OPINION

“Ura” jonë diplomatike me Brukselin!

08:56 - 27.07.22 JORGJI KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fjala është për Përfaqësinë tonë diplomatike pranë Bashkimit Europian në Bruksel; e cila mbulon Komisionin, Shërbimin e Jashtëm dhe Parlamentin Europian, Bankën Europiane të Investimeve dhe institucione të tjera në Luksemburg, përfaqësitë e vendeve antare dhe shteteve të tjera në Bruksel, think tanket, firmat lobuese, median, etj. Ka dhe pjesën e Ambasadës, e cila mbulon marrëdhëniet me Belgjikën dhe Luksemburgun. Një Urë e vërtetë diplomatike ndërlidhëse dhe bashkërenduese Tiranë – Bruksel -Tiranë në të gjitha format/formatet. Përfaqësia më e ngarkuar, me një intensitet të jashtëzakonshëm në të gjitha drejtimet. Ndonëse, me stafin më modest nga çdo përfaqësi tjetër e huaj.




Në 30 vitet e funksionimit, kjo Përfaqësi është kthyer në një pikë të madhe referuese për historikun dhe dinamikën e marrëdhënieve me Bashkimin Europian, dhe në përgjithësi për të gjithë hapat, arritjet, problematikat, krizat, pritshmëritë dhe zhgënjimet e rastit.

Kohët e fundit, me rastin e çeljes së negociatave ështe folur e flitet shumë për  ekipe negociatorësh dhe përgatitjen e tyre me rastin e  antarësimit me BE-në.  Mirëpo,  në fakt, gjatë 30 viteve të bashkëpunimit me BE-në, falë ndihmës e mbështetjes së saj  bujare,  shumica e negociatorëve, ekspertëve dhe drejtuesve të tanishëm të politikës, ekonomisë dhe  diplomacisë sonë kanë kaluar në Bruksel dhe gjetkë  nëpërmjet kësaj Përfaqësie; aty janë « stërvitur », kanë kryer stazhe dhe kanë punuar në nivele të ndryshme; sepse, pavarësisht nga titujt dhe masterat, është  praktika ajo që të bën perfekt, se nuk ka ekselencë pa eksperiencë

Ndaj, ia vlen të ndalemi disi më gjatë te kjo urë diplomatike, me avantazhin që më jep dhe përvoja diplomatike 10 vjeçare në atë Përfaqësi në  25 vitet e fundit.

Dihet se deri në vitin 1990  rregjimi i kaluar me kushtetutë, e konsideronte BE-në si një ndër armiqtë më të mëdhenj të popujve, socializmit dhe vendit tonë, ndërsa bashkëpunimin me të «  tradhti të lartë ». Nga fundi i viteve 80, për shkaqe të njohura,  rregjimi monist u detyrua t’i thotë  derrit dajë » duke kërkuar më 8 Qershor 1990 zyrtarisht vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me BE-në, çka u realizua një vit më vonë.

Pas kësaj, kanë ndodhur shumë zhvillime të vrullshme; të gjitha kanë kaluar nëpërmjet Përfaqësisë sonë në Bruksel, e cila i ngjan dhe një Arkive të gjallë në këto fusha madhore.

Këtë e tregon dhe ky « udhëtim » i shpejtë kohor në dinamikën, sfidat dhe drejtuesit e saj.

Me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike më 1991, Ambasadori ynë i parë në BE u caktua  diplomati veteran i karrierës, i ndjeri Petraq Pojani, ish-drejtor i Marrëdhënieve Shumëpalëshe në MPJ, me shumë përvojë diplomatike në këtë fushë përfshirë dhe OKB-në.  Por, ndryshimi i sistemit politik në vitin 1992 mesa duket kërkonte diplomatë dhe ambasadorë më të rinj, prandaj në vitin 1992, Pojani që u nda nga jeta ditët e fundit zëvendësua nga diplomati i ri i karrierës, Artur Kuko, i ardhur nga MPJ-ja. Ai e drejtoi këtë përfaqësi fare të vogël atëhere deri në vitin 1997  për t’u kthyer sërish më vonë.

