AKTUALITET

Eksploziv ‘Range Roverit’ të drejtoreshës në Shkodër/ Çfarë tha ajo para policisë: Gjithçka e mësova nga…!

09:13 - 29.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një sasi lëndë eksplozive u vendos në automjetin e drejtoreshës së Drejtorisë së Operatorit të Kujdesit Shëndetësor në qytetin e Shkodrës. Lënda eksplozive u pikas në kohë dhe u çaktivizua nga forcat xheniere që shkuan nga Tirana.




Pakoja e dyshimtë u konstatua pranë automjetit të Suida Kukës rreth orës 16:00 të ditës së djeshme në lagjen “Vojo Kushi” të qytetit verior. Me të marrë njoftimin, forcat e Policisë kanë rrethuar perimetrin e sigurisë.

“Rreth orës 16:00, jemi njoftuar se në lagjen ‘Vojo Kushi’ Shkodër, në anë të rrugës, është konstatuar një pako, brenda së cilës, nuk dihet ende, se çfarë materiali/esh ka. Shërbimet e Policisë kanë vendosur perimetrin e sigurisë në vendngjarje dhe po verifikojnë rastin. Janë njoftuar forcat xheniere, për të kryer veprimet e mëtejshme”, sqaroi fillimisht Policia.

Lënda eksplozive ishte vendosur pranë automjetit tip “Range Rover” në afërsi të institucionit publik. Përveç forcave të rendit, nga Tirana shkuan edhe forcat xheniere, ato që bënë të mundur çaktivizimin e lëndës plasëse nëpërmjet shpërthimit të komanduar. Më shumë se tri orë pas konstatimit të pakos me lëndë eksplozive, njësia anti-eksploziv e RENEA-s kreu shpërthimin e komanduar.

“Në vijim të informacionit paraprak për një pako të dyshimtë që u konstatua në lagjen ‘Vojo Kushi’, Shkodër, në afërsi të një mjeti ‘Range Rover’, në pronësi të shtetases S. K., banuese në fshatin Demiraj, Malësi e Madhe, me detyrë drejtoreshë e Drejtorisë së Shëndetit Publik Shkodër, ju informojmë se: Në vendin ku u konstatua pakoja e mbyllur erdhi njësia anti-eksploziv e RENEA-s, e cila bëri shpërthim të kontrolluar të pakos, brenda së cilës rezultoi se kishte lëndë eksplozive. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit”, sqaron Policia.

Çfarë tha drejtoresha përpara hetuesve?

Ende nuk dihen arsyet se pse u vendos lënda plasëse poshtë automjetit të drejtoreshës, apo nëse ngjarja ishte më shumë një mesazh për të. Paraprakisht, drejtoresha ka deklaruar se vendosjen e lëndës plasëse e kishte mësuar nga Policia, e cila e kishte lajmëruar që të ruante distancën e sigurisë për vete dhe për stafin, duke qenë se institucioni ishte ende në orar të punës.

Megjithatë, Kuka nuk ka një angazhim të gjatë në jetën aktive politike në Shkodër, çka ngjarja mund të ketë lidhje pikërisht me këtë angazhim. Drejtoria që drejton Kuka ka nën varësinë të saj njësitë e ofrimit direkt të shërbimeve, të cilat përfshijnë njësitë vendore të kujdesit shëndetësor, qendrat shëndetësore, klinikat dhe institucionet shëndetësore me shtretër, spitalet, etj. Ndërsa më herët, për më shumë se 1 vit, ajo ishte drejtore e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.