DOSSIER

“Rrok Gera u martua me Gjyljetën, të bijën e një tregtari të njohur në Shkodër, e cila fliste disa gjuhë të huaja, luante në piano, njihte letërsinë botërore dhe…” / Historia e panjohur e ministrit të Zogut!

07:20 - 13.07.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Arben Pustina




Ky libër synon të përcjellë te publiku imazhin e një njeriu perfekt, i cili jetoi në kohëra të tjera, por që ishte shembulli më i mirë, jo vetëm i asaj që mund të përfaqësojë një njeri i zakonshëm, por, në radhë të parë, si shembulli i një shtetari fisnik, të shquar, të gjithëdijshëm e, mbi të gjitha, të ndershëm. Duke pasur në gjene virtytet fisnike të prejardhjes së tij, duke u formuar si personalitet në një ambient të mrekullueshëm, siç ishte Shkodra e fillimit të shekullit XX-të, dhe duke u diplomuar në një nga universitetet më prestigjioze të Europës, siç ishte ai i Vjenës, Rrok Gera kishte gjithë potencialin për të qenë një ndër figurat e rëndësishme, që i dhanë hov një zhvillimi të vrullshëm nëpërmjet reformave të gjithanshme në Shqipëri, në vitet ’30-të të shekullit të kaluar.

Ky zhvillim arriti kulmin me qeverinë e Mehdi Frashërit, e cilësuar ndoshta si qeveria shqiptare më e mirë e të gjitha kohërave, e formuar në pjesën më të madhe nga persona jopolitikë, mes të cilëve ishte edhe Rrok Gera. Për 10 vjet, apo më shumë, si ministër apo në funksione të tjera të larta shtetërore, ai punoi me bindje se po ecej në rrugë të drejtë për konsolidimin e shtetit shqiptar, proces për të cilin thoshte se nuk kishte kohë për të humbur.  Ekonomist, financier, diplomat, jurist, Gera ishte një specialist që çau përpara drejt majave me profesionalizmin e tij në një ambient ku tarafet e vjetra, që ishin pothuaj mbizotëruese në politikë e në qeverisje, erdhën duke humbur terren përballë njerëzve të rinj e të arsimuar mirë.

KTHIMI NË SHQIPËRI DHE AKTIVIZIMI NË ADMINISTRATËN SHTETËRORE

Nga fundi i shtatorit 1931, Rrok Gera u caktua për të inspektuar agjencinë e shoqërisë S.I.T.A. në Kavajë. Në raportin e detajuar të datës 09.10.1931, me nr. protokolli 6353/I, dhe që mbante shënimin “N’evidencë për buxhetin e ri”, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave vërente se, pasi kishte inspektuar për tri ditë kriporet dhe magazinat e kripës në Kavajë, kishte konstatuar se procedurat e kryera nga nëpunësi i shtetit pranë magazinave të kripores, si dhe nga agjenti i shoqërisë S.I.T.A., në përgjithësi nuk ishin abuzuese, pra nuk kishte aktivitet në dëm të shtetit. Pasi kishte kontrolluar imtësisht gjithçka në aktivitetin e S.I.T.A.-s në Kavajë, Rrok Gera, theksonte ndërkohë se ekzistonte mundësia që, për arsye të ndryshme, kripa të peshohej keq kur hynte e dilte nga kriporja, apo të grabitej gjatë natës, kur ishte në lëmë ose dhe në magazina, të cilat ishin të mbyllura me dryna të vjetër.

Në raportin e tij prej 6 faqesh, Gera sugjeronte shtimin e një nëpunësi të shtetit në ambientet e S.I.T.A.-s, shtimin e masave për sigurinë e mallit si dhe përmirësimin e dokumentacionit, e sidomos të letër-përcjelljeve të lëshuara nga kriporja. Nëpërmjet një letre të Drejtorisë Qendrore të BKSh-së, drejtuar Këshilltarit Delegat të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, Amedeo Gambino, mësojmë se në muajt e parë të vitit 1935, Rrok Gera ishte ngarkuar nga ministri i Financave që, të merrej edhe me projektin për organizimin e monopolit të shtetit për duhanin.

