Kronikë

VIDEO/ Kush fshihet pas sulmit kibernetik të “e-Albania”?! Hakerat publikojnë dokumentet shtetërore: Kemi akses tek institucionet!

17:03 - 24.07.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pas sulmit kibernetik, që paralizoi gjithë shtetin shqiptar, në rrjet qarkullon një website me emrin “HomelandJustice.ru” “Drejtësi për Atdheun”.




Nuk dihet nëse ky grupim mund të ketë lidhje me hakerat, të cilët sulmuan me agresivitet serverat e platformës qeveritare e-Albania dhe institucioneve të tjera për ditë me radhe, por në të ka sulm ndaj AKSH-it, si dhe bëhen thirrje kundër disidenteve iranianë, të cilët janë strehuar në Manëz të Durrësit, dhe përbëhet nga një komunitet prej 3000 personash.

Website-i në fjalë ka në ballinë flamurin shqiptar dhe përsërit pyetjen që qarkulloi përmes sms-ve te qytetarët përpara disa ditëve: Përse duhet të harxhohen taksat tona për terroristët e Durrësit?

Website nuk mund të aksesohet nga brenda vendit me IP shqiptare, por jashtë saj. Televizioni News24 arriti të ketë akses.

Ndër hashtag-ët e përdorur bie ne sy sulmi kibernetik, Muxhahedinet pra MEK, ISIS, MKO- shkurtimi i organizatës se Muxhahedineve. Logoja e përdorur e hakerave përmban një shqiponjë që kap një yllin me gjashtë cepa, referencë e qartë kjo për yllin e Davidit simbolin e shtetit izraelit.

Websiti është ndarë në disa kategori, ku bie në sy publikimi i disa materialeve te rëndësishme te institucioneve shqiptare.

Dokumentet kanë të bëjnë me emërime punonjësish në administratë, shkresa nga AKSHI dhe Ministria e Infrastrukturës, kërkesë për të vizituar kompanine prodhuese turke të dronëve të famshëm “Bayraktar”, si dhe ka foto pasaportash të shtetasve të huaj, çertifikata vaksinimi etj.

Në këtë video, hakerat vërtetojnë se kanë akses të plotë tek adresat zyrtare, si tek skema e Pensioneve, projektet e Këshillit të Ministrave, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Brendshme, DPA, Avokati i Popullit, gjykatat, KQZ, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve te Transportit Rrugor, etj.

Para 5 ditësh, grup i quajtur “Drejtësia e Atdheut” postoi në rrjetin social “Twitter” një status kundër Agjencisë Kombëtare Shqiptare dhe Shoqërisë së Informacionit. Aty shkruhej se AKSHI do të goditet së shpejti me një atak në zemër, llogaria e tyre nuk është me aktive.

Autoritetet shqiptare ende nuk kanë konfirmuar në rruge zyrtare nëse ky grupim lidhet me hakerat, që sulmuan shërbimet online të shtetit.
Kryeministri Edi Rama deklaroi të mërkurën se sulmi kibernetik është organizuar nga një shtet dhe janë dy shtete, për të cilat dyshohet, por ai nuk dha te tjera detaje.

Nga ana tjetër, Samiti Botëror i Iranit të Lirë, i planifikuar për t’u mbajtur në datat 23 dhe 24 korrik në kampin “Ashraf 3”, në Manzë, u shty nga organizatorët për arsye sigurie, që lidhen kërcënime e komplote ndaj muxhahedinëve, deri në një njoftim të mëtejshëm. Edhe ambasada amerikanë pati ngritur alarmin se kishte sinjale të qarta për sulmet gjatë këtij samiti.

Në samitin e përvitshëm, ishin ftuar kongresmenë e senatorë amerikanë, ish-gjeneralë dhe këshilltarë të presidentëve amerikanë, si dhe mbi 9 ish-kryeministra dhe Presidentë nga Perëndimi./ BW


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.