DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Rikthimi. Ministri e thërret në zyrë: Vlorën ose Beratin. Koseni sërish komisar policie

07:00 - 28.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

28 Qershor 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare”




 Rikthimi

Ministri e thërret në zyrë: Vlorën ose Beratin

Koseni sërish komisar policie

Një orë takim me drejtuesit e Rendit. “Tani duhet të ketë vënë mend”

Rikthehet Koseni

Ministri i premton Vlorën e Beratin

Tiranë

Rikthehet koloneli më “i famshëm”, i policisë shqiptare në këto 10 vitet e fundit, Edmond Koseni. Koloneli “i hekurt” i Elbasanit, që përdori ligjin në mënyrën më të fortë për të goditur bandat dhe të fortët e një nga qyteteve më problematik të vendit gjatë viteve 1997-1998 ,pesë ditë më parë, ka marrë premtimin e ministrit të Rendit, Stefan Çipa dhe gjeneralit të uniformave blu, Bilbil Mema, për një rikthim në radhët e komisarëve të policisë.

Pritet që brenda pak ditëve ai të emërohet në njërin nga 2 komisariatet, ku ende kërkohet një “dorë e fortë”. Një nga postet e mundshme është karrigia e kreut të Komisariatit të Beratit, por krerët më të lartë të shtetit dhe policisë janë për emërimin e Kosenit si shef i Komisariatit të qytetit të Vlorës, ku problemet me skafistët vazhdojnë…

Rikthimi

Gjithçka ka nisur pas pushimit nga Prokuroria e akuzës së bërë ndaj Kosenit nga qytetari Naim Plaku më 23 dhjetor të vitit të kaluar. Ai pretendon se ndaj tij, ish kapua i bluve të Elbasanit, ka përdorur personalisht “torturë me pasoja të rënda”. Mësohet se pas takimeve që Koseni ka pasur me Çipën dhe Memën dosja e tij si oficer policie ka mbërritur në Drejtorinë e Kuadrit në Ministrinë e Rendit Publik. Gjithashtu burime brenda këtij dikasteri pohojnë se ka disa projekte për t’i gjetur vendin e ri në polici kolonelit aq shumë të përfolur. Paraditen e datës 23 prill të këtij viti, prokurori pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, Shkëlqim Ganaj, pas një argumentimi të gjatë dhe të bazuar veçanërisht në alibinë e kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, ka pushuar çështjen ndaj Kosenit. Sipas deklarimeve të kryetarit të Bashkisë së Elbasanit (në “intervalin kohor, rreth orës 21.00-21.20 minuta) në datë 21 dhjetor 2001, kur është rrahur Naim Pulaku, i pandehuri Edmond Koseni, ka qenë anëtar i jurisë se përzgjedhjes së Miss-it të Universitetit “A. Xhuvani”. Dhe ka qëndruar në krah të kryetarit”.

“Reagimet”

Ndërkohë seanca gjyqësore e çështjes tjetër që ka me drejtësinë (me prokurorë të Elbasanit dhe Pogradecit), Koseni, është shtyrë dje përsëri. Gjithsesi ajo nuk ndikon te fati i kolonelit “Vip”, për një rifillim të karrierës së tij policore edhe pse në një start më të ulët(dhe reputacion gjithashtu të ulët) nga ai që kishte deri ditën e lirimit nga detyra. Që nga dita që Edmond Koseni qëndroi më shumë se 1 orë në zyrën e Çipës dhe më pas atë të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Bilbil Mema, nëpër korridoret e Ministrisë së Rendit dhe lokalet aty pranë, tema kryesore e bisedave të kuadrove policorë ka qenë pikërisht “rikthimi i Kosenit”. Shumica e përshëndesin, por duke shpresuar gjithmonë se tashmë ai “ka vënë mend” dhe nuk do abuzojë më me ligjin, duke dhunuar qytetarët dhe këdo tjetër që i del përpara. Nuk dihen ende reagimet e shoqatave (vendase dhe të huaja) për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, që kanë investiguar dhe publikuar dhjetëra raste të dhunës së ushtruar nga vetë koloneli dhe policët e tij…

po ho

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.