OPINION

Kriza në grupin e deputetëve të PD-së dhe presioni i bazës

08:51 - 23.07.22 FITIM ZEKTHI
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kur sheh gjendjen e opozitës shqiptare mendon se ajo që ka thënë Stalini, një nga totalitaristët më gjakësorë dhe perversë në historinë e njerëzimit, se “idetë janë më të fuqishme se armët, ne nuk do t’i lëmë armiqtë tanë të kenë ide”, është gjëja e vetme që e përkufizon apo që ka fuqi për të shpjeguar atë që ndodh aty.




Partia Demokratike ka kohë që është në një krizë të tillë. Kjo gjë, mungesa e ideve, u bë më e dukshme pas krizës që u shfaq në shtator dhe erdhi duke u thelluar për të arritur aktualisht në një pikë kulmore.

Pse kanë rëndësi idetë, çfarë do të sillnin ato apo çfarë do të ndryshonin ato? Në fund të fundit, kushdo mund të lexojë diçka, ta marrë atë të shkruar dhe ta lexojë apo ta shprehë dhe ja ku janë idetë. Në të vërtetë, nuk është kështu. Kur njeriu bart ide, kur njeriu ka një mendim apo një pikëpamje mbi politikën, shtetin, fenë, taksat, ligjin, vdekjen, pronën etj., ai në thelb është një qenie që ka paraqitur një hartë, që lexohet përmes një harte, që kuptohet përmes kësaj harte.

Kjo hartë është vetë ai. Kjo hartë dhe ndjekja e saj përcakton edhe moralin që ai ka. Kjo hartë e bën atë të përgjegjshëm. Përmes kësaj harte ne kuptojmë nëse ai është një politikan serioz, përmes kësaj harte ne afrohemi dhe mbështesin një politikan duke parë nëse kjo hartë shëmbëllen me ato që ne besojmë, përmes kësaj harte ne kuptojmë nëse një politikan është gënjeshtar dhe mashtrues, është i keq dhe i vogël, është në politikë për idetë njerëzit apo është për vete, për epshin dhe oreksin e tij dhe vetëm për to.

Nëse rruga që tregon kjo hartë, nëse idetë që ka kjo hartë, nëse shenjat që ka kjo hartë nuk janë të harmonizuara dhe ndryshohen rrugës, nëse treguesit e kësaj harte nuk ndiqen, por shtrembërohen, nëse politikani ka inkonssitencë dhe inkoherencë me atë që është kjo hartë, ne kuptojmë se ai ka shkelur besimin e njerëzve.

Nga to kuptohet nëse ajo (partia) është serioze, nëse ajo synon të jetë e përgjegjshme dhe të mbajë përgjegjësi para njerëzve. Opozitat parimisht janë krijuar për të thënë të vërtetën, duke qenë se qeveria synon gjithnjë nën peshën e pushtetit të korruptohet dhe të mos e dëshirojë të vërtetën. Që një opozitë të thotë të vërtetën, ajo më së pari, duhet të jetë e vërtetë me veten e saj. Partia Demokratike, dhe sidomos grupi i saj parlamentar, kanë muaj të tërë që shfaqin inkoherenca të thella, inkonsistenca të pamendueshme. Shumë deputetë një herë thonë diçka, një herë tjetër thonë diçka tjetër.

Një herë kërkojnë që ish-Kryeministri Berisha të mos jetë pjesë e Grupit të PD-së, më pas thonë që ai ka vendin e tij në PD. Shumë deputetë një herë qëndrojnë medemek mbi palët, pastaj mbajnë qëndrime ku sulmojnë një palë (atë që ju duket më e dobët). Shumë deputetë një herë thonë se ish-Kryeministsri Berisha zhvilloi një fushatë leniniste dhe të papranueshme dhe një herë thonë që ai tregoi se prodhon frymë.

Shumë deputetë një herë thonë se Basha tregoi vizion perëndimor dhe një herë se ai duhet izoluar nga Grupi i PD-së. Këto qëndrime ose ndryshime qëndrimesh kanë qenë tmerrësisht të shpeshta, por edhe jashtëzakonisht radikale. Ka njerëz në Grupin e PD-së që kanë lëvizur radikalisht nga një ekstrem në tjetrin, siç ka njerëz që kanë lëvizur radikalisht nga një “mbi palët te një mbi palët tjetër”.

E gjithë tregon krizën e rëndë dhe mungesën e plotë të ideve. Mungesa e asaj hartës, e asaj trajektores, e bashkësisë së pikëpamjeve mbi politikën dhe jetën, mbi taksat dhe fenë, mbi pronën dhe ligjin bën që të jemi në këtë gjendje. Kur njeriu nuk ka një hartë të tillë, ai nuk ka në thelb asgjë për të ndjekur me besnikëri veç interesit të vet. Kur njeriu nuk ka një hartë të tillë ai mund të jetë në çdo pozicion politik siç mund të jetë edhe në çdo parti politike.

