DOSSIER

Mbledhja e Byrosë, zbardhen prapaskenat e kryengritjes së parë antikomuniste! Hekuran Isai: Si na vuri populli përpara me gurë në Kavajë

21:08 - 27.07.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në këtë pjesë të dytë të transkriptimit të mbledhjes së Byrosë Politike, mbajtur më 14 korrik 1990, më shumë se në ngjarjet e ambasadave, vëmendja e krerëve komunistë të Tiranës përqendrohet në ngjarjet që kishin ndodhur e po vazhdonin të ndodhnin në Kavajë. Ngjarje që kishin nisur në formën e një rebelimi kundër pushtetit komunist shumë më herët se të vinte 2 korriku i ambasadave, duke shënuar kështu edhe kryengritjen e parë antikomuniste në Shqipëri, të ndërlidhur me valën e zhvillimeve që kishin tronditur Bllokun e Lindjes Komuniste.




Në Kavajë, që nga data 25 mars 1990, situata e rendit ishte jashtë kontrollit, populli nuk respektonte më ligjet dhe pushtetin e komunistëve, incidentet kishin shkaktuar të vdekur dhe të plagosur nga të dy palët dhe për më tepër nuk shihej ndonjë premisë për ndryshim të situatës. Në këtë situatë të krijuar, Ramiz Alia vendos të bëjë “reprezalje” duke shkarkuar zv/ministrat e Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizin, që drejtonte Sigurimin e Shtetit dhe Ilir Mustafarajn, që drejtonte Policinë. Po kështu Alia shkarkon nga posti i Sekretarit të Parë të rrethit të Durrësit edhe Muho Asllanin e të tjerë funksionarë partiakë të Kavajës. Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, bën një panoramë të ngjarjeve në Kavajë, që dëshmojnë se situata atje ishte krejt jashtë kontrollit.

DOKUMENTI

(vijon nga numri i kaluar)

Shoku Ramiz Alia: ...Kishte njerëz që thoshin: “Pse duhet bërë mitingu?”, “Mos na ndodh gjë?”. Me një fjalë kishin frikë. Këtë mendim e kishin dhe shumë nga shokët tanë këtu. Ne nuk duhet të trembemi, kur komunistët janë në aksion – armiku futet skutave. Prandaj ne po të jemi në këmbë e në aksion – armiku do të tërhiqet. Ka edhe komunistë që qëndrojnë pasivë. Disa prej tyre bile arritën të thoshin se “mitingu nuk do të ketë entuziazëm pasi nuk flet shoku Ramiz”. Pse shoku Ramiz do të flasë përherë? Të tërë shokët duhet të flasin. Dhe ja, mitingu pati entuziazëm të madh e kaloi mjaft mirë dhe pa prezencën e shokut Ramiz.

Partia dhe populli na kuptojnë drejt në qoftë se ne i themi gjërat siç janë dhe e prekim popullin aty ku duhet prekur. Deri dhe himni i flamurit i preku njerëzit. 120 mijë veta ishin në shesh e mijëra të tjerë që donin të merrnin pjesë, por kaq ishte menduar pjesëmarrja në miting. Pra ne kemi një forcë të madhe. E tërë kjo masë e madhe njerëzish erdhi në miting me një shqetësim, donte të shpërthente, kishte brenda në zemër një mllef, që donte të nxirrte dhe e nxori, sepse e kuptonte që kishte rënë nën një presion. E theksova në Plenumin e 11-të të Komitetit Qendror se nuk janë vetëm vështirësitë ekonomike që na e shkaktojnë këtë gjendje. Sigurisht, këto bëhen burim që njerëzit të ushqejnë pakënaqësinë dhe ne si parti duhet të luftojmë kundër këtyre burimeve, por nuk janë këto shkaku i kësaj lufte që bëhet sot.

