DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Lideri i PS e Ilir Meta diskutuan dje kokë më kokë për paktin. Moisiu pagëzon Qeverinë Nano 5

07:00 - 26.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

26 Qershor 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare”




 Më 1 gusht

Lideri i PS e Ilir Meta diskutuan dje kokë më kokë për paktin

Moisiu pagëzon Qeverinë Nano 5

Dekreti i parë i Moisiut. Kreu i PS dhe ish-kryeministri diskutuan dje kokë më kokë detajet për rrëzimin e Majkos

1 Gusht nis punë qeveria “Nano 5”

Meta gati të marrë postin e zëvendëskryeministrit

Tiranë

Alfred Moisiu punën e parë si president duket se do të bëjë dekretimin e qeverisë së “Nano 5”. Ky është pakti mes Nanos dhe Metës dhe që po diskutohet prej dy ditësh nga ana e tyre për mënyrën e zbatimit. Data 1 gusht mund të sjellë të tjerë njerëz në krye të ekzekutivit, këtë herë jo më si pasojë e krizës brenda maxhorancës, por si pasojë e marrëveshjeve mes atyre që dikur quheshin armiq.

Qeveria e re ka shumë gjasa që të rikthejë në skenën politike dyshet drejtuese. Tani pritet që të jetë dyshja Nano-Meta, kryetari i PS-së si kryeministër dhe Ilir Meta si zëvendëskryeministër dhe ministër i Rendit. Qëllimi thuhet se është krijimi i një qeverie të fortë për të çuar deri në fund mandatin qeverisës, që mori PS-ja në zgjedhjet e 24 qershorit.

 

Kryetarit të PS-së në mbledhjen e fundit të KPD-së iu dha e drejta që të propozonte ndryshimin e rregullave për përmirësimin e qeverisjes apo edhe të institucioneve të partisë. Afati ishte brenda mandatit të presidentit aktual dhe që është data 24 korrik. Në këtë ditë Alfred Moisiu bën betimin dhe të gjitha gjasat flasin se në tavolinën e tij të punës do të hidhet dorëheqja e kryeministrit Majko apo e ministrave, si dhe emri i kryeministrit të ri të vendit apo ministrave. Askush në PS nuk e ka mohuar faktin se qeveria pritet që të ndryshojë, për më tepër është thënë se do të sillen edhe emra profesionistësh në qeverisje. Këtë e ka pranuar edhe vetë Nano, i cili ka lënë të kuptohet se kjo pritet të ndodhë më vonë. Shqetësimi kryesor i PS-së ishte kalimi i krizës së zgjedhjes së presidentit. Kjo ndodhi shumë shpejt dhe pa asnjë nga vonesat që parashikoheshin të ndodhnin dhe që mund të çonin deri në shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Në zgjedhjen e presidentit të ri, një ndikim shumë të madh pati ish-kryeministri Ilir Meta, i cili bëri një aleancë me Nanon, duke e mbështetur këtë të fundit gjatë bisedimeve të tij me Berishën dhe opozitën. Mbështetja dhe lidhja mes Nanos dhe Metës ishte aq e fortë, sa ish-kryeministri ishte i pari që bëri të heshtnin drejtuesit e PS-së, që ishin kundër veprimeve të Nanos. Ky pakt mes tyre pritet që të sakrifikojë Majkon, kryeministrin e krizave, por edhe shumë emra të tjerë në qeverisje, të cilët u zgjodhën për të ruajtur balancat e palëve. Këto balanca tashmë ndryshuan dhe Nano e Meta që dikur ishin në krah të ndryshëm, tani janë bashkë. Dy ditë më parë kryetari i PS-së dhe ish-kryeministri kanë qëndruar së bashku në ambientet e hotel “Rognerit” për shtatë orë dhe sigurisht jo për t’u mbrojtur nga vapa në ajrin e konicionuar atje, por për të planifikuar se çfarë duhet bërë tani e tutje.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.