OPINION

Portat e hapura të Jugut

11:00 - 04.07.22 FATOS ÇOÇOLI
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Rrugët e reja Kuç-Vlorë, Kuç-Qeparo, Kuç-Gusmar, kalimi(bypass) i Vlorës dhe rruga e sapo-hapur Kardhiq-Delvinë, e shndërrojnë  bregdetin jugor të Shqipërisë një vendmbërritje turistike më shumë se dymujore. Janë porta të hapura që do të ndihmojnë ta kthejnë turizmin vjetor në boshtin Vlorë-Sarandë nga gjenerator i 1.3 miliardë eurove, të paktën në dyfishimin e kësaj shume brenda 2 viteve të ardhshme. Por si do të arrihet kjo? Deri tani, sidomos në 15 vitet e fundit, ndërtimet e reja në Vlorë e Sarandë(me mijëra apartamente, hotele e motele), por edhe në të gjithë fshatrat e bregdetit pas Ujit të Ftohtë në Vlorë e deri poshtë pranë Kalasë së Butrintit(me leje dhe pa leje, pirate dhe me letra), kanë bërë që në Rivierën shqiptare të vijnë mesatarisht 1.5-1.7 milionë vizitorë në vit. Por këta vizitorë të brendshëm dhe të huaj, kanë mundur të vijnë vetëm për një periudhë të shkurtër kohore, vetëm për dymujorin korrik-gusht. Shumë pak janë aventuruar të vijnë në qershor apo edhe në shtator. Ndoshta një e tridhjeta pjesë e qindra mijëra vetëve që derdhen në korrik dhe gusht. Edhe pse uji i mrekullueshëm dhe i pastër kristal i detit Jon është njëlloj i ngrohtë dhe mikpritës edhe në këto dy muaj. Shkak kanë qenë rrugët jo të mira, që e shndërronin udhëtimin Tiranë-Sarandë në një sforcim 4-5 orësh në mes të vapës dhe rradhëve të gjata të automjeteve në hyrjet e qyteteve Fier dhe Vlorë. Tani nuk hyhet më në Fier, për të shkuar në Vlorë dhe Sarandë, duke kursyer 30 minuta dhe nuk do të hyhet as edhe në Vlorë me kalimin(by-pass-in) e ri të qytetti. Tani, me rrugët e reja, sidomos me aksin 34 km Kardhiq-Delvinë, ata që nisen nga Tirana jo nga rruga e Bregdetit, mbërrijnë në Sarandë 45 minuta më shpejt. Qafa e Muzinës, me rrugën gjarpërushe të ngushtë dhe të rrezikshme, vend i shumë aksidenteve me pasojë edhe vdekjen, tani kthehet në një kujtim aspak tërheqës të udhëtimeve për në Sarandë. Ndryshe nga sa mund të mendohet në pamje të parë, Gjirokastra me rrugën e drejtpërdrejtë pa kaluar në Muzinë, vetëm se rifiton një pjesë të madhe të tërheqjes së saj për vizitorët vendas dhe të huaj, pasi nga Saranda mund të arrihet për 45 minuta më pak! Pra për vetëm gjysëm ore! Mijëra turistë të huaj të Sarandës, që vijnë me traget nga Korfuzi për të qëndruar një ditë në Sarandë, mund të qëndrojnë edhe dy ditë tani. Për gjysëm ore janë në Gjirokastër, për të shijuar një qytet të gurtë të UNESCO-s dhe pastaj të kthehen sërisht në Sarandë, të palodhur dhe jo të dëshpëruar, nëpër vapë, nga rrugët marramendëse e të ngadalta të Qafë Muzinës. Për 20 minuta nga Qeparoi, çdo vizitor nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe nga çdo vend tjetër, mund të drekojë në freskinë e buronjave në lartësitë e Kuçit dhe Dukatit, me çmime dhjetë herë më të lira se sa mëngjesi, dreka dhe darka e Dhërmiut apo Jalës. Mund të flejë në bujtinat e Labërisë, Dukatit, dhe para se sa ta zerë gjumi në drekë apo darkë, të dëgjojë e shijojë këngën labe nga grupet e shumta polifonike të zonës. Natyra ka krijuar një mrekulli  me amfiteatrin natyror që quhet Labëri dhe që fillon nga Kepi i Gjuhës në Gadishullin e Karaburunit, që shkel kreshtat e maleve Akrokeraune, (ose malet e Vetëtimës siç i quajnë banorët vendas të Dukatit), dhe del në jugëlindje në pikën turistike në parkun e Llogorasë, duke harkuar në malet e Tragjasit. Çfarë e bën më të qëndrueshëm dhe më me përshtypje jete turizmin në Vlorë dhe Sarandë nuk janë vetëm rrugët më të shumta dhe më të shpejta që të çojnë në det, por lidhja e pushimit bregdetar me vizitën rrëzë maleve dhe në sheshpushimet e tyre.. Deri tani, te humbje diten ne det per te shijuar nje dreke me gatime çobanesh apo freskine e bujtinave te Dukatit dhe Kuçit, perbente nje aventure raskapitese gjysem apo njeditore. Ketej e tutje, kete aventure qe shlyhet veshtire nga mendja, mund ta shijosh edhe per vetem 2-3 ore. Realizohet kesisoj nje enderr e vjeter e pushuesve ne Riviere, nderthurja e plote dhe ne kohe e turizmit te detit me ate te malit, qe me mjaft mundim, realizohej tejet pjeserisht dhe per fare pak kohe vetem ne Parkun natyror te Llogarase. Ja perse te 1.3 miliarde eurot qe si komb nxjerrim nga Riviera e mrekullueshme shqiptare ne vit, mund te dyfishohen brenda me pak se dy viteve. Laberia e patriotizmit me te kulluar shqiptar dhe e traditave foklorike e historike, behet pjese e pandare dhe visar i pushimeve ne Riviere! Sidomos aksi Kardhiq-Delvinë, një rrugë bosht që e rikthen të gjithë Jugun e Shqipërisë me fytyrë nga deti, mund dhe do të bindë gjigandët e turizmit të organizuar dhe masiv gjerman, si TUI, Thomas Cook dhe “DER Turistik” të sjellin grupe me qindra e qindra turistë gjermanë. Dhe së bashku me gjermanët, do të vijnë në masë nordikët dhe anglezët. Për këtë duhet të jemi të sigurtë. Dhe çmimet e larta deri në neveri të Dhërmiut, Jalës apo të shumë hoteleve në Sarandë, do të fillojnë të gremisen si në rënie të lirë, nga konkurrenca e shëndetshme e bujtinave të Labërisë, Gjirokastrës, Tepelenës, Progonatit e Nivicës. Saranda ka qenë për më shumë se dy dekada 2000-2021, një qytet i bukur, por i izoluar, pa ofertë turistike të plotë, përveç detit, me një sezon veror turizmi detar, të kufizuar në dy muaj. Tani do të shndërrohet, edhe me aeroportin e Vlorës dhe, pak më vonë, edhe atë të Sarandës, në një perlë të Jugut me vizitorë masivë, me ofertë të detit dhe të malit, me natyrë dhe me përshtypje historike e kulturore të trevave të Labërisë. Këtë mrekulli do ta jetojmë këto 5-6 vitet e ardhshme, nga portat e hapura rrugore të Jugut tonë.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.