëjtën mënyrë dhe të favorizojë kompanitë e saj në tregun e Shqipërisë. Sigurisht që është e lirë ta bëjë. Por me këtë veprim do të vërtetonte se deri tani, rregjimin doganor mes të dyja vendeve tona e kanë vendosur interesat ekonomike të kompanive të mëdha, dhe jo deklaratat butaforike të qeverive tona në mbledhjet e përbashkëta. Hapi i kryeministrit është një hap pozitiv, por duhet kuptuar në llogjikën e liberalizimit të mëtejshëm të marrëdhënieve tona ekonomike, i cili është domosdoshmëri. Vendimi nxjerr zbuluar realitetin e trishte se sa e vonuar dhe pa vizion ka qenë politika e bashkëpunimit ekonomik Shqipëri-Kosovë, e mbushur me trarë pengues dhe jo hapësira të lira ndërveprimi. Ai ndihmon ekonominë dhe tregun e Kosovës të depërtojnë në Shqipëri, pra është një lajm i mirë për Kosovën. Nëse Kosova nuk e bën të njëjtën gjë për Shqipërinë, por vijon “traun” e saj ekonomik, ajo praktikisht është duke mbrojtur kompanitë e saj të mëdha nga konkurrenca e Shqipërisë. Sipas një studimi të ndërmarrë nga Qendra e Eksporteve e Shqipërisë, tarifat doganore dhe pengesat burokratike në pikat e kalimit kufitar janë arsyet e mosrritjes në nivelin e pritshëm të tregtisë mes dy vendeve. Qendra gjeti se për të eksportuar mallra nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas, praktika kushton minimalisht 250 euro. Këtu përfshihen deklaratat doganore, çertifikatat e produktit, analizat e mallit, kosto e skanerit për Shqipërinë, kosto e parkingut doganor në Kosovë, por edhe në Shqipëri, si dhe taksa e Rrugës së Kombit. Po kjo qendër propozon edhe zgjidhjen e këtij ngërçi, një program kompjuterik që duhet të zbatohet nga të dyja administratat doganore, i cili kushton vetëm 50 mijë euro. Ai regjistron momentin kur biznesi në Shqipëri, për shembull biznesi i vogël i fruta-perimeve, ngarkon kamionin ose kamionçinën e vet për të eksportuar drejt Kosovës. Ai automatikisht pret faturën ku shënon NIPT-in e sipërmarrjes Kosovë që pret mallin. Programi realizon transmetimin online të faturës së regjistruar në Kosovë. Dhe kësisoj e dërgon informacionin drejtpërsëdrejti në Drejtorinë e Tatimeve të Kosovës. Dogana ka nevojë për një lexues vetëm për bizneset, që të lexojë bar-kodin e faturës për llogari të sipërmarrjes pritëse të mallit në Kosovë, si dhe anasjelltas në Shqipëri. Kështu biznesi nga të dyja anët e kufirit nuk detyrohet më të paguajë 35 euro për deklaratën doganore, 10 euro për parking doganor në Shqipëri, 40 euro për parkim doganor në Kosovë, si dhe shumë taksa e kosto të tjera! Dhe mbi të gjitha, nuk humbet kohë, orë të tëra pritjeje sa të marrë dokumentet e kërkuara. Kjo është mirëfilli qasja “bashkë pa kufi”. Kaq e thjeshtë është. Kësisoj heqim trarët ekonomikë nga të dyja anët e kufirit, jo vetëm nga Shqipëria.  





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.