KULTURË

Piktori Nikolla Dhales peizazhisti i jashtezakonshem i Riminit dhe Parisit

10:10 - 02.08.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ylli Drishti Studiues & Kurator Arti  – Nikolla Dhales, apo Niko ashtu siç e njohin miqtë e tij në Tiranë, para disa ditësh, më 20 korrik 2022 u nderua me titullin e lartë: MJESHTËR I MADH nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T. Z. Ilir Meta. Kjo dekoratë e lartë iu akordua artistit Nikolla Dhales “Për kontributin e madh dhënë përmes artit pamor në pasqyrimin e natyrës, ngjyrave të jetës, çështjeve me ndjeshmëri të lartë shoqërore, kulturës shqiptare dhe asaj europiane”.




Kush është artisti Nikolla Dhales

Nikolla Dhales / NIKO ka lindur në Tiranë, por origjina e familjes së tij është nga fshati Skore e Pogonit (Gjirokstër). Babai i tij Sofokli Dhales (1913-1973) kreu shkollën teknike amerikane në Tiranë dhe pas studimeve ishte drejtor i shoqërisë SITA, më tej përfaqësues i shoqërisë amerikane General Electric. Me përfundimin e luftës, pas vitit 1944, ai punoi si specialist frigoriferësh në ndërmarjen shtetërore tregëtare ushqimore (NTSHU–S). Nëna e Nikos, Areti Mosko, vajza e pronarit të fabrikës së lëkurave “Vango Mosko”, ishte nga qyteti i Gjirokastrës. Ajo kreu studimet në shkollën italiane në Vlorë. Nga tri fëmijët (djemtë) që lindën nga martesa e tyre, Niko ishte fëmija i dytë dhe i vetmi që mori rrugën e artit pamor.
Talentin Niko e zhvilloi fillimisht në pallatin e pionierëve në Tiranë dhe më tej ai u diplomua për pikturë në Liceun Artistik Jordan Misja (1976), duke patur pedagogë gjatë katër viteve, artistët shqiptarë: Llazar Myzeqari, Petrit Papa, Naxhi Bakalli dhe Buron Kaceli.. Niko studioi në të njëjtën klasë së bashku me artistët Artion Baboçin, Shaqir Veselin, Fatos Kolën etj. Me fillimin e projektit të ndërtimit të Muzeut Historik Kombëtar dhe deri në përurimin e tij Niko Dhales ishte piktori i sallës së periudhës së mesjetës (në grupin që përbëhej nga historianë, arkitektë) dhe më tej pas vitit 1981 deri në vitin 1990, Dhales punoi si piktor në Ndërrmarjen Tregtare Shtetërore.
Artisti Niko Dhales ka qenë i pranishëm me veprat e tij (peizazhe dhe natyra të qeta) në të gjitha ekspozitat lokale dhe kombëtare, duke filluar nga viti 1978 -1990. Peizazhet e tij të realizuara në teknikën e vajit, kishin si subjekt imazhet e qytetit të Tiranës, por dhe të qyteteve si: Berati, Gjirokastra, Pogradeci, Vlora dhe bregdeti i detit Jon, Saranda etj. Artisti i realizonte këto punime me pasion dhe me synimin për të evidentuar bukurinë e natyrës dhe qyteteve të Shqipërisë. Veprat e tij ishin realiste dhe me dritë diellore.

