DOSSIER

“Rrok Gera, në vitin 1936, i kërkoi Parlamentit të miratonte importin e një sasie drithi, për të mbajtur nën kontroll çmimet”/ Historia e panjohur e ministrit të Zogut!

07:33 - 14.07.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ky libër synon të përcjellë te publiku imazhin e një njeriu perfekt, i cili jetoi në kohëra të tjera, por që ishte shembulli më i mirë, jo vetëm i asaj që mund të përfaqësojë një njeri i zakonshëm, por, në radhë të parë, si shembulli i një shtetari fisnik, të shquar, të gjithëdijshëm e, mbi të gjitha, të ndershëm. Duke pasur në gjene virtytet fisnike të prejardhjes së tij, duke u formuar si personalitet në një ambient të mrekullueshëm, siç ishte Shkodra e fillimit të shekullit XX-të, dhe duke u diplomuar në një nga universitetet më prestigjioze të Europës, siç ishte ai i Vjenës, Rrok Gera kishte gjithë potencialin për të qenë një ndër figurat e rëndësishme, që i dhanë hov një zhvillimi të vrullshëm nëpërmjet reformave të gjithanshme në Shqipëri, në vitet ’30-të të shekullit të kaluar.




Ky zhvillim arriti kulmin me qeverinë e Mehdi Frashërit, e cilësuar ndoshta si qeveria shqiptare më e mirë e të gjitha kohërave, e formuar në pjesën më të madhe nga persona jopolitikë, mes të cilëve ishte edhe Rrok Gera. Për 10 vjet, apo më shumë, si ministër apo në funksione të tjera të larta shtetërore, ai punoi me bindje se po ecej në rrugë të drejtë për konsolidimin e shtetit shqiptar, proces për të cilin thoshte se nuk kishte kohë për të humbur.  Ekonomist, financier, diplomat, jurist, Gera ishte një specialist që çau përpara drejt majave me profesionalizmin e tij në një ambient ku tarafet e vjetra, që ishin pothuaj mbizotëruese në politikë e në qeverisje, erdhën duke humbur terren përballë njerëzve të rinj e të arsimuar mirë.

KTHIMI NË SHQIPËRI DHE AKTIVIZIMI NË ADMINISTRATËN SHTETËRORE

Këta tregues dhe qëndrueshmëria e jashtëzakonshme e frangut shqiptar në përgjithësi, më shumë se merita të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, ishin fryt i përkushtimit të autoriteteve financiare shqiptare, përfshi dhe Rrok Gerën. Kontaktet për çështje pune ndërmjet Gerës dhe përfaqësuesve të kapitalit italian në BKSh, apo Bankën e Italisë, si Amedeo Gambino, Gaudenzi, Ettore Meliss, Bressan, etj., ishin mjaft të shpeshta dhe në arkiva, apo studime me karakter ekonomik e financiar, gjenden letërkëmbime të shumta dhe referime për këto takime, ku Gera cilësohej si: “Ministro Gera”, “S.E. Gera”, “Eccellenza Gera”, “signor Gera”, “Dott. Gera”, apo thjesht “il Gera”. Në një letër të tij të 15 nëntorit 1935, Ettore Meliss, i shkruante Gambinos, duke theksuar se, ashtu si dhe ky i fundit mund ta kishte konstatuar vetë, Dr. Gera ishte një person me mentalitet krejt ndryshe nga personalitetet e tjera shqiptare.

Si për ta ilustruar këtë (të paktën sa i takon karakterit të fortë dhe vendosmërisë), kemi një letër të datës 25.07.1936, ku Drejtoria Qendrore e BKSh-së, me seli në Durrës, i shkruante Gambinos në Romë se, ndërsa Kryeministri Mehdi Frashëri kishte përcjellë me urgjencë 16 projekte ekonomike e financiare në Këshillin e Shtetit (të cilat i kishte shpërndarë edhe për shtypin), burime të sigurta pohonin se ministri i Financave, Rrok Gera, kishte nisur nga ana e tij një letër për Kryeministrin dhe një kopje të saj për Këshillin e Shtetit, ku deklaronte se nuk ishte aspak dakord me Kryeministrin lidhur me projektet në fjalë si dhe argumentonte se, në një situatë të tillë, ato nuk mund të merreshin në shqyrtim.

