AKTUALITET

Reforma në drejtësi/ Nikolla: Rrëzuam mitet e sistemit të kalbur, sot askush nuk mund t’i shpëtojë ndëshkimit nga ligji!

09:42 - 24.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, mbajti sot një fjalë përshëndetëse në Konferencën Ndërkombëtare të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë “Interesi i publikut në administrimin e drejtësisë dhe pavarësia e magjistratëve”, e cila po zhvillohet në Pallatin e Brigadave.




Në Konferencë marrin pjesë drejtues dhe përfaqësues të Inspektorateve të Drejtësisë të vendeve të disa vendeve të BE-së: Belgjikës, Bullgarisë, Francës, Greqisë, Italisë, Portugalisë, Rumanisë dhe Spanjës.

Janë gjithashtu të pranishëm Zëvendësambasadori i  SHBA, Demian Smith,  i ngarkuari me punë i Delegacionit të BE-së, Alexis Hupin, dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare  në Tiranë.

Temat kryesore të Konferencës janë pavarësia së magjistratëve dhe respektimin e interesit të publikut për punën e drejtësisë.

Pasi falënderoi organizatorët për zhvillimin e kësaj Konference, Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, nënvizoi se “Interesi i publikut dhe pavarësia e magjistratëve janë dy çështje thelbësore të reformës në drejtësi dhe vetë sistemit të drejtësisë.

Kryetarja e Kuvendit përmendi disa dukuri, të cilat i vlerësoi si “mite të sistemit dhe për sistemin e kalbur të drejtësisë, si mbretërimi i pandëshkueshmërisë, si një antikulturë e sistemit të drejtësisë dhe sistemit politik; perceptimi se sistemi i drejtësisë është një fortesë ku nuk hyn dot zëri i publikut dhe qytetarëve dhe perceptimi tjetër se sistemi nuk mund të vetëreformohet.

Gjithashtu, Nikolla nënvizoi se Kuvendi dhe ajo personalisht, kanë mbështetur dhe do të vazhdojnë të mbështesim pavarësinë e sistemit dhe fuqizimin e organeve të drejtësisë, në mënyrë të veçantë Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, me burimet e nevojshme financiare, njerëzore e logjistike.

FJALA E PLOTE E NIKOLLES:

Ju falenderoj për organizimin dhe pjesëmarrjen në këtë Konferencë të rëndësishme ndërkombëtare, kushtuar administrimit të sistemit të drejtësisë. Interesi i publikut dhe pavarësia e magjistratëve janë dy çështje thelbësore të reformës në drejtësi dhe vetë sistemit. Interesi i publikut për qeverisjen e sistemit të drejtësisë është i lidhur ngushtë me perceptimin e qytetarëve për vetë sistemin. Pse e nisëm ne reformën në drejtësi? Për shumë arsye. Por themelorja ishte se sistemi i drejtësisë nuk i shërbente interesit publik dhe qytetarëve, por një klase të korruptuar. Prandaj, duke qenë se po godiste një sistem të korruptuar politikisht dhe financiarisht, reforma pati që në fillim mbështetjen masive të qytetarëve shqiptarë. Po ashtu edhe të partnerëve ndërkombëtarë, të cilët gjej rastin t’i falenderoj për kontributin në reformën e drejtësisë dhe ndërtimin e sistemit të ri të drejtësisë në Shqipëri. Sistemi ishte aq i kalbur saqë, megjithë presionin e publikut dhe të shumicës qeverisëse që e kishte vendosur reformimin e sistemit si prioritet strategjik të saj, nuk kishte asnjë shenjë e shpresë se sistemi mund të reformonte vetveten. Prandaj ne vendosëm të ndërmarrim hapin e guximshëm për reformën në drejtësi, si e vetmja rrugë e pastrimit të sistemit dhe garantimit të dhënies së drejtësisë për qytetarët. Sot, gjashtë vjet më vonë, kemi, padyshim, një realitet tjetër. Tipari më i rëndësishëm i këtij realiteti është rrëzimi i disa miteve të sistemit dhe për sistemin e drejtësisë dhe progresi drejt një sistemi drejtësie, si një pushtet i pavarur në sistemin demokratik. Njeri prej miteve ishte mbretërimi i pandëshkueshmërisë, e cila dukej se ishte shndërruar në një antikulturë të sistemit të drejtësisë, madje të vetë sistemit politik. Sot askush nuk është mbi të drejtën dhe drejtësinë dhe askush nuk mund t’i shpëtojë ndëshkimit, nëse e meriton. Kjo është aq e vërtetë, saqë po ndodh në sytë e të gjithë shqiptarëve. Një mit tjetër ishte perceptimi se sistemi i drejtësisë është një fortesë ku nuk hyn dot zëri i publikut dhe qytetarëve. Sistemit po i zihej fryma nga monopoli i një kaste drejtuesish, gjyqtarësh dhe prokurorësh të korruptuar, me mbështetjen e një kaste politikanësh gjithashtu të korruptuar. Politika dhe drejtësia po sundonin bashkarisht në forma gati-gati despotike. Sot, pavarësia reale e gjyqtarëve dhe prokurorëve, po konsolidohet paralel me “varësinë” e tyre prej Republikës, Kushtetutës, ligjeve dhe interesit publik. Sistemi i drejtësisë kishte arritur në atë pikë sa nuk e fshihte varësinë e vet, në të dy aspektet, politike dhe financiare. Sot, fijet që e lidhnin sistemin me format korruptive të mësipërme, janë këputur e po këputen dita-ditës. Pushteti gjyqësor po ndërtohet, fuqizohet dhe afirmohet si një pushtet i pavarur. Miti tjetër, se sistemi nuk mund të vetëreformohet, gjithashtu po rrëzohet. Dhe në këtë aspekt ka meritën e vet edhe Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, njeri prej organeve të reja dhe më të rëndësishme të qeverisjes së sistemit. Brenda një kohe të shkurtër, ILD po justifikon pritshmëritë publike, politike dhe kombëtare për një sistem drejtësie të pastër, që jep drejtësi dhe nuk shet e as blen drejtësi. Gjithashtu, ILD është pranuar si anëtar-vëzhgues i Rrjetit të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë, i cili përbëhet nga institucionet homologe të Bashkimit Evropian. Kuvendi dhe unë personalisht, kemi mbështetur dhe do të vazhdojmë të mbështesim pavarësinë e sistemit dhe fuqizimin e organeve të drejtësisë, në mënyrë të veçantë Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, me burimet e nevojshme financiare, njerëzore e logjistike. Këtu kam parasysh miratimin e propozimeve të ndryshimeve ligjore të paketës së Reformës në Drejtësi; miratimin e ndryshimeve strukturore dhe organizative të ILD, sa herë që është e nevojshme; miratimin e buxhetit të nevojshëm për përmushjen e detyrave funksionale të ILD-së; ushtrimin e kontrollit parlamentar të veprimtarisë së Inspektoratit, si institucion i pavarur etj. Vetë organizimi i kësaj Konference Ndërkombëtare tregon se Inspektorati i Lartë i Drejtësisë po rritet si një institucion i pavarur, si një organ qeverisës i sistemit të drejtësisë dhe interpret i interesit publik e qytetar. Është edhe kontributi i ILD-së që sistemi dhe organet e drejtësisë po shndërrohen nga pengues, në nxitës dhe lehtësues të zhvillimit të Shqipërisë. Ju faleminderit dhe punë të mbarë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.