KULTURË

Bilbili i Myzeqesë dhe Bruna, rikthimi i muzikantëve me një koncert recital

08:15 - 01.07.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Bilbili i Myzeqesë dhe kompozitori i Estradës së Fierit rikthehen në Shqipëri me një koncert recital. Përpunime të këngës myzeqare, asaj të lehtë me zërin e Bruna Hoxhës dhe pjesë instrumentale të interpretuara nga Rik Hoxha në një rrugëtim gjysmë shekulli të karrierës dhe nostalgjinë për vendin, nga i cili u larguan 30 vjet më parë…
Riku dhe Bruna, rikthimi i muzikantëve me një koncert recital




I vogli bilbil, këngëtari më i mirë ndër të gjithë zogjtë migron në stinët e ftohta, por nuk i harron viset e tij në Europë me të trokitur vera…
Atë e pagëzuan mes duartrokitjesh Bilbil i Këngës Myzeqare. Shtegtoi në Greqi, Zvicër e përtej oqeanit në Amerikë, por zërin e ruajti për bashkatdhetarët e saj.
“Dëgjoni këngën time!” është thirrja e Brunilda Hoxhës në një koncert recital, që shkrihet mes nostalgjisë dhe intimitetit, e shoqëruar nga shoku i saj i jetës, bashkëshorti, dirigjenti dhe kompozitori Ferit Hoxha e që vjen e transmetuar të shtunën mbrëma në News 24.

Koncert i ideuar dhe organizuar nga kantautori dhe producenti Gjergj Leka, mik i vjetër i çiftit. Miqësi që lindi në kohë të mbrapshta politike, por që dashuria për muzikën e sprovoi si një gur i çmuar, që ruhet gjatë. Dyzet vite miq, pesëdhjetë vite karrierë e dy muzikantëve që tingëllojnë të freskët dhe me shumë dashuri për të shpërndarë, përmes tingujve.
Pas tri dekadash largësi, koha i bëri edhe njëherë bashkë për recitalin që vjen edhe si rrugëtim i jetës së Rikut dhe Brunës, nga vitet e paharrueshme në Estradën e Fierit – ajo si yll i ri, ndërsa ai kompozitor e dirigjent i talentuar -dashuria që lindi mes tyre dhe ajo ndenja e fortë për muzikën.

Përpunime të këngës myzeqare dhe pjesë instrumentale të interpretuara nga Rik Hoxha në një dy orësh emocionues. Çifti Hoxha u largua herët nga Shqipëria, duke zgjedhur të mos bënin kompromise me tregun kaotik të viteve të tranzicionit.

Jo vetëm kënga myzeqare. Vokali i zhdërvjellët i Brunës e bëjnë atë të kalojë lehtë në interpretimin e muzikës së lehtë, popullore e baladave. Edhe pas gjysmë shekulli në skenë, zëri i saj mbetet një nga më interesantët e muzikës shqiptare dhe i serviret publikut të saj edhe më i pjekur e i ngrohtë.
Dhuntinë në kordat e saj e trashëgoi nga e ëma dhe shpejt nisi të këndojë në festivalet e pionierit, në Fier. Qytetit që thotë se i ka dhënë ëndrrat dhe pasionin rinor dhe vokalin e kristaltë. Kur ishte vetëm 15 vjeç, Brunilda atëkohë me mbiemrin e vajzërisë, Sot, mori pjesë në Festivalin e Dytë të Këngës së Ushtarit, në kryeqytet me këngën “Dje erdha nga ushtria”.
Ishte viti 1972, i famëmadhit Festival të 11-të, që përcolli tek ai brez i ri muzikantësh e interpretuesish iluzionin e lirisë. Më 1976-n, Bruna merr pjesë në Festivalin e 15-të të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, sërish me një këngë të Agron Xhungës, “Gjithmonë në Aksione”.

Fill pas këtij prezantimi, nisi punë në Estradën e Fierit. Në Festivale të Këngës nuk e thirrën më nga ajo kohë, pa asnjë shpjegim dhe në mënyrë enigmatike.
Por kjo nuk e ndali rrugën e saj në muzikë. Dirigjenti i Estradës, Riku, u bë mentori, i cili e inkurajoi në rrugën profesionale dhe e këshilloi si të përsoste vokalin. Mentori u bë më vonë bashkëshorti, me të cilin nisi familjen e saj të vogël në Fier duke sjellë në jetë edhe të birin.
Riku ishte një prej muzikantëve që mbajti gjallë me krijimtari Estradën e Fierit.
Edhe sot, ai kujtohet për të famshmen parodi “Po martojmë Malon”. Ishte muzika e Rikut, me tekst të Pëllumb Kullës e interpretuar nga Todi Llupi e Arqile Lipe, që e bëri parodinë të paharrueshme dhe pjesë të pop-kulturës shqiptare.
Klarineta nuk mund të luajë tinguj me perfekt se kaq…shkruan një koment në YouTube, nën videon e parodisë Po Martojmë Malon.
Siç e përshkruan Pëllumb Kulla kohën e artë dhe plejadën e artistëve në Estradën e Fierit, Rik Hoxha solli nga Konservatori orkestrime novatore dhe ekzekutime brilante në saksofon dhe klarinetë. Ai gjithashtu punoi si pedagog në Shkollën e Mesme Artistike “Jakov Xoxa” në Fier.
Në këtë koncert recital, Riku sjell interpretime në saksofon nga meloditë e njohura shqiptare si “Dëbora zbardhi Malet” deri tek pjesë instrumentale nga Johann Sebastian Bach.
Dy artistët e rinj, e lanë Estradën, Fierin dhe Shqipërinë për t’u vendosur fillimisht në Athinë, në valën e parë migratore dhe grahmat e fundit të regjimit, më 1991-shin.
Nuk i ikën larg muzikës. Një piano-bar u kthye skena për virtuozitetin e Rikut dhe zërin e ëmbël të Brunës. Me një repertor prej dyqind këngësh të muzikës greke, Bruna dhe Riku e lanë Greqinë për t’u stacionuar në Zvicër, më 1995-n. Edhe dyqind këngë të tjera iu shtuan repertorit të Brunës, me këngë burimore të veriut dhe të trevave të Kosovës, për bashkatdhetarët nga Kosova e Maqedonia që i ndiqnin koncertet e çiftit me ëndje.

Një ftesë nga Komuniteti Shqiptar i Connecticut për një koncert i hapën portat e Amerikës. Çifti nuk iu largua muzikës dhe skenës, as në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shtuar gjithnjë e më shumë repertorin dhe përvojën.

Jo vetëm me sytë nga e shkuara. Riku dhe Bruna kanë sjellë edhe disa videoklipe. Më 2011-n, erdhi kënga “Të jesh Myzeqare” , duke ia besuar tekstin mikut të vjetër nga kohët e Estradës, Pëllumb Kullës. Krenaria e një myzeqareje bërtiste edhe më fort, kur xhirohej në rrugët e Bostonit. “Simbol Dashurie” ishte balada, që u xhirua në Connecticut një vit më vonë dhe më 2013-n, Riku dhe Pëllumb Kulla bashkuan sërish forcat, si njëherë e një kohë duke sjellë këngën “Marë moj Marë”, interpretuar me mjeshtëri nga Bruna. Mes mjeshtërve të vargut, Bruna i besoi Kullës dhe Arben Dukës. Ndarja e tij nga jeta e bëri çiftin e muzikantëve të kompozonin dhe interpretonin një elegji.

Për herë të parë u kthyen në vendlindje më 2012-n. Ishin festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar, ku së bashku me Rikun mbajtën recitalin “Malli për Atdhe”.
Duket se malli për atdhe djeg padurueshëm pas 31 viteve larg. Riku dhe Bruna kanë vendosur ta lënë Amerikën e të jenë më pranë shtëpisë, në Greqi. Aty ku, si çifti Hoxha ashtu edhe miku i tyre i vjetër, Gjergj Leka e vazhduan karrierën pas Shqipërisë. Kantautori Leka në një projekt që më shumë duket si një mision për të risjellë muzikën e mirë dhe artistët e vërtetë, sjell këtë verë çdo fundjavë një koncert që i shkon si një perlë gjerdanit të muzikës së çmuar, shoqëruese jo vetëm e stinës së nxehtë, por e të gjitha kujtimeve që ngjallin tingujt.
Pini verë o miq të çmuar, ndizni shtruar një cigare, fton zëri i Brunës në këtë koncert recital, duke kënduar vargjet e Dritëroit… dhe për kohën e kaluar, mos e vrisni mendjen fare!
Një koncert për t’u mbajtur mend, që u jep një çifti artistësh vendin e merituar në skenën e muzikës shqiptare, pas dekadash larg.
Bilbili nuk harron të kthehet nga shtegtimi e nuk e kursen zërin e ëmbël në stinën e ngrohtë për ata që e mbajnë vesh…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.