Në këtë letër, Ettore Melis konfirmonte se këtë gjë ia kishte pohuar atij vetë zoti Gera. Në atë kohë, drejtuesit italianë të BKSh-së dhe qarqet financiare italiane ishin të shqetësuar për mundësinë e marrjes së koncesionit të duhanit në Shqipëri nga ana e anglezëve, ndaj dhe u pëlqente ideja që monopolin e duhanit në Shqipëri ta kishte shteti. Duke konfirmuar vlerësimin e përgjithshëm të kohës për aftësitë profesionale të Rrok Gerës, në mbledhjen e datës 28 janar 1932, Këshilli i Lidhjes së Kombeve, me qendër në Gjenevë, e zgjodhi atë “Anëtar korrespondent” të Komitetit të tij Fiskal, strukturë në të cilën jo të gjitha vendet kishin përfaqësuesin e tyre. Në kohën që Rrok Gera ishte anëtar korrespondent i Komitetit Fiskal, ky komitet i përhershëm kishte 10 anëtarë të rregullt dhe 36 anëtarë korrespondentë nga po kaq vende anëtare të Lidhjes së Kombeve, mes të cilëve dhe Shqipëria.

Në shumicën e rasteve, këta anëtarë ishin ndër zyrtarët më të rëndësishëm të strukturave financiare e tatimore në vendet përkatëse. Gera vazhdoi të ishte anëtar korrespondent i Komitetit Fiskal të Lidhjes së Kombeve deri në prillin e vitit 1939. Në fillim të vitit 1934, Këshilli i Ministrave mori vendimin për emërimin e Rrok Gerës zëvendës-komisar i Shtetit pranë Bankës Kombëtare të Shqipërisë. Sipas vendimit nr.96 datë 28.02.1934, Gera ruante nëpunësinë origjinale si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave dhe përfaqësonte ndërkohë qeverinë shqiptare pranë Bankës në fjalë, sipas dispozitave të ligjit organik dhe të statutit të saj.

Shqetësimi i italianëve për këtë emërim u pasqyrua menjëherë në letrën e Drejtorisë Qendrore të BKSh-së me seli në Romë, të datës 15 mars 1934, në të cilën u theksohej drejtuesve të Bankës në Tiranë, se patjetër që e pranonin emërimin e Rrok Gerës në pozicionin e Sindakos pranë kësaj Banke, por ndërkohë tërhiqnin vëmendjen, se në bazë të artikullit të Ligjit Organik të BKSh-së, për asnjë arsye, i sapoemëruari nuk mund të ndërhynte në menaxhimin e çështjeve të ndryshme, apo në administrimin e Bankës. Në 25 shkurt 1935, Rrok Gera u martua me Gjyljetën, të bijën e një tregtari të njohur në Shkodër; Lec Shkreli.

Ajo kishte ndjekur për tetë vite me radhë një kolegj në Dubrovnik, ku dhe kishte marrë një formim të gjithanshëm. E rritur në luks, Gjyljeta ishte një grua shumë inteligjente, elegante dhe me shumë klas. Fliste shumë mirë serbo-kroatishten, italishten dhe gjermanishten, njihte perfekt letërsinë botërore, pikturonte, luante në piano, notonte mirë dhe shquhej për kulturën e saj. Siç tregonte vetë Gera, gjatë një tryeze diplomatike, organizuar pas martesës, ambasadori kroat i kishte shtrënguar atij dorën dhe e kishte përgëzuar, duke i thënë se zonja Gera e fliste gjuhën serbo-kroate më mirë se vetë ai, që ishte ambasador i Kroacisë. Nga kjo martesë, çifti Gera pati dy vajza.

MINISTËR I FINANCAVE NË QEVERINË E MEHDI FRASHËRIT

Në vjeshtën e vitit 1935, Mbreti Zog mendonte të formonte një qeveri të re, relativisht liberale, nën drejtimin e Mehdi Frashërit, në një lëvizje që shihej si përpjekje kuptimplotë për shkëputje nga politika e kaluar. Mehdi Frashëri ishte një personalitet që, për shumë vite, kishte qenë përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve dhe që njihej për idetë përparimtare si dhe për ndershmërinë e tij. Në vend të ministrave të kabinetit të mëparshëm, në qeverinë e drejtuar prej Frashërit, erdhën një grup ministrash të rinj në moshë, por që ishin të arsimuar mirë dhe kishin vullnetin për të bërë reforma.

