KULTURË

Mundësi të barabarta për të gjithë personat që nuk dëgjojnë në të gjitha fushat e jetës, përfshirë arsimin dhe punësimin

10:00 - 28.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Arsimi është një pjesë e rëndësishme për formimin individual. Është ky sfond që përcakton të ardhmen e individit dhe integrimin e tij në jetën shoqërore. Në të gjitha shoqëritë, edhe në shoqërinë tonë kemi grupe sociale me aftësi të kufizuara me specifika të ndryshme, grupe të cilat arsimohen në institute të specializuara. Në vendin tonë personat me aftësi të kufizuara mund të përfundojnë arsimimin e tyre në institucione të ndryshme të tilla si: Instituti i nxënësve që nuk dëgjojnë, Instituti për të Verbërit dhe Instituti për fëmijët me probleme mendore.




Në Shqipëri ekziston një institut i specializuar për fëmijët me probleme dëgjimi, por edhe ka klasa të ndryshme të integruara të këtyre fëmijëve në klasa normale, program ky i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Një fëmijë me këtë veçori mund të komunikojë me shprehje të fytyrës, duke përdorur objektet apo fotot, simbolet, shenjat, gjestet apo fjalët. Zhvillimi i gjuhës dhe i komunikimit mund të luajë rol të rëndësishëm për shmangien e shfaqjeve të problemeve në sjellje tek fëmijët e vegjël, por ata rrallë janë përfshirë në modelet parashikuese të zhvillimit të sjelljes. Individët me probleme dëgjimi kanë nevoja të veçanta dhe, për pasojë, ata kanë nevoja unike brenda sistemit arsimor. Pa tingujt, fëmija mund të ketë më pak gjasa të ndërveprojë me botën rreth tij. Tingujt kanë ndikim të madh në zhvillimin njohës dhe social, si dhe në zhvillimin e gjuhës.

Instituti i fëmijëve që nuk dëgjojnë synon një integrim më të mirë të këtyre fëmijëve në jetën reale. Pavarësisht kontributit të përgjithshëm për këtë target grup, ende koncepti i kuptimit për ta është i lidhur me problemet. Kjo dobësi i shoqëron këtë grup fëmijësh gjatë gjithë periudhës së tyre të shkollimit dhe gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës. Personat që kanë probleme me dëgjimin apo vështirësi në dëgjim përballen me barriera të mëdha komunikimi të cilat shkaktojnë: 1. Rënie të vetbesimit, 2. përjashtim nga shoqëria, 3. depresion, 4. izolim dhe 5. papunësi.

Sipas studimeve ndërkombëtare një kuptim më i mirë dhe një nivel i lartë arsimor arrihet nëse procesi i të mësuarit bazohet në metodologjinë e përdorimit të gjuhës së shenjave. Nga këndvështrimi i mësuesit një temë arsimi nuk është lehtësisht e kuptueshme nga nxënësit që nuk dëgjojnë nëse nuk përdoret gjuha e duhur.

Falë mbështetjes financiare të  Kooperacionit Italian, projekti i realizuar nga Forumi i Pavarur i Gruas Shqiptare, sëbashku me Save the Children, ka kontribuar në përfshirjen socio-ekonomike të fëmijëve dhe të rinjve me dëmtim të dëgjimit në Shqipëri nëpërmjet zbulimit dhe përdorimit të hershëm të pajisjeve dhe teknologjive moderne, metodologjive të përshtatshme arsimore dhe krijimit të vendeve të punës.

Për herë të parë fëmijët me probleme dëgjimi do të kenë kurrikula mësimore në gjuhën e shenjave.

Kur mësimet janë të lidhur me aplikimet e thjeshta vizuale dhe kompjuterike, mësuesit pohojnë se mësimi kuptohet mjaft lehtë. Nga ana tjetër, një problem i përhershëm ka qenë komunikimi problematik e i vështirë mes këtij grupi të synuar dhe të njerëzve pa probleme dëgjimi.

