DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Dje në Rinas, përse policia e mbajti të fshehtë lajmin. Në bagazhet e Mbretit 13 arka me armë

07:00 - 29.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

29 Qershor 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare”




 Dje në Rinas

Përse policia e mbajti të fshehtë lajmin

Në bagazhet e Mbretit 13 arka me armë

 “Një sasi armësh na e sekuestroi policia në aeroportin e Afrikës së Jugut”, kanë saktësuar shoqëruesit e pretendentit të fronit mbretëror

 Çarmatosen dy truprojat me ngjyrë. Familja mbretërore vetëm me një muaj leje-qëndrimi. Të fshehtat në Rinas

Edhe antitank në bagazhet e Lekës

Policia e dogana bllokojnë 13 arka me armë

 

 

Leka Zogu çarmatoset në Rinas. Autoritetet policore dhe doganore në aeroport nuk kanë lejuar të kalojnë 13 arkat me armë të sofistikuara të llojeve të ndryshme që pretendenti i fronit ka tentuar t’i fusë në vend pa njoftuar më parë autoritetet.

Madje në aeroport janë çarmatosur edhe dy shtetasit afrikanë që sigurojnë jetën e Zogut. “Nuk keni leje për mbajtje të armëve”, u janë drejtuar qetësisht krerët e policisë së Rinasit dy afrikanëve që pas kësaj nuk kanë reaguar, por i janë bindur urdhrit. Ndërsa 13 arkat me armë janë sekuestruar në prani të policisë, doganës dhe përfaqësuesve të mbretit. Është shënuar kështu incidenti i parë mes Zogut dhe autoriteteve shtetërore shqiptare. “Ka armë të ndryshme duke nisur që nga antitanku, mortajat, automatikët dhe pushkët prodhim amerikan”, thanë dje burime shumë të sigurta nga aeroporti. Gjithnjë sipas këtyre burimeve trupa e shoqërimit të Zogut, u ka paraqitur autoriteteve të aeroportit një listë ku ishin shënuar numrat e armëve. Por në këtë listë ka pasur mungesa. “Në fakt një sasi armësh na e sekuestroi policia në aeroportin e Afrikës së Jugut”, kanë saktësuar shoqëruesit e pretendentit të fronit mbretëror. “Për armët e sekuestruara, të cilat u panë vetëm nëpërmjet skanerit do të vendosë vetëm Ministria e Rendit në bashkëpunim me doganën nëse ato do t’i dorëzohen Zogut apo do të sekuestrohen nga shteti”, hanë dje oficerët madhorë të aeroportit. Ndërkohë asnjë prej anëtarëve të familjes mbretërore e as nga shoqëruesit e tij nuk ka pasur pasaportë shqiptare. Por ndërsa shoqëruesit kanë hyrë në Shqipëri të pajisur me vizë, anëtarët e familjes mbretërore kanë hyrë me leje kalimi me afat një mujor të nënshkruar nga Drejtori i Kufirit në Ministrinë e Rendit Publik. Brenda këtij afati Zogu dhe të gjithë familjarët e tij duhet të pajisen me pasaportë shqiptare, pasi të kenë përfituar shtetësinë. Ndërkohë deri dje pasdite në mjediset e aeroportit kanë qenë të bllokuara edhe një makinë me mobilje të familjes mbretërore. “Në të kanë qenë që nga sixhadet e deri tek harta apo arshiva mbretërore. Madje edhe një peshk i balsamosur”, tregon detajet e kontrollit një nga doganierët pjesëmarrës në të. Policia e aeroportit ka lejuar që të futen për një natë brenda territorit shqiptar edhe anëtarët e ekuipazhit të avionit special me të cilën ka udhëtuar familja mbretërore, avion i cili do të udhëtojë sot për në Afrikë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.