Pas disa vitesh pune në Ministrinë e Financave, ku pjesën më të madhe të kohës kishte mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm, Rrok Gera ishte caktuar pjesë e këtij kabineti të ri qeverisës. Më 21 tetor 1935, ai u emërua ministër i Financave në qeverinë e të “rinjve”, të kryesuar nga Mehdi Frashëri, së bashku me disa nga shokët e tij të shkollës në Vjenë, si: Fuat Asllani, Nush Bushati, Ndoc Naraçi dhe Anton Krajni. Më 21.10.1935, vetë kryeministri Frashëri njoftonte zyrtarisht Gerën për detyrën e re: Z. Rrok Gera, Ministër i Financavet Tiranë Kam nderin t’Ju njoftoj se Nalt-Madhnija e Tij Mbreti, Sovrani i Jonë August, u denjue me dekretue eliminimin e z’Suej, si Ministër i Financavet.

Dekreti relativ ju dërgohet këtu ngjit dhe Ju lutemi të filloni detyrën qi ju ngarkohet, qysh sot. KRYEMINISTRI. Me caktimin në detyrën e re, Gera mori urime të shumta, ndër të cilët ishte dhe ai i At Gjergj Fishtës. Këtij urimi, ai i përgjigjet nga Tirana me një telegram të datës 23.10.1935, që përkon edhe me ditëlindjen e poetit tonë të madh: “Zotit Provincialit të Françeskanëve! Mirënjohës për urime të përzemërta lutem me pranue nderimet e mia të posaçme bashkë me shumë përshëndetje miqësore. Rrok Gera”. Ndërsa paraqiste programin e qeverisë mbi reformat e parashikuara, kryeministri Frashëri, deklaronte ndër të tjera: “…Nji nga qëllimet kryesore të qeverisë, të cilën kam nderin t’a kryesoj, asht përmirësimi i gjendjes ekonomike e financiare…”.

Pasi theksonte se ishte koha që qeveria të merrte masa për ta ndryshuar gjendjen në këta sektorë, Frashëri parashtronte 16 projektligje, të shoqëruara me raportet justifikuese përkatëse. Projektet për financat ishin si më poshtë: 1. Transformimi i taksës së xhelepit, në një taksë konsumi te mishit. 2. Modifikimi i ligjës së të dhjetës. 3. Modifikimi i vergjisë mbi pasuritë e paluajtshme. 4. Modifikimi i taksës së peshkimit. 5. Monopolizimi i duhanit. 6. Monopolizimi i pijeve alkoolike. 7. Përjashtimi nga taksat doganore të disa artikujve që shërbenin për fabrikimin e djathit.

Kuptohet, që këto projekte, të shpërndara tashmë nga Kryeministri në dikastere të ndryshme, në Këshillin e Shtetit, në Parlament dhe në shtyp, pritej të ishin në fokus të punës së ministrit të ri të Financave, Gera. Kohë më vonë, në librin e tij të kujtimeve me titull “Probleme shqiptare”, Mehdi Frashëri shkruante:..“Pikësëpari duhej të reformohet sistemi financiar i shtetit në një mënyrë që të ardhurat të zhvillohen shkallë shkallë, sa që t’u bëjnë ballë gjithë nevojave që lyp një qytetërim i lartë.

Financat e shtetit i gjasojnë stomakut të një trupi, po të mos punojë stomaku normalisht në një trup, dobësia e organeve të tjera duket menjëherë, edhe kjo sjell aneminë, anemia shkakton kollën e keqe edhe sëmundje të tjera që sjellin vdekjen e njeriut. Për këtë arsye po fillojmë nga reformat financiare edhe mbasandaj do të vijmë në degët e tjera të punimit shtetëror. Më 1935 kur hipa në fuqi, pik së pari mora parasysh përmirësimin e financave…”! Nga sa shkruan Mehdi Frashëri, kuptojmë se zgjedhja e Rrok Gerës në krye të financave ishte një vlerësim i madh, pasi Mehdi beu e shihte atë si njeriun e duhur për ndërmarrjen e reformave të gjithanshme në sistemin financiar. Ndërkohë, qeveria e re u përshëndet prej gjithë vendit me një simpati të madhe. Për kabinetin e ri qeveritar, gazeta “Vatra” shkruante në numrin e saj të 22 tetorit 1935 se:…“Përshtypja në opinionin e Tiranës për kabinetin e ri, është jashtëzakonisht e mirë. Konstatohet kudo një kënaqësi që s‘mund të përshkruhet.