Në Rimini – Itali për 10 vite me radhë
Kjo punë intensive, e pasuroi paletën koloristike të piktorit dhe e ndihmoi artistin 33 vjeçar të vazhdonte krijimtarinë e tij për 10 vite me radhë (1990-2000) në Itali në qytetin bregdetar e turistik të Riminit. Rimini me bukurinë e tij e njohu artistin me sheshe historike, monumente, afreske, vepra skulpturore të mjeshtërve të Rilindjes italiane si (Giotto, Piero della Francesca etj).
Niko Dhales në Rimini (Itali) vazhdoi të realizonte punimet e tij në teknikën e vajit dhe krijoi mbi 2000 tablo me imazhe nga qyteti i Riminit, katedralet, urat monumentale, monumentet e vjetra historikë romake, bregdetin etj. Duke ekspozuar në Galeritë e Arteve të qytetit të Riminit, Cesenës, Forlisë, Bolonjës dhe Romës, emri i piktorit Dhales krijoi imazhin e një profesionisti, që kërkohej veçanërisht nga turistët e shumtë. Në disa galeri ai ekspozoi me mikun e tij piktorin shqiptar Avni Delvina, me të cilin e lidhte miqësia e hershme që në Tiranë. Duke u inkuadruar krahas piktorëve italianë në shërbim të turizmit kulturor, ai i përballoi me mjaft sukses sfidat e piktorit të rrugës, duke i shitur në ato vite të gjitha krijimet e tij me çmime të njëllojta me kolegët italianë (300 000 – 500 000 lireta).

Në Paris – kryeqytetin e artit

Në vitin 2000 Dhales, largohet nga Italia dhe vendoset familjarisht në Paris. Kryeqyteti francez – Parisi është sigurisht dhe qyteti sinonim i bukurisë, elegancës dhe qendra botërore e kryeveprave dhe muzeve të artit. Përpara artistit Dhales tashmë dilte një detyrë e vështirë. Si do të ambientohej dhe ushtronte krijimtarinë e tij artistike në një nga qendrat më të mëdha të artit? Parisi ka qenë dhe është ëndrra e çdo artisti për ta vizituar qoftë edhe një herë. Qyteti i muzeve të mëdhenj botërorë si Muzeu i Luvrit, Qendra Pompidou, Petit Palais, Muzeu Rodin, Muzeu Kombëtar Picasso, Musée d’Orsay dhe i mbi 150 muzeve të tjerë që shpalosnin koleksionet e tyre nga antikiteti deri tek krijimet me bashkëkohore, do të ishte tashmë qyteti që artisti Niko Dhales do duhej të përshtatej dhe të zinte vendin e tij si artist.
Ishte një sfidë që duhej ta përballonte me talentin e tij, guximin dhe sigurisht me këmbëngulje dhe durim. Për tetë vite me radhë piktori Dhales e vizatoi dhe e vizatoi çdo ditë Parisin; pikturoi rrugët dhe lagjet kryesore, si dhe strukturat simbol të Parisit, duke i ekspozuar punimet e tij në një nga 37 urat mbi lumin Senë. Gradualisht artisti krijoi individualitetin artistik dhe me mjaft kujdes ai përzgjidhte ato imazhe të Parisit, të cilat pëlqeheshin dhe tërhiqnin turistët e huaj si: Katedralen Notre-Dame, Tour Eiffel (Kulla Eifel si simboli i Parisit) Harku i Triumfit, Avenue des Champs Elysées (rruga më e famshme në Paris), Muzeu i Luvrit, Urat mbi Senë etj, etj.
Nuk ishte një rrugë e lehtë. Parisi ka me mijra dhe mijra piktorë që e pikturojnë atë çdo ditë dhe veprat e tyre ua ofrojnë miliona turistëve që e vizitojnë atë. Turistët tashmë kanë telefona celularë modernë, që mund të fotografojnë çdo imazh që u pëlqen si kujtim. Po pse ata tërhiqen nga peizazhet – akuarelet e Dhalesit? Me mjaft zgjuarsi piktori shqiptar kombinoi dy elementë thelbësor në akuarelet e tij: vizatimin e saktë elegant me plot me detaje dhe koloritin e pasur, delikat, të freskët, plot dritë diellore. Peizazhet e tij priteshin me mjaft entuziazëm nga turistët amerikanë, anglezë, japonezë, spanjollë, gjermanë, danezë, finlandezë etj. Në vitin 2008 Dhales bëhet anëtar i Shtëpisë së Artistëve Francezë (Maison des Artistes Français) dhe fitoi konkursin së bashku me një piktor portretist japonez nga 280 kandidatë, për tu bërë pjesë e sheshit të artistëve (Place du Tertre) në ‘Montmartre’. Tashmë piktori ka statusin e tij si i vetmi shqiptar në mes 300 artistëve francezë dhe atyre të ardhur nga vende të ndryshme (japonezë, kinezë, spanjollë, serbë, portugezë). ‘Place du Tertre’, është një nga sheshet më të famshme në Paris, jo vetëm sepse është i rrethuar nga monumente dhe ndërtesa shumë karakteristike, por edhe për praninë e vazhdueshme të artistëve, karikaturistëve, vizatuesve dhe piktorëve (veçanërisht portretistë dhe karikaturistë) falë të cilëve është bërë disi simboli i rrethit të Montmartrit. Dihet se ky shesh ka qenë burim frymëzimi për artistë si Pissarro, Delacroix, Van Gogh, Modigliani, Matisse, Renoir, Degas, Toulouse-Lautrec, Picasso, Utrillo (këtu dy të fundit jetuan kur ishin të rinj dhe pa para) dhe e shumë piktorëve të tjerë. Jo shumë larg ‘Place du Tertre’, janë Bazilika Sacré-Coeur (majtas) dhe Saint-Pierre de Montmartre, kisha më e vjetër në Paris së bashku me Saint-Germain-des-Près (1134). Duke kaluar nga e shenjta në atë profane, pranë sheshit ka edhe kabare me famë botërore, si ajo Moulin Rouge, që është shumë i famshëm.