Capture
Faksimile e mbledhjes së Byrosë Politike

Kjo duhet kuptuar mirë. Synimi i armikut është shkatërrimi i pushtetit popullor, shkatërrimi i socializmit. Ne këtë duhet t’ua shpjegojmë njerëzve jo për t’i trembur, por për të kuptuar që lufta jonë është e ashpër, që kërkon aksion, kërkon vendosmëri. Nuk mund të rrimë e të bëjmë sehir. Kur them “të mos bëjmë sehir”, nuk e kam fjalën që për politikë po se po, por për zgjidhjen e hallve të popullit. Lufta jonë kërkon punë të madhe e vendosmëri. Dëgjohen fjalë: “Mungon ky artikull ushqimor, apo industrial në dyqan”, “filan kuadër nuk u kujdes…”. Ai që nuk kujdeset për popullin bën punën e armikut.

Ta themi shqip! Në qoftë se ne nuk luftojmë që t’i plotësojmë popullit ato nevoja që ka dhe që ne i kemi mundësitë, krijojmë probleme. Të flas më konkretisht. Jam i mendimit që disa masa duhen marrë për një organizmin më të mirë të punëve dhe për një dinamizëm më të madh. Unë mendoj se Marash Hajati të shkarkohet si kryeredaktor i “Zërit të Popullit” dhe në vend të tij të caktohet Spiro Dede, i cili sot është shef i sektorit të arsim-kulturës në aparatin e Komitetit qendror të Partisë. Vendi i tij këtu në aparat mbetet bosh, po nuk kemi ç’të bëjmë, na duhet të forcojmë punën në gazetë.

Në planin organizativ të brendshëm kam ngarkuar Sofokli Lazrin të merret me shtypin, se Fotua nuk merret me shtypin, nuk e njeh, nuk ka praktikën dhe është pak akademik në këto punë, kurse shtypi nuk do akademizëm, kërkon një punë energjike, minutë për minutë t’i qëndrosh mbi kokë. Unë bashkë me disa shokë këtu kemi menduar që Marash Hajatin ta çojmë sekretar për problemet e propagandës në Komitetin e Partisë të Elbasanit. E thirra Marashin dhe ia thashë mendimin tonë. Ai mu përgjigj se “jam gati të shkoj, nuk kam ndonjë gjë, e kuptoj momentin, por kini parasysh që jam 58 vjeç, praktikën e punës konkrete nuk e kam”. Arsye familjare, më tha kam, prandaj të shihet nëse ka mundësi për ndonjë variant tjetër, megjithatë si të vendosë Byroja Politike. Si mendoni, ta caktojmë në ndonjë nga komitetet e Partisë të rajoneve të Tiranës për propagandën? Sidoqoftë ta diskutojmë këtë.

Shoku Pali Miska: Më mirë le të qëndrojë në Tiranë.

Shoku Ramiz Alia: Kam marrë dhe mendimin e shokëve që Mehmet Elezin mund ta çojmë sekretar partie në Vlorë për çështjet e propagandës. Këta shokë janë të rinj, prandaj është mirë që të kaliten me punën e Partisë. Atij nuk i kam thënë ende asgjë, por jam i mendjes që tani nuk ka kohë më për shumë biseda. Çështja është që secili duhet të bëjë punën e partisë, të shkojë ku ta çojë Partia, sot lipset tjetër militantizëm. Ky është mendimi im, po sidoqoftë shokët le të shprehin mendime.

Jam i mendimit që të dy zëvendësministrat e punëve të brendshme, Zylyftar Ramizi dhe Ilir Mustafaraj, të shkarkohen nga detyra. Qeveria le t’i vendosë pastaj ku ta shohë të arsyeshme. Zylyftari kishte Sigurimin në dorë, apo jo, Simon? (Shoku Simon pohon). Çfarë na dha Sigurimi? Ilir Mustafaraj kishte tërë policinë në dorë. Policia jo vetëm që nuk e tregoi veten në ngjarjet e fundit, po tani na rezulton që policët kanë marrë para për të futur njerëz në ambasada. Çfarë kontrolli kishte mbi policinë? Koha nuk pret për masa gjysmake. Sidoqoftë ky është mendimi im dhe po e shtroj ta diskutojmë. Në Kavajë duhet ndryshuar udhëheqja e Komitetit të Partisë së rajonit. Unë do të shtroja çështjen dhe për shokun Muho. Mua më duket se shoku Muho nuk iu përgjigj rolit, detyrës që iu ngarkua si sekretar i parë i Komitetit të Partisë të rrethit të Durrësit.