Për të gjithë pa përjashtim. Mosha e re e ministrave të ri, është një konvinksjon për qëndrimin e tyre, qëndrim për të mirën e këtij populli që është kaq i mirë dhe ka qenë aq i përbuzur….”! Edhe gazeta “Illyria”, në faqet e saj të numrit të 26 tetorit 1935, përcillte entuziazmin popullor për qeverinë e re:…“Formimi i Gabinetit Frashëri prodhoi në kryeqytet e në krejt Shqypnin, një kënaqësi të madhe….Asht për tu shënue, se ky Gabinet asht “ekstra-parlamentar”, për arsye se kurrë nji ndër Ministra nuk asht deputet, përpos z. Nush Bushatit”.

Duke e cilësuar krijimin e qeverisë së re si ngadhënjimin e pritshëm të të rinjve mbi të vjetrit, “Minerva”, shkruante në kryeartikullin e saj, se erdhi më në fund koha e një realiteti të ri, që rrëzoi të vjetrin dhe shpërndau errësirën: …“Na u hutuam pakëz nga skena e re, nga realiteti i ri. Të mësuar n’erësirë, na vrau sytë drita e ditës së re. Bota q’u rrëzua, bota q’u nis nga varret, ikën e pështjellur në mantot’ e saj të mëndafshta duke qeshur, duke qarë e duke ndriçuar dhëmbët e saj të verdhë e të kalbur. Ikën, ikën që të fshihet, ka frikë të duket në mes t’anë. Britmat e nxehta të popullit e sëmurën. Dalëngadalë do t’a vdesin fare”.

Atmosfera entuziaste e krijuar menjëherë pas formimit të qeverisë së re përshkruhet edhe në kujtimet e njërit nga oficerët britanikë që u morën me organizimin e xhandarmërisë shqiptare në vitet ’30-të, kolonel Oakley Hill: …“Publiku ishte i kënaqur pa masë, duke menduar se një erë e re kishte ardhur. Unë njihja shumicën e ministrave dhe e kisha për kënaqësi kur i vizitoja ata…!

Gjithkush mund ta ndjente që ata donin të hiqnin qafe mënyrat e vjetra dhe t‘i kthenin realisht gjërat për mirë. Ky ishte një vit i lumtur…”. Kabinetin Frashëri e vlerësonte me nota maksimale edhe historiani Vandeleur Robinson, në librin e tij “Albanian Road to Freedom” : …“Kryeministër ishte Mehdi Frashëri, një idealist i hershëm, ndërsa ministrat ishin njerëz të rinj në moshë e të rinj në qeverisje, të cilëve tani për herë të parë po u jepej një shans.

Ata përfaqësonin një tendencë më moderne dhe një brez që nuk kishte trashëguar idetë e turqve……Gjithsesi, nga vëzhgues kompetentë që kanë jetuar në Shqipëri, është pohuar se kabineti Frashëri, ishte më i miri që Shqipëria kishte patur ndonjëherë…..Idealizmi i Frashërit dhe skuadra e tij me njerëz të rinj, që s’kishin lidhje me Sulltanët dhe që ishin të zgjuar, kompetentë dhe të ndershëm, solli në udhëheqjen e Shqipërisë një frymë ajri të freskët si dhe çoi në një përmirësim të ndjeshëm në praktikën e qeverisjes së përditshme…”! Po ashtu, drejtuesit italianë të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, kishin komentin e tyre për formimin e kabinetit Frashëri:

“…Formimi i Kabinetit të ri edhe mund të konsiderohet si një manifestim tendence për një afrim italo shqiptar, por parasëgjithash do të thotë një demonstrim i politikës së brendshme, për një pastrim të të gjithë elementeve me një fizionomi turke, të cilët edhe pse nuk janë vërtet turq, janë gjithnjë, pak a shumë, po ato eksponentë, të të njëjtit sistem…”, shkruhej në letrën e 21 tetorit 1935, drejtuar këshilltarit delegat të BKSh-së në Romë, Amedeo Gambino. Formimi i kabinetit të ri qeveritar në Shqipëri, pati jehonë të madhe dhe në shtypin e huaj, i cili nuk mjaftohej vetëm me dhënien e lajmit për krijimin e kabinetit të ri.