Në fakt, kjo letër ekzistonte vërtet dhe në thelb kishte kundërshtimin e Gerës, sidomos ndaj projektit të Kryeministrit Mehdi Frashëri, për modifikimin e taksës së të dhjetës. Me letrën që mbante datën 22.07.1936, me nr. 251/I Res., Rrok Gera i sillte në vëmendje Kryeministrit se, ishte kundër nismës për suprimimin e ligjit mbi konvertimin e së dhjetës me një tatim në të holla, pasi ky ligj ishte bërë me qëllim që të lehtësonte barrën e bujkut, të shmangte veset e dhjetarit, të shtonte prodhimin dhe, në përgjithësi, të eliminonte dëmet morale e materiale që kishte sjellë dikur sistemi i së dhjetës. Pasi theksonte se fshatarët ishin shumë të kënaqur me sistemin e tatimit në të holla dhe për këtë kishte shumë prova, për të cilat ishte informuar madje personalisht nëpër fshatra, ministri Gera nënvizonte, ndër të tjera, se: “… masa e parapame prej Shkëlqesisë s’Uej, me introdukte të dhjetën edhe për katundet që kanë optue për pagesën e tatimit në të holla, nuk më duket të jetë e ligjshme dhe e drejtë”.

Po në këtë kontekst, Rrok Gera deklaronte se ai vetë kishte punuar plot 5 vjet për hartimin e miratimin e ligjit në fjalë dhe tani nuk i’a lejonte as ndërgjegjja të pranonte tani diçka, kundër së cilës kishte luftuar aq fort dikur:…“Titullari i kësaj Ministrie e ka luftue 5 vjet rresht në cilësinë e tij si Sekretar i Përgjithshëm, sistemin e së dhetës, deri sa u gjet nji Ministër Finance që, e kuptoi rëndësinë e çështjes. E si do t’u justifikonte përpara ndërgjegjes së vet tani si Ministër, me introdukte prapë sistemin e së dhetës, që aq shumë e ka dënue dhe e dënon”? Edhe më tej, ministri Gera parashtronte në letrën e tij, një numër arsyesh e analizash të faktorëve financiarë dhe ekonomikë, duke arritur në përfundimin se, pikërisht për gjithë këto arsye, nuk mund ta pranonte projektin e Kryeministrit. Për sa i takonte reformës në këtë fushë, ministri i Financave premtonte se, shumë shpejt do të parashtronte projektligjin mbi zbatimin e Kadastrës dhe atë mbi aplikimin e një tatimi shumë të ulët mbi tokën, në ato zona ku suprimohej pagimi i së dhjetës në të holla.

Gjithashtu, Gera premtonte se, për të shtuar të ardhurat e financës, do të kërkonte rrugë e mjete të tjera. Në prag të sezonit të korrjeve, në pranverën e 1936-tës, Ministria Financave kishte menduar marrjen e masave për të parandaluar spekulimet me çmimet e drithërave. Lidhur me këtë çështje, në një raport justifikues për Parlamentin, në datën 11 mars 1936, ministri Rrok Gera sugjeronte që qeveria të kishte në dispozicion një sasi drithërash, duke ushtruar të drejtën e saj për blerje nga jashtë shtetit, por, duke qenë njëkohësisht e kujdesshme që sasitë e drithërave, të mos ishin aq të mëdha sa të shkaktonin një zbritje të çmimit, pasi në këtë mënyrë do të dëmtoheshin interesat e prodhuesve. Pasi vërente se veprimet e blerjes dhe të shitjes së drithërave parashiheshin mjaft të vështira po të zbatoheshin prej organeve të zakonshme të administratës së shtetit, Rrok Gera, propozonte që me këtë aktivitet të merrej Instituti i Drithërave, i cili nuk kishte shumë kohë që ishte ngritur. Dhe kështu u bë.