Me këto dobësi, me këto të meta unë nuk mendoj që Partia do ta përkrahë. Ja kam thënë edhe veçmas por detyrohem ta them dhe këtu, në mbledhjen e Byrosë Politike, që dhe për djalin e shokut Muho ka shumë fjalë. Ai gati sa nuk bën ligjin nëpër kafenetë e Tiranës dhe të Durrësit. Do të thoni ju që çlidhje ka djali me këtë? E kam thënë dhe herë tjetër që fëmijët tanë dhe njerëzit tanë të familjes duhet të sillen korrektë. Populli kaq shumë vë re, sa secilit ja vë vjegën vath në vesh. Për konsekuencë mendoj që dhe shoku Muho mund të shkarkohet si sekretar i parë i Durrësit dhe atje të shkojë ndonjë shok tjetër si të gjykojë Byroja. Këto gjëra kisha unë. Çfarë mendimesh keni?

Shoku Hekuran Isai: Dua të shpreh edhe unë disa mendime sidomos lidhur me ngjarjet e Kavajës.

Shoku Ramiz Alia: Thuaji, po veç mos përsërit. Shoku Hekuran Isai: Situata në Kavajë është e rëndë, e mbarsur me një veprimtari armiqësore të brendshme dhe të jashtme, siç duket. Shoku Ramiz Alia: Jo siç duket, por e mbarsur me siguri me veprimtari armiqësore. Kavaja është qendër e spiunazhit të huaj.

Shoku Hekuran Isai: Ashtu është. Më 28 janar në Kavajë u mbush shkolla e mesme “Medar Shtylla” me parulla për pluralizmin politik si: “Poshtë Partia”, “Enver-Hitler”, “Hapni kufijtë”, “Poshtë komunizmi”, “Vdekje Partisë së Punës të Shqipërisë”. Më 9.2.1990 në NSHNI përsëri u hodhën parulla me kërkesa ekonomike të tipit kapitalist me thirrje për përmbysjen e pushtetit popullor, në përkrahje të Gorbaçovit, karikatura me diçitura ofenduese për udhëheqjen. Më 20 mars dega e punëve të brendshme u vu në dijeni se ditën e diel, pas ndeshjes “Besa-Partizani” do të bëhej rrëmujë, në minutën e 80-të do të ngriheshin dy gishtat lart. Për këtë u morën masa.

Më 23 mars 1990, ditën e diel në mëngjes u shpërndanë disa thirrje të shkruara me dorë, por të rishumëzuara me heliograf. Në këto fletushka i bëhej thirrje popullit të Kavajës që në mënyrë të qetë e paqësore në minutën e 80-të të ndeshjes të thërrisnin “Liri-Pavarësi” dhe të ngrinin dy gishtat lart. Gjatë kësaj ndeshjeje u morën masa nga shokët, nuk pati thirrje masive, por njëri thirri “Liri-Demokraci” dhe këtë e arrestuan. Pas ndeshjes rreth 200 veta mbetën në fushë, policia qetësisht deshi t’i nxirrte jashtë. Duke dalë jashtë, të 200 vetat sulmuan me gurë policinë dhe një pjesë të mirë të atyre njerëzve që ishin jashtë. Familja e njërit që ishte arrestuar në drekë shpalli zi, se dikush i tha që djali yt ka vdekur në polici. Brenda gjysmë ore gati gjysma e Kavajës i ka shkuar për ngushëllim.

