KULTURË

Njëqind vjet marrëdhënie shqiptaro-çeko (sllovake), shënjimet e një shekulli

10:00 - 25.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Afrim Krasniqi  – Një shekull marrëdhënieve midis shteteve janë rast i mirë për të hulumtuar mbi ecurinë e tyre, historitë e suksesit dhe problematikat, natyra e marrëdhënieve dhe sfidat për të ardhmen. Libri i Ardian Briskut, nuk është një libër i skicuar në ngjarjet kulmore 100 vjeçare midis dy vendeve, por një libër i bazuar në punimet e një konference shkencore dhe prurjeve që kanë ardhur.
Shqipëria dhe Republika e Çekisë, siç theksohet me të drejtë në konkluzionet e hyrjes në libër, nuk kanë pasur konflikte dhe as pika të errëta që mund të krijojnë paralelizëm në interpretim dhe as ngjarje të vështira për tu studiuar. Janë shtete që janë takuar gjatë historisë kryesisht në mënyrë indirekte, duke nisur nga Lufta e Parë Botërore, që kanë shënuar referime kulmore në ngjarje me natyrë ideologjike, si ato të vitit 1968, dhe gjatë tri dekadave të fundit janë shtete me qasje dhe orientim të njëjtë euroatlantik.
Botimi i edituar nga kolegu Ardian Brisku e ka dhënë mesazhin e vet kryesor që në titull, ndërkohë që në brendësinë e tij vlen me tre kategori analize dhe vlerësimi:
Me produkte kërkimore dhe profesionale të realizuara nga historianë shqiptare dhe studiues të njohur çek. Këndvështrimi i sjellë për vitin 1968 dhe raportet ekonomike shekullore dominojnë këtë kategori studimore. Në tërësi ato janë ndihmë për ta kuptuar më mirë historinë dhe raportet ndërshtetërore jo si raporte statike midis dy vendeve, por si raporte të ndikuar nga mjedisi gjeopolitik, kriteri ideologjik dhe interesa pragmatiste ekonomike.
Me shkrime të bazuara në arkivin dokumentar dhe të botimeve, që plotësojnë hartën ende të panjohur të raporteve të hershme midis dy vendeve. Sjellja e historive të Luftës I Botërore, kujtimeve apo botimeve të hershme mbi Shqipërinë janë karakteristikë e kësaj kategorie. Duke admiruar kujtimet dhe botimet e pjesës më të madhe të ushtarakëve kupton se praktika të tilla nuk janë aplikuar nga misionet tona ushtarake në botë, përfshirë ato në Irak, Afganistan, etj.
Kategoria e tretë lidhet me ndjesi personale dhe vlerësime protokollare të marrëdhënieve, të cilat marrin vlerë në kontekstin e historisë gojore, diçka jo e zakonshme për libra studimorë historikë, por e pranueshme për botime që ndërthurin metodologjinë dhe i drejtohen një auditori aktual më të gjerë sesa si vetëm shkencor.




 


Disa prej dëshmive, sidomos ato më të hershme janë të panjohura për mjedisin shqiptar dhe me gjithë pretendimet modeste, pasurojnë arkivin historik që lidhet me raportet e Shqipërisë me Çekosllovakinë.
Disa prej tyre kanë vlerë të veçantë antropologjike dhe kulturore. Analiza e kontekstit kulturor, sjelljes, organizimit lokal të kohës, kritikat dhe lëvdatat, mitet dhe keqkuptimet, – secila ka vlerën e vet për ta plotësuar mozaikun e takimit të parë të shqiptarit me qytetarinë dhe shoqërinë ceke. Pjesa e studimeve profesionale albanologjike, historike apo gjuhësore, natyrisht merr vlerë më të madhe dhe përbëjnë një kontribut që meriton shumë më tepër vëmendje dhe vlerësim.
Një nga sfidat kryesore të botimeve të tilla është të ketë një qasje metodologjike dhe shkencore që i mban trajtesat të baraslarguara nga ndikimet dhe interesat politike aktuale. Ky libër, në përgjithësi ia ka dalë kësaj sfide. Për këtë duhen përgëzuar autorët dhe të gjithë kontribuuesit.
Ndërkohë, me lejoni të shpreh edhe dy sugjerime që vlejnë edhe përtej librit, por në raportin tonë me historinë dhe dokumentimin e saj.
Së pari, libri na ndihmon t’i lexojmë marrëdhëniet në një retrospektivë të gjatë, ndërkohë që hulumtimi i të dhënave në dosjet reciproke në MPJ të Çekisë dhe të Shqipërisë pas viteve 90 nxjerr në pah një kontrast të kulturës dokumentare: nëse pala çeke ka të publikuar dhe të listuar të gjitha të dhënat mbi marrëveshjet ndërshtetërore në vite, si dhe të listuar vizitat e zyrtarëve të lartë ndër vite, institucionet shqiptare historinë e nisin me mazhorancën e radhës, pra i mungojnë si praktikë pune dhe transparence profesionale.
Së dyti, me hapjen e arkivave ka elementë me rëndësi që mendoj se duhen marrë në në konsideratë në rast rishkrimi të kësaj tematike në të ardhmen, për shkak të volumit të madh dokumentar që ekzistojnë në arkivat shqiptare lidhur me Çekosllovakinë e djeshme dhe Çekinë e sotme.
Së treti, dua të sjell në vëmendje faktin se në memorien historike midis dy vendeve të zinte vend edhe një ngjarje me rëndësi historike: Në korrik 1990 Çekosllovakia ishte një prej vendeve më të përfshira në krizën e ambasadave. Presidenti Vaslav Havel ishte kreu i vetëm i shtetit në Evropë që dha deklaratë publike në mbështetje të 51 emigrantëve që zgjodhën të largohen përmes kësaj ambasade. Ai deklaroi se Shqipëria ishte një shtet totalitar dhe se është i sigurt se liria dhe demokracia do të triumfojë edhe në Shqipëri. Ai dërgoi një prej avionëve zyrtar në Rinas. Ministri i jashtëm çek Jiri Dienstbier kreu një akt simbolik me vlera të mëdha, duke pritur në avion dhe shoqëruar në autobus emigrantët, si dhe duke i deklaruar medias botërore se ata nuk janë huliganë por të përndjekur dhe disidentë politikë. Qëndrimet e Havel dhe Dienstbier u konsideruan armiqësore nga regjimi i atëhershëm në Tiranë, ambasada u mbyll por akti i tyre ka mbetur i pacenuar nga rëndësia.
Po ashtu ish presidenti Vaslav Havel ka qenë një mbështetës i njohur i Kosovës, vizita e tij atje dhe sidomos deklarimet e tij lidhur me legjitimitetin e ndërhyrjes së NATO në Kosovë, janë tregues të një niveli të lartë angazhimi dhe gjurmë më rëndësi në raport me marrëdhëniet me shqiptarët. Gjithashtu Republika e Çekisë ka qenë mbështetëse e pranimit të Shqipërisë në NATO dhe vendi që pranoi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE.
Gjatë viteve të fundit kam pasur rastin të jem co-editor me një studiuese tjerr ceke, profesore Stojanova në një libër mbi shtetin e shoqërinë shqiptare në vitet 1945-1990, një tregues i interesit dhe investimit kulturor dhe dokumentar të këtij vendi për studime dhe çështje që do të duhej të ishin prioritet për vetë institucionet tona.
Botimi i këtij libri në dy gjuhët, shqip dhe çekisht përbën një vlerë tjetër sepse mbetet burim referimi për studime më të avancuara për të ardhmen.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.