Gjithçka më pas është një instrument i tij për interes personal. Ideja politike e së djathtës, e djathta, ndryshe nga e majta, është zgjedhje, është bindje e brendshme. E djathta buron nga bindja se ekzistojnë themele apo premisa, burime transhendetale, të pashkulshme dhe të përjetshme nga ku ne i marrim pikëpamjet tona. Kjo gjë na çon te rrjedhoja apo mësime morale universale dhe të përjetshme mbi të mirën dhe keqen. Kësisoj, idetë e djathta dallohen për forcë, për kurajë, për virtyt, për koherencë, për drejtësi me burim këto themele transhendetale.

Rrethanat mund të ndryshojnë ngjyrën apo nuancat e qëndrimeve dhe të ideve të djathta por kurrë thelbin. Idetë e djathta nuk kanë inkoherencë për atë që është e mira dhe e keqja, e drejta dhe e padrejta. Kur lëvizja “Foltorja” ishte në zhvillim e sipër në fund të nëntorit të kaluar një deputet i PD-së i një qarku të Jugut më tha se ai ishte me Berishën se pse atje dukej që ishte baza e PD-së.

Një deputet tjetër më tha që i kishte thënë “Foltorja” hajde te ne se këtu është shumica. Vetë “Foltorja” ka që në krye të herës që thotë se deputetët duhet të ndjekin bazën, duhet të shkojnë ku është baza, duhet të mbajnë qëndrimet që do baza. Vetë “baza” nën ushqimin e përditshëm të “Foltores” ulëret se deputetët duhet të ndjekin bazën, duhet të mbajnë qëndrimet që mban baza etj.

Kjo lloj filozofie u bë sunduese, dominuese, u shit si një e vërtetë hyjnore. Me kalimin e kohës si pasojë e “revolucionit” të “Foltores”, kur u uzurpua kundër ligjit dhe të së drejtës, shumëçka u duk se baza apo se shumica e bazës ishte me “Foltoren”. Në këtë pikë, shumë deputetë ndoqën bazën, mbajtën qëndrimet që do baza ose filluan të mbajnë qëndrime që janë afër bazës.

Edmund Burke, që është ndoshta mendimtari më me ndikim ose rrënja nga ku lind e rritet mendimi mbi të djathtën në vitin 1774 mbajti një fjalim para zgjedhësve në Bristol. Ai ishte deputet i Parlamentit të Anglisë. Ai foli aty mbi rolin e deputetit, mbi atë çfarë është dhe çfarë duhet të bëjë një deputet.

Ai tha se një deputet duhet të ketë komunikimin më të mirë me zgjedhësit, të jetojë në mënyrën më të përkorë, të sakrifikojë gjithçka për zgjedhësit, të rrijë pa gjumë dhe të rraskapitet për zgjedhësit. Ai tha se një deputet mund të vritet për të mbrojtur interesin e zgjedhësve të tij. Por, tha Burke një deputet nuk mund dhe nuk duhet kurrë të sakrifikojë gjykimin e tij, mendimin e tij, vetëdijen e tij të brendshme për asnjë njeri, për askënd, për asnjë trupë zgjedhësish.

Vetëdija e tij, mendimi i tij, gjykimi i tij tha Burke janë dhurata prej Zotit, janë diçka që atij ia ka besuar Providenca dhe ato nuk mund të tradhtohen. Pra deputeti nuk ndjek në qëndrimet e tij atë që duan zgjedhësit, deputeti nuk duhet të mbajë qëndrimet që duan zgjedhësit dhe aq më pak të ndjekë qëndrimet që mbajnë shumica e zgjedhësve. Kjo tha Burke është një tradhti e lartë. Kështu do të duhet të sillej një deputet, aq më tepër një deputet i djathtë.

Që ai ta bëjë këtë duhet patjetër që të ketë ide, t’i besojë ato dhe t’i mendojë ato si dhuratë të Zotit. Ndoshta Grupi Parlamentar i PD-së nuk mund të brendësojë në mënyrë kaq burkeane idetë e djathta dhe as t’i ndjekë ato në mënyrë kaq burkeane dhe askush nuk ka pse e kërkon këtë, por kushdo pret që pjesa kryesore e grupit të ketë një bashkësi vlerash politike dhe morale që i ndjek me konsistencë, që i beson ato dhe që nuk mendon natë e ditë se si të avancojë interesin e vet, duke e shkatërruar kështu opozitën.

Shkatërrimi i opozitës nuk do t’u sjellë kurrë as atyre asgjë. Mbledhjet, intrigat, grupimet dhe antigrupimet se si të eliminojmë këtë dhe atë, frikërat nga “baza” apo joshjet nga “fituesi” janë gjëra që e tëhuajësojnë keq përgjegjësinë e deputetit.

Një Zot që është lart në qiell sheh gjithçka dhe nuk i jep kurrë sukses robit që tradhton në këtë mënyrë veten e tij dhe sigurisht gjithë popullin apo përgjegjësinë që ai ka para popullit. Ndërsa kur roli i Zotit mundohet me sinqeritet, brenda mundësive të tij, me këmbëngulje për të bërë mirë dhe të niset nga e mira, Zoti nuk e braktis kurrë dhe i jep atij sukses.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.