Atëherë disa shokë të policisë e morën familjen dhe e çuan të shikojë djalin që ishte shëndoshë e mirë. Duke u kthyer për në shtëpi, familja i ka thënë turmës të mos vinte për ngushëllim se djali ishte gjallë, por njerëz nga turma i kanë thënë që djalin ua kanë maskuar, nuk është djali juaj. Kur u err, pranë Komitetit të Partisë, në mënyrë të heshtur erdhën qindra vetë. Shefi i policisë u ka thënë të shpërndaheshin se do t’i lironin dhe ata të dy që ishin arrestuar dhe se nuk kishte të vdekur. Papritur shpërthyen gurët në drejtim të policisë, thyen xhamat. Në këtë kohë hidhet parulla “Na lironi shokët”, “Liri-demokraci”, “Poshtë dinastia”, “Poshtë Nexhmija”, “Rroftë Ramiz Alia”. Policia nuk veproi fare ndaj turmës. Turma doli në qytet, filluan të hidhnin përsëri parulla. Për çdo parullë përgjigjeshin me “urra” ose e shoqëronin me duartrokitje. Thyen xhamat e dyqaneve. E gjithë kjo zgjati 20-30 minuta, sa u ndezën drita, pastaj turma u shpërnda. Atë ditë ishte dhe mbledhja e komitetit ekzekutiv të rajonit, dolën kuadrot po nuk bënë gjë. Më 27 dhe 28 mars për këtë çështje u arrestuan 20 vetë, nga të cilët tre vetë u mbajtën në hetim.

Shoku Ramiz Alia: Po, këtë informacion e dhanë axhanset.

Shoku Hekuran Isai: Po, i dhanë axhanset.

Shoku Ramiz Alia: domethënë informacioni është. Ne i morëm vesh sot nga shoku Hekuran, po i lexuam mbrëmë nga të huajt informacionet për të gjitha këto ngjarje. Shoku Hekuran Isai: Nga organet e punëve të brendshme çështja është trajtuar që në këto ngjarje ka veprimtari armiqësore. Vetë komiteti i partisë ka arritur në konkluzionin që këtu ka veprimtari armiqësore, por siç del, ky shqetësim nuk ka shkuar në organizatat-bazë të Partisë dhe është krijuar një opinion i përgjithshëm që këtu nuk kanë faj kavajasit derisa në një mbledhje plenumi ish sekretari i Komitetit të Partisë, Jovan Sokoli, tha që është çështje e 10 lumpenëve. Atij i janë kundërvënë shokët që kanë qenë atje, po dua të them që vetë e minimizojnë gjendjen. Mostrajtimi i mirë i problemit bëri që dhe gratë tani janë frymëzuar aq shumë, sa thonë “mirë veprojnë çunat tanë”.

Tani kur dalin në rrugë vënë përpara fëmijët që të gjuajnë me gurë e pas tyre vijnë gratë. Gjatë kësaj periudhe nga 28 marsi deri në 4 korrik u vazhdua puna normalisht për të evidentuar të dhënat që vinin, se do të bëhej një demonstratë e madhe e do të sulmoheshin depo armësh. Kishte të dhëna që këto veprime drejtoheshin nga Tirana, se personat që organizojnë ngjarjet në Kavajë paguhen. Madje nga informacionet që ka marrë kryetari i degës, del se jugosllavët për këto ngjarje në Kavajë dhe në rrethin e Shkodrës kanë paguar jo më pak se 500 mijë dollarë. Më datën 2,3 dhe 4 korrik dolën të dhëna të tjera, se në mbështetje të veprimeve të Tiranës do të organizohet në Kavajë një demonstratë e madhe pas ndeshjes finale me Gjermaninë. Pas ndeshjes, më 4 korrik, në orën 11 të natës në të gjitha rrugicat dolën në mënyrë demonstrative mijëra njerëz që u drejtuan për në qendër dhe brohoritnin gjoja për fitoren e gjermanëve.

Atje shkoi sekretari i Partisë, Agron Tafa, shefi i policisë, kryetari i komitetit ekzekutiv dhe u thanë njerëzve të shpërndaheshin se ishte natë. Në drejtim të tyre filluan të godisnin me gurë, Agronin e goditën në kokë. Turmat e njerëzve u larguan nga qendra dhe u futën në errësirë, thyen të gjitha xhamat e dyqaneve në mënyrë masive në një gjatësi prej 800 metrash. Filluan të hidhnin parulla “Duam Gjermaninë e bashkuar”, “Duam Europën e bashkuar”, “Tirani, nuk mbahet populli kështu”, “Do t’u shtypim kokat”, “Morrat në fund”. Kjo situatë ka vazhduar deri në orën 12 të natës. Po policia dhe sampistët nuk ndërmorën asnjë veprim.

Shoku Ramiz Alia: Këtë e provokuan Agroni me shokë?

Shoku Hekuran Isai: Tre veta ishin ata.