Kështu, në numrin e saj të 14 nëntorit 1935, gazeta “Vatra” përcillte shkrimin e gazetës franceze “Journal des Debasts”, në të cilin shkruhej për reformat që kishin filluar të ndërmerreshin në Shqipëri: “…Kabineti Frashëri ka filluar një radhë reformash. Kabineti Frashëri i përbërë prej njerëzve të ri, e më të shumtit funksionarë të huej në politikën e Partive, veçanërisht do të përpiqet për qetësimin e paqësimin e brendshëm. Gjithashtu, për sa i përket administrimit, Z. Frashëri, ish anëtar Këshillit të Shtetit (siç dihet ka kryesue në punimin e Kodit Civil shqiptar), ka marrë një radhë masash përsa i përket organizimit administrativ të Mbretërisë. Nji rikqyrje e plotë e ligjeve mbi rekrutimin e funksionarëve asht parapa me një herë; kandidatët burra dhe femra, prej çdo konditë shoqnore, mund të marrin pjesë në konkurse shteti…”.

Por në kundërvënie të plotë me këtë frymë mikpritëse e dashamirëse që cituam deri tani, ishte atmosfera në Parlamentin e vendit ku, me rastin e një interpelance me Kryeministrin, mbajtur më 13 janar 1936, disa deputetë shfrynë mllefin e tyre ndaj kabinetit të ri qeveritar dhe debatet e zjarrta shkuan aq larg, sa, sipas shtypit të kohës, debatuesit …“vunë dorën në patllake” dhe “gati luajtën gishtin”. Konkretisht incidenti nisi pasi dikush foli për republikanizmin e Mehdi Frashërit, si dhe shtroi pyetjet se pse ishin bërë gjithë ato manifestime për qeverinë e re dhe pse ajo cilësohej “liberale”.

Pas marrjes së detyrës së ministrit, më 24.10.1935, Rrok Gera u drejtohej gjithë drejtuesve të zyrave të financave dhe doganave në rrethe me një telegram-qarkore, duke kërkuar bashkëpunimin e tyre dhe duke paralajmëruar, ndërkohë, se nuk do të kishte tolerancë për shmangiet, shkeljet, abuzimet, apo mosangazhimet në detyrë: “…Detyrën e naltë që Naltmadhnija e Tij Mbreti, pati mirësinë me më ngarkue t’ue më dhanë në dorë drejtimin e Dikasterit të Financavet, dëshiroj me e zbatue në bashkëpunim të ngushtë me Zotnin t’Uej e me gjithë nëpunësit e personelin tjetër të lanun në varësinë t’Uej.

Siç e dini mirëfilli, parimi i Sovranit t’onë August asht drejtësi tue aplikue ligjet e shtetit mirë e nji për të gjithë, kjartësi e saktësi në veprime, tregim rezultatesh të mira e në kohën e duhun në shenj të kryemjes së detyrës me rregull e shpejt, studim e punë pa lodhje, ndjekje pa mëshirë të abuzimeve fiskale. Lutem prandaj Z. S’Uej që t’i komunikoni të gjithë personelit, se nji shmangie nga ky parim nuk do të tolerohet kurrsesi.

Vërtetimet e nxjerrjet dhe tjerat veprime, kanë me u kontrollue prej meje kryesisht në pikëpamje të përgjegjësisë personale mbasi asht faji i juaj në kjoftë se veprimet me të meta, rrjedhin nga nëpunës të pazot, ose analfabet, qi ju nuk i keni raportue ndonjëherë. Do të më vinte prandaj keq në kjoftë se bashkëpunimi i jonë në këso rastesh do të pësonte ndonjë tronditje. Përkundrazi jam i bindun se nën udhëheqjen t’Uej të kujdesshme, gjithsecili nëpunës ka me e krye detyrën e tij në rregull e kështu do të sigurohet mirëfunksionimi i Administratës financiare. Memorie.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.