OPINION

Mos nxitoni, pash sytë e ballit!

10:06 - 04.07.22 ZIJA ÇELA
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në këtë pisk vape afrikane, mos pyesni për shkretëtirën, as për sfinksin e atjeshëm, pasi sfinksa nuk ka nevojë të huazojmë, ata vetë i krijojmë e pastaj… Pastaj vuajmë me vite të tëra, duke pritur derisa të bien nga superpesha e vet. Ju kujtohet, besoj, një herë pritëm 45 vjet.




Për shkak të rrezikut nga stuhia e rërës, e cila mund të përhapet rreth e qark, territore të tilla zakonisht mbahen në mbikëqyrje, duke ushtruar presion herë të kamufluar, herë të drejtpërdrejtë. Shëttt, është koha të rrini nën hijen e Palmës së Madhe dhe ta qepni gojën, ngjan se urdhërojnë.

Pra, në njëfarë kuptimi, territori futet në karantinë ose, shqip fare, lihet vetëm. E atëherë rinis debati për shpresën e humbur dhe përsëritet pyetja përse shqiptarët emigrojnë kaq masivisht, ç’është kjo psikozë?!

Ne patjetër kemi edhe shkaqe të mëvetësishme, ato të markës shqiptare. Megjithatë, neuroza e humbjes së të ardhmes sot është një sëmundje e përhapur kahmos. Në këtë rënie psikike e morale, si një rrjedhje e vazhdueshme e globit, nganjëherë duket sikur njerëzimit nuk i ka mbetur tjetër përveç solidaritetit.

Mirëpo, ka teori që solidaritetin sot e konsiderojnë fjalë lëvozhgë, pra, boshe. E kjo të vë në mendime. Mos, vallë, një solidaritet disi i dyshimtë, jo aq për t’u shëruar bashkë sesa për t’u dekompozuar bashkë?! Në rrethana të tilla të ikën truri, nëse mendon çfarë roli luajnë politikanët në këtë dekompozim.

Prandaj pyetja për migrimin masiv merr gjithfarë përgjigjesh gjatë debatit. Sepse është e dhimbshme kur sheh shqiptarët të ikin nga Shqipëria. Por edhe më e dhimbshme është dilema: Përse shqiptarëve po u ikën nga zemra vetë Shqipëria?

“O ndaluni, pash sytë e ballit, ndaluni!”, pata dëgjuar një nënë, që në portin e Durrësit u thërriste bijve.

Me gjasë donte t’u thoshte se shpresa nuk ka vdekur dhe, duke qenë e natyrës shpirtërore, ajo njëkohësisht është hyjnore. Madje, me këtë rast, ia vlen të vihet re: Ka dy gjëra, për të cilat asnjëherë nuk duhet nxituar, vetëvrasja dhe çatdhesimi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.