Shoku Ramiz Alia: Aq, mjaftojnë. Ç’u duhej atyre? Analiza duhet bërë e saktë. Njerëzit që dolën në rrugë në fillim çfarë po thoshin? Fitoi Gjermania ndeshjen. Po mirë. T’i linin me kaq e të mos u fliste njeri…

DOKUMENTI

Njoftim Mbi gjendjen në Ambasadën italiane sipas njoftimit nga njerëzit tanë Për të përshpejtuar punën regjistruese në plotësimin e formularëve dhe të pasaportave, neve futëm në ambasadën italiane një shok tonin nga aparati i KQ të Rinisë. Ky shok, krahas detyrës së mësipërme, pati si mision që të agjitonte me takt me njerëzit, si dhe të na njoftonte imtësisht për gjendjen. Përmbledhtazi po ju njoftojmë më poshtë. Në ambasadën italiane gjenden të strehuar mbi 800 vetë. Ndërmjet tyre ka fëmijë, të rinj e të reja dhe mosha më të mëdha deri në 56 vjeç. Mosha mbizotëruese janë të rinjtë. Përveç 10-15 adoleshentëve që janë vetëm, të tjerët janë së bashku me familjet e tyre. Në Ambasadë ka afro 70 fëmijë nën moshën 5 vjeç. Për strehimin e grave dhe të fëmijëve të vegjël janë ngritur dy kasolle të vogla, ndërsa të tjerët janë rregulluar si munden në oborrin e pasim të ambasadës, duke pasur si shtrojë vetëm një batanije.

Capture
Faksimile e njoftimit të KQ të Rinisë për KQ të PPSH-së

Personeli i ambasadës sillet në mënyrë korrekte me njerëzit dhe ushqimi shpërndahet tre herë në ditë; i mjaftueshëm për të jetuar. Ndihma mjekësore jepet në mënyrë të shpejtë sa herë lind nevojë. Ambasada nuk ka mjek, ndaj dhe disa herë është thirrur mjeku i ambasadës franceze. Organizimi i brendshëm është ky: të gjithë njerëzit janë ndarë në 46 grupe. Çdo grup ka nga një kryetar dhe në krye të tërë grupeve gjendet kryetari i parë, që quhet Astrit Spahiu, 45 vjeç, inxhinier, nga Tirana. Personeli i ambasadës komunikon kryesisht me të dhe me kryetarët e tjerë për çdo problem të dalë. Të parë në tërësi, bie në sy një lloj vetëndarje e brendshme e të strehuarve, me anë të së cilës zgjidhet çdo grindje e deri tek pengimi i atyre që duan të dalin. Numri më i madh i të strehuarve janë nga Tirana, sidomos nga Kombinati, lagjja “Ali Demi”, si dhe nga mjaft punëtorë të KAT (Kombinati i Autotraktorëve, red.). Gjithashtu, duke përfshirë edhe studentët, numri i intelektualëve arrin në afro 50 vetë. Grupet e tjera më të mëdha të njerëzve janë nga Durrësi, Kavaja, Elbasani. Ka edhe nga Vlora, Shkodra dhe Korça.

Është për t’u theksuar se gjatë tri ditëve që punuam aty nuk pati ndonjë lloj shprehje të pakënaqësisë politike kundër Partisë e shtetit. Nga bisedat e bëra konstatohet se ka njerëz të cilët e shohin me pasiguri të ardhmen e tyre sur të dalin jashtë shtetit dhe afro 20 prej tyre u shprehën fshehtas para nesh se duan të dalin, por kishin frikë. Por në këtë aspekt, dy raste të qëndrimit jo korrekt të policisë (të dielën dhe sidomos të hënën në mbrëmje) ndaj atyre që dolën vullnetarisht, kanë prishur shumë punë, duke i demoralizuar fare të lëkundurit, të cilët me fare pak punë mund të ktheheshin përsëri në shtëpitë e tyre.