Ndryshe nga sa mund të ishte menduar fillimisht, vitet 1993 – 1997 ishin plot me dosje  të nxehta dhe shpërthyese, të paimagjinueshme për sistemin e ri demokratik ku kishim hyrë. Akti i parë i madh pozitiv ishte nënshkrimi në Prill 1992 i Marrëveshjes së Parë të Bashkëpunimit Ekonomik dhe Teknik me BE-në. Mirëpo pas saj, pati një periudhë të errët të demokracisë plot zhgënjime dhe përplasje; më 30 Korrik 1993 u bë arrestimi dhe burgosja politike e ish-liderit të opozitës socialiste, Fatos Nano e cila e mbajti për vite të tëra të mbërthyer politikën shqiptare; më 1994 u bë dhe dështoi Referendumi  për Kushtetutën e re, e cila synonte forcimin e rregjimit presidencial; për t’u shoqëruar dhe pasuar më 1996 nga  farsa dhe masakra zgjedhore e 26 dhe 28 Majit 1996 deri te rënia e  shtetit shqiptar pas skemave piramidale në Mars 1997.

Këto dhe të tjera ngjarje të dhimbshme e minuan  dhe një projekt të Komisionit Europian, ku Misioni i atëhershëm kishte dhënë  ndihmesën e vet lidhur me nënshkrimin e  një Marrëveshje Asociimi në vitin 1996.

Në shtator 1997, në krye të Misionit, ku u bashkua dhe pjesa e Ambasadës, u emërua i Ndjeri Idriz Basha, i cili jetonte prej mbi 4 dekada në Bruksel dhe me aktivitet të dëndur atdhetar.  Një vit më vonë, në Nëntor 1998, me ndarjen e Ambasadës nga Misioni, shef i këtij të fundit u emërua diplomati i karrierës, ish – drejtor i BE-së në MPJ, Ferit Hoxha. Pikërisht gjatë asaj periudhe pata fatin të bëhem pjesë e stafit me 4 diplomatë, i ngarkuar me marrëdhëniet politike të BE-së në rangun e zv.shefit të Misionit pranë BE-së.

Pa e marrë ende vehten nga kriza e piramidave e vitit 1997, një vit më vonë ndodhi rebelimi i 13/14 Shtatorit 1998 në Tiranë, duke shtangur të gjithë komunitetin ndërkombëtar. Veç kësaj,  ra qeveria Nano, erdhën Majko dhe Meta të shoqëruar me probleme të shumta. Më 1999 ra dhe Komisioni Europian pas disa skandalesh dhe u zhvilluan zgjedhjet e Parlamentit Europian, duke ndryshuar kësisoj gjithë drejtuesit e BE-së, çka do të thoshte dhe më shumë punë për Misionin, për t’iu përgjigjur kërkesave të shumta nga qendra.

Po atë vit, pas përfundimit të konfliktit në Kosovë filluan demarshet për Procesin e Stabilizim – Asociimit dhe u krijua Pakti i Stabilitetit për Europën Juglindore, ku u përfshimë dhe ne. Këtu u përfshinë dhe procedurat për studimin e fizibilitetit dhe nisja e  bisedimeve të Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit në vitin 2003 , të cilët do të kalonin nëpër një kalvar të gjatë e të mundimshëm deri në nënshkrimin e tij më 2006.

Të gjitha këto ngjarje për ata që kanë punuar në diplomaci e sidomos në Bruksel e dinë mirë se çdo të thotë lidhur me vëllimin e punës, me orar dhe pa orar, shpesh dhe natën,  për të përcjellë në Tiranë dhe Bruksel mesazhet, hapat dhe demarshet përkatëse, plus vizitat e shumta të  niveleve më të larta, madje, duke u bërë dhe «  shofera ». Shto këtu dhe aspektin logjistik, mbasi brenda tre viteve ndryshuam tre herë  selinë e Përfaqësisë, derisa u vendosëm përfundimisht në fillim të vitit 2000 në godinën  e blerë nga shteti ynë ku vijon dhe sot, « 30, Rue Tenbosch B – 1000 »  dhe banesat tona me aq shumë probleme teknike dhe administrative.

Nuk po hyj këtu në hallet, kopshtet dhe shkollat e fëmijve me rregullat e tyre, gëzimet e sidomos sëmundje dhe  fatkeqësitë tona familjare.  E përmend këtë sepse ka jo pak njerëz që mendojnë se diplomati i ka të zgjidhura automatikisht hallet.