Në mbledhjen e tij mbajtur po në muajin mars 1936, Parlamenti miratoi nen për nen projekt-ligjin “Për influencimin e çmimit të grurit e të misrit”, nëpërmjet të cilit autorizohej Instituti i Drithërave, të blinte grurë e misër nga jashtë, me taksa doganore të përjashtuara. Në bazë të projektligjit të miratuar tashmë, çmimet e shitjeve të drithërave të blera nga Instituti caktoheshin në fr. ari 15 e fr. ari 12 për kuintal, përkatësisht për grurë e për misër. Gjithashtu parashikohej që shitjet do t’u bëheshin konsumatorëve me para në dorë dhe në sasi jo më pak se 1 kuintal dhe jo më tepër se 25 kuintalë. Fitimi i thjeshtë, i realizuar nga ky aktivitet i Institutit të Drithërave, do të derdhej në favor të kapitalit të Bankës Bujqësore Kombëtare. Po në marsin e 1936-tës, Ministria e Financave mori në konsideratë kërkesën e Fabrikës së Alkoolit në Vlorë, për përjashtimin nga taksa e konsumit të një sasie alkooli të planifikuar për eksport në Itali.

Në raportin justifikues të datës 15 mars 1936, përcjellë parlamentit për çështjen në fjalë, ministri Gera sqaronte se Ministria e Financave kishte hetuar dhe kishte arritur në përfundimin se Fabrika e Alkoolit në Vlorë, kishte vërtet qëllim të eksportonte alkool, ndaj e kishte shqyrtuar kërkesën për heqjen e taksës së konsumit dhe e kishte pranuar atë. Ndërkohë, Ministria kishte parashikuar që eksportimi i alkoolit, të bëhej nën mbikëqyrjen e Financës dhe me leje të posaçme, duke lënë një garanci të mjaftueshme, të barabartë me vleftën e të gjitha taksave përkatëse, në rast se nuk provohej eksporti i alkoolit brenda afatit të caktuar e me dokumentet përkatëse të përcaktuara sipas ligjit. Gjithashtu, në marsin e vitit 1936, ministri Rrok Gera i raportonte Parlamentit se, ligji i 22 prillit 1933, për ngritjen e taksës së letrës së cigares nga fr. ari 0.0176 për çdo defter, në fr. ari 0.1216, nuk kishte funksionuar.

Bazuar në statistika, Gera vërente në raportin e tij se me rritjen e taksës për letrën e cigareve në masën gati 75 %, të ardhurat ishin rritur shumë pak, ndërkohë që konsumi i letrës së cigareve kishte rënë me 45 %. Sipas tij, ky pakësim nuk dukej të ishte efektiv, por kishte të bënte me konsumin kontrabandë dhe me pasojat e krizës që ulnin fuqinë blerëse të konsumatorit, i cili ishte i shtrënguar të përdorte mënyra ilegale për blerjen e mallrave të konsumit, në këtë rast të letrës së cigares. Për të eliminuar këto dukuri, ministri i Financave propozonte uljen e taksës së letrës së cigareve: …“Me qëllim që t’i përshtatemi fuqisë blerëse të konsumatorit dhe të mënjanojmë në këtë mënyrë çdo tentativë për kontrabandë (e cila jo vetëm asht e dëmshme për Arkën e Shtetit, por asht edhe nji padrejtësi për konsumatorin e ndershëm), përveç masave të tjera qi kemi marrë, e pamë t’udhës me hartue projekt-ligjën që ju paraqitet për shqyrtim e aprovim, me të cilën taksa e letrës së cingarit zbritet nga fr. ari 0.1216, në fr. ari 0.0716…”.

Më 1 prill 1936, Rrok Gera parashtroi para parlamentit relacionin përkatës mbi “Projekt ligjin e budgetit preventiv për ushtrimin financiar 1936- 1937”. Sipas tij, buxheti parashikonte një shpenzim prej fr. ari 19.104.183, ndërsa të ardhurat parashikohej të arrinin në shumën prej fr. ari 18.584.042, me një tepricë pasive prej fr. ari 520.141. Në shtjellim të raportit të tij mbi buxhetin preventiv 1936-1937, Gera vërente se ky buxhet nuk pritej të kishte ndryshime nga ai i mëparshmi. Duke lidhur ngushtë shqyrtimin e buxhetit të parashikuar me ecurinë e buxheteve të viteve të shkuara, ministri i Financave vërente se zbritjet që ishin bërë herë pas here ndër shpenzime të administratave të ndryshme, në lidhje të ngushtë me zbritjen e të ardhurave, vitet e fundit kishin krijuar një ekuilibër, i cili përbënte një ndër garancitë kryesore për stabilitetin e gjendjes financiare.

