AKTUALITET

Rritja drastike e çmimeve/ Arrestohet 56-vjeçari që mbushi tre bidonë me naftë në Maqedoni

09:53 - 29.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Rritja drastike e çmimit të naftës në vendin tonë ka bërë që shumë drejtues automjetesh të blejnë naftë në vendet fqinje, si në Kosovë apo në Maqedoni, për të kursyer para në xhepat e tyre.




Por përpjekja për të kursyer para përballë krizës së ushqimeve dhe karburantit, një 56- vjeçari nga Elbasani i kushtoi prangat, menjëherë sapo doli nga pika e kalimit kufitar të Qafë-Thanës.

Në automjetin tip “Benz”, Policia sekuestroi 40 litra naftë në dy bidonë. Nafta në Maqedoninë e Veriut kushton rreth 220 lekë, ndërsa në Shqipëri kushton 260 lekë.

“Policia Kufitare godet një tjetër rast të aktivitetit të paligjshëm të kontrabandës me mallra. Sekuestrohen mallra ushqimore dhe sasi nafte, të dyshuara të kontrabanduara. Vihet në pranga drejtuesi i mjetit që tentoi t’i fuste në vendin tonë. Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë-Thanë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë kaluan në vijë të dytë, për kontroll të imtësishëm, mjetin tip ‘Benz’ me drejtues shtetasin A. K., 56 vjeç, banues në Elbasan. Nga kontrolli i ushtruar në mjet, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale mallra të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduara (pije, produkte ushqimore dhe 40 litra naftë). Gjithashtu, gjatë këqyrjes së mjetit u konstatua ndryshim në vëllimin e serbatorit të tij. Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. K., për veprën penale ‘Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë’”, sqaron Policia.

EDHE AMP OPERACION

Dy ditë më parë, nën akuzë për kontrabandën e naftës u arrestua edhe një burrë në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës në Korçë. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore tha se i arrestuari K. A. është filmuar duke korruptuar doganierët dhe policët kufitarë për të kaluar mallrat pa paguar detyrimet doganore.

“Në vijim të veprimeve hetimore, rezultoi e provuar se shtetasi është favorizuar kundrejt shumave në para, nga punonjës policie në bashkëpunim me punonjës të doganës me detyrë doganier, pranë kësaj pike”, sqaroi AMP-ja.

Në lidhje me këtë ngjarje, nën akuzë janë vënë dy inspektorë policie në pikën e kalimit kufitar dhe një doganier. Inspektorët S. H., 37 vjeç, me detyrë ndihmës/specialist kontrollor në PKK Kapshticë dhe A. B., 55 vjeç, me detyrë ndihmës/ specialist kontrollor në PKK Kapshticë, si dhe doganieri V. S., 42 vjeç, janë proceduar në gjendje të lirë, nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.

Në këtë operacion, u sekuestrua një automjet tip “Sharon”, sasi vlerash monetare të përfituara në mënyrë të kundërligjshme nga aktiviteti i kontrabandës në ambientet e punës, sasi e konsiderueshme e mallrave industriale, karburant, si dhe mallra të tjera.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.