Ky qëndrim i policisë deri në një farë mase ka kompromentuar edhe dekretin e fundit në sytë e të strehuarve në ambasadën italiane. Shumë veta të strehuar kërkonin të dinin se si do të zbatohej praktikisht dekreti i fundit për marrjen e pasaportave dhe kur i’u shpjegohej, pyesnin se “përse të mos sigurojë shteti udhëtimin për daljen jashtë shtetit kundrejt vlerës së tij me pare (të holla, red.) shqiptare”, sepse “megjithëmend mund të merret pasaporta nga shteti ynë dhe viza prej shtetit përkatës, por është e pamundur të gjendet deviza për të paguar udhëtimin”. Gjatë këtyre ditëve të strehimit në ambasadën italiane morëm takim me përfaqësuesin e OKB-së, i cili në esencë i’u tha se “të mos shqetësoheshin se ai do ta ndiqte zhvillimin e operacionit për lëvizjen e tyre nga Shqipëria deri jashtë kufijve, por duhej të mbanin vetëm rregull e disiplinë, pa ngacmuar, thirrur e provokuar njeri”.

Në përgjithësi njerëzit ishin të lidhur dhe prisnin sa më shpejtë nisjen e tyre për jashtë, prandaj mendoj se mbas dhënies së pasaportave nga ana jonë, duhet sqaruar tërë opinioni se çdo vonesë shkaktohet nga pala italiane dhe jo nga ne. Veprimi i shpejtë për nxjerrjen në një kohë rekord të pasaportave nga ana jonë i ka shqetësuar italianët, të cilët s’e kanë pritur një gjë të tillë, dhe u ndodhën para një fakti të kryer, gjë që s’munguan ta pranonin në bisedat me njeriun tonë. NË një bisedë të instruktorit tonë me sekretarin e dytë të ambasadës, ai u shpreh se “kishte frikë për përsëritjen e një vale të dytë të strehuarësh” dhe se “do të ishte e mira të gjendesh një zgjedhje më e përshtatshme për të penguar këtë valë, sidomos nga pala shqiptare”. Gjithashtu ai tha se “konstatonte një mosbesim të madh të njerëzve që ishin strehuar aty në lidhje me problemin e tyre, përfshi këtu edhe dekretin e fundit”.

Këtë e konstatuam edhe ne kur të strehuarit na thoshin se “në qoftë se qeveria shqiptare jep pasaportat dhe italianët do t’i çonin në shtëpitë e tyre, deri sa t’u dilnin vizat italiane ata s’kishin për të dalë kurrë nga ambasada”. Sepse “mos një ditë, tjetrën, ata do të binin në duart e Sigurimit”. Mendojmë nga këto që na njoftuan njerëzit tanë për ambasadën italiane se duhet të përpiqemi që t’i heqim pak nga pak sa të jetë e mundur ngjyrat politike rreth kontingjenteve të futura në ambasada. Për këtë ekzistojnë të tëra mundësitë. Sepse nga bisedat me shumicën dërrmuese të të strehuarve rezulton se ata e motivojnë veprimin e bërë kryesisht me arsye të karakterit ekonomik si për një punë ku të fitojnë më shumë, për të jetuar materialisht më mirë, për të parë e njohur botën, për të provuar veten etj. Por, zbutja e ngjyrave politike e gjykojmë se do të ftohë gjaqet, edhe të atyre që janë brenda ambasadave, edhe të interesuarve e të njerëzve të tyre që janë jashtë.

Ky modulim taktik, kemi mendimin se i ndan prej nesh edhe shqiptarët që ikin jashtë atdheut jo aq me armiqësi politike, gjë që, në kushtet e largimit me mijëra, mund të na hapë probleme serioze në të ardhmen. Edhe për perspektivën e marrëdhënieve tona me shtetet evropiane, zbehja e ngjyrave politike për këto lloj kontingjentesh dhe evidentimi me masë i motiveve ekonomike mundet të sheshonte problemet. Ndoshta edhe për Kosovën dhe kosovarët zbehja e ngjyrës politike do të mund të ishte më me vlerë. Me këtë sugjerim nuk duam aspak të zbusim qëndrimin tonë në propagandën gojore. Fjala është për propagandën e shtypin zyrtar. Gjithashtu, masat organizative kërkohet të vazhdojnë të mbahen të forta. Sekretari i Parë i KQ të Rinisë Lisien Bashkurti (firma, vula)

Përgatiti materialet: Ferdinand Dervishi 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.