Si provë të kësaj, Gera theksonte faktin pozitiv që pasivitetet financiare në dy vitet e fundit nuk ishin rritur, madje ishin pakësuar, ndonëse në një masë të vogël. Gjithsesi, ministri i Financave deklaronte se, në përgatitjen e këtij buxheti, qeveria kishte preferuar të tregohej e kujdesshme për të mos tejkaluar shpenzimet, por kjo nuk do të thoshte të mos pranoheshin më vonë, kërkesa për shtim fondesh, aty ku gjykohej e domosdoshme: …“Qeveria, besnike e nji të tillë drejtimi, për me mujtë kështu me mbrojtur interesat e Shtetit, dëshironte të paraqiste nji budget pa deficit, por nga ana tjetër, udhë tjetër nuk mund të merrte, por ose me propozue t’ardhuna përtej mundësis së realizimit, ose të caktojë nji tepricë pasive fillestare, mbas mendimit të sajë. Pra Qeveria e ka pa me udhë, me ndjekë udhën e dytë dhe kështu t’i paraqesi Parlamentit dhe vendit, gjendjen reale.

Mbas nji shqyrtimi t’imtë të ardhurave të realizueme ndër ushtrimet e kalueme dhe të zhvillimit të nxjerrjeve që kemi pas gjatë ushtrimit udhëtues, Qeveria ka nji bindje të plotë, se po të shkapërcehet shuma e parapamë e të ardhurve në fr. ari 18.584.000, do të ishte shumë e rrezikshme, prandaj nuk ka dashtë t’i shmangej asaj shume, e cila sot mund të konsiderohet nji e ardhur reale…”. Qeveria e Mehdi Frashërit mendonte se, ishte me rëndësi për ekonominë nxitja e prodhimit vendas, madje edhe në sektorë të veçantë, sikurse do ta shohim më poshtë. Në këtë kuadër, Ministria e Financave kishte përgatitur një projektligj që parashikonte rritjen e taksës së orizit të zhveshur që vinte nga jashtë, si dhe një rritje takse për aparatet e radiove që importoheshin të montuara. Duke argumentuar në parlament masat në fjalë, ministri Gera theksonte, më 6 prill 1936, se fushat në Shqipëri kishin një traditë të mirë në prodhimin e orizit dhe sipërfaqja e mbjellë me këtë kulturë mund të shtohej, duke qenë se orizi ishte pjesë me rëndësi në ushqimin e popullatës.

Sa për shqetësimin e deputetëve se kjo mund të ndikonte në shtimin e rasteve të malaries, ministri premtoi se do të merreshin masat e nevojshme për ta parandaluar dëmin e mundshëm nga kjo sëmundje. Në thelb, ideja e shtimit të taksës së orizit të zhveshur, synonte pikërisht shtimin e sipërfaqeve të mbjella në vend me oriz dhe zhveshjen e tij me makineri të vendit. Po kështu, edhe për aparatet e radiove të montuara, taksa e importit dyfishohej, por për ato të pa montuara taksa mbetej e palëvizur, e po ashtu, mbetej e ulët taksa për çdo llambë, si përbërës kryesor i aparateve të radiove të asaj kohe. Duke argumentuar masën në fjalë, Rrok Gera theksonte se ishte me rëndësi të nxitej aktiviteti i teknikëve të vendit, të cilët, përveçse do të fitonin diçka me zanatin e tyre, do të ofronin edhe mundësinë që aparatet e radiove të riparoheshin në vend, pasi deri në atë kohë, një radio e prishur duhej të dërgohej jashtë për riparim.

Në prillin e 1936-tës, Ministria e Financave kishte paraqitur në Parlament edhe një tjetër projektligj, me të cilin kërkohej autorizimi për shitjen e disa pronave shtetërore. Bëhej fjalë kryesisht për prona debitorësh, të cilat ishin transkriptuar në favor të shtetit, por edhe për prona të tjera shtetërore, të cilat kërkonin shuma të konsiderueshme për mirëmbajtje, por që sillnin shumë më pak të ardhura. Në diskutimin e zhvilluar në parlament lidhur me këtë projektligj, ministri Rrok Gera kërkonte mbështetjen e deputetëve për miratimin e tij, pasi në të kundërt, do të kishte pasoja për financat e vendit. Këtu ai i referohej faljeve të të prapambeturave nga ana e shtetit për një numër debitorësh, pasuritë e të cilëve ishin transkriptuar në favor të shtetit, por që ndërkohë mund të kërkohej kthimi i tyre. Për shitjen e këtyre pronave shtetërore, Gera vërente se do të ngrihej një komision, i cili do të përcaktonte një vlerë bazë dhe pronën do t’ia shiste atij që do të ofronte më tepër mbi këtë vlerë.

