AKTUALITET

Projektligji/ Pensionistët e vetëpunësuar në sektorin privat do përjashtohen nga pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore!

07:18 - 28.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pensionistët e vetëpunësuar në sektorin privat pritet të përjashtohen nga detyrimi për pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore. Aktualisht, pensionistët që vetëpunësohen në sektorin privat dhe njëkohësisht tërheqin këstin e pensionit mujor, janë të detyruar të paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore, pavarësisht se nuk reflektohen në pension.




Ndryshimet janë propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në draftin për “Për një ndryshim në ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” i publikuar në konsultimet publike.

“Këshilli i Ministrave mund të vendos që përfituesit e pensionit të pleqërisë të vetëpunësuar në sektorin privat të tërheqin këstet mujore të pensionit dhe të përjashtohen nga pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore, gjatë kohës së vetëpunësimit”, përcaktohet në ndryshimet e nenit 98.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave aktualisht janë 1,484 përfitues të pensionit të pleqërisë të vetëpunësuar në sektorin privat të cilët paguajnë kontribute çdo muaj në masën 14,151,424 lekë, të cilat kalojnë në fondin e sigurimeve shoqërore. Shuma 169,817,088 lekë në vit me hyrjen në fuqi të këtyre ndryshimeve do të zbritet nga të ardhurat në fondin e sigurimeve shoqërore.

“Përmes nismës së Këshillimit Kombëtar qytetarëve iu kërkua të jepnin mendim, në lidhje me faktin nëse pensionistët të cilët vetëpunësohen në sektorin privat duhet të përjashtohen nga pagesa e kontributeve të detyrueshme për sigurime shoqërore. Nga rezultatet e kësaj nisme evidentohet fakti se 66% e qytetarëve kanë dhënë përgjigje pozitive. Me qëllim shmangien e detyrimit për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore të personave të cilët përfitojnë pensionin e pleqërisë dhe vetëpunësohen në sektorin privat, duke qenë se atyre nuk u njihet koha e vetëpunësimit si periudhë sigurimi. Në këtë kuptim, efekti i pritshëm i projektaktit është lehtësimi i këtyre personave nga barra e pagesës së kontributeve të cilat deri më sot nuk u njihen si periudhë sigurimi”, thuhet në relacion.

Bazuar në ligjin 7703 datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të vetëpunësuarit si persona ekonomikisht aktivë mbrohen me të ardhura nga dega e barrëlindjeve dhe dega e sigurimit të pensioneve dhe janë të detyruar të paguajnë kontribut mujor për barrëlindje dhe për pensione të llogaritura, për një pagë jo më të vogël se paga minimale në shkallë vendi dhe jo më të lartë se paga maksimale kontributive.

Për personat e siguruar, që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie, kur të arrijnë moshën e përcaktuar në nenin 92, dhe e përfitojnë këtë pension nëpërmjet tërheqjes së kësteve mujore të pensionit, legjislacioni aktual u ka garantuar mbrojtje shoqërore duke u dhënë përfitimin e caktuar.

“Për këtë arsye, kategorisë së pensionistëve të vetëpunësuar pagesa e kontributeve në të dy degët e sigurimit shoqëror barrëlindje dhe pensione nuk garanton atyre mbrojtje të shtuar. Përjashtimi nga pagesa e kontributeve për këtë kategori të punësuarish nuk ka impakt në rritjen e përgjegjësisë individuale për pension apo në garantimin e të mbuluarit me elementë të sigurimeve shoqërore për shkak përfitim barrëlindjeje, përveç se lehtësimi i këtyre personave nga barra e pagesës së kontributeve të cilat nuk u njihen. Përjashtimi nga pagesa e kontributeve vetëm e kësaj kategorie të vetëpunësuarish nuk do të përbënte problem në tregun e punës dhe në administrimin fiskal, përveç pakësimit të të ardhurave në dy degët e fondit e sigurimeve shoqërore (degën barrëlindje dhe degën e pensioneve)”, veçohet ndër të tjera në relacion. /monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.