Pavarësisht nga ngarkesa dhe stresi i paparë, ishte kënaqësi intelektuale dhe diplomatike të bashkëpunoje me Zotin Ferit Hoxha. Diplomat i sofistikuar, me mentalitet modern, energjik, me qetësi olimpike, plot kulturë dhe poliglot i vërtetë. Mbas Brukselit, Feriti vijoi karrierën ambasadoriale  në Paris, pastaj Sekretar i Përgjithshëm i MPJ-së, vijoi në Nju Jork, më tej Drejtor i Përgjithshëm i MPJ-së, Ambasador në UNESCO dhe aktualisht Ambasadori ynë i shquar në OKB në Nju Jork.

Gjatë periudhës 2004 – 2007 në krye të atij Misioni u rikthye Artur Kuko, ndër  Ambasadorët më me përvojë dhe  jetëgjatë. Ka qenë  19 vjet ambasador në BE dhe NATO në Bruksel dhe 8 vitet e fundit në Berlin pa ndërprerje, përjashto gati 2 vjet në Tiranë si drejtor në MPJ; tregues rekord dhe tejet domethënës, që flet vetë më shumë se gjithçka!

Gjatë asaj periudhe Misioni përballoi një sërë ngjarjesh të rëndësishme, edhe pse jo me intensitetin e mëparshëm; zgjedhjet e Parlamentit Europian më 2004, bisedimet për Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit, zgjedhjet e reja në  Parlamentin Europian, zgjedhjet tona më 2005 dhe ardhja në pushtet e PD-së, nënshkrimi në Qershor 2006 i  Marrëveshjes së Stabilizim – Asoccimit e të tjera.

Nga viti 2007 – 2014, Misionin e  drejtoi zonja Mimoza Halimi, pasi më 2001-2004 kishte qenë në rangun e zv.shefes së këtij Misioni, pastaj  drejtore e Europës në MPJ; e para ambasadore në Bruksel; vlerësohet përgjithësisht për kompetencën, sistematike dhe kërkuese ndaj vehtes e të tjerëve.  Pas vitit 2014 ishte Drejtore e Përgjithshme dhe tani Drejtore e Europës në MPJ. Gjatë asaj periudhe, shërbyen në Mision me status diplomatik për nevoja të veçanta  pune dhe disa dhe ekspertë nga ekonomia, arsimi dhe drejtësia.

Ishte një periudhë intensive me demarshe për paraqitjen e kërkesës zyrtare më 2009 për përfitimin e statusit kandidat në BE, liberalizimi i vizave i realizuar më 2010, por dhe krizat famëkeqe në vitin 2009 dhe 2011, kompromisin e realizuar në Strasburg, te Restaurant «  Au Crocodile” pas protestës së 21 Janar 2011. Jo më pak ngarkesë krijuan  demarshet e dështuara për marrjen e statusit kandidat dhe çeljen e negociatave të antarësimit.

Nga viti 2014 e në vijim, këtë Përfaqësi e drejton me kompetencë profesionale të admirueshme  zonja Suela Janina, me përvojë të gjatë si juriste e të drejtës ndërkombëtare.  Ish diplomate në Milano, eksperte, drejtore Juridike dhe drejtore e Përgjithshme e Marrëdhënieve Shumëpalëshe në MPJ, doktore  shkencash dhe për tetë vjet zv. dhe kryetare e Komitetit për mbrojtjen e grave nga dhuna në sistemin e OKB-së në Gjenevë.

Duke patur privilegjin të rikthehesha në atë Përfaqësi në periudhën 2011 – 2017, jam dëshmimtar i faktit se me punë të parreshtur, kërkuese në radhë të parë ndaj vehtes dhe me një frymë ekipi model, Suela është treguar kudo Ambasadore e spikatur, operative, pragmatike dhe me besueshmëri të lartë në kancelaritë europiane dhe te bashkëatdhetarët tanë. Ajo mishëron tiparet më të spikatura të diplomacisë klasike, ekonomike, publike, kulturore dhe qytetare.

