Intervista

“Do të ketë surpriza të tjera”, sfida e trajnerit Resuli: Ngjis Flamurtarin! Përgjegjësi e madhe të drejtosh këtë klub

23:07 - 26.07.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dritan Resuli bindi Sinan Idrizin dhe u rikonfirmua në krye të pankinës. Misioni është i qartë: duhet të ngjisë Flamurtarin. Këtë e ka thënë disa herë publikisht vetë administratori dhe trajneri e ka pranuar si sfidë.




Një gjë të tillë e pohon edhe gjatë intervistës së dhënë enkas për “Panorama Sport”. Trajneri vlerëson afrimet e deritanishme, por paralajmëron surpriza të mëdha në merkato. Tregohet i rezervuar në emrat, e megjithatë disa detaje i jep. Nuk kishte si të mos fliste për garën me Skënderbeun dhe Dinamon.

Pas negociatave të gjata, Resuli u rikonfirmua në krye të pankinës. Si e vlerësoni zgjedhjen e Idrizit?

Ndihem i vlerësuar për detyrën dhe faktin që m’u besua ekipi. Kjo më obligon më shumë për të arritur objektivat që kemi këtë sezon. Të drejtosh Flamurtarin është një përgjegjësi shumë e madhe.

Cilët janë objektivat këtë sezon?

Ata tashmë dihen. Ambiciet e drejtuesve të klubit janë në unison me stafin teknik, futbollistët dhe tifozët vlonjatë. Të gjithë mezi po e presin kthimin në Superiore. Për këtë do të punojmë fort të gjithë.

Mendoni se do ta keni të vështirë ngjitjen, kur në garë janë edhe ekipe si Dinamo dhe Skënderbeu?

Çdo kampionat ka vështirësitë e veta. Nuk diskutohet që Kategoria e Parë është e vështirë. Janë thuajse të gjitha ato skuadra që kanë luajtur në elitë. Janë klube me traditë, organikë të pasur dhe grupe lojtarësh për t’u marrë në konsideratë. Por kjo gjë na motivon. Nuk na krijon ndonjë pengesë për të thënë që misioni është i pamundur.

Ndiheni gati ta riktheni ekipin në elitë?

Unë kam qenë pjesë e Flamurtarit si lojtar dhe tani si trajner. Është ekipi im i zemrës. Momentalisht jam i përqendruar te puna. T’i japim dorën përfundimtare dhe plotësojmë grupin e më pas të merremi me këtë objektiv madhor. Sa i përket pjesës tjetër, në çfarëdo pozicioni unë jam dhe kam qenë pjesë e Flamurtarit si në Kategorinë e Dytë edhe në Superiore. Flamurtari është ekipi im i zemrës.

Cilat janë zhvillimet nga merkatoja?

Nga merkatoja ne pikësëpari kemi ruajtur grupin aktual të lojtarëve. Janë lojtarë me kapacitete shumë të mira dhe kemi ndërthurje eksperiencash. Kemi afruar lojtarë të rinj. Edhe ata kanë vlerat e tyre. Merkatoja nuk është mbyllur ende dhe jemi në bisedime edhe me lojtarë të tjerë. Kjo është gjendja reale për momentin. Është e sigurt që do të afrojmë lojtarë me shumë peshë për të kapur Superioren.

I kënaqur nga reagimi i afrimeve të reja?

Blerjet e reja janë me cilësi individuale të mira. Ata vijnë nga ekipe pretendente, që kanë mbajtur vendet e para. Por për të marrë maksimumin çdo gjë do kohën e vet. Përderisa janë përzgjedhur për të qenë pjesë e Flamurtarit, kanë cilësi dhe karakteristika të mira./ ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.