Uncategorized

Godoja BE

10:00 - 28.06.22 FATOS ÇOÇOLI
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




“Duke pritur Godo-në” titullohet tragjikomedia kryevepër e dramaturgut Samuel Beckett. Janë dy personazhe në pritje të titullarit Godo që nuk vjen kurrë. Kryeministri i vendit tonë ka të drejtë. Bashkimi Evropian po i ngjan përherë e më shumë Godo-së, pasi Maqedonia e Veriut ka 17 vjet që po kërkon të hapen bisedimet për anëtarësim dhe ka ndërruar edhe emrin, vetëm të anëtarësohet, ndërsa Shqipëria ka tetë vjet që ka plotësuar kushtet e vëna. Qëndrimi i vendeve si Hollanda, Franca, Danimarka, etj., jo vetëm ndaj Shqipërisë, por edhe ndaj Maqedonisë së Veriut, më në fund, pas vitesh të gjata e të tensionuara  mosbesimi, mosdashje apo edhe mos-simpatie, tani më në fund ka ndryshuar. Por jo dëshira dhe papërgjegjshmëria fatale e një vendi të vetëm për të prishur gjithshka që ndërtohet me mund dhe me vite të tëra pune në rrugën e vështirë të anëtarësimit në BE, që ndërsa ka qenë dikur autostradë për vende si Bullgaria dhe Rumania, është kthyer në një shteg dhish për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Më parë, me Maqedoninë e Veriut, ishte Greqia, ajo që për një grindje për emrin e vendit fqinj, e mbajti peng Maqedoninë për 12 vjet rrjesht. Maqedonasit, me shumë durim, pranuan të ndryshonin emrin e vendit të tyre, për përfitimet nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Por edhe pse e bënë një sakrificë të tillë madhore, porta e mbyllur ju përplas sërisht në fytyrë. Tashmë ishte rradha e Bullgarisë të bllokonte procesin. Nuk kishte arësye madhore për bllokim, por disa mosmarrëveshje ndaj temave të historisë apo të bashkëpunimit dypalësh(?!). Bullgaria me kokëfortësi, edhe pse të 26 vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian e nxisnin të jepte pëlqimin, nuk e dha pëlqimin e saj për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut. Me të është e humbur në proces edhe Shqipëria, pse hapat e anëtarësimit merren për të dyja vendet. Asnjë përpjekje e drejtuesve të sotëm të Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian, apo liderëve me influencë si Makron ose Sholc, nuk piu ujë. Kur thonë kokë bullgari!Ky kalvar i shëmtuar dështimesh në premtimet e BE-së ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë rrezikon të trazojë edhe më shumë tensionet politike në rajonin tonë aspak të qetësuar. Dështimi i Bashkimit Evropian në takimet e tij të nivelit të lartë për të marrë votën pro të 27 vendeve anëtare ka sjellë po ashtu lëkundje sizmike në qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Drejtuesit e lartë të partisë kryesore qeverisëse aty janë investuar personalisht në çeljen e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në dhe e kanë besuar me sinqeritet Evropën e Bashkuar. Tani ky besim nuk është më aq i plotë sa më parë. Besimi po lëkundet edhe tek drejtuesit e partisë që qeveris tashmë 9 vjet Shqipërinë. Bashkimi Evropian po humbet fytyrën me dy vendet tona. Zhgënjimi mes shqiptarëve dhe maqedonasve të veriut është i dukshëm. Për fat, nuk është bërë akoma i plotë dhe i thellë. Mirëpo diçka tashmë është e qartë si kristali. Ecejaket e drejtuesve të Komisionit Evropian sa në Shkup dhe në Tiranë, deklaratat dhe premtimet e tyre të përsëritura prej vitesh tashmë, për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, kanë marrë tisin e hipokrizisë. Evropa e Bashkuar është krejtësisht e pafuqishme, e kapur peng nga mekanizmi i vetos së 27 vendeve anëtarë të saj për vendime madhore. Ky mekanizëm vetoje kishte kuptim për baballarët e krijimit të Evropës së Bashkuar 50 vite më parë, si kancelari Konrad Adenauer apo kryeministri dhe ministri i jashtëm francez Robert Schuman. Për idealet e tyre të bashkimit dhe klimën e paqtë të bashkëpunimit të asaj kohe. Tani, në një Evropë të Bashkuar ku gëlojnë shumë nacionalizma dhe rryma politike ekstreme, ku besimi në të mirat e qëndrimit bashkë ka rënë ndjeshëm midis politikanëve të shumë vendeve anëtare, duhet një vendim-marrje me normale për kohe të tilla të pasigurta dhe me agresionin rus në Ukrainë si Shpata e Damokleut mbi kokë. Vendim-marrja në BE duhet të funksionojë njëlloj si çdo parlament i botës së zhvilluar, i cili, për të miratuar ligje, vendos parimin e shumicës së thjeshtë apo të cilësuar dhe nuk merr vendime me unanimitet(të gjithë të jenë dakord). Kësisoj, edhe vendim-marrja në Bashkimin Evropian për çështje shumë të rëndësishme dhe të mprehta si zgjerimi i komunitetit, duhet të ndryshojë. Ndryshe, zgjerimi i Bashkimit Evropian me shtete të tilla evropiane që aq shumë e dëshirojnë integrimin, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, etj., do të ngjajë realisht me tragjikomedinë e Beckett-it “Duke pritur Godo-në”.

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.