AKTUALITET

Vrasja e Martin Çeços/ Vajza që u bë shkak për sherrin akuzon policët për kërcënime dhe shantazh

11:15 - 23.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Vajza 18-vjeçare, e cila dyshohet se u bë shkak për vrasjen e Martin Çeços në Korçë, jep një version tjetër mbi historinë e ngjarjes.




Ajo pretendon se nuk e njihte fare viktimën dhe se nuk ka pasur komunikim me të, megjithëse nuk e mohon faktin që ai i kishte shkruar në “Facebook”.

Ajo deklaron se vrasjen e kishte marrë vesh nga forcat e rendit që e dërguan atë në komisariat.

“I kam mbushur 18 vjeç, jo nuk jam në shkollë, mbledh lule. Vrasjen e Martinit e mora vesh se erdhi na mori Policia. Nuk dija gjë fare na thanë, duam një sqarim. Unë nuk e njihja, nuk kisha biseduar fare me të. Fare nuk e njihja fare. Më kishte çuar ftesë në FB e unë s’e pranova, se nuk e njihja. Mesazh kishte çuar një herë, por unë nuk ia ktheva. Si fytyrë, jo nuk e kam parë, vetëm në telefon kur ma treguan ata të Policisë”, thotë ajo për emisionin me “Zemër të Hapur” në “News 24”.

Vajza ka dhënë edhe një dëshmi, duke deklaruar se Martin Çeço nuk kishte asnjë lloj lidhjeje me Valter Mollajn dhe se ata i ngatërruar qëllimisht në Polici, për shkak se ka pasur frikë se do ta fusnin në burg.

“As që kanë pasur lidhje fare ata. Thjesht u thashë unë atyre ngaqë kisha frikë se po më kërcënonin ata policët, po më thoshin do të të fusim në burg. Pastaj i ngatërrova unë nga frika se ata nuk kishin lidhje fare me atë”, tha vajza, duke shtuar se dy të akuzuarit nuk ishin prezent në momentin e dëshmisë së saj, duke theksuar se ato “erdhën më vonë”. “Nuk e di, mua nuk më bashkuan fare me ata. Në atë kohë që erdhën, ata mua më çuan”, shtoi ajo.

DËSHMIA PËR 43-VJEÇARIN

Ndërkohë, adoleshentja pranon njohjen me 43-vjeçarin Valter Mollaj, i cili dyshohet si autori i mbytjes me litar dhe i hedhjes në rezervuar të 27 vjeçarit Çeço. Vajza pranon se ka pasur njohje dhe vajtjeardhje me babanë e tre fëmijëve, ndërsa shton se ishin ndarë prej një viti.

“Valter Mollaj ishte këtu. Na ndihmonte ne sepse ngaqë e kemi babanë e sëmurë dhe unë vija e ndihmoja për bagëtitë. Edhe ata na ndihmonin për drutë dhe për çdo gjë”, u shpreh ajo.

Vajza pranon se kishte një vit që nuk fliste me 43-vjeçarin Mollaj, pasi nuk i “kishte shkuar në mëngjes”.

“Blenti Angjo ishte çoban i Valit. Nuk e njoh se kishte një muaj që kishte ardhur ai, nuk kisha muhabet me Valin. U grindëm. Kishim afro një vit që ishim grindur. U zumë pasi unë nuk i vajta një ditë, se nuk u ngrita dot nga gjumi në mëngjes dhe ai më thoshte ‘më ke gënjyer, më ke thënë kështu’. U zumë dhe nuk folëm më”, thotë vajza.

Në dëshminë e saj, adoleshentja mohon që të ketë pasur lidhje intime me 43-vjeçarin.

“Jo fare. Nuk është e vërtetë. Unë kisha frikë prandaj e thashë”, thotë ajo gjatë intervistës.

“Kunati im u fut në kurth, nuk e njihte fare 27-vjeçarin e vrarë”

Motra e të arrestuarit të tretë për vrasjen e 27-vjeçarit Martin Çeço, thotë se vëllai i saj është i pafajshëm dhe se nuk ka lidhje me vrasjen.

“Është e pabesueshme kjo ngjarje. Vëllai im ishte çoban atje, e merrja çdo ditë në telefon. Dëgjoheshin dhe këmborët e bagëtive. Telefonata e fundit ishte atë ditë që e kishin arrestuar. Nuk besoj se kanë pasur lidhje dashurore. E mohoj kategorikisht, nuk është e besueshme”, thotë Valbona, motra e Blenti Angjos. Ndërkohë, kunati tij deklaron se Blenti Angjo nuk kishte fare njohje as me vajzën dhe as me viktimën. Madje, ai i shprehu ndjesë familjes së Martin Çeços dhe se u vinte keq për ngjarjen e ndodhur.

“E kanë ngritur nga gjumi dhe e kanë marrë me makinë dhe kanë shkuar në Kolanec. Bledi nuk ka makinë, makina ishte e Valter Mollajt. Këtë e ka deklaruar edhe në Prokurori. Ne nuk dimë gjë fare se si ka ndodhur vrasje atje dhe vrasjen e ka bërë ai që ka pasur lidhje. Di që ata e kanë marrë me makinë dhe kanë shkuar në fshatin e viktimës. Kunati im njihej vetëm me Valterin dhe me kushëririn e Valterit. Martin Çeçon nuk e njihte dhe as ne nuk e njihnim. Neve na vjen keq për vrasjen dhe i shprehim ngushëllimet familjes. Kunati im nuk di as të shkruajë dhe as të lexojë. Ai mund të jetë përdorur si karrem”, tha ai.

Motra e 27-vjeçarit: Vajza po fsheh të vërtetën e krimit

Ndërkohë, motra e 27- vjeçarit të ndjerë, Klarita, mohon gjithçka tha 18- vjeçarja gjatë intervistës, duke theksuar se ajo është shkaku i krimit, pavarësisht se e mohon atë. Gruaja deklaron se Martin Çeço ishte një njeri i urtë dhe nuk krijonte konflikte me askënd, ndërsa e konsideron të papranueshëm faktin që t’i merrej jeta për një gjë kaq banale.

“Vajza ka gënjyer. Janë gënjeshtra të gjitha ato që thotë. Ajo është një mashtruese e madhe. Nuk është i vërtetë edhe fakti që ajo thotë se nuk punonte në një byrektore. Vëllain ajo e mori në qafë. Unë nuk e di kush është i dashuri i vajzës, por ajo ka qenë shkaku që vëllai iku. Pse nuk na thërret Policia që të na ballafaqojë me vajzën. Do t’ia nxjerr sytë me duart e mia. Nuk e di se si është njohur me vëllain. Nuk ka pse e bënte me vëllanë tim një gjë të tillë. Ai ka qenë djalë shumë i urtë. Nuk kishin pse e vrisnin. Nuk ishte kriminel ai që ta bënin aq tragjike”.

Krimi i rëndë dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 23:00 të mbrëmjes së 12 qershorit. Në orët e vona të asaj mbrëmjeje, 27-vjeçari ka marrë një telefonatë kërcënuese. Dyshohet se ka qenë vajza që ai pëlqente që i ka dërguar një mesazh dhe më pas, djali është zhdukur pa gjurmë, derisa u gjet katër ditë më vonë në rezervuarin e fshatit Kolanec.

I riu rezulton të jetë mbytur me litar dhe më pas është hedhur në rezervuar. Për ngjarjen u arrestuan kushërinjtë Valter dhe Edlir Mollaj dhe çobani Bleti Angjo.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.