Si pasojë, është realizuar një platformë dhe një aplikacion mobile, për të përmirësuar të kuptuarit dhe integrimin e këtyre nxënësve përmes teknologjisë së informacionit. Ka qasje të reja për përfshirjen sociale, të cilat janë në zhvillim paralel me qasjet e tjera të reja në inovacion, veçanërisht në risi sociale. Projekti zbatoi një sistem e-learning për fëmijët me probleme dëgjimi.

Sistemi do të sigurojë një kërkesë vendimtare që do të lehtësojë procesin interaktiv të e-learning të shpjeguar më poshtë dhe që bazohet në një formë të përdorshme përmes një web-i, desktopit apo tabletit.

Një alfabet multimedial daktil është ofruar së bashku me fjalorin e gjuhës së shenjave. Për më tepër, është realizuar edhe një fjalor që tregon shenjat në gjuhën e shenjave shqipe. Platforma e-learning do të lehtësojë mësimin e alfabetit dhe fjalët e para në gjuhën e shenjave. Platforma  dhe aplikacioni do të mbështesin mësimdhënien me mësime në gjuhën e shenjave shqipe, duke përdorur multimedian si një mjet, quiz-e dhe ushtrime të përshtatshme për këta fëmijë.

Videot në gjuhën e shenjave do të ndihmojë përdoruesit të përmirësojnë aftësitë e tyre të leximit dhe do t’u mundësojnë të mësojnë më shumë në mënyrë të pavarur.

Duke punuar me këtë sistem, nxënësit me probleme dëgjimi do të kenë mundësi të mësojnë në një mënyrë më vetiake. Duke përdorur videot e gjuhës së shenjave ata mund të përqëndrohen në përmbajtje, pa u munduar së tepërmi për të kuptuar tekste të shkruara. Kjo do të shmamgë nevojën për të patur një mësues apo përkthyes, sepse ata mund të mësojnë në mënyrë të pavarur.

Aplikacioni i zhvilluar do të kenë një ndikim shumë pozitiv në të kuptuarit e termave të reja si dhe konceptet për fëmijët me probleme me dëgjimin. Po ashtu do të ndihmojë në përmirësimin e integrimit të tyre në jetën e përditshme.

Formimi profesional është leva strategjike për shoqërimin dhe qëndrueshmërinë e kualifikuar në tregun e punës të personave me aftësi të kufizuara. Është gjithashtu e nevojshme të vazhdohet të investohet në këtë drejtim duke monitoruar dhe vlerësuar vazhdimisht rezultatet.

Të rinjtë që nuk dëgjojnë, kanë ndjekur trajnime intensive, të cilat synojnë mbështetjen e tyre në tranzicionin drejt mundësive profesionale dhe, përmes një skeme të vogël grantesh për ata që kanë zhvilluar plane solide biznesi, është mundësuar krijimi i 6 bizneseve për këta të rinj që nuk dëgjojnë.

Përveç pjesës edukative, nisma pati një qasje shkencore dhe inovative; duke mbështetur zhvillimin dhe zbatimin e një protokolli, në përputhje me standardet e larta ndërkombëtare, për identifikimin, diagnostikimin dhe trajtimin e hershëm të dëmtimit të dëgjimit. Tashmë kemi 4 laboratorë për depistimin e hershëm të dëgjimit te fëmijët e sapolindur, në katër spitale rajonale, si Durrës, Elbasan, Fier dhe Korçë, dhe një qendër diagnostikimi pranë QSUT.

Për këtë arsye mendojmë se projekte të këtij niveli dhe qasjeje shkencore, sociale e psikologjike janë gjithnjë të domosdoshëm për mirëqënien dhe mundësitë e të gjithë pjesëtarëve të shoqërisë. Për këtë arsye  Forumi  Pavarur i Gruas Shqiptare, dhe Save the Children kanë pasuruar në mënyrë cilësore përvojën e tyre shumë vjeçare gjatë realizimit të këtij projekti.

Ky shkrim është pjesë e projektit “Përmirësimi i kushteve të jetesës së personave me aftësi të kufizuara të dëgjimit në Shqipëri”, i cili zbatohet nga Forumi i Pavarur i Gruas Shqiptare, Save the Children dhe financohet nga Kooperacioni Italian.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.