WhatsApp Image 2022-07-29 at 20.38.32 WhatsApp Image 2022-07-29 at 20.40.06 WhatsApp Image 2022-07-29 at 20.40.08 YLLI 44
<
>

Artisti Niko Dhales ruan imazhin e një artisti serioz dhe punimet e tij në vizatim dhe me ngjyra (laps dhe penë, akuarel), i realizon në letrën më të mirë franceze të quajtur ARCHES (300 gr), duke ruajtur tashmë dimensionet e tij të veçanta (90 x 50 cm). Duke u njohur me koleksionin e punimeve të Niko Dhalesit vërejmë disa veçanti në planin kompozicional dhe në raportet grafike apo dhe ato koloristike. Në vizatimet e tij me laps, penë si dhe serigrafitë ndjehet aftësia e një mjeshtri profesionist, vizatues virtuoz, i cili di të evidentojë dhe harmonizojë detajet me elementët e tjerë të ndërtesave, urave, kefeneve, rrugëve e monumenteve të Parisit. Akuarelet e Niko Dhalesit të mahnisin me dritën e tyre magjike, ngrohtësinë delikate koloristike që të bindin se artisti e interpreton subjektin me dashurinë e një mjeshtri që shpalos aty edhe dritën pariziane në të katër stinët e vitit.
Një risi mjaft inteligjente e piktorit Dhales janë akuarelet e tij vertikale ku ai ka pikturuar me mjaft kujdes fragmente nga arkitektura magjike e këtij qyteti të jashtëzakonshëm. Në koleksionin e punimeve të tij në akuarel nuk mungojnë disa nga 37 urat më të famshme, që kalojnë mbi Senë si: Ura Alexandre III (e ndërtuar në vitin 1900, me rastin e Ekspozitës Universale për të lidhur Grand Palais me Les Invalides); Pont Neuf, Pont de la Tournelle në Paris, Pont des Arts… etj. I konsideruar si kryeqyteti romantik ‘par excellence’, Parisi nuk mungon të mahnisë me bukurinë e papritur të peizazheve të tij arkitekturorë. Artisti Dhales i dashuruar me këtë qytet magjik, me penelin e tij i ofron artdashësve dhe turistëve nga e gjithë bota që vizitojnë Parisin dhe Montmartre, vepra që admirohen për bukurinë, mjeshtrinë dhe koloritin apo graficitetin e tyre mbresëlënës. Ai herë – herë, ‘gdhend’ me lapsin apo penelin e tij çdo detaj (ballkon, dritare, dekoracion, etj) të rrugëve dhe monumenteve simbol të njohura të Parisit, por ndonjëherë ai të emocionon me virtuozitetin e vizatimit me laps apo penë, që edhe pse ka shumë realizëm në to ndjehet qëndrimi artisik i artistit, interpretimi që vetëm ai di ta realizojë me emocionin e çastit. Një nga akuarelet e suksesshme të artistit që kërkohet nga shumë turistët është peizazhi me imazhin e kafesë së famshme pariziane ‘Les Deux Magots’. Në këtë kafene simbol në Paris takoheshin dhe pinin kafe figura të mëdha botërore intelektuale, të artit dhe letërsisë: Paul Verlaine, Arthur Rimbaud e Stéphane Mallarmé, Elsa Triolet, André Gide, Jean Giraudoux, Picasso, Ëilfredo Lam, Fernand Léger, Jacques Prévert, Ernest Hemingëay, Jean-Paul Sartre, Milena Milani, Simone de Beauvoir, Man Ray, Albert Camus, Raymond Queneau, Umberto Eco dhe Raffaella Nunziante.
Në vitin 2015, piktori Niko Dhales dhe piktori Avni Delvina kthehen në Shqipëri dhe çelën ekspozitën e tyre të përbashkët në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, (nën kujdesin e Ambasadës Italiane) të titulluar “Pas 25 vjetësh”, duke marrë vlerësimet maksimale nga kritika, media dhe publiku shqiptar.