Ndonëse tejet e angazhuar me dosjet e shumta dhe të nxehta të BE-së, ajo ka qenë aktive si askush tjetër më parë dhe në fushën dypalëshe, duke përfshirë në mënyrë të veçantë nxitjen dhe promovimin e shembujve pozitivë të bashkëatdhetarëve.

Kjo periudhë rezultoi tejet e ngarkuar me punët e pambaruara e sidomos demarshet për marrjen e statusit kandidat, që u realizua në vitin 2014 dhe disa ditë më parë me çeljen e negociatave të antarësimit, ku siç dihet, për 8 vite rresht, «  na ngeci sharra në gozhdë », me vizita të shumta të drejtuesve të vjetër dhe të rinj të dalë nga zgjedhjet e Parlamentit Europian më 2019; shto këtu përshkallëzimin e terrorizmit ndërkombëtaar që në Mars 2016 goditi në zemër të tij Brukselin belg dhe Europian ; krizën e paparë të azilit më 2015, zgjedhjet parlamentare dhe vendore në Shqipëri më 2017, 2019 dhe 2021, për të ardhur te demarshet e shumta të kësaj Përfaqësie pranë Komisionit Europian lidhur me pasojat e Tërmetit shkatërrimtar të 26 Nëntorit dhe së fundi me krizën COVID – 19.

Së fundi, në respekt të rreth 30 kolegëve të tjerë që kanë shërbyer më parë në këtë Mision, po përmend fare shkurt kastën e diplomatëve që kontribuoi me punë dhe përkushtim të palodhur këto 10 vitet e fundit: Sokol Dedja, që ndonëse pa zhurmë dhe pa bujë, e njeh me “rrënjë e me degë” tematikën e BE-së, si ekspert, diplomat në Bruksel, duke vijuar si  zv.ministër dhe aktualisht Drejtor i Përgjithshëm në MPJ;  ish zv.shefja e Përfaqësisë, Admira Jorgji, me goxha përvojë të mëparshme diplomatike në Berlin, Nju Jork dhe Athinë, tani drejtore e BE-së në MPJ; Ardian Mara, diplomat “ i thekur” me shumë përvojë në disa metropole dhe aktualisht i Ngarkuar me Punë në Australi; Brunilda Koço me 20 vite punë në disa sektorë në MPJ, tani Ministre Fuqiplotë në Misionin tonë pranë OKB-së në Gjenevë; Blerta Derhemi, doktore shkencash për marrëdhëniet ndërkombëtare; pas kontributit në Bruksel në fusha me njohje dhe përvojë 15 vjeçare  shërbeu si Përgjegjëse Sektori në Task Forcën speciale të kryesimit të OSBE-së në MPJ ku vijon në Sektorin e Amerikave; Naim Mandri, ish drejtor kompetent i Konsullores  në MPJ, diplomat dhe më parë në Bruksel, i cili vazhdon në Ambasadën tonë në Bratislavë dhe Elona Dedi, prej vitesh në Përfaqësinë tonë në NATO. Për ta mbyllur me zv.shefen e tanishme, Gentiana Baholli, diplomate e spikatur në disa dimensione, me përvojë 20 vjeçare dhe arritje në fushën dy dhe shumëpalëshe. Dhe diplomatet më të reja premtuese, Blerina Boci, Ersa Lako dhe Xhona Jupe.  Nuk mund të mos përmendim diplomatët e Ambasadës, e cila ka kontribuar goxha me Belgjikën dhe Luksemburgun; në veçanti, Ministrat Fuqiplotë, zotin Engjëll Begalla  dhe zonjën Lea Frashëri, të dy me gati 3 dekada diplomatike,  ish drejtorë në MPJ dhe diplomatë  me rezultate të spikatura  në disa metropole kryesore europiane.

Le ta theksojmë se çelja e negociatave me BE-në  ishte kurorëzimi i përkushtimit maksimal  edhe të kësaj Përfaqësie. Falë përvojës së saj të pasur dhe mbështetjes së gjithanshme nga qeveria dhe MPJ-ja, urojmë që ajo të vazhdojë të luajë rolin e vet të dukshëm në ecurinë dhe përfundimin e negociatave të antarësimit dhe në të gjitha projektet e tjera europiane. 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.