Më 28.10.1936, ministri i Financave kërkonte nga ligjvënësit punësimin e tre ekspertëve me qëllim të funksionimit më të mirë të sistemit të ri të kontabilitetit dhe sidomos për hartimin e buxheteve konsumptive, të cilat kishin arritur të përpiloheshin deri në vitin 1931 e jo më tej, për shkak të mungesës së personelit kompetent. Për këtë, Gera sqaronte se kjo mungesë e personelit të specializuar ndihej më shumë në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare dhe në atë të Arsimit. Deputetëve që ngrinin shqetësimin se po shtoheshin shpenzimet e shtetit, ministri Gera, i pranishëm në diskutimet parlamentare, u përgjigjej: “…U them zotnis s’uej, se para se të nxjerr nji akt të tillë e peshoj mirë se më dhembet shum të baj shpenzime shteti, por këte isha i detyruem t’a nxjerr, se më duket se shërbimi asht shum ma i math, vlen ma tepër se shpenzimi që do të baje Shteti…”.

Në një tjetër debat në parlament, në verën e vitit 1936, diskutohej për marrjen në punë të një specialisti kimie, për të cilin ishte bërë zhurmë në një artikull gazete dhe po në këtë frymë, po debatohej edhe në parlament. I pranishëm në seancë plenare të parlamentit, Gera hodhi poshtë çdo mundësi abuzimi për punësim në dikasterin që ai drejtonte dhe ndërkohë sqaroi deputetët, se bëhej fjalë për një nga të paktët kimistë të specializuar në Shqipëri, marrja në punë e të cilit ishte e domosdoshme, në funksion të hartimit të një project-ligji të vlefshëm për taksim të përshtatshëm për prodhuesit e pijeve alkoolike. I prekur në sedër nga mënyra e debatit, Rrok Gera u tregua i prerë në argumentet e tij: …“Po të pretendohet se Shteti Shqiptar ka vendosë të mos krijojë nëpunësia, atëherë mund të thuhet se ka vendosë qi të mos përparojë kur. Mos të krijojë nëpunësina qi nuk janë të nevojshme, po jo mos të krijojë nëpunësina qi janë të nevojshme. Në asht se rezulton se kjo nëpunësi nuk asht e nevojshme, kam me qenë i pari un qi t’a la me ra kët nëpunësi, po jam plotësisht i bindun, se asht e nevojshme dhe produktive dhe i lutem Dhomës ta pranojë…”.

Më tej, ministri Gera sqaroi edhe aspektin teknik të projektligjit: “… Në çështjen e pijeve alkoolike kemi pak a shumë nji anomali, se kemi adaptue sistemin e vulosjes së kazanëve. Në bazë të këtij sistemi ata që prodhojnë pije alkoolike kërkojnë zhvulosjen e kazanit; kjo bahet rregullisht dhe regjistrohet lënda nga e cila nxirret pija alkoolike, po organet kompetente nuk janë në gjendje të kontrollojnë, nëse u mbyllën këta kazanë në kohë të caktueme. Për tregim; nji person qi tregon nji sasi lënde për pije alkoolike dhe kërkon zhvulosjen e kazanit, mund të ketë dhe nji sasi lënde tjetër të fshehtë, dhe kur nuk jemi në pozitë me kontrollue nëse u mbyll kazani në kohë të caktueme, ky mundet me prodhue sasinë qi ka fshehë dhe kështu qëllimi i taksimit nuk ruhet. Kur të mos ketë njerëz qi të kontrollojnë ri vulosjen e kazanëve, si dhe njerëz qi të kontrollojnë densitetin e pijeve alkoolike të prodhueme prej rrushi, ose sheqeri, si e thashë, atëherë qëllimi i taksimit nuk ruhet.” Memorie.al

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.