Artisti Niko Dhales dhe LA SCALA – Milano

Rrugëtimi artistik i artistit Niko Dhales është disi i veçantë. Në vitin 2017 piktori Niko Dhales fitoi konkursin e realizimit të Lokandina (posterit souvenir) të operas Madame Baterflaj, me të cilën Opera e Milanos LA SCALA çelte sezonin operistik 2016-2017. E entuziazmuar nga Lokandina e Dhalesit, sopranoja kryesore uruguajane me famë botërore Jose Maria Siri e kërkoi artistin ta takonte, duke e përgëzuar dhe marrë autografin e tij. Artistja uruguajane Jose Maria Siri është konsideruar si një nga interpretueset kryesore të operave të Verdit, Puccinit dhe teatrit realist. Ajo bëri debutimin e saj me shumë sukses në rolin e Cio-Cio-San në Butterfly, duke inaguruar sezonin operistik 2016/2017 të “Teatro alla Scala”, në versionin origjinal të operës në dy akte, drejtuar nga Maestro Riccardo Chailly me Bryan. Hymel, Carlos Álvarez dhe Annalisa Stroppa. Në vitin 2017 ajo u nderua me çmimin e veçantë Ylli i Lirikës “Stella della Lirica”. Artistja Siri ka interpretuar në ambiente të tilla si Teatro alla Scala, Wiener Staatsoper, Gran Teatre del Liceu, Neë National Opera Tokio, Teatro Colón, Semperoper Dresden, Deutsche Oper Berlin, Staatsoper Berlin, Mynih dhe Hamburg, Festivalin Arena di Verona etj.
Niko Dhales është një artist modest dhe baba e bashkëshort korrekt. Ç’do mëngjes para se të marrë rrugën në ‘studion e hapur’ drejt kodrës së ‘Montmartre’, ai e pi kafen e parë në apartamentin e tij me familjen. Me talentin e tij, artisti Niko Dhales ka krijuar në sheshin e artistëve në Paris imazhin e piktorit shqiptar që ashtu si shumë figura të tjera shqiptarësh kudo në botë e nderon vendin e tij të origjinës – Shqipërinë.

Tiranë, më 25.07.2022

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.