AKTUALITET

“Tashmë është gati mbyllja e Ambasadës ruse në Sofje”/ Shtatëdhjetë diplomatë rusë të dëbuar largohen nga Bullgaria

16:43 - 04.07.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dy avionë të qeverisë ruse morën 70 diplomatët rusë të dëbuar bashkë me familjet e tyre nga Bullgaria të dielën (3 korrik) dhe fluturuan nga Sofja në Moskë. Sipas shtypit bullgar, numri i përgjithshëm i pasagjerëve që janë larguar nga vendi është mbi 180.




Bullgaria shpalli persona non grata 70 diplomatët rusë të enjten e kaluar, në atë që është dëbimi më i madh që kur Britania e Madhe dëboi 105 diplomatë sovjetikë gjatë Luftës së Ftohtë në 1971.

“Ne po dërgojmë 70 diplomatë rusë. Kushdo që punon për interesa të huaja do të thirret të kthehet në vendin nga ka ardhur”, tha kryeministri në largim Kiril Petkov, i cili përgëzoi shërbimet sekrete bullgare për punën e tyre të mirë.

Thuhet se jo të gjithë 70 personat e dëbuar janë diplomatë, disa janë staf teknik si kuzhinierë, shoferë apo kopshtarë.

Ndër diplomatët rusë të dëbuar që u nisën sot për në Moskë ishte edhe numri dy i ambasadës ruse, Philip Voskresensky, i cili tha se asnjë nga rusët “të dëbuar ilegalisht, me arrogancë” nuk ka punuar kundër Republikës së Bullgarisë.

“Askush nuk mund të prishë marrëdhëniet ruso-bullgare, askush”, tha Vozkresenski, duke folur në aeroport, siç citohet nga e përditshmja SEGA.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se Bullgaria e ka ulur “në minimum, madje në zero” mundësinë e funksionimit të ambasadës ruse në Sofje.

Më herët, zëvendësministri rus i Punëve të Jashtme Aleksandër Grushko paralajmëroi se Moska duhet të vendosë nëse do të mbajë apo mbyllë praninë diplomatike ruse në Bullgari.

Ish-ministri i mbrojtjes Todor Tagarev komentoi në radion kombëtare se klasa politike në Bullgari ishte ende e ndarë për çështje të tilla si Rusia dhe ndihma ushtarake për Ukrainën.

Në të vërtetë, në parlamentin bullgar, partia socialiste bullgare (BSP), një partner koalicioni në kabinetin e Petkovit, po mbron një pozicion më të ekuilibruar në lidhje me luftën në Ukrainë dhe është fuqimisht kundër dërgimit të armëve nga Bullgaria në Ukrainë.

Në opozitë, një forcë e hapur pro-ruse, “Vazrazhdane” (Ringjallja), dënoi lëvizjet e politikës së jashtme të Kiril Petkov, ndaj Rusisë dhe Maqedonisë së Veriut, si “tradhti kombëtare”.

Politikanët nga BSP kanë thënë se dëbimi i 70 diplomatëve rusë nuk u bazua në prova të forta dhe paralajmëruan se masa do të dështonte.

“Ndarja shihet edhe në lidhje me dëbimin e 70 diplomatëve rusë”, tha Tagarev. Sipas tij, shoqëria bullgare vazhdon të jetë e ndarë përgjatë boshtit lindje-perëndim.

Megjithatë, Tagarev pret që dëbimi i diplomatëve mund të ketë “një efekt shërues” në marrëdhëniet e Bullgarisë me Rusinë, sepse, sipas tij, Rusia nuk e ka trajtuar kurrë Bullgarinë si një vend sovran.

Ai ka komentuar edhe situatën aktuale politike.

Forca e Petkovit, “Ne vazhdojmë ndryshimin”, ka afat deri të premten për të tentuar të formojë një kabinet të ri me mbështetjen e deputetëve të pavarur.

“Pyetja përpara qeverisë së re duhet të jetë, a dëshironi që ne të jemi pjesë e Evropës, apo dëshironi që ne të shkojmë në Azi? Dëshironi korrupsion apo qeverisje të mirë?”

Tagarev paralajmëroi se nëse përpjekja për të formuar një kabinet dështon, qeveria e përkohshme e emëruar nga presidenti Rumen Radev do të bllokojë dërgimin e armëve dhe municioneve në Ukrainë.

“Kjo do të ishte një goditje e rëndë kundër imazhit të Bullgarisë për dekadat e ardhshme,” tha Tagarev.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.