OPINION

Doktrina ruse “Gerasimov”, lufta hibride dhe ndikime të mundshme në Ballkan

09:00 - 04.07.22 ALBERT HITOALIAJ
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Lufta hibride e Rusisë ka kohë që analizohet në Perëndim dhe me të janë të lidhura doktrina të caktuara. Lufta e Ukrainës tashmë ka tronditur rendin botëror të sigurisë dhe një gjë është e qartë: nuk ka më rikthim pas. Ndërmjet shumë paqartësish, qartësia e mospasjes së një imazhi lidhur me arkitekturën e ardhshme të sistemit të sigurisë, përben një shqetësim botëror. Pika në të cilën u arrit te lufta e vitit 2022 në Ukrainë, ka ardhur nga shumë faktorë. Politika e jashtme ruse ka qenë për dekada të tëra e fokusuar në disa pika kryesore që kanë lidhje me NATO-n dhe me pozicionimin e Rusisë në sistemin ndërkombëtar. Në këtë shkrim sillet një informacion i cili ka lidhje me të ashtuquajturën Doktrina Gerasimov, e cila është një doktrinë për luftën hibride. Megjithatë, ajo nuk është diçka e re, por është një vijimësi e doktrinave e strategjive ruse të mëparshme. Të gjitha këto lidhen nga një strategji e madhe gjeopolitike, e cila është boshti i të gjithë lëvizjeve strategjike ruse. Megjithëse lufta në Ukrainë doli jashtë parashikimit, përsëri mbetet akoma i fuqishëm rreziku i përshkallëzimit të konfliktit në rajone të tjera. Ballkani është ndër më të rrezikuarit.




Në shkurt 2013, gjenerali Valeri Gerasimov, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë (i cili për nga pozicioni është i ngjashëm me kryetarin e Shefave të Përbashkët të Shtabit në SHBA), botoi artikullin “Vlera e shkencës qëndron te largpamësia”, në një revistë javore ruse. Gerasimovi mori taktikat e zhvilluara nga sovjetikët, i përzjeu ato me të menduarin strategjik ushtarak për luftën e përgjithshme dhe shtroi një teori të re të luftës moderne; një teori e cila ngjan më shumë me goditjet e fshehta që i jepen shoqërisë së një armiku në vend që të sulmosh drejtpërdrejtë ndaj tij. Këtë gjë, ai e argumentonte me idenë se “rregullat e luftës” kanë ndryshuar. Gerasimovi thekson se roli i mjeteve joushtarake për arritjen e qëllimeve politike dhe strategjike është rritur, dhe në shumë raste, ato e kanë tejkaluar fuqinë e forcës së armëve, në efektivitetin e tyre.

Ky artikull është konsideruar nga shumë analistë e studiues si artikulimi më i dobishëm i strategjisë moderne të Rusisë, si një vizion i luftës totale që e vendos politikën dhe luftën brenda së njëjtit spektër aktivitetesh, filozofikisht, por edhe logjistikisht. Qasja është guerile dhe zhvillohet në të gjitha frontet me një sërë aktorësh dhe mjetesh, për shembull: piratë kompjuterikë, media, biznesmenë, rrjedhje informacioni, lajme të rreme, si dhe mjete ushtarake konvencionale e asimetrike. Falë internetit dhe medieve sociale, llojet e operacioneve për të cilat ekipet e luftimeve psikologjike sovjetike dikur mund vetëm t’i fantazonin (përmbysjen e punëve të brendshme të kombeve vetëm përmes informacionit), tashmë janë të besueshme. Doktrina Gerasimov ndërton një kornizë për këto mjete të reja dhe deklaron se taktikat joushtarake nuk janë ndihmëse për përdorimin e forcës, por mënyra e preferuar për të fituar një luftë. Ato janë, në fakt, lufta e kohëve aktuale. Kaosi, është strategjia që ndjek Kremlini, dhe Gerasimov specifikon se objektivi është të krijohet një mjedis trazirash dhe konflikti të përhershëm brenda një shteti armik.

Gerasimov (2013)---skema (1) Gerasimov, skica 1 Gerasimov, skica 2 Gerasimov, skica 3
<
>

 

Kombinimi i luftës konvencionale me teknikat e reja joushtarake dhe kombinimi i fuqisë së fortë me fuqinë e butë, janë zbatuar te lufta në Ukrainë. Këtë luftë hibride tashmë Rusia jo vetëm që e ka vënë në zbatim, por nga ana tjetër, me të njëjtat teknika si të sajat po lufton edhe Perëndimi (siç deklaron ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov): “Perëndimi ka shpallur një luftë hibride totale kundër Rusisë dhe është e vështirë të parashikohet se sa do të zgjasë. Politikanët Perëndimorë duhet ta kuptojnë se përpjekjet për të izoluar vendin tonë janë të kota. Në të ardhmen ekonomia botërore do të deamerikanizohet. Pasojat e luftës në Ukrainë do të ndihen anembanë botës” (S. Lavrov, Sky News, 15 maj 2022).

“Doktrina Lukjanov”, fillesa e luftës hibride ruse

Politika e jashtme e Kremlinit ka përdorur pas rënies së BRSS-së atë që e kanë quajtur “Doktrina Lukjanov”, e cila ishte një model i politikës së jashtme që trashëgoi dhe përqafoi plotësisht dy elementë themelorë të doktrinës së mëparshme, Brezhnev: një vizion i bazuar në konceptin e sovranitetit të kufizuar dhe te e drejta për ndërhyrje brenda “sferës së vet të ndikimit”. Kjo e fundit përfshin mbështetjen e drejtpërdrejtë dhe të tërthortë të përfaqësuesve të saj për të sabotuar qeveritë e atyre vendeve që nuk pranojnë rolin udhëheqës të Rusisë në rajon. Kjo doktrinë është konsideruar deri vonë si thashethem apo si një teori konspirative mes analistëve të ish-Bashkimit Sovjetik. Në fund të viteve ‘80, autoritetet sovjetike (dhe KGB-ja) rrezikut të shpërbërjes së BRSS-së menduan që t’i përgjigjeshin sipas mënyrës “të luftohet zjarri me zjarr”. U ndërtua një doktrinë e cila synonte të shpërthente në të gjithë vendin lëvizje separatiste me karakter etnik dhe të krijonte mungesë stabiliteti në ato republika që donin pavarësi e shkëputje. Procesi do të pengonte shkëputjen e tyre, përmes krijimit të grupeve antiseparatiste dhe aktivitetit të autoriteteve shtetërore. Këtë doktrinë e ideuan një grup deputetësh sovjetikë.

Lidhur me këtë doktrinë “fantazmë” hodhi dritë më 24 korrik 2014, një intervistë televizive e gazetarit Mihali Zëjgar me “kolonelin e zi”, Viktor Alksnis (Политик Виктор Алкснис: кто планировал межэтнические конфликты в СССР) në televizionin rus “Rain” (tvrain.ru).  Alksnis e përshkroi Kryetarin e organit më të lartë përfaqësues të BRSS-së së asaj kohe, Sovjetit Suprem të BRSS-së, Anatoli Lukjanovin, si “atin shpirtëror” të kësaj lëvizjeje. Lukjanovi ishte ndërlidhësi mes grupit të deputetëve të lëvizjes, KGB-së dhe strukturave të tjera sovjetike të sigurisë. Ai dha një ndihmë të rëndësishme në krijimin e zbatimin e një programi. Shtete të tilla si Republikat Baltike, Moldavia, Gjeorgjia ishin në fokus të kësaj doktrine. Në Republikat Baltike ajo nuk funksionoi, por në rastet e Transnistrias, Abkhazisë dhe Osetisë Jugore pati zbatim. Krimea dhe lufta aktuale e Ukrainës është një rrjedhojë e këtyre pikëpamjeve strategjike. Viktor Alksnis, duke e cilësuar veten si një ndër autorët e doktrinës, mund të konsiderohet si burim i besueshëm. Ai është një ish-ushtarak sovjetik i Forcave Ajrore (me origjinë letone), një politikan dhe një nga zërat më të fuqishëm kundër shpërbërjes së ish-BRSS, nacionalist, kundërshtar i Jelcinit dhe i shpallur “persona non grata” nga Ukraina, sepse bënte në Ukrainë politikë separatiste për rishikimin e kufijve të Krimesë. Doktrina Lukjanov, mund të konsiderohet si fillesa e konceptit të luftës hibride ruse.

“Doktrina Primakov”, lufta hibride dhe “Doktrina Gerasimov”

Që nga viti 2014, “lufta hibride” ruse ka qenë në qendër të vëmendjes së analistëve Perëndimorë të sigurisë. Mbështetja e Kremlinit te aktorët përfaqësues, dezinformimet dhe masat e shkurtra të luftës ka krijuar përshtypjen se aftësitë e tij hibride janë të dallueshme dhe të ndara nga ushtria e tij dhe mund të shërbejnë si zëvendësuese të fuqisë së fortë. Por, kjo përshtypje është e pasaktë. Aktivitetet dhe mjetet ushtarake e hibride ruse janë të lidhura pazgjidhshmërisht më njëra-tjetrën. Lufta hibride ka lidhje me shefin rus të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralin Valeri Gerasimov, i cili është autori i të ashtuquajturës Doktrina Gerasimov. Kjo e fundit është një koncept i gjithëqeverisës i cili bën bashkë fuqinë e fortë dhe fuqinë e butë në shumë fusha dhe i kapërcen kufijtë midis paqes dhe luftës. Më shumë se një shtysë e politikës së jashtme ruse, Doktrina Gerasimov është një përpjekje për të zhvilluar një koncept operacional për konfrontimin e Rusisë me Perëndimin, në mbështetje të doktrinës aktuale që ka udhëhequr politikën ruse për më shumë se dy dekada: Doktrinën Primakov, e cila sipas Ariel Kohenit duhet t’i “binte kambanave të alarmit në Uashington” kur u formulua nga rusët (A. Cohen, “The Primakov Doctrine: America Beware”, Hearing Before the Subcommittee …, U. S. Government, 1998, f. 149).

Kjo doktrinë e ka marrë emrin nga ish-kryeministri dhe ish-ministri i Jashtëm, Jevgeni Primakov. Doktrina u bë efektive në vitin 1999 dhe Primakovi mbështeste idenë e trekëndëshit strategjik Kinë-Indi-Rusi, kundër SHBA-së si kundërpeshë. Karriera e Primakovit kishte dy shtylla kryesore: kërkimin shkencor dhe inteligjencën. Në të dy këto drejtime ai ka mbajtur funksione të larta që nga drejtor institutesh shkencore të Akademisë së Shkencave të ish-BRSS, deri në drejtor në strukturat e ish-KGB dhe 1991-1997 drejtori i Inteligjencës së Jashtme Ruse. Primakovi ishte mbështetësi i Milosheviçit në kohën e Luftës së Kosovës dhe ka dëshmuar në mbrojtje të tij në Hagë. Doktrina Primakov parashtron se një botë njëpolare e dominuar nga Shtetet e Bashkuara është e papranueshme për Rusinë dhe ofron parimet e mëposhtme për politikën e Jashtme ruse:

– Rusia duhet të luftojë për një botë shumëpolare të menaxhuar nga një ujdi mes fuqive të mëdha që mund të kundërpeshojnë fuqinë e njëanshme të SHBA-së.

– Rusia duhet të insistojë te supermacia e saj në hapësirën ish-sovjetike dhe të udhëheqë integrimin në atë rajon.

– Rusia duhet të kundërshtojë zgjerimin e NATO-s.

Të dhënat e dy dekadave të fundit zbulojnë disa tema kyçe rreth rolit të fuqisë së fortë në politikën e Jashtme dhe ushtarake të Rusisë:

– Fuqia ushtarake është mundësuesja e nevojshme e luftës hibride. Mjetet hibride mund të jenë një instrument i menaxhimit të rrezikut kur fuqia e fortë është shumë e rrezikshme, e kushtueshme ose jopraktike; por fuqia ushtarake është gjithmonë në prapavijë.

– Armët bërthamore janë themeli i sigurisë kombëtare të vendit dhe garancia përfundimtare e pavarësisë së tij strategjike. Por ato nuk janë një instrument për ndërmarrje të rrezikshme, – ato sigurojnë që fuqitë e tjera të mos përfshihen në përpjekje të tilla kundër Rusisë.

– Zbatimi i doktrinës Primakov mund të ketë qenë çdo gjë tjetër, por jo veprim i pamatur. Përdorimet ruse të luftës hibride dhe të fuqisë ushtarake (kundër Gjeorgjisë në 2008 dhe Ukrainës që nga viti 2014, si dhe në Siri që nga viti 2015) janë kalibruar për të shmangur rreziqet e panevojshme.

– Megjithatë, ndërhyrja në Siri ka nxjerrë në pah gjithashtu kufijtë e fuqisë së fortë ruse dhe të luftës hibride. Fuqia e fortë ruse është e pamjaftueshme për të imponuar në Siri versionin e preferuar të paqes nga Kremlini, dhe Moskës, i mungojnë burimet e mëdha ekonomike dhe ushtarake që të bëhet një shtet hegjemon në Lindjen e Mesme (Eugene Rumer, The Primakov, Not Gerasimov, Doctrine in Action, Carnegie, 2019).

Artikulli i gjeneralit Gerasimov, “Vlera e shkencës qëndron te largpamësia: sfidat e reja kërkojnë rimendimin e formave dhe metodave të luftimit”, është botuar fillimisht në Military-Industrial Kurier, më 26 shkurt 2013 (Герасимов, “Ценность науки в предвидении”, Военно-промышленный курьер, 26 февраля 2013) dhe është përkthyer nga rusishtja më 21 qershor 2014 nga Robert Coalson, redaktor në Radion Evropa e Lirë. Artikulli u botua në Military Review January-February (2016) për të njohur lexuesit profesionistë ushtarakë amerikanë me perspektivat e udhëheqësve të lartë ushtarakë rusë mbi temën e luftës së ardhshme; por nuk duhet të interpretohet ky botim si një përpjekje për të promovuar pikëpamjet e tyre. Më poshtë, sillet i plotë artikulli i Gerasimovit.

Gjeneral Valery Gerasimov: “Vlera e shkencës qëndron te largpamësia”

Në shekullin njëzet e një kemi parë një tendencë drejt mjegullimit të kufijve mes gjendjes së luftës dhe asaj të paqes. Luftërat nuk shpallen më dhe, pasi kanë filluar, vazhdojnë sipas një modeli të panjohur. Përvoja e konflikteve ushtarake, përfshirë edhe ato që lidhen me të ashtuquajturat “revolucione me ngjyra” në Afrikën e Veriut dhe në Lindjen e Mesme, konfirmon se një shtet krejtësisht i lulëzuar, mund që brenda disa muajsh, e madje disa ditësh, të shndërrohet në një arenë të egër konflikti të armatosur, të bëhet viktimë e ndërhyrjes së huaj dhe të fundoset në vorbullën e kaosit, të katastrofës humanitare dhe të luftës civile.

– Mësimet e “Pranverës Arabe”

Natyrisht, do të ishte më e lehta nga të gjitha që të thuash se ngjarjet e “Pranverës Arabe” nuk janë luftë, dhe kështu, nuk ka mësime për të nxjerrë nga ne (ushtarakët). Por, ndoshta është e vërtetë e kundërta: pikërisht këto ngjarje, janë tipike për luftërat në shekullin njëzet e një. Për sa i përket shkallës së viktimave dhe të shkatërrimeve, pasojave katastrofike sociale, ekonomike dhe politike, konflikte të tilla, të tipit të ri, janë të krahasueshme me pasojat e çdo lufte të vërtetë. Vetë “rregullat e luftës” kanë ndryshuar. Roli i mjeteve joushtarake për arritjen e qëllimeve politike dhe strategjike është rritur dhe në shumë raste, ato e kanë tejkaluar fuqinë e forcës së armëve në efektivitetin e tyre. Fokusi i metodave të zbatuara të konfliktit ka ndryshuar në drejtim të përdorimit të gjerë të masave politike, ekonomike, informative, humanitare dhe të tjerave masa joushtarake, – të zbatuara këto në koordinim me potencialin protestues të popullatës.

E gjitha kjo plotësohet me mjete ushtarake të një natyre të fshehtë, duke përfshirë kryerjen e veprimeve të konfliktit informativ dhe veprimet e forcave të operacioneve speciale. Përdorimi i hapur i forcave (shpesh nën maskën e paqeruajtjes dhe rregulluesve të krizës) përdoret vetëm në një fazë të caktuar, kryesisht për arritjen e suksesit përfundimtar në konflikt. Nga kjo rrjedhin disa pyetje logjike: çfarë është lufta moderne? Për çfarë duhet të përgatitet ushtria? Si duhet të jetë e armatosur?

Vetëm pasi t’u jemi përgjigjur këtyre pyetjeve, mund të përcaktojmë drejtimet e ndërtimit dhe të zhvillimit të forcave të armatosura në planin afatgjatë. Për të bërë këtë, është thelbësore që të kesh një kuptim të qartë të formave dhe të metodave të ushtrimit të forcës. Këto kohë, së bashku me pajisjet tradicionale, po zhvillohen edhe ato jostandarde. Për shkak të përdorimit të mundësive të reja të sistemeve të komandimit dhe kontrollit, është forcuar roli i grupeve të forcave të lëvizshme, të tipit të përzier, që veprojnë në një hapësirë ​​të vetme inteligjencë-informative. Veprimet ushtarake po bëhen më dinamike, më aktive dhe më frytdhënëse. Pushimet taktike dhe operacionale që armiku mund të shfrytëzonte, po zhduken.

Teknologjitë e reja të informacionit kanë mundësuar reduktime të konsiderueshme në boshllëqet hapësinore, kohore dhe informative ndërmjet forcave dhe organeve të kontrollit. Angazhimet frontale të formacioneve të mëdha të forcave në nivel strategjik e operacional po bëhen gradualisht një gjë që i përket së shkuarës. Veprimet në distanca të gjata dhe pa kontakt kundër armikut po bëhen mjetet kryesore për arritjen e qëllimeve luftarake dhe operacionale. Thyerja e objekteve [objektivave] të armikut po kryhet në të gjithë thellësinë e territorit të tij. Dallimet midis niveleve strategjike, operacionale dhe taktike, si dhe midis operacioneve sulmuese dhe mbrojtëse, po shuhen. Aplikimi i armatimit me precizion të lartë po merr karakter masiv. Armët e bazuara te parimet e reja të fizikës dhe te sistemet e automatizuara janë duke u përfshirë në mënyrë aktive në aktivitetin ushtarak. Veprimet asimetrike kanë hyrë në përdorim të gjerë, duke mundësuar anulimin e avantazheve të armikut në konfliktin e armatosur.

Veprime të tilla janë përdorimi i forcave të operacioneve speciale dhe i opozitës së brendshme për të krijuar një front të qëndrueshëm operativ në të gjithë territorin e shtetit armik; po ashtu si dhe veprimet, mjetet dhe qëllimet informative që janë duke u përsosur vazhdimisht. Këto ndryshime të vazhdueshme reflektohen në pikëpamjet doktrinore të shteteve kryesore të botës dhe po përdoren në konflikte ushtarake. Që në vitin 1991, gjatë operacionit “Stuhia e Shkretëtirës” në Irak, ushtria amerikane kuptoi konceptin e “pushtimeve globale [kapjes globale], fuqisë globale” dhe të “operacioneve ajër-tokë”. Në vitin 2003 gjatë operacionit “Liria e Irakut”, operacionet ushtarake u kryen në përputhje me të ashtuquajturën “Perspektiva e vetme 2020 [Vizioni i Përbashkët 2020]” (Single Perspective 2020, Joint Vision 2020). Tani janë përpunuar konceptet e “goditjes globale” dhe të “mbrojtjes globale raketore”, të cilat parashikojnë se humbja e objekteve [objektivave] dhe forcave të armikut bëhet për disa orë, nga pothuajse çdo pikë e globit; ndërsa sigurojnë në të njëjtën kohë parandalimin e dëmit të papranueshëm nga një kundërsulm armik. Shtetet e Bashkuara po zbatojnë gjithashtu parimet e doktrinës së integrimit global të operacioneve, e cila synon krijimin (në një kohë shumë të shkurtër) e grupeve të forcave me aftësi të larta lëvizshmërie, të tipit të përzier. Në konfliktet e fundit, janë shfaqur mjete të reja të kryerjes së operacioneve ushtarake, të cilat nuk mund të konsiderohen krejtësisht ushtarake.

Një shembull i kësaj është operacioni në Libi, ku u krijua një zonë ndalim-fluturimi, u vendos një bllokadë detare dhe kontraktorë privatë ushtarakë u përdorën gjerësisht në ndërveprim të ngushtë me formacionet e armatosura të opozitës. Na duhet të pranojmë se, edhe pse kuptojmë thelbin e veprimeve tradicionale ushtarake të kryera nga forcat e armatosura të rregullta, kemi vetëm një kuptim sipërfaqësor të formave dhe të mjeteve asimetrike. Në lidhje me këtë, rëndësia e shkencës ushtarake, e cila duhet të krijojë një teori gjithëpërfshirëse të veprimeve të tilla, po rritet. Për këtë mund të ndihmojë puna dhe kërkimi shkencor në Akademinë e Shkencave Ushtarake.

– Detyrat e shkencës ushtarake

Në një diskutim mbi format dhe mjetet e konfliktit ushtarak, nuk duhet të harrojmë përvojën tonë. E kam fjalën për përdorimin e njësive partizane gjatë Luftës së Madhe Patriotike dhe luftën kundër formacioneve të parregullta në Afganistan dhe Kaukazin e Veriut. Do të theksoja se gjatë Luftës së Afganistanit u përpunuan forma dhe mjete specifike për kryerjen e operacioneve ushtarake. Në thelb të tyre qëndronin: shpejtësia, zhvendosjet e shpejta, përdorimi i zgjuar i trupave taktike të parashutistëve dhe i forcave rrethuese, të cilat, të gjitha bashkë mundësuan ndalimin e planeve të armikut dhe i sollën atij humbje të konsiderueshme. Një faktor tjetër që ndikon esencën e mjeteve moderne të konfliktit të armatosur është edhe përdorimi i komplekseve moderne të automatizuara të pajisjeve ushtarake, dhe kërkimi shkencor në fushën e inteligjencës artificiale. Ndërsa sot kemi avionë të telekomanduar (“dronë” fluturues), fushat e betejës së nesërme do të mbushen me robotë që ecin, zvarriten, kërcejnë dhe fluturojnë. Në të ardhmen e afërt është e mundur që të krijohet një njësi plotësisht e robotizuar, e aftë për të kryer në mënyrë të pavarur operacione ushtarake. Si do të luftonim në kushte të tilla? Cilat forma dhe mjete do të duhej të përdoreshin kundër një armiku të robotizuar? Çfarë lloj robotësh do të na duhen dhe si mund të zhvillohen? Mendjet tona ushtarake duhet të mendojnë që sot për këto pyetje.

Lista më e rëndësishme e problemeve, të cilat kërkojnë një vëmendje të madhe, lidhet me përsosjen e formave dhe mjeteve në përdorimin e grupeve të forcave. Nevojitet rishikimi i përmbajtjes së aktiviteteve strategjike të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse. Sakaq lindin pyetjet: a është i nevojshëm një numër i tillë operacionesh strategjike? Cilat dhe sa prej tyre do të na duhen në të ardhmen? Deri më tani, nuk ka përgjigje. Ka edhe probleme të tjera që po hasim në aktivitetet tona të përditshme. Aktualisht jemi në fazën përfundimtare të formimit të një sistemi të mbrojtjes së hapësirës ajrore (Voyska Vozdushno-Kosmicheskoy Oborony, ose VKO). Për shkak të kësaj, çështja e zhvillimit të formave dhe mjeteve të veprimit duke përdorur forcat dhe mjetet e VKO-së është bërë çështje aktuale. Shtabi i Përgjithshëm tashmë po punon për këtë. Unë propozoj që edhe Akademia e Shkencave Ushtarake të marrë pjesë aktivisht. Hapësira e informacionit hap mundësi të gjera asimetrike për reduktimin e potencialit luftarak të armikut. Në Afrikën e Veriut, ne ishim dëshmitarë të përdorimit të teknologjive për ndikimin e strukturave shtetërore dhe të popullsisë përmes ndihmës së rrjeteve të informacionit.

Është e nevojshme përsosja e aktiviteteve në hapësirën e informacionit, duke përfshirë mbrojtjen e objekteve [objektivave] tona. Operacioni për të detyruar Gjeorgjinë që të vendoste paqen ekspozoi mungesën e qasjeve të përbashkuara në përdorimin e formacioneve të Forcave të Armatosura jashtë Federatës Ruse. Sulmi i shtatorit 2012 në konsullatën amerikane në qytetin libian të Bengazit, aktivizimi i aktiviteteve të piraterisë, pengmarrja e fundit në Algjeri, – të gjitha konfirmojnë rëndësinë e krijimit të një sistemi të mbrojtjes së armatosur të interesave të shtetit jashtë kufijve të tij territoriale. Megjithëse shtesat në ligjin federal “Për Mbrojtjen” të miratuar në 2009 lejojnë përdorimin operacional të Forcave të Armatosura të Rusisë jashtë kufijve të saj, format dhe mjetet e veprimtarisë së tyre nuk janë të përcaktuara. Gjithashtu, çështjet e lehtësimit të përdorimit të tyre operacional nuk janë zgjidhur në nivel ndërministror.

Kjo përfshin thjeshtimin e procedurës për kalimin e kufijve shtetërorë, përdorimin e hapësirës ajrore dhe ujërave territoriale të shteteve të huaja, procedurat e ndërveprimit me autoritetet e shtetit të destinacionit, etj. Është e nevojshme të koordinohet puna e përbashkët e organizatave kërkimore të ministrive dhe agjencive përkatëse për çështje të tilla. Një nga format e përdorimit të forcës ushtarake jashtë vendit është paqeruajtja. Përveç detyrave tradicionale, aktiviteti i tyre mund të përfshijë detyra më specifike, si detyra të specializuara, humanitare, shpëtimi, evakuimi, sanitare dhe detyra të tjera. Momentalisht, klasifikimi, thelbi dhe përmbajtja e tyre nuk janë përcaktuar. Për më tepër, detyrat komplekse dhe të shumëllojshme të paqeruajtjes që, ndoshta, trupat e rregullta do të duhet të kryejnë, supozojnë krijimin e një sistemi rrënjësisht të ri të përgatitjes së tyre. Në fund të fundit, detyra e një force paqeruajtëse është heqja nga luftimi e palëve në konflikt, mbrojtja dhe shpëtimi i popullsisë civile, bashkëpunimi për pakësimin e dhunës së mundshme dhe rivendosja e një jete paqësore. E gjithë kjo kërkon përgatitje akademike.

– Kontrolli i territorit

Në konfliktet moderne po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme që të jesh në gjendje të mbrosh popullsinë, objektet [objektivat] dhe komunikimet nga veprimtaria e forcave të operacioneve speciale, duke pasur parasysh përdorimin në rritje të tyre. Zgjidhja e këtij problemi parashikon organizimin dhe futjen e mbrojtjes territoriale. Përpara vitit 2008, kur ushtria në kohë lufte numëronte më shumë se 4.5 milionë burra, këto detyra trajtoheshin ekskluzivisht nga forcat e armatosura. Por kushtet kanë ndryshuar. Tashmë, lufta kundër forcave diversioniste-zbuluese dhe terroriste mund të organizohet vetëm nga përfshirja komplekse e të gjitha forcave të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit të vendit. Shtabi i Përgjithshëm e ka nisur këtë punë. Ai bazohet në përcaktimin e qasjeve për organizimin e mbrojtjes territoriale që u pasqyruan në ndryshimet në ligjin federal “Për mbrojtjen”. Pas miratimit të këtij ligji, është e nevojshme të përcaktohet sistemi i menaxhimit të mbrojtjes territoriale dhe të zbatohet ligjërisht roli dhe vendndodhja në të e forcave të tjera, e formacioneve ushtarake dhe e organeve të strukturave të tjera shtetërore.

Kemi nevojë për rekomandime të mirëmenduara për përdorimin e forcave dhe të mjeteve ndërvepruese në përmbushje të mbrojtjes territoriale; për metodat të luftimit ndaj forcave terroriste dhe diversioniste të armikut në kushte moderne. Përvoja e kryerjes së operacioneve ushtarake në Afganistan dhe Irak ka treguar domosdoshmërinë e përpunimit (së bashku me organet kërkimore të ministrive dhe agjencive të tjera të Federatës Ruse) të rolit dhe të shtrirjes së pjesëmarrjes së forcave të armatosura në rregullimin pas konfliktit, duke përpunuar prioritetin e detyrave, mënyrat e aktivizimit të forcave dhe përcaktimin e kufijve të përdorimit të forcës së armatosur. Zhvillimi i një aparati shkencor dhe metodologjik vendimmarrës që merr parasysh karakterin e shumanshëm të grupimeve (forcave) ushtarake është një çështje e rëndësishme. Është e nevojshme të hulumtohen aftësitë e integruara dhe potenciali i kombinuar i të gjitha trupave dhe forcave përbërëse të këtyre grupimeve. Problemi këtu është se modelet ekzistuese të operacioneve dhe të sjelljes ushtarake nuk e mbështesin këtë gjë. Nevojiten modele të reja. Ndryshimet në karakterin e konflikteve ushtarake, zhvillimi i mjeteve të angazhimit të armatosur dhe i formave e metodave të zbatimit të tyre, kanë krijuar kërkesa të reja për sisteme mbështetëse të shumanshme. Ky është edhe një tjetër drejtim për veprimtarinë shkencore i cili nuk duhet anashkaluar.

–  Nuk mund të prodhoni ide me komandë

Gjendja e shkencës ushtarake ruse sot nuk mund të krahasohet me lulëzimin e mendimit ushtarako-teorik në vendin tonë në prag të Luftës së Dytë Botërore. Natyrisht, për këtë ka arsye objektive dhe subjektive dhe nuk mund të fajësohet dikush në veçanti për të. Nuk jam unë ai që tha se nuk është e mundur të prodhohen ide me komandë. Bie dakord me këtë, por duhet të pranoj edhe diçka tjetër: në atë kohë nuk kishte njerëz me diploma të larta dhe nuk kishte shkolla apo departamente akademike. Kishte personalitete të jashtëzakonshme me ide të shkëlqyera. Unë do t’i quaja fanatikë, në kuptimin më të mirë të fjalës. Ndoshta, thjesht nuk kemi mjaft njerëz të tillë sot. Njerëz si, për shembull, Georgi Iserson, i cili, me gjithë pikëpamjet që formoi në vitet e paraluftës, botoi librin Format e reja të luftimit. Në të, ky teoricien ushtarak sovjetik parashikoi: “Lufta në përgjithësi nuk shpallet. Ajo thjesht fillon me forcat ushtarake tashmë të zhvilluara. Mobilizimi dhe përqendrimi nuk janë pjesë e periudhës pas fillimit të gjendjes së luftës, siç ndodhi në vitin 1914, por, pa u vënë re, zhvillohen shumë përpara saj”.

Fati i këtij “profeti të Atdheut” u shpalos tragjikisht. Vendi ynë pagoi me shumë gjak për mosdëgjimin e konkluzioneve të këtij profesori të Akademisë së Shtabit të Përgjithshëm. Çfarë përfundimesh mund të nxjerrim nga kjo? Një qëndrim përbuzës ndaj ideve të reja, ndaj qasjeve jostandarde, ndaj këndvështrimeve të tjera është i papranueshëm në shkencën ushtarake. Dhe është edhe më e papranueshme që praktikuesit të kenë këtë qëndrim ndaj shkencës. Si përfundim, dua të them se pavarësisht se ç’forca ka armiku, sado të zhvilluara të jenë forcat dhe mjetet e tij të konfliktit të armatosur, mund të gjenden forma dhe metoda për tejkalimin e tyre.

Ai gjithmonë do të ketë dobësi, dhe kjo do të thotë se ekzistojnë mjete të mjaftueshme për ta kundërshtuar atë. Ne nuk duhet të kopjojmë përvojën e huaj dhe të ndjekim vendet udhëheqëse, por duhet t’i kalojmë ato dhe të zëmë vetë pozicione drejtuese. Në këtë pikë shkenca ushtarake merr një rol vendimtar. Studiuesi i shquar ushtarak sovjetik Aleksandr Sveçin shkruante: “Është jashtëzakonisht e vështirë të parashikosh kushtet e luftës. Për çdo luftë është e nevojshme të përpunohet një linjë e veçantë për drejtimin e saj strategjik. Çdo luftë është një rast unik, që kërkon themelimin e një logjike të veçantë dhe jo zbatimin e ndonjë shablloni”.

Kjo qasje vazhdon të jetë e saktë. Çdo luftë paraqitet si një rast unik, duke kërkuar të kuptuarit e logjikës së saj të veçantë, unike. Kjo është arsyeja se pse karakteri i një lufte në të cilën mund të tërhiqen Rusia ose aleatët e saj është shumë e vështirë të parashikohet. Sidoqoftë, ne duhet.

Çdo deklaratë akademike mbi shkencën ushtarake është e pavlefshme nëse teoria ushtarake nuk mbështetet nga funksioni i parashikimit. Për të trajtuar problemet e shumta me të cilat përballet sot shkenca ushtarake, Shtabi i Përgjithshëm mbështet përkrahjen e Akademisë së Shkencave Ushtarake, e cila ka në qendër studiuesit kryesorë ushtarakë dhe specialistët më të mirinformuar. Jam i bindur se lidhjet e ngushta midis Akademisë së Shkencave Ushtarake dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse do të zgjerohen dhe do të përsosen në të ardhmen (Gerasimov, 2013).

Agjenda ruse për Ballkanin

Është shqetësues fakti se këto doktrina ruse (si e mësipërmja), qofshin për luftë konvencionale, qofshin për luftë hibride, synojnë Ballkanin, si rajon me peshë strategjike dhe si pjesë përbërëse e teorive të tyre të pansllavizmit. Doktrina “Gerasimov”, doktrina “Primakov”, doktrina “Lukjanov”, lufta jolineare ose lufta hibride etj. mbështeten nga strategjitë gjeopolitike euroaziatike. Rusia ka një shkollë të konsoliduar të gjeopolitikës. Mendimtari kryesor i kësaj shkollë është aktualisht Aleksander Dugin. Pas vitit 2000 Dugin u bë ideologu kryesor i Kremlinit të Putinit. Pas ideve të tij shkojnë gjeneralë, politikanë, pjesëtarë të shërbimeve sekrete, filozofë, biznesmenë etj. “Teoria e katërt politike”, e djathta ekstreme europiane, antiliberalizmi, një gjeopolitikë për Euroazinë e të tjera ide që kanë sfond strategjik, tashmë përfshijnë europianë Perëndimorë e Lindorë, të cilët ai i josh me idenë e krijimit të një Euroazie panruse që ka si mision shkatërrimin e liberalizmit “demoniak”. Ai përfaqëson frymën gjeopolitike shtetërore ruse. Në një konferencë në mars 2022 (me gazetarë Perëndimorë), kur u pyet nga një gazetar serb mbi Serbinë, Dugin u shpreh hapur se Rusia e ka në agjendë Ballkanin, si hap të radhës pas Ukrainës. Gazetari që bëri pyetjen, ishte Vanja Saviçeviç, një prorus nga Bosnje-Hercegovina (Republika Srpska), kryeredaktori i faqes së internetit Vostok.rs. Dugin, iu përgjigj si vijon:

“Saviçeviç: Cili është qëndrimi juaj politik për Serbinë?

Dugin: Nuk kam qëndrim politik për Serbinë, pasi Serbia është “dashuria” ime. Ne kuptojmë çdo gjë: miqësinë dhe disa detyrime përballë Perëndimit. Pra kemi këto marrëdhënie me serbët dhe nuk mund t’i vlerësojmë ata, praktikisht, politikisht… Është një ndjenjë e përgjithshme që e ka z. Putin dhe populli ynë, kështu që ne do të jemi me Serbinë përgjithmonë. Kur të mund do t’i ndihmojmë, kur nuk do të mundim, nuk do t’i ndihmojmë, por ata do të vijojnë të jenë njerëzit tanë, tradita jonë, shoqëria jonë, vëllezër e mbase edhe më shumë se vëllezër e motra. Ajo që është e veçantë është se ne kuptojmë plotësisht atë që Vuçiç bën dhe e vlerësojmë tej mase atë që z. Dodik ka bërë në Bosnje Hercegovinë. Dhe kjo ndihmon në këtë situatë kritike politike. Të dalësh jashtë sanksioneve që i vendosen Rusisë është një akt heroik, mendoj. Kjo do t’i kushtojë shumë Serbisë. Ata do të përpiqen t’ju dënojnë edhe një herë tjetër ashtu siç bënë gjatë këtyre 30-35 viteve, por unë mendoj se radha e Serbisë në agjendën gjeopolitike ruse të ringjalljes sllave, do të vijë! Dhe ju do të shihni kur ne të formulojmë objektivin që ka lidhje me Ballkanin. Tani na duhet të përfundojmë atë që kemi nisur” (“Alexander speaking in the Ukraine conflict”, Youtube: Study channel dedicated to prof. Alexander Dugin, 9.3.2022).

Kjo është deklaratë e hapur lidhur me zbatimin e luftës hibride në Ballkan. Të tilla deklarata Dugini i ka bërë edhe më parë. Vizitat e tij në Serbi, me takime në nivele të larta, janë kryer më parë se lufta e Ukrainës. Serbia është e përfshirë në librin e tij kryesor të gjeopolitikës, por vend të veçantë aty zë edhe analiza për shqiptarët. Nëse hidhet hapi drejt Ballkanit, lufta ekzistuese hibride shumëvjeçare kundër shqiptarëve do finalizohet me mjete ushtarake. Konflikti në Ballkan nuk ka përfunduar kurrë. Ai zhvillohet në mënyrë hibride, me mjete joushtarake, përmes gjeoekonomisë, agjenturave, luftës së informacionit, piraterisë, lajmeve të rreme, korrupsionit strategjik, infiltrimeve politiko-diplomatike, përçarjes, tensioneve sociale, radikalizmit fetar, krimit të organizuar, sabotimit të institucioneve etj. Siç u deklarua hapur nga Dugin, synohet kalimi në një etapë të nxehtë. Nuk nevojitet analizë e hollë që të kuptohet se në Ballkan, pansllavizmi i përmendur nga Dugin, kërcënon shqiptarët. Mbetet për t’u parë me vëmendje çdo lëvizje ruse e serbe që mund të sjellë pasoja të rënda për rajonin e për hapësirën shqiptare. Gjenerali Gerasimov, në artikullin e tij, citon me respekt teoricienin ushtarak sovjetik Georgi Iserson: “Lufta në përgjithësi nuk shpallet. Ajo thjesht fillon me forcat ushtarake tashmë të zhvilluara. . . , pa u vënë re, ato zhvillohen shumë përpara saj”. Mjafton t’i hedhësh sytë armatosjes së Serbisë për të kuptuar më mirë gjeneralin Gerasimov, teoricienin Iserson e natyrisht edhe gjeopolitikanin Dugin. Kur lufta të vijë (sepse ajo vjen gjithnjë, me mënyra ushtarake ose joushtarake) secili komb korr frytet e organizimit të tij shumëvjeçar. Nga ky rregull, nuk bëjmë përjashtim